Pejgamberin, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem,
e kemi shembëlltyrë

Në këtë kohë të ahiru zemanit, kur prishen kriteret dhe peshojat e matjes së gjërave, kur mungojnë udhërrëfyesit e vërtetë, kur mungojnë shembujtë dhe yrneket për muslimanët, kur mungojnë ata që flijohet për tua mësuar të mirën muslimanëve, është bërë shumë vështirë për muslimanët në përgjithësi dhe për të rinjtë në veçanti.

Muslimanët e vendeve shqiptare ballafaqohen me një problem shumë të madh, e ky është ndërprerja e vazhdimësisë së hoxhallarëve të vjetër që kanë dhënë shembull me veprat dhe sjelljet e tyre, me modestinë dhe vetmohimin e tyre, me dijen dhe sinqeritetin e tyre, me altruizmin dhe punën e tyre të palodhur.

Gjeneratat e hoxhallarëve të rinjë për shumë shkaqe, duke filluar nga shkuarja në shkolla fetare pa dëshirën e tyre, por për dëshirën e prindërit, mungesa e ambijentit pedagogjik të mirëfilltë në vendet ku kanë studiuar, mungesa e sinqeritetit gjat studimit dhe pas kthimit, mosqëndrimi besnik parimeve dhe mësimeve fetare, presionet e ndryshme socio-politike pas kthimit nga studimet, lufta për karierë, lufta për të mbajtur pozitat e jolavdishme të krijuara më herët, personaliteti i dobët, paaftësia për tu ballafaquar me sfidat që u janë paraqitur në jetë, realizimi i detyrave dhe direktivave që i kanë marrë nga të huajët (sllavët), mungesa e standartit të mirë ekonomik të këtyre njerëzve, etj, kanë qenë dhe janë shkaqet e mungesës së liderëve fetar me plot kuptimin e fjalës në mesin e popullit tonë shqiptar.

Prania e këtyre cilësive në mesin e brezit të rinjë të hoxhallarëve ka krijuar ndasi dhe mosunitet, përçarje dhe përplasje mes klaneve dhe shtresave të ndryshme që janë krijuar me kalimin e kohës në mesin e hoxhallarëve dhe këto plasaritje me kalimine kohës janë bërë edhe publike.

Kjo gjendje në mesin e hoxhallarëve ka krijuar huti në mesin e muslimanëve dhe në mënyrë indirekte ka krijuar mosinteresim të muslimanëve për mësimet islame, sepse në një farë mënyrë sjellja e tyre sikurse dëshiron të thotë: se tërë ajo që ua sqarojmë nuk është e arritshme dhe është një lloj utopie.

Mungesa e këtyre liderëve fetarë krijon një pengesë të madhe në aktivitetin për afrimin e njerëzve në fenë e All-llahut dhe sqarimin e rregullave fetare.

Ska dyshim se në trevat tona në historinë moderne janë paraqitur kohë pas kohe hoxhallarë të rinjë dhe të sinqertë, puntor dhe të palodhshëm në përhapjen e fesë së All-llahut dhe ky popull dhe këto treva nuk do të mbeten pa njerëz të atillë, mirëpo duhet të gjith ne të punojmë që numri i tyre të jetë në shtim e sipër sidomos në këtë kohë të zhvillimeve të hatashme të teknologjisë, shkencës, kinematografisë, industrisë së modës, sportit, muzikës, gjëra të cilat paraqesin sfida shumë të mëdha dhe delikate për popullin tonë në përgjithëesi dhe rininë në veçanti.

Në mungesë të numrit të mjaftueshëm të liderëve fetar të aftë, të përgaditur, punëtor dhe të sinqertë, ngushëllim për masën e gjërë të muslimanëve është pasimi i shembëlltyrës sonë supreme, Muhammedit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem.

Për këtë shkak në këtë hutbe do të flasim për Pejgamberin, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, si shembëlltyrë tonë, të hoxhallarëve dhe të xhematit, të intelektualëve dhe të shtresave të gjëra popullore.

Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, është imami i hoxhallarëve, shembëlltyra, yrneku dhe thirrësi pedagog, pasimin e të cilit na e ka urdhëruar Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, qoftë në adhurimet, thirrjen, moralin, sjelljen dhe të gjitha çeshtjet e jetës sonë.

All-llahu, xhel-le shanuhu, ka thënë:

“Thuaj: “Kjo është rruga ime, e vënë në fakte të qarta, e që unë thërras te All-llahu, unë dhe ai që vjen pas meje. Larg të metave është All-llahu, e unë nuk jam nga idhujtarët”. (Jusuf: 108).

All-llahu, subhanehu ve teala, thotë:

“Ju e kishit shembullin më të lartë në të dërguarin e All-llahut, kuptohet, ai që shpreson në shpërblimin e All-llahut në botën jetër, ai që atë shpresë e shoqëron duke e përmendur shumë shpesh All-llahun”. (El-Ahzab: 21).

Pasimi i Pejgamberit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, është i domosdoshëm

Secili musliman dhe muslimane duhet ta pasojë Muhammedin, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, sepse pasimi i tij është baza e udhëzimit.

All-llahu, tebareke ve teala, ka thënë:

“Ju e kishit shembullin më të lartë në të dërguarin e All-llahut, kuptohet, ai që shpreson në shpërblimin e All-llahut në botën jetër, ai që atë shpresë e shoqëron duke e përmendur shumë shpesh All-llahun”. (El-Ahzab: 21).

Imam Ibën Kethiri duke e komentuar këtë ajet ka thënë:

“Ky ajet është bazë e madhe e pasimit të Pejgamberit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, në fjalët, veprat dhe gjendjen e tij, andaj njerëzit janë urdhëruar që ta pasojnë Pejgamberin, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, në betejën e Ahzabit, në durimin, qëndresën, mobilizimin, luftën dhe pritjen e zgjidhjes nga Zoti i tij”. (shiko: “Tefsiri i Ibën Kethirit”, 3/483).

Islami ka nevojë për njerëz që do ta bartin, do ta zbatojnë me sjelljet dhe lëvizjet e tyre, duke i shndërruar mësimet islame në realitet të prekur dhe të parë.

Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, duhet të jetë aq shumë afër muslimanëve dhe zemrave të tyre, saqë kur të përmendet emri i tij, ata të qajnë nga mallëngjimi, nderimi dhe dashuria për te. E mos të flasim për pasimin e tij.

Imam Ibën Tejmiu, rahimehull-llah, ka thënë:

“Njeriut i bën dobi dashuria për All-llahu të krijesave që i do All-llahu, siç janë pejgamberët dhe burrat e devotshëm, sepse dashuria e tyre e afron njeriun te All-llahu dhe dashuria e Tij dhe këta njerëz e meritojnë dashurinë e All-llahut ndaj tyre”. (Shiko: “Mexhmuual-Fetava”, 10/610).

Duhet të na mbushet zemra ynë me dashuri të vërtetë të Pejgamberit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, dhe ti japim përparësi dashurisë, fjalëve dhe urdhërave të tija.

Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë:

“Kush i ka tre gjëra do të shijon ëmbëlsinë e besimit: ta do All-llahun dhe Pejgamberin e Tij më shumë se çdo gjë “. (Buhariu dhe Muslimi).

Ska dyshim se pasimi i Pejgamberit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, dhe marrja e tij si shembëlltyrë për ne, duke e konsideruar si shembullin suprem të njeriut të plotë, është argument i dashurisë që ushqen njeriu ndaj All-llahut dhe me këtë vepër do të arrijë edhe dashurinë e All-llahut ndaj Tij.

All-llahu, azze ve xhel-le, thotë:

“Thuaj: “Nëse e doni All-llahun, atëherë ejani pas meje që All-llahu t’ju dojë, t’ju falë mëkatet tuaja, se All-llahu është që fal shumë, mëshiron shumë”. (Ali Imran: 31).

Andaj, jetëpërshkrimi i Pejgamberit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka qenë një jetë e gjallë para syve të shokëve të tij dhe para pasuesve të tij pas vdekjes së tij. Ishte një shembull njerëzor i plotë në të gjitha etapat dhe në të gjitha aspektet e jetës praktike, shembull praktik në zbatimin e Islamit dhe shndërrimin e tij në realitet që shihet dhe preket.

Dashuria ndaj Pejgamberit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, është prej bazës së besimit dhe pa te nuk mund të plotësohet besimi i një muslimani.

Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë:

“Pasha Ate që në Dorën e Tij është shpirti im nuk beson askush prej jush derisa të më dojë më shumë se prindërit, fëmijët dhe mbarë njerëzit”. (Buhariu dhe Muslimi).

Sahabet e donin Pejgamberin, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, me një dashuri të plotë dhe të madhe, gjë që i shtynte ata ta pasojnë dhe përcjellin në çdo hap, në zbatimin e urdhërave dhe largimin nga ndalesat, nga shpresa që ta shoqërojnë dhe të jenë bashk me te në xhennet.

All-llahu, xhel-le shanuhu, ka thënë:

“E kush do që i bindet All-llahut dhe të dërguarit, të tillët do të jenë së bashku me ata që All-llahu i shpërbleu: (me) pejgamberët, besnikët e dalluar, dëshmorët dhe me të mirët. Sa shokë të mirë janë ata!”. (En-Nisa: 69).

Kurse Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë:

“Njeriu është me ate që e do”. (Buhariu).

Disa gjëra të rëndësishme në pasimin e Pejgamberit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem

– Prej aspekteve të rëndësishme në pasimin e Pejgamberit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, është fakti se jetëpërshkrimi i tij, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, në besimin, adhurimin, sjelljen, moralin, etj, dhe në të gjitha gjendjet e tija ka qenë shembullore, me ndimim te njerëzit, sepse është bërë sinteza mes cilësive të plota dhe ndikimit te njerëzit, sinteza mes fjalëve dhe veprave dhe ska dyshim se ndikimi me vepër është shumë më mbresëlënës se sa ndikimi me fjalë.

Për këtë shkak All-llahu, xhel-le shanuhu, i ka dërguar pejgamberët njerëz që të jetojnë në mesin e njerëzve dhe të përzihen me njerëz, që tu bëhën njerëzve shembull dhe yrnek të cilin duhet ta pasojnë.

All-llahu, azze ve xhel-le, thotë:

“Ju e kishit shembullin më të lartë në të dërguarin e All-llahut, kuptohet, ai që shpreson në shpërblimin e All-llahut në botën jetër, ai që atë shpresë e shoqëron duke e përmendur shumë shpesh All-llahun”. (El-Ahzab: 21).

Kurse Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, i ka urdhëruar që ta pasojnë në adhurime duke u thënë muslimanëve:

“Faluni ashtu sikurse më shihni mua duke u falur”. (Buhariu dhe Muslimi).

Dhe:

“Merrne prej meje haxhin tuaj”. (Muslimi).

– Zbatimi i sunnetit të tij, qofshin ato besime, praktikime, sjellje, apo moral. Duke filluar nga besimi i shëndoshë në përputhje me argumentet sunetore të Pejgamberit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, në largimin nga bidati dhe bidatçitë, zbatimin e sunneteve të ndryshme në jetë, qoftë gjatë ngrënies, gjatë veshmbathjes, gjatë kujdesit për namazet sunete, gjatë suneteve të haxhit, etj.

– Dërgimi salavate sa ma shumë mbi Pejgamberin, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, pasiqë ai na ka mësuar duke na thënë:

“Ai që dërgon salavate një herë mbi mua All-llahu dërgon dhjetë herë mbi te”. (Muslimi).

Umeti çdo herë do të ketë nevojë për shembëlltyrë pas Pejgamberit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem

Të pasosh Pejgamberin, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, gjatë thirrjes në fe të All-llahut, nuk është një vepër e lehtë por duhet një serizoitet i madh dhe sinqeritet i pastët.

Në këtë kohë kur te njerëzit është zgjuar interesimi për të mësuar fenë dhe mësimet e Islamit, duhet që tua lehtësojmë kuptimin e metodës së Pejgamberit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, dhe pejgamberëve tjerë para tij, në thirrje në fe të All-llahut, sepse nuk duhet tu ofrojmë asnjë metodë tjetër për thirje në fe të All-llahut, dije dhe vepër, përpos metodës së Pejgamberit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, shokëve të tij dhe besimtarëve të devotshëm.

Që nga koha e sahabeve dhe atyreve që kanë ecur rrugës së tyre, qofshin dijetarë, njerëz të devotshëm, thirrës në fe të All-llahut, të gjith këta kanë thithur nga jetëpërshkrimi i Pejgamberit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, dhe kanë lënë mbresa të mëdha në historinë islame. Kjo është shumë normale sepse dijetarët janë trashëgimtarët e pejgamberëve, të cilët në mungesë të pejgamberëve pasohen dhe bëhen yrnek për tjerët.

Edhe pse sot figurat e tyre nuk shihen para syve tonë, mirëpo e kemi para nesh jetëpërshkrimin e tyre përplot mësime dhe porosie, që na i japin aromë jetës tonë dhe ndikojnë në formulimin e njeriut dhe përqëndrimin tonë në udhëzim dhe mirësi.

Bishr ibën Harithi ka thënë:

“Të mjaftojnë ata burra që kur i përmend të ngjallet zemra dhe iku atyre njerëzve që me përmendjen e tyre të vdes zemra”.

