Ligjet e Zotit në krijim janë konsistente; ato nuk ndryshojnë, nuk favorizojnë askënd dhe nuk është e mundshme të vonohen ose të mos ndodhin në rast të pranisë së shkaqeve të tyre.
Një nga ligjet e Allahut është që të ndëshkohen shoqëritë që neglizhojnë obligimin e mirëfilltë të urdhërimit në të mirë dhe ndalimit të së keqes: “U mallkuan mohuesit nga bijtë e Israelit, me gjuhën e Davudit dhe të Isait – të birit të Merjemës, për shkak se ishin të padëgjueshëm, kishin kaluar kufijtë dhe njëri-tjetrin nuk e pengonin nga veprat e këqija që punonin. E, sa të shëmtuara ishin veprat që punonin ata!” (Maide: 78-79).
Injoranca dhe mungesa e fesë errësuan zemrat e disa njerëzve sipërfaqësor dhe ata u mashtruan nga afati i Zotit të Plotfuqishëm, duke i paralajmëruar të zellshmit për pasojat e këmbënguljes në të keqen dhe pasojat e heshtjes për mohimin e saj. Ata menduan se kjo ishte një formë e terrorizmit intelektual dhe frikësimit të ekzagjeruar, që aspak nuk është e vërtetë.
Por ata që ndriçohen nga drita e shpalljes dhe që reflektojnë mbi tekstet e Kuranit dhe Sunetit kuptojnë ndëshkimet e rënda që Allahu ka përcaktuar për çdo popull që ka neglizhuar këtë obligim, qoftë kjo në formën e rrëfimit të ngjarjeve që kanë ndodhur me popujt që kanë lënë pas dore këtë detyrë, apo në formën e kërcënimeve për ata që ndjekin këtë rrugë. Nuk është e nevojshme që këto ndëshkime të shfaqen brenda ditës dhe natës, sepse ai që përcakton kohën, vendin dhe formën e tyre është Allahu, dhe jo ngutja apo mos ngutja e njerëzve.
Këto ndëshkime dhe pasojat e këqija janë të shumta dhe të ndryshme, por, ndoshta këto janë më të shpeshta:

  1. Përhapja e së keqes (shthurjes)
    Përcillet nga Buhariu dhe Muslimi përmes Zejneb bint Xhahsh (Allahu qoftë i kënaqur me të) se Pejgamberi ﷺ u zgjua një ditë i shqetësuar nga gjumi dhe tha: “Nuk ka zot të vërtetë përveç Allahut. Mjerë për arabët nga një e keqe që po afron! Sot është hapur nga barriera (penda) e Jexhuxhit dhe Mexhuxhit aq sa ky (dhe ai bëri një rreth me dy gishtat e tij, treguesin dhe të madhin).
    Zejnebi (Allahu qoftë i kënaqur me të) i tha: “O i Dërguari i Allahut! A do të shkatërrohemi ne edhe pse në mesin tonë ka njerëz të drejtë?” Ai tha: “Po, nëse shthurja shtohet.“Pra, si shtohet shthurja?!
    Kur e keqja shpallet haptazi, publikisht në një shoqëri dhe nuk gjen askënd që të qëndrojë kundër saj, atëherë ajo fillon të forcohet, autoriteti i saj rritet, dhe bëhet e pranuar nga të tjerët. Ajo fillon të shtrihet dhe bëhet një shenjë e fuqisë dhe ndikimit të njerëzve të së keqes, duke i nxitur të tjerët t’i ndjekin dhe imitojnë ata. E sa shumë e dëshirojnë të keqen njerëzit që e përhapin atë!
    Për këtë arsye, Allahu i Lartësuar i kërcënon ata, duke thënë: “Vërtet, ata që dëshirojnë që imoraliteti të përhapet mes besimtarëve, për ta ka një dënim të dhimbshëm në këtë botë dhe në tjetrën.” (En-Nur: 19).

