Nga Rudian Zekthi

Parimi i autoktonisë

I.

“Ne asnjë të dërguar nuk e dërguam ndryshe vetëm në gjuhën e popullit të vet, ashtuqë ai t’u shpjegojë atyre (në atë gjuhë)(…)” Surja Ibrahim, 4.

Prej faktit që Zoti në Kuran tregon sesi i ka zgjedhur profetët të jenë prej popujve të tyre, mund të nxjerrim së paku tri argumente:

Së pari: një profet (dhe ngjashëm me të një reformator) duhet të jetë medoemos pjesë e popullit të cilit i drejton udhëzimin e Zotit të vet, sepse ky udhëzim nuk mund të transmetohet i plotë duke u mbështetur vetëm tek njohja e mesazhit dhe vërtetësisë së tij dhe njohja e gjuhës së atij populli, por kërkon edhe njohjen e atyre që po i quajmë këtu kode simbolike apo gjuhë komplementare, përfshirja ose jo e të cilave te procesi i shpalljes dhe transmetimit të të vërtetës,përcakton nëse ky transmetim do të jetë i potë apo i pjesshëm. Kemi parasysh potencialin semantik të Emrave të Përveçëm, pra emra njerëzish, ngjaresh, vendesh, imagjinar ose jo, të cilët përfaqësojnë një kuptim apo koncept të caktuar dhe duke qenë se njihen në përgjithësi nga masa e njerëzve, mundësojnë qarkullimin e kuptimeve dhe koncepteve jo në nivel semantik por simbolik, në të gjitha shtresat e shoqërisë. Pa njohjen dhe përfshirjen e kodeve simbolike në ligjërim, transmetimi itë vërtetës finalizohet vetëm tek një pjesë e shoqërisë duke e lënë passive pjesën tjetër.

Së dyti: një profet (dhe ngjashëm me të një reformator) duhet të jetë medoemos pjesë e popullit të cilit i drejton udhëzimin, pasi vetëm si i tillë, si autokton ai mund t’i japë hakun konfliktit mes dy shenjtërive: shenjtërisë së shoqërisë ku bën pjesë, pra pacënueshmërisë së atyre atributeve që e bën atë shoqëri të funksionojë dhe të legjitimojë jetët dhe veprat e pjesëtarëve të saj dhe shenjtërisë së të vërtetës së Zotit. Ai e di se në fakt nuk mund të ketë dy shenjtëri (aq më tepër shumë shenjtëri), përderisa e vërteta është një dhe shenjtëria duhet të jetë një; pra ai e di që shenjtëria e shoqërisë është e rreme, por kjo nuk i bën apriori fajtorë pjesëtarët e shoqërisë nëse si reagim të parë kanë refuzimin e shenjtërisë së të vërtetës, në emër të ruajtjes së shenjtërisë së shoqërisë. Kjo rezistencë në fakt është e natyrshme, por këmbëngulja tek ajo dhe mosreflektimi mbi shenjtërinë e të vërtetës janë ato që herët apo vonë i bëjnë gjithsesi mëkatarë dhe mohues.

Por duke qenë autokton, thirrësi i të vërtetës, është i vetmi që e di natyrshmërinë apo konvencionin me të cilin shenjtëria e të qenit bashkë ka ushqyer jetët e tyre, ka përcaktuar veprimet e tyre, i ka dhënë formë përvojave të tyre, ka legjitimuar shpresat e tyre, siç di natyrshmërinë dhe pakrahasueshmërinë dhe pazëvendësueshmërinë e shenjtërisë së të vërtetës së Zotit. Duke i njohur intensivisht të dyja shenjtëritë ai do të jetë edhe këmbëngulës edhe konfident, edhe i pakompromis edhe i durueshëm, edhe tensionues – sfidues, edhe joshës. Misioni i tij është ta shkatërrojë shenjtërinë e rreme, por ai s’mund ta bëjë këtë duke e urryer dhe përbuzur popullin e tij dhe madje as duke qenë neutral ndaj tij, por përkundrazi duke iu dhimbsur ai për mbrojtjen e detyruar të kësaj gjëje të rreme. Sepse urrejtja apo përbuzja apo neutraliteti do ta shndërronin marrëdhënien me të vërtetën dhe shenjtërinë e saj në një çështje të vetëkuptueshme dhe automatike, pa pengesa, dilemma e kushtëzime. Nga ana tjetër sado dhembshuri të ketë, është i përqendruar pikërisht për ta shkatërruar shenjtërine e tyre dhe për këte tre janë provat e vërtetësise së një profeti: ose ia del ta kthejë popullin e vet tek Zoti, ose në të kundërt populli i tij synon ta vrasë a e dëbon, ose vjen ndëshkimi kolektiv i popullit prej Allahut.

