Vëllezër të nderuar!
Njeriu është qenia më e përsosur e Allahut në tokë. Forma e përsosur e tij, para çdo gjëje tjetër, ka të bëjë me intelektin e tij, pra jo fizikun dhe bukurinë pamore apriori, ngase, këto të fundit nuk do të luanin asnjë rol po qe se mungon e para. Krahas intelektit, njeriut në qenien e tij iu inkorporua edhe elementi i epshit, i cili u vu për qëllime të pastra por me mundësi të shumta të devijimit. Marrëdhëniet seksuale, në esencë, nuk janë të urryera. Ato janë vënë si kusht i shtimit të gjinisë njerëzore. Allahu ka thënë:
﴿ يَا أَيُّهَا النَّاسُ اتَّقُوا رَبَّكُمُ الَّذِي خَلَقَكُم مِّن نَّفْسٍ وَاحِدَةٍ وَخَلَقَ مِنْهَا زَوْجَهَا وَبَثَّ مِنْهُمَا رِجَالًا كَثِيرًا وَنِسَاءً ﴾
“O ju njerëz! Kini frikë Zotin tuaj që ju ka krijuar prej një vete (njeriu) dhe nga ajo krijoi palën (shoqen) e saj, e prej atyre dyve u shtuan burra shumë e gra…” [Nisa: 1]


Epshi do të marrë kahen e gabuar vetëm atëherë kur nuk do t’i shërbejë më qëllimit për të cilin është vënë dhe kur nuk do të jetë më në përputhje me fenë.

Xhematlinj të nderuar!
Dijetarët myslimanë, duke marrë parasysh efektet negative që mund të kenë mëkatet, veçmas këto që lidhen me moralin, kanë folur e shkruar gjatë gjithë kohës për to, veçmas për mëkatet që lidhen me moralin. Në vazhdim do të përmendim disa sa për ilustrim:


1) Pasoja të besimit
Njerëzit që bëjnë mëkate të tilla reflektojnë besimin e tyre të dobët. Ata bëjnë diç që besimin e tyre e ekspozon para rrezikut madje edhe të shuarjes. Në rast se ata devijimin moral e marrin si program jete, ata në një farë forme, kanë adhuruar epshin, ngase adhurimi, në esencë, nënkupton nënshtrimin. Allahu ka thënë:
﴿‏ أَرَأَيْتَ مَنِ اتَّخَذَ إِلَٰهَهُ هَوَاهُ أَفَأَنتَ تَكُونُ عَلَيْهِ وَكِيلًا ‎﴿٤٣﴾‏
“A e ke parë ti atë, që për zot e çmon epshin e vet, a mos do t’i bëhesh ti atij mbrojtës?” [Furkan: 43]
Se epshi rrezikon besimin, mësojmë edhe nga hadithi autentik, në të cilin Pejgamberi ynë, Muhammedi ﷺ prostitucionin, si një nga format më të spikatura të devijimit moral, e sheh rrezik potencial për besimin:
لَا يَزْنِي الزَّانِي حِينَ يَزْنِي وَهو مُؤْمِنٌ
“Nuk ndodhë kurvari të bëjë kurvëri e të jetë besimtar (gjatë kryerjes së këtij akti të shëmtuar)…”
Dijetarët kanë sqaruar se kurvari nuk del prej feje, për aq kohë sa ai nuk pretendon se kurvëria është e lejuar, por kanë thënë se teksti i hadithit është përpiluar kësisoj që të jetë një vërejtje e ashpër për ata që i qasen kësaj rruge të shëmtuar.

2) Pasojat qytetërimore – civilizuese
Devijimi nga natyrshmëria nuk kalon pa u ndëshkuar prej Zotit. Mëkatet sikur prostitucioni janë më të rrezikshme për të ardhmen e një vendi se që mund të merren me mend. Degjenerimi moral sot konsiderohet si një ndër rreziqet më të mëdha që kanos civilizimin bashkëkohor. Vite më parë, në Nju Jork Tajms (New York Times), shkruhej se si ‘rreziku i fuqisë seksuale në fund të çështjes mund të rezultojë edhe më i madh se ai i fuqisë nukleare.’

3) Pasojat shoqërore
Për shkak të këtij degjenerimi, shoqëria do të përjetojë probleme të ndryshme, si:
– Shfaqjen e traditave të urryera, si: prostitucioni, homoseksualizmi, pedofilia, etj.
– Ikja nga martesa legjitime.
– Shkatërrimi i institucionit të familjes.

4) Pasojat psikike
Shthurja dhe devijimi moral për pasoja kanë dhe stresin, depresionin, pesimizmin dhe forma tjera të çrregullimit shpirtëror. Për të kuptuar këtë më drejt, vetëm shih për jetën e ndonjë “ylli” kinematografik dhe do të vëresh për probleme me të cilat ballafaqohen.


5) Pasojat shëndetësore
Degjenerimi sjell dhe probleme të pazgjidhura shëndetësore. Pejgamberi ﷺ ka thënë:
لم تَظهَرِ الفاحشةُ في قومٍ قطُّ حتَّى يُعلِنوا بِها إلَّا فَشا فيهمُ الطَّاعونُ والأوجاعُ الَّتي لم تَكُن مَضت في أسلافِهِمُ الَّذينَ مَضوا
“…nuk ndodhë të përhapet amoraliteti në mesin e një populli dhe ta bëjnë haptazi e të mos përhapen në mesin e tyre murtaja dhe sëmundje tjera që nuk kanë qenë evidente tek të parët e tyre të ndjerë (që kanë shkuar në botën tjetër)…”

Besimtarë të nderuar!
Devijimi moral nuk është sëmundje e pashërueshme. Islami ka ndërmarrë hapa shumë të rëndësishëm për shërimin e saj, hapa të cilët, sa për ilustrim do t’i përmendim në vijim:

1) Thirrja për pendim
Jo rrallë ndodhë që njerëzit të zhyten edhe më thellë në mëkate për shkak të bindjeve të gabuara se nuk ka shpëtim për ta. Pejgamberi ﷺ, në përfundim të hadithit që kërcënon lavirin, e të cilin e e cituam sipër, thotë:
وَالتَّوْبَةُ مَعْرُوضَةٌ بَعْدُ
“…ndërsa pendimi është ende në dispozicion!”

2) Njohja me rreziqet
Shthurja morale për pasojë, si në këtë, po ashtu në botën tjetër, ka ndëshkime të rrepta. Në këtë botë, ajo nuk kalon pa u ndëshkuar ndërsa ndëshkimi varion sipas peshës së mëkatit, derisa në botën tjetër janë paraparë ndëshkime nga më të rreptat.

3) Vetëdijesimi për përgjegjësinë
Në Kur’an, gjejmë ajete që edukojnë duke ia përkujtuar njeriut se shqisat dhe organet me të cilat është fisnikëruar nga Allahu nuk do të mbetet pa u pyetur për to.

4) Alternativat
Epshi është pjesë përbërëse e karakterit të njeriut. Ai, në rast se ngelë nën kontroll, është i dobishëm. Për të realizuar një gjë të tillë, më së lehti është duke u martuar. Martesa është hapi më i suksesshëm i ndërmarrë për ruajtjen e nderit. Nëse nuk mund të martohesh, atëherë agjëro, ngase kjo është porosia e atij që nuk flet nga hamendja.

5) Largimi nga gjërat që e nxisin epshin
Largimi nga çdo gjë që të çon tek epshi, si: mendimet rreth femrave, shikimi në to, bisedat rreth tyre, shoqërimi me to, etj.

6) Mbulesa e femrës
Mbulesa e femrës është urdhëruar për ta ruajtur shoqërinë nga problemet sikur kjo. Në vendet ku nuk ka liri të shfrenuar, problemet morale dhe pasojat e tyre janë më pak evidente. Në Arabinë Saudite, shifra e të prekurve nga virusi i SIDA-s është shumë më e vogël në krahasim me vendet tjera, dhe kjo, siç thotë Muhammed Ali el-Berr , falë numrit të paktë të atyre që bien në mëkatin e zinasë.


Allahun e lusim të na ruajë nga devijimi dhe shthurja morale si dhe të na fisnikërojë me moralin e të ruajturve dhe të devotshmëve!

• Kjo hytbe është mbajtur në xhamitë e komunës së Vushtrrisë