    Kur disa njerëz fillojnë të imitojnë ata që bëjnë të keqen dhe shthurjen, e keqja fillon të del në pah dhe të bëhet e pranuar gradualisht. Njerëzit fillojnë të heshtin për të dhe merren me gjëra të tjera “më të rëndësishme”, derisa e keqja të përhapet aq shumë sa të bëhet diçka e zakonshme dhe e pranuar, të cilën njerëzit e përvetësojnë dhe mësohen me të. Nga ana tjetër, e mira dhe vlerat e larta fillojnë të tkurren dhe bëhen të panjohura (të huaja). Për këtë arsye, halifja i drejtë, Omer ibn Abdulaziz (Allahu e mëshiroftë) në një letër dërguar guvernatorit të Medines ku urdhëronte dijetarët të shpërndanin dijen në xhami, dhe thonte: “Dija duhet të përhapet, sepse dija nuk shkatërrohet derisa të bëhet e fshehtë.”

  2. Përhapja e së keqes paralajmëron ndëshkim të përgjithshëm dhe shkatërrim të plotë
    Ky fakt konfirmohet në hadithin lartpërmendur, i cili është transmetuar nga disa sahabë, gjë që tregon rëndësinë që i kushtonte Pejgamberi ﷺ kësaj çështjeje.
    Allahu i Madhëruar na ka treguar historinë e Beni Israilit, kur i ndaloi ata të peshkojnë të shtunën, dhe kjo histori përmban një mësim për ne: “Dhe kur një grup prej tyre tha: ‘Pse e këshilloni një popull që Allahu do ta shkatërrojë ose do t’i ndëshkojë me një ndëshkim të ashpër?’ Ata thanë: ‘Si justifikim ndaj Zotit tuaj, dhe ndoshta ata do të bëhen të devotshëm.’ Kur ata harruan atë që u ishte përkujtuar, Ne shpëtuam ata që ndalonin të keqen dhe ndëshkuam ata që bënë padrejtësi me një ndëshkim të rreptë për shkak të asaj që bënin. Kur ata vazhduan të bëjnë atë që u ishte ndaluar, Ne u thamë atyre: Bëhuni majmunë të përbuzur!” (El-A’raf: 164-166).
    Kështu që, Allahu i Lartësuar shpëtoi vetëm ata që ndalonin të keqen, ndërsa të tjerët u ndëshkuan të gjithë.
    Ky është ligji i Tij në çdo popull mbi të cilin bie ndëshkimi. Nëse në një popull nuk ka asnjë që ndalon të keqen dhe korrupsionin, atëherë askush nuk do të shpëtojë prej tij. “Pse nuk kishte nga brezat para jush njerëz të mbetur që të ndalonin korrupsionin në tokë, përveç një pakice prej atyre që Ne i shpëtuam nga ata? Dhe ata që bënë padrejtësi ndoqën jetën e rehatisë (luksit) që u ishte dhënë…” (Hud: 116).
    Në hadithin e Xheririt thuhet: “Nuk ka asnjë njeri në një popull ku bëhen mëkate dhe ata mund ta ndryshojnë, por nuk e bëjnë këtë, përveçse do t’i godasë Allahu me një ndëshkim para se të vdesin.” (Ebu Davudi, 4339).
    Prania e përmirësuesve në një popull është një garanci për të, dhe arsyeja e shpëtimit të tij nga shkatërrimi i përgjithshëm. Nëse ky grup njerëzish mungon, atëherë populli, edhe nëse ka njerëz të mirë në të, do të përfshihet nga ndëshkimi i Allahut; të drejtët dhe të këqijtë, sepse grupi i drejtë heshti përballë të së keqes dhe ndaloi nga urdhërimi në të mirë dhe ndalimi i së keqes, kështu që e meritoi të përfshihej në ndëshkim.
    Në një hadith të Ebu Bekrit (Allahu qoftë i kënaqur me të), thuhet se ai tha: “O njerëz! Ju e lexoni këtë ajet: ‘O ju që keni besuar! Kujdesuni për veten tuaj. Nuk ju dëmton ai që ka devijuar, nëse jeni në rrugë të drejtë.‘ (El-Maide: 105). Por unë kam dëgjuar të Dërguarin e Allahut ﷺ duke thënë: Kur njerëzit shohin të padrejtin dhe nuk e ndalojnë atë, së shpejti Allahu do t’i përfshijë ata me një ndëshkim prej Tij.” (Ebu Davudi, 4339).
    I padrejti në këtë hadith është ai që kryen çfarëdo lloj padrejtësie: idhujtari (mushriku) është i padrejtë: “Vërtet, shirku është një padrejtësi e madhe.” (Llukman: 13), dhe mëkatari – çfarëdo qoftë mëkati i tij – është i padrejtë ndaj vetes dhe të tjerëve; qoftë ai hajdut, mashtrues, apo shkelës i nderit… ose çdo gjë tjetër.
    Në një hadith të Hudhejfes (Allahu qoftë i kënaqur me të), Pejgamberi ﷺ tha: “Pasha Atë në dorën e së Cilit është shpirti im, patjetër që do të urdhëroni për të mirë dhe do të ndaloni nga e keqja, ose përndryshe Allahu do t’ju dërgojë një ndëshkim nga ana e Tij, pastaj do t’i luteni Atij, por nuk do t’ju përgjigjet.” (Tirmidhiu, 2169).
    Ky është një kërcënim që trondit zemrat e gjalla dhe i shtyn ato të bëhen pjesë e atyre që ndalojnë korrupsionin në tokë, në mënyrë që anija e shoqërisë të mbrohet nga mbytja që e kërcënon atë kur të paudhët lejohet të shpojnë në të.
    Shoqëria është krejtësisht si ata që janë në anijen e sipërpërmendur; nëse ata që janë në pjesën e sipërme të anijes lënë ata që janë në pjesën e poshtme të bëjnë një vrimë në pjesën e tyre dhe thonë: “Kjo është liria e tyre personale; le të bëjnë çfarë të duan,” atëherë rezultati është përmbysja e anijes dhe shkatërrimi i të gjithëve. Nëse ata që janë në pjesën e sipërme marrin masa për të ndaluar ata që janë në pjesën e poshtme dhe u thonë atyre: “Nuk është liria personale të dëmtoni pronën e përbashkët,” atëherë rezultati është shpëtimi i të gjithëve.
    Kështu është gjendja e shoqërisë; kur njerëzit e korruptuar që shkelin kufijtë e Allahut po shpojnë me veglat e tyre të devijimit në anijen e shoqërisë, nëse të mirët përmirësues i ndalojnë ata dhe i pengojnë të dëmtojnë shoqërinë, atëherë të gjithë do të shpëtojnë. Nëse i lënë të shkojnë në rrugën e tyre dhe nuk i ndalojnë ata, atëherë të gjithë do të shkatërrohen.
  3. Përçarja dhe konfliktet:
    Një nga ndëshkimet më të rënda që zbret mbi një shoqëri që neglizhon urdhërimin për të mirën dhe ndalimin nga e keqja është që shoqëria të shndërrohet në fraksione dhe grupe të ndara, të cilat përçahen për shkak të egove (epsheve) të tyre, duke sjellë përçarje dhe konflikte: “Thuaj: Ai është i fuqishëm t’ju sjellë ndëshkim nga lart ose nga poshtë jush, ose t’ju bëj të ndaheni në grupe dhe të ndjeni ashpërsinë e njëri-tjetrit.” (El-En’am: 65).
    Ky konflikt e bën shoqërinë të ekspozuar ndaj rënies dhe disfatës përballë armikut të jashtëm që e vëzhgon.
    Asgjë nuk e mbron shoqërinë nga përçarja dhe konflikti, përveçse Ligjit të Zotit, sepse ky ligj i bashkon njerëzit dhe i mposht dëshirat e tyre. Por kur njerëzit largohen nga Ligji i Zotit, secili ndjek dëshirën e vet dhe askush nuk i kontrollon dëshirat e njerëzve.
    Ajo që tregon lidhjen mes përçarjes dhe konfliktit me lënien e urdhërimit për të mirë dhe ndalimit nga e keqja është se Allahu i Plotfuqishëm thotë: “Dhe le të jetë nga ju një grup që thërret në mirësi, urdhëron për të mirë dhe ndalon nga e keqja. Këta janë të shpëtuarit.” (Ali Imran: 104). Pastaj, menjëherë pas kësaj, thotë: “Dhe mos u bëni si ata që u përçanë dhe u ndanë pasi u erdhën argumentet e qarta.” (Ali Imran: 105).
    Duke reflektuar mbi gjendjen e disa vendeve islame, vërehet se një nga shkaqet kryesore të përçarjes në ato shoqëri është neglizhimi i urdhërimit për të mirën dhe ndalimit nga e keqja, duke rezultuar në përhapjen dhe dominimin e korrupsionit në të gjitha format e tij…
    Një tjetër pasojë e përçarjes dhe konfliktit në shoqëri për shkak të lënies së kësaj detyre është përhapja e mëkateve të zemrës, si urrejtja, zilia, smira dhe konfliktet, të cilat sjellin përçarje, ndryshime në pikëpamje dhe veprime që e shkatërrojnë shoqërinë nga brenda.
    Këto janë nga mëkatet më të mëdha që duhen ndaluar, dhe heshtja e dijetarëve dhe mësuesve për to është arsyeja që ato përhapen dhe nguliten, duke e bërë të vështirë shpëtimin prej tyre.
    Në fund, mëkatet dhe shkeljet sjellin shkatërrimin dhe shpërbërjen e shoqërisë. Heshtja ndaj këtyre të këqijave është një lloj miratimi i tyre dhe një bashkëpunim i dëmshëm me forcat e këqija që synojnë shkatërrimin e shoqërisë.
  4. Dominimi i armikut:
    Allahu i Madhëruar mund ta sprovojë një shoqëri që braktis urdhërimin për të mirë dhe ndalimin nga e keqja duke i dërguar kundër saj një armik të jashtëm, i cili i dëmton, i shkel të drejtat e tyre dhe mund t’u marrë një pjesë të pronës, madje edhe të kontrollojë jetën dhe pasurinë e tyre.
    Në historinë e tyre, muslimanët janë përballur me shembuj të tillë, siç ishte rasti në Andaluzinë, ku krenaria dhe fuqia e tyre u shndërruan në poshtërim dhe nënshtrim, pasi mëkatet u përhapën mes tyre pa asnjë kundërshtim. Kjo i bëri të krishterët t’i nënshtrojnë dhe poshtërojnë ata, deri në atë pikë sa mbretërit dhe fisnikët muslimanë u shitën në tregjet e skllevërve, duke qarë dhe duke vajtuar.
  5. Mospranimi i lutjeve:
    Njeriu i drejtohet vetëm Allahut kur e godet një fatkeqësi dhe e lut që t’ia largojë të keqen, madje edhe idhujtarët bëjnë kështu. Allahu i Madhëruar thotë: “Kur ju prek e keqja, me të gjithë qenien tuaj i luteni Atij.” (En-Nahl:
    53) dhe “Kur ju prek fatkeqësia në det, të gjithë ata që ju i adhuroni zhduken, përveç Tij.” (El-Isra: 67).
    Muslimanët që e braktisin urdhërimin për të mirë dhe ndalimin nga e keqja, kur mbi ta zbret ndëshkimi, i drejtohen Allahut me lutje, por Ai nuk ua pranon ato, ashtu siç është përmendur në hadithin e Hudhejfes që u përmend më herët: Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Pasha Atë në dorën e të Cilit është shpirti im, patjetër që do të urdhëroni për të mirë dhe do të ndaloni nga e keqja, ose përndryshe Allahu do t’ju dërgojë një ndëshkim nga ana e Tij, pastaj do t’i luteni Atij, por nuk do t’ju përgjigjet.
    O Zot! A është e vërtetë që njerëzit luten dhe Allahu nuk u përgjigjet? Allahu, i Cili thotë: “Mëshira ime përfshin çdo gjë.” (El-A’raf: 156) dhe “Kur robërit e Mi të pyesin për Mua, Unë jam afër, u përgjigjem lutjeve të atyre që më luten.” (El-Bekare: 186)! A është e mundur që kjo të ndodhë?
    Allahu thotë të vërtetën dhe i Dërguari i Tij e thotë të vërtetën, dhe nuk mund të ndodhë ndryshe. Kjo është një e vërtetë që të dridh shpirtin nga frika dhe të tregon për një realitet të frikshëm.
    Çfarë mbetet për njerëzit nëse mbyllet ndaj tyre mëshira e Allahut? Ku do të drejtohen në këtë univers të gjerë kur mbyllet dera më e madhe, pas së cilës mbyllen të gjitha dyert?
    Njeriu mbetet i pambrojtur, në një gjendje të mjerueshme që nuk e mbulon asgjë dhe nuk e mbron asgjë; nga nxehtësia e madhe dhe nga të ftohtit e ashpër.
    A nuk është kjo një tmerr i madh që e shmang edhe vetë imagjinata? Sepse është më e tmerrshme se ç’mund të përballojë imagjinata.A e ka shkruar Allahu këtë tmerr të madh për robërit e Tij muslimanë që i luten dhe kërkojnë ndihmën e Tij?
    Po, nëse ata ndalojnë së urdhëruari për të mirë dhe ndalojnë së ndaluari nga e keqja, edhe me atë që është më e dobëta e besimit (të bëhet me zemër).
  6. Krizat ekonomike:
    Krizat ekonomike mund të godasin një shoqëri që neglizhon urdhërimin për të mirë dhe ndalimin nga e keqja, duke e shtyrë atë në valë të varfërisë dhe vështirësive, dhe duke e përballur me vuajtje të mëdha për shkak të mungesës.
    Në disa shoqëri islame, krizat kanë arritur një gjendje të mjerueshme të varfërisë, saqë individi lufton për të siguruar një kafshatë buke dhe nuk e gjen atë, gjë që mund ta detyrojë atë të kërkojë ndihmë nga të krishterët që janë gjithmonë në pritje, të cilët përdorin të gjitha mundësitë e tyre për të kthyer myslimanët në fenë e tyre, dhe kjo mund të çojë në rrëshqitjen e myslimanit drejt konvertimit, Allahu na ruajtë. Sidomos nëse ai është aq i angazhuar me sigurimin e jetesës sa që harron shumë nga detyrimet fetare, gjë që e largon nga feja dhe e bën atë sekondare tek ai.
    Kështu, veprat e ndaluara janë hallka të një zinxhiri që tërheq njëra-tjetrën derisa ta fundosin autorin e tyre. Ashtu siç ka nga ata që shpjegojnë fatkeqësitë e luftërave dhe ngjarjet e dhimbshme vetëm nga perspektiva materiale, ka edhe nga ata që shpjegojnë krizat ekonomike nga një këndvështrim i pastër materialist. Por besimtari që kupton ligjet e Zotit e di se përtej shkaqeve materiale ekziston një shkak fetar që ka ndodhur në shoqëri, duke e bërë atë të meritojë ndëshkimin që sjell ligji i Zotit, nëse ligësitë përhapen pa asnjë kundërshtim.
    Ashtu siç ka njerëz që përfundojnë të poshtëruar dhe të përdhosur në altarin e imoralitetit, duke sakrifikuar dinjitetin e tyre në kërkim të parave. Në shumë lagje të varfra ku mbretëron varfëria dhe skamja, përhapet krimi dhe prostitucioni.
    Një nga shembujt më të qartë është shkatërrimi ekonomik që pëson shoqëria për shkak të neglizhimit të ndalimit nga praktikimi i kamatës, çka ka sjellë pasoja të rënda për shoqëritë islame, duke përkeqësuar nivelin e tyre jetësor dhe ekonomik, ku të varfrit bëhen edhe më të varfër, dhe të pasurit bëhen edhe më të pasur, duke bërë që pasuria të qarkullojë vetëm mes të pasurve dhe të çojë kombin drejt një humnerë të thellë të shkatërrimit.
    Këto janë edhe parashikimet e qendrave të studimeve perëndimore, të cilat flasin për një fat të zi që pritet ta godasë kapitalizmin brenda një ose dy dekadave, ashtu siç ndodhi me komunizmin. “A po presin ata diçka tjetër përveç ditëve të atyre që kanë kaluar para tyre? Thuaju: Prisni, sepse edhe unë jam ndër ata që presin.” (Surja Junus: 102).
  1. Zhytja e njerëzve në epshe dhe pasione
    Neglizhimi i urdhërimit për të mirë dhe ndalimit nga e keqja çon në zhytjen e njerëzve në dëshira dhe pasione, duke i bërë ata të lidhur ngushtë pas kësaj bote, me shpirt të dobët dhe pa seriozitet. Një të ri që i interesojnë vetëm këngët e pahijshme, revista imorale, filma të pavlerë, telefonata me përmbajtje erotike, ose udhëtime në rajone të degjeneruara dhe të shfrenuara; ky i ri që ka bërë të gjitha dëshirat dhe pasionet pjesë të jetës së tij, a mund të shpëtojë nga robëria e kësaj dynjaje dhe të angazhohet në arsim të dobishëm?
    A mund të mbajë armët për të mbrojtur veten dhe popullin e tij?
    Nuk ka dyshim se ai nuk është në gjendje ta bëjë këtë, sepse është mësuar të jetë gjithmonë i lidhur me dynjanë dhe i robëruar ndaj epsheve, duke mos njohur seriozitetin dhe disiplinën.
    Në shoqëritë muslimane, nuk ka dyshim se neglizhimi i urdhërimit për të mirë dhe ndalimit nga e keqja është shkaku që fëmijët e shoqërisë tonë përfundojnë të humbur në kënaqësi dhe epshe, që i bën ata të papërshtatshëm për çështje të rëndësishme.
  2. Ndryshimi i kursit
    Një ndëshkim jashtëzakonisht i rëndë është se Umeti ka filluar të ndryshojë rrugën/kursin në kahjen e tij. Kjo ndodh sepse hipokritët dhe prishësit nuk mjaftohen vetëm me përhapjen e të këqijave, por përpiqen të shkëpusin Umetin nga feja e tyre plotësisht, duke i shndërruar në popuj laik e pa fe, që pranojnë të qeverisen nga çdo ligj dhe të përhapet çdo devijim mendimi ose morali.Ky ndryshim është më i rrezikshëm se dominimi i armiqve dhe hipokritëve në mënyrë ushtarake mbi vendet islame. Realiteti e dëshmon këtë: nëse e shqyrton, do të gjesh se vendet islame që janë marrë me forcë ushtarake janë të pakta, si Andaluzia që u mor nga krishterët në të kaluarën dhe Palestina që u pushtua nga hebrenjtë sionistë me dhunë. Këto janë pak dhe ndikimi i tyre në rrugën e kombit është pozitiv, sepse ngjall ndjenjat e tij dhe e stimulon për të mbrojtur fenë e tij.
    Por, nëse shqyrton realitetin e shumë vendeve islame që qeverisen nga Islami dhe ku është e njohur e mirësia, do të shohësh se ato sot janë vende laike, të qeverisura nga sisteme që nuk janë në përputhje me ligjin e Allahut, që mbrojnë të këqijat dhe luftojnë virtytet. Shembuj të tillë janë universitetet ku përzierja gjinore është sistem i domosdoshëm, ku hixhabi luftohet, duke i etiketuar ato që e mbajnë atë si të prapambetura.
    Kështu, Umeti ka rënë në duar të hipokritëve që përpiqen të shkëpusin atë nga feja e tij, për shkak të mungesës së reformatorëve që urdhërojnë për të mirë dhe ndalojnë të këqijat, ose për shkak të dobësisë së tyre në realizimin e misionit të tyre.
    Kështu, shoqëria është bërë mejdan i përplasjes mes dy palëve: “Besimtarët dhe besimtaret janë miq (mbështetës) për njëri-tjetrin; ata urdhërojnë për të mirë dhe ndalojnë të këqijat” (Teube: 71) dhe “Hipokritët dhe hipokritet janë miq (mbështetës) për njëri-tjetrin; ata urdhërojnë për të keqen dhe ndalojnë të mirën.” (Teube: 67). Cili grup dominon, ai arrin të ngjyros shoqërinë sipas natyrës dhe ngjyrës së tij.
    Për këtë arsye, çështja e urdhërimit për të mirë dhe ndalimit të së keqes është një çështje vendimtare që përcakton ruajtjen e rrugës islame të Umetit. Kjo është arsyeja që në periudhat e mëparshme islame, urdhërimi për të mirë dhe ndalimi i të këqijave kishte një rëndësi të madhe për të gjithë muslimanët; çdo musliman ndihej i obliguar të përkushtohej në këtë çështje në çdo nivel dhe në çdo fushë: në shtëpinë e tij, në treg, në xhami dhe kudo tjetër; pa bërë dallime midis të vegjëlve dhe të mëdhenjve, të afërmve dhe të huajve, të njohurve dhe të panjohurve, meshkujve dhe femrave.
    Ata e ndienin këtë si një detyrë që u kërkohej nga feja e tyre dhe nuk e lanë atë në dorë të një institucioni të caktuar, duke e hedhur fajin mbi të kur sheh ndonjë të keqe.

Selman el-Aude
Përktheu dhe përshtati: Ali Ashani – https://www.rizgjimi.com/