Ska dyshim se shembëlltyra çdo herë ndikon te njerëzit dhe do të mbetet e këtillë dhe është prej metodave më të fuqishme për të ndikuar te njeriu, sepse njeriu që e do dhe i pëlqen ai që është më lartë se ai dhe më i plotë, automatikisht është i përgaditur që të ndikohet prej tij.

Për këtë ti thërrasim njerëzit në fe duke u dhënë shembëlltyra të gjalla është mënyra më e sukseshme për të përhapur vlerat dhe principet e Islamit.

Imam Dhehebiu, rahimehull-llah, duke treguar rëndësinë që ka që hoxha dhe mësuesi dhe se ata duhet të jenë shembull për tjerët e ka shënuar këtë rast:

“Në mësimet e ahmedit grumbulloheshin pesë mijë e ma shumë njerëz. Përafërsisht pesëqind shkruanin, kurse tjerët mësonin prej tij sjelljen dhe pamjen e jashtme”. (“Sijer”, 11/316).

Pse mungojnë shembëlltyrat

Para se të përfundojmë këtë shkrim do të paraqesim edhe disa gjëra që paraqesin shkaqet e mungesës së shembëlltyrave në jetën tonë, mes tjerash janë edhe këto:

1- Mungesa e të cilësive në vijim tek ata persona që duhet të jenë shembull për tjerët, sikurse:

– Përgaditja personale me pastrim të zemrës, posedimin e mendjes së shëndoshë dhe përdorimi i gjymtyrëve për vepra të mira.

– Të ketë personalitet të plotë, në suaza njerëzore, që të jetë i pëlqyeshëm dhe i respektuar te njerëzit.

– Tua dojë të mirën tjerëve, tu dhimbsen njerëzit, të kujdeset për ata, të bëjë mirë, të thërret në të mirë, etj. Kush i ka këto cilësi do ta duan njerëzit dhe do ta pasojnë dhe do ta marrin si shembull, kurse ai që nuk i ka këto cilësi askush nuk i jep vlerë deh rëndësi.

2- Mos eliminimi i mungesës dhe gabimit, të cilin mund ta bëjnë ata që janë shembull dhe yrnek për tjerët, siç është prindi, mësuesi, hoxha. Kjo domethënë se ata nuk e kanë kuptuar detyrën dhe rëndësinë që ka shembulli i mirë në edukimin dhe përmirësimin e brezave të rinjë, ose ka personalitet të dobët dhe bie nën ndikim të shoqërisë, etj.

3- Ofrimi i shembujve dhe yrnekëve falsifikat që tua përziejnë njerëzve gjërat, ti largojnë nga udhëzimi i vërtetë dhe ti largojnë nga njerëzit e mirë. Në këtë drejtim media ka kontribuar në mënyrë drastike duke u ofruar fëmijëve tanë shembuj të prishur dhe negativ, duke ndriçuar jetën e tyre, duke u dhënë tituj të lartë, pozitë të lakmueshme, etj. me qëllim të ndikimit te ata.

4- Mungesa e yrnekëve të mirë në shoqëritë moderne, andaj çdo herë që dikush sheh ndonjë shembull të mirë shkojnë pas tij dhe lidhen për te. (Shiko: “Ed-Davetul-Islamije”, fq. 73).

Këto gjëra dhe shumë të tjera që nuk kemi mundur ti themi në këtë shkrim na imponojnë që të flasim për yrnekun dhe shembullin tonë kryesor, Pejgamberin, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, i cili duhet të jetë shembull për mbarë njerëzimin, edukimin e fëmijëve tanë dhe rinisë në këto domethënie, duke u ofruar yrneke të shëndosha për shembull dhe pasim.

Për fund

Secili që ka marrë postin e hoxhës dhe mësuesit të popullit dy herë duhet të mendon çdo hap kur e ndërmer, nëse dëshiron që prania e tij në popullin tonë të jetë e dobishme për te dhe për mbarë popullin tonë, përndryshe vaj për te dhe vaj për popullin e tij.

Kurse masa e gjërë derisa të vjen koha që shembujt dhe yrneket të shtohen atëherë le të pasojnë Pejgamberin, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, dhe shokët e tij, dijetarët e brezave të pare sepse vetëm në pasimin e tyre është shpëtimi në dynja dhe ahiret.

“Kush dëshiron të pasojë dikend le të pason ate që ka vdekur, sepse të gjallit akoma nuk i dihet”.

All-llahun e lusim që të na mundësoj ta pasojmë Pejgamberin, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, me një pasim të sinqertë dhe të denjë, të pasojmë shokët e tij dhe muslimanët e gjeneratave të para. Amin.

Bekir Halimi

Bekir Halimi,
2.12.2005