Së treti:një profet (dhe ngjashëm me të një reformator) duhet të jetë pjesë e popullit që i drejton udhëzimin (dhe jo i huaj në të), sepse vetëm kështu çështja e të vërtetës dhe hakut të Zotit, me garanci nuk do të shndërrohet në një çështje laboratori dhe formule, por do të mundësohet të përmbushet si një çështje e gjallë, e drejtpërdrejtë, ndërvepruese me jetën në kohë reale të shoqërisë a popullit në fjalë (pra nëse profeti është i huaj, ai nuk mund të përfshihet tek çështja konkrete sesi pashmangshmërisht do heqë dorë nga skemat e vjetra legjitimuese dhe do përftojë skema të reja shoqëria që po fton: thjesht këto çështje për të janë të parrokshme dot dhe ai do të rrezikonte ta përsëriste të vërtetën e Zotit si formulë pa lidhje me realitetin, duke mos mundur dot të dëshmonte fuqinë shpërndërruese të kësaj të vërtete).

Kujdes: tre argumentet duket se tolerojnë që autoktonia të jetë opsionale, duke qenë se thjesht përshkruajnë mangësi dhe jo pamundësi; e vërtetë është e kundërta: përmbushja e paraqitjes së të vërtetës së Zotit, nuk mund të tolerojë kurrfarë mangësie sepse në këtë çështje çdo mangësi përfaqëson pamundësi.



II.

Po kështu nga ky caktim i Zotit mund të nxjerrim interpretimet e mëposhtme:



1.Gjatë hixhretit të parë të muslimanëve në Abisini nën udhëheqjen e Xhaferr Abdumutalibit dhe Othman bin Afanit, muslimanët nuk u përfshinë në davet, madje as nuk e çuan ndër mend këtë (mosangazhim që bën kontrast me faktin se hixhretin prej vendit të tyre e bënë pikërisht që të lejoheshin ta shpallnin fenë e tyre)(madje edhe kur Amr bin As – atëherë ende mushrik- i detyroi të shpallnin të vërtetën islame për Mejremen dhe Isain a.s., ata e bënë këtë me ngurrim). Kjo sjellje e tyre është në fakt normale: nuk mund të jesh profet apo thirrës publik në një vend dhe popull, ku je i huaj.


2. Ka vetëm një mundësi që një i ardhur – joautokton, të synojë mision profetik apo reformator në një shoqëri: kur merret si e mirëqenë se vendi a qytetërimi që ai i përket, janë pamëdyshje superiorë karshi qytetërimit të shoqërisë së synuar për davet. Në këtë rast, praktikisht e gjitha lehtësohet: ai nuk ka nevojë të njohë medoemos kodet simbolike, nuk ka pse përfshihet në ambiguitetin momental të dy shenjtërive, nuk ka pse të jetë i detyruar të përfshihet në përcaktimin e skemave të reja legjitimuese që do zëvendësojnë të vjetrat : thjesht shpall mesazhin dhe sigurinë se ai është i papërgënjeshtrueshëm dhe parasëgjithash, paria e asaj shoqërie nxiton ta shijojë këtë papërgënjeshtrueshmëri. Arabët e Jethribit – Medines e ndanin qytetin e tyre me një komunitet të konsiderueshëm hebreaik (ndërkohë që në këtë aspect Meka ishte homogjene – e tëra e banuar nga arabë mushrikë) dhe nga bashkëjetesa e gjat[ mes tyre, ishte përcaktuar si të bënte pjesë në rendin e gjërave ep[rsia e hebrenjve dhe e fesë së tyre monoteiste, ndaj arabëve dhe fesë së tyre idhujtare. Për këtë arsye kur jethribasit morën vesh për një profet monotheist arab, megjith[se Muhamedi a.s. nuk ishte autokton në Jethrib, ato e ftuan dhe u konvertuan në masë në Islam, sepse ky i ardhur, për ta, prej vetiu i përkiste një qytetërimi më të lartë – monoteizmit. Musab ibn Umeri, i deleguari i Muhamedit a.s. në Medine, pas Marrëveshjes së Dytë të Akabesë, ishte edhe ai joautokton në Medine, por si përfaqësues i një profeti të një qytetërimi më të lartë, nuk pati nevojë të plotësonte detyrimet e autoktonisë, siç Muhamedi a.s. në Mekë.
(Mund të shtojmë këtu se, mesa dihet, daveti i Musab ibn Umerit, si jovendali në Medine, u kufizua apo u përqendrua tek krerët e fiseve arabe të qytetit, duke bërë me ta takime individuale dhe pasiqë ata ishin të disponuar paraprakisht për pranim të Islamit, ndikuan në përqafimin masiv të fesë së re në qytet. Kështu më shumë se një thirrës publik Musab ibn Umeri veproi si një mësues që mësonte doktrinën në prapavijë ndërkohë që muslimanët e rinj të Jethribit përballeshin në terren me pasojat e forta të këtij ndryshimi radikal që morën zgjidhje përfundimtare me ardhjen e Profetit Muhamed a.s. në Medine. Nga ku rezulton se status i mësuesit është produktiv vetëm nëse paraprakisht është pranuar se mësuesi i përket një qytetërimi më të lartë; në të kundërt është joproduktiv.)

3. Ndoshta mund të vlejë i njëjti shpjegim për histrinë e Ibrahimit a.s. me popullin e vet: populi i tij synoi ta vriste dhe pasi nuk e vrau dot, