Pasojat nga braktisja e urdhërimit në të mirë dhe ndalimit nga e keqja
Urdhërimi në të mirë dhe ndalimi nga e keqeja është një institucion shumë i rëndësishëm në jetën e shoqërisë muslimane.
All-llahu, subhanehu ve teala, në shumë ajete ka treguar pozitën e lartë që ka ky parim në mesin e muslimanëve duke thënë:
“Ju jeni populli më i dobishëm, i ardhur për të mirën e njerëzve, të urdhëroni për mirë, të ndaloni nga veprat e këqija dhe të besoni në All-llahun. “. (Ali Imran: 110).
Domethënë mirësia e ummetit islam qenka e lidhur ngusht me këtë parim dhe këtë rregull, e kjo qenka urdhërimi në të mirë dhe ndalimi nga e keqeja.
Nuk mund të përjeton mirëqenie një ummet nëse në mesin e tyre nuk ka burra që urdhërojnë në të mirë dhe ndalojnë nga e keqeja.
Këtë gjë All-llahu, subhanehu ve teala, edhe më mirë e sqaron kur tregon se veti e shoqërisë muslimane është urdhërimi në të mirë dhe ndalimi nga e keqeja, duke thënë:
“Besimtarët dhe besimtaret janë të dashur për njëri-tjetrin, urdhërojnë për të mirë, e ndalojnë nga e keqja, e falin namazin dhe japin zeqatin, respektojnë All-llahun dhe të dërguarin e Tij. Të tillët do t’i mëshirojë All-llahu. All-llahu është ngadhënjyes, i urtë”. (Et-Teube: 71).
Pra, besimtari është vëlla i besimtarit, është i dashuri i tij, është miku i tij, është pëkrahësi i tij, është i afërmi i tij, edhe këtë afërsi, dashuri, miqësi dhe përkrahje e shfrytëzojnë për të promovuar të mirën dhe për të demaskuar të keqen dhe për ta eliminuar ate tërësisht ose pjesërisht të keqen.
Veti të kundërta kanë munafikët. Për ta All-llahu, subhanehu ve teala, thotë:
“Hipokritët dhe hipokritet janë si njëri-tjetri; urdhërojnë për të keqen e ndalojnë nga e mira dhe shrëngojnë duart e tyre. Harruan All-llahun, prandaj Ai i harroi ata. Nuk ka dyshim, hipokritët janë ata të prishurit”. (Et-Teube: 67).
Nëse ndalemi dhe i analizojmë këto dy ajete, parashtrohet pyetja: shoqëria ynë është e ngritur mbi parimet e besimtarëve ose mo Zot ma keq, mbi parimin e munafikëve?!
Njerëzit sot a kanë pjesmarrje aktive në përhapjen e të mirës apo qëndrojnë indiferent?!
Sa njerëz nga mesi jonë sot mundohen të promovojnë të mirën, urdhërojnë në të mirë, organizojnë aktivitetet ku del në shesh e mira dhe luftohet e keqeja, promovohet morali dhe luftohet degjenerimi, stimulohet mësimi dhe edukimi dhe luftohet përtacia dhe dembelia?!
Nëse shtohet e keqeja në shoqëri dhe mungojnë ata që urdhërojnë në të mirë dhe largojnë nga e keqeja, denimi ka për ti kapluar të gjith ata njerëz.
A nuk mendojmë aspak mbi atë që na ka mësuar populli si urtësi: “krahas të thatës shkon edhe e njoma”.
Nëse djemt që nuk falin namaz janë më shumë se ata që falin namaz, domethën krëndet e thata janë më shumë se ato të njomat.
Nëse djemtë që pijnë alkool janë më shumë se ata që nuk pijnë, domethënë krëndet e thata janë më shumë se ato të njomat.
Nëse djemtë që shkojnë nëpër diskoteka dhe kafene janë më shumë se ata që nuk i vizitojnë këto vende, domethënë se krëndet e thata janë më shumë se ato të njomat.
Nëse njerëzit që tregtojnë me kamatë janë më shumë se ata që nuk tregtojnë me kamatë, domethënë se krëndet e thata janë më shumë se ato të njomat.
Nëse vajzat e çveshura dhe lakuriqe janë më shumë se ato të veshura më petkun e devotshmërisë dhe nderit, atëherë krëndet e thata janë më shumë se ato të njomat.
E kur të na vjen zjari do të na kaplon të gjith neve, sidomos atyreve që rrinë indiferent dhe nuk marrin asnjë iniciativë për të përmirësuar këtë gjendje të mjerueshme dhe të llahtarshme që është duke na kapluar.
Ligji i All-llahut për ata që braktisin këtë parim
All-llahu, subhanehu ve teala, në Librin e tij Fisnik ka sqaruar shumë bukur se çka i pret ata që e braktisin këtë parim dhe e neglizhojnë këtë detyrë.
All-llahu, azze ve xhel-le, në suren El-Maide, në ajetin 78 dhe 79 thotë:
“Ata që mohuan të vërtetën nga beni israilët, u mallkuan prej gjuhës së Davudit dhe Isait, të birit të Merjemes. Kështu u veprua sepse kundërshtuan dhe e tepruan. Ata ishin që nuk ndalonin njëri-tjetrin nga e keqja që punonin. E ajo që bënin ishte e shëmtuar”. (El-Maide: 78- 79).
Pra, mallkimi i All-llahut qenka ajo që i pret këta njerëz, të cilët e shpërfillin këtë detyrë.
Pasojat nga braktisja e kësaj detyre
Pasojat janë të shumta, mirëpo ne do ti përmendim disa prej tyre:
1- Shtohet e keqeja.
Zejneb bintu Xhahshi, radijall-llahu anha, tregon se një natë Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, u zgjua i trishtuar nga gjumi e tha:
“La ilahe il-lall-llah, vaj për arabët nga e keqeja që u është afruar. Nga vrima e Jexhuxhit dhe Mexhuxhit sot është hapur kaq dhe bëri një unazë me gishtin e madhë dhe atë tregues”. Zejnebeja tha: o I Dërguar i All-llahut, a do të shkatërrohemi edhe pse në mesin tonë kanë njerëz të mirë? Tha: po, nëse shtohet e keqeja”. (Buhariu dhe Muslimi).
Nëse e keqeja publikohet në shoqëri, përhapet me të madhe dhe bëhet normale dhe nëse nuk gjindet kush i del para kësaj të keqe që ta ndal, atëherë kjo tregon se njerëzit e këqinjë dominojnë dhe bëhen shkak që njerëzit ti pasojnë ata. All-llahu, tebareke ve teala, u është kërcënuar këtyre njerëzve duke u thënë:
“Ata, të cilët dëshirojnë që te besimtarët të përhapet imoraliteti, ata i pret dënimi i dhembshëm në këtë dhe në botën tjetër. All-llahu di (të fshehtat) e ju nuk i dini”. (En-Nur: 19).
Kështu përhapet e keqeja, Dikush i pari e ban një gabim dhe vepër të keqe, në heshtje të njerëzve, atë e imitojnë tjerët dhe fillon dal nga dal të përhapet në atë shtëpi, në atë lagje dhe në atë qytet. Vazhdon përhapja e të keqes dhe normalizimi i tij, saqë bëhet i arsyetueshëm në mesin e njerëzve dhe i pranuar. Kurse në anën tjetër pakësohet e mira dhe bëhet e huaj ço gjest dhe vepër e devotshme.
Omer ibën Abdul-Azizi, rahimehull-llah, i shkroi kryetarit të Medinës dhe e urdhëroi ate që t’i urdhëron dijetarët që të mbajne ligjerata në xhamia për të përhapur dijen duke u thënë:
“Përhapne dijen, sepse dija nuk ngritet derisa nuk bëhet sekrete”.
Duke u nisur nga kjo thënie shumë e rëndësishme e këtij Imami të madh, duhet kuptuar edhe më serizoisht hoxhallarët detyrën e tyre dhe duhet të organizojnë tubime, ndeja, mexhlise, tribuna, derse, hutbe, ligjerata, shkrime, audiokaseta, e aktivitete tjera që ta përhapin dijen dhe fenë e All-llahut, subhanehu ve teala.
2- Denimi i përgjithshëm dhe shkatërrimi gjeneral.
Këtë e tregoi edhe hadithi i mësipërm.
Kurse All-llahu, subhanehu ve teala, na tregoi në Kur’an, tregimin e njerëzve të shtunës. Izraelitëve, All-llahu ua kishte ndaluar punën ditën e shtunë. Një pjesë e izraelitëve ishin afër detit dhe mirreshin me peshkim. Kur nuk peshkonin ditën e shtunën, vinin shumë peshqi në deti, kurse ditëve tjera kishte më pak peshqi. Çka bënë ata? Ata e lëshuan rrjetin ditën e xhuma dhe e mblodhën në ditën e dielë. Kur e bënë ata këtë hile, kishte disa njerëz të devotshëm në mesin e tyre dhe i këshilluan që mos të veprojnë kështu. Kurse një grup tjetër që e shikonte këtë mashtrim dhe hile ndaj All-llahut në mënyrë indiferente, u thonin këtyre të parëve pse po lodheni, sepse ata nuk përfitojnë nga këshilla juaj, andaj ndaluni nga urdhërimi në të mirë dhe ndalimi nga e keqeja.
“Dhe kur një grup prej tyre thanë: “Përse këshilloni një popull që All-llahu do ta shkatërrojë ose dënojë me një dënim të ashpër?” Thanë (këshilluesit): “Arsyetim para Zotit tuaj dhe me shpresë që t’u largohen gabimeve”. E kur braktisën atë për të cilën ishin këshilluar, Ne i shpëtuam ata që pengonin nga të këqijat, ndërsa ata që kundërshtuan i kapëm me një dënim të fortë, ngase ishin të shfrenuar. E kur ata tejkaluan me arrogancë të hapët nga ajo që ishin të ndaluar, Ne i shndërruam në majmunë të përbuzur”. (El-Araf: 164- 166).
Po, nëse njerëzit e ndalojnë të keqen fitojnë njërën nga dy rezultatet: ose pendohen dhe largohen nga e keqeja, ose së paku kanë aryse para All-llahut në Ditën e Kijametit dhe me këtë e mbrojnë popullin e tyre nga shkatërrimi masiv.
Kurse në anën tjetër, nëse njerëzit jepen pas mëkateve, jepen pas alkoolit, drogës, muzikës, kamatës, zinasë, All-llahu u sjell denime shumë të hatashme, u sjell deformimin e fytyrës dhe natyrës, i shndërron ata njerëz në derra dhe majmuna, sikurse ka ardhur në shumë argumente fetare.
All-llahu, i shpëton ata që ndalojnë nga e keqeja, kurse mëkatarët i denon, e nëse nuk ka në ummet njerëz që urdhërojnë në të mirë dhe ndalojnë nga e keqeja, atëherë askush nuk shpëton. All-llahu, xhel-le shanuhu, thotë:
“E përse të mos ketë pasur nga breznitë që ishin para jush, të zotët e mendjes e të nderit që t’i ndalonin çrregullimin e kaosin në tokë, përveç një pakice, të cilët i shpëtuam (ngase u frenuan nga të këqijat), e ata që ishin mizorë u dhanë pas kënaqësive si të shfrenuar, duke vazhduar të jenë mëkatarë”. (Hud: 116).
Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë:
“Nëse dikush është në mesin e një populli që bëjnë mëkate dhe ai ka mundësi ta ndryshon ate e nuk e ndryshon, All-llahu do tu dërgon denim para se të vdesin”. (Sahih, Ebu Davudi dhe Ibn Maxheja).
Një ditë doli Ebu Bekri, radijall-llahu anhu, para disa njerëzve e u tha:
O ju njerëz, jeni duke e lexuar ajetin:
“O ju që besuat, ruajeni veten tuaj! Ai që ka humbur, nuk ju dëmton juve kur jeni në rrugë të drejtë. Kthimi i të gjithë juve është te All-llahu dhe Ai ju njofton për atë që vepruat”. (El-Maide: 105).
Mirëpo jeni duke e keqkuptuar. Kam dëgjuar Pejgamberin, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, duke thënë:
“Nëse njerëzit kur e shohin zullumqarin (duke bërë zullum) dhe nuk e ndalin, së shpejti All-llahu ka me i kapluar të gjith me denim prej Tij”. (Sahih, Tirmidhiu, etj).
Gjithashtu Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë:
“Pasha Ate që në Dorë të Tij është shpirti im, ose do të urdhëroni në të mirë dhe do të ndaloni nga e keqeja ose së shpejti All-llahu do t’ju dërgon denim prej Tij, pastaj ju do të luteni, mirëpo nuk do t’ju pranohet lutja”. (sahih, Tirmidhiu).
Mëkatat janë shkaku kryesor i katastrofave të ndryshme natyrore
Para se të vazhdojmë të flasim për pasojat që i sjell mosurdhërimi në të mirë dhe mosndalimi nga e keqeja, është mirë të tregojmë, sikurse kemi treguar disa herë në raste të ndryshme, se katastrofat natyrore nuk vijnë vetëm si pasojë e shkaqeve fizike dhe materiale, por edhe si pasojë e mëkateve.
All-llahu, subhanehu ve teala, thotë:
“E sikur banorët e këtyre vendbanimeve të kishin besuar dhe të ishin ruajtur, Ne do t’ju hapnim begati nga qielli e toka, por ata përgënjeshtruan, andaj i dënuam me shkatërrim për atë që merituan. A mos u siguruan banorët e fshatrave nga dënimi jonë kur ata ishin fjetur (natën)? A mos u siguruan banorët e fshatrave nga dënimi jonë paradite, kur ata ishin duke luajtur? A mos u siguruan ata prej ndëshkimit të All-llahut? Nuk sigurohet kush prej frikës së ndëshkimit të All-llahut pos njerëzve të humbur. A nuk e kanë të qartë ata që e trashëguan tokën pas banorëve të saj (që u shkatërruan) se, nëse dëshirojmë Ne i godasim (i dënojmë) për mëkatet e tyre, ua mbyllim zemrat e tyre, dhe ata nuk dëgjojnë (këshillat)”. (El-A’raf: 96- 100).
Gjithashtu All-llahu, tebareke ve teala, na tregon se:
“Sikur ata t’i përmbaheshin rrugës së drejtë, Ne do t’iu lëshonim atyre ujë me bollëk, për të sprovuar me të. E kush ia kthen shpinën adhurimit ndaj Zotit të vet, Ai e shpie atë në vuajtje të padurueshme”. (El-Xhin: 16- 17).
“E sikur të mos ishte që njerëzit (do të lakmonin) të jenë të një feje (jobesimtarë), Ne atyre që nuk e besojnë Zotin do t’ua bënim pullazet e shtëpive të tyre nga argjendi si dhe shkallët nga argjendi, mbi të cilat ata do të ngriheshin. E edhe dyert e shtëpive të tyre nga argjendi edhe kolltukët, mbi të cilët do të mbështeteshin. Edhe stoli të ndryshme (ari etj.). E, të gjitha këto nuk janë gjë tjetër pos kënaqësi e jetës së kësaj bote, kurse bota e ardhshme te Zoti është për besimtarët e ruajtur”. (Ez-Zuhruf: 33- 35).
3- Divergjencat dhe grindjet.
Prej pasova më të këqija që sjell në shoqërinë e muslimanëve mungesa e urdhërimit në të mirë dhe ndalimit nga e keqeja është përçarja e shoqërisë, grindja mes tyre, rrahjet mes tyre, ofendimet mes tyre, madje edhe vrasjet mes tyre.
Kjo gjendje e destabilitetit në një shoqëri vjen si pasojë e mëkateve dhe shkeljes së kufinjve që i ka caktuar All-llahut, subhanehu ve teala.
All-llahu, xhel-le shanuhu, thotë:
“Thuaj: “Ai ka fuqi (t’ju shpëtojë, por edhe) t’ju sjellë dënim prej së larti ose prej së poshti nën këmbët tuaja apo t’ju ndajë në grupe e ta luftoni njëri-tjetrin. Shih se si i sqarojmë faktet në mënyrë që të kuptojnë”. (El-Enam: 65).
Vetëm zbatimi i urdhërave të All-llahut dhe largimi nga ndalesat e Tij e mbron shoqërinë muslimane nga grindjet dhe përçarjet, sepse ligji i All-llahut i bashkon dhe afron njerëzit, kurse braktisja e tij e shkakton të kundërtën.
All-llahu, subhanehu ve teala, pasiqë thirri që të bëhet një grup prej muslimanëve, ose të bëhen muslimanët që të thërrasin në të mirë, të urdhërojnë në bamirësi dhe të ndalojnë nga e keqeja, na e tërhjek vërejtjen që mos të bëhemi nga ata që përçahen dhe grinden:
“Nga ju le të jetë grup që thërret në atë që është e dobishme, urdhëron për punë të mbara dhe ndalon nga e keqja. Të tillët janë ata të shpëtuarit. E mos u bëni si ata që u ndanë dhe u përçanë pasi u patën zbritur argumentet. Ata do të pësojnë një dënim të madh”. (Ali Imran: 104- 105).
Përhapja e zinasë e sjell grindjen dhe vrasjen. Sa e sa djem të rinjë për shkak të zinasë janë rrahur ose janë vrarë mes tyre?!
Përhapja e alkoolit e sjell grindjen dhe vrasjen. Sa e sa djem të rinjë janë rrahur dhe grindur mes tyre për shkak se kanë qenë të dehur?!
Tregtia me kamatë e sjell grindjen dhe vrasjen. Sa e sa njerëz kanë probleme mes tyre për shkak të marrjes dhe dhënies së parave me kamatë, grindje që zakonisht shpiejnë deri te uzurpimi i pasurisë, rrahja, kidnapimi dhe vrasja?!
Bixhozi është shkak që i sjell grindjet dhe rrahjet në mesin e njerëzve. Sa e sa njerëz janë rrahur dhe gridnur mes vete për shkak të lojës së bixhozit?!
Hilja dhe mashtrimi gjatë shitblerjes sjell grindje dhe rrahje. Sa e herë mashtrimet dhe hilet në treg kanë qenë shkak për rrahje dhe grindje mes njerëzve?!
Prania e këtyre mëkateve detyrimisht shkaktojnë grindjen mes njerëzve, përçarjen e tyre, prishjen e zemrës së tyre, largimin njëri nga tjetri dhe shthurjen e shoqërisë muslimane.
Kurse heshtja e këtyre mëkateve dhe gabimeve nënkuptohet sikur dakordim me to.
4- Sundimi nga armiqtë.
All-llahu, xhel-le shanuhu, mund të sprovon një shoqëri që ka braktisur urdhërimin në të mirë dhe ndalimin nga e keqeja me dërgim të armikut mbi kokën e tyre. Kjo ka ndodhur në historinë islame edhe është duke ndodhur në kohën e sodit. Deri dje ishin mbretër dhe diktator, kurse sot qajën dhe ankohen për padrejtësirat që u bëhen.
5- Nuk pranohet lutja.
Secili musliman që e haron All-llahu në bollëk, i kujtohet Ai kur janë në vështirësi edhe atëherë i drejtohen Atij me lutje dhe përulje, mirëpo, këto lutje dhe këto duar të ngritura lart, mbeten bosh.
Na e ka treguar këtë Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, duke na thënë:
“Pasha Ate që në Dorë të Tij është shpirti im, ose do të urdhëroni në të mirë dhe do të ndaloni nga e keqeja ose së shpejti All-llahu do t’ju dërgon denim prej Tij, pastaj ju do të luteni, mirëpo nuk do t’ju pranohet lutja”. (sahih, Tirmidhiu).
6- Krizat ekonomike.
Mungesa e këtij parimi në jetën tonë shoqërore e sjell varfërinë, e sjell krizën ekonomike, sepse bereqeti vjen me devotshmëri dhe punë të mira, kurse punët e liga dhe mëkatet e largojnë shiun, e sjellin thatësirën, e sjellin varfërinë, i sjellin sëmundjet dhe vështirësitë. Kurse varfëria e sjell edhe kufrin, sikurse ka treguar Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, kur është lutur: “All-llahu im ruajëm nga mosbesimi dhe varfëria”. (sahih, Ebu Davudi).
Varfëria e largon njeriun nga obligimet ndaj All-llahut dhe fesë Islame, e largon njeriun nga farefisi dhe e bën të mvarur nga tjetër dhe mosbesimtarët.
7- Zhytja në mëkate dhe epshe.
Mungesa e këtij parimi shkakton që shoqëria të zhytet në epshe dhe kënaqësira, të cilat i largojnë ata njerëz nga veprat e larta dhe madhore, njerëzit lidhen ngusht me dynjanë, bëhen joserioz, të ligë dhe të padobishëm.
8- U mundësohet munafikave të udhëheqin muslimanët.
Kur mungon urdhërimi në të mirë dhe ndalimi nga e keqeja, kush e udhëheqë jetën e muslimanëve, e udhëheqin ata që se kanë aspak dert dhe nuk brengosen për jetën shpirtërore të tyre, për rregullat dhe obligimet që i kanë ata dhe nuk mundohen aspak tu sigurojnë muslimanëve edhe të drejtat minimale të tyre.
Të nderuar vëllezër!
Hapni sytë, mësone fenë, zbatone në jetën tuaj, publikone kudo që gjindeni dhe shkoni, shtoni veprat e mira, mos nguroni të urdhëroni kah e mirë dhe të ndaloni nga e keqeja me urtësi, butësi, fjal të ëmbëla, gjeste të kujdeshme, dhe lutje të sinqerta që All-llahut të udhëzon popullin tonë dhe ti jep mirësi në dynja dhe mirësi në ahiret dhe të na mbron të gjith neve nga denimet e Tija. Amin
Përgaditi: Bekir Halimi
Bekir Halimi,
29.7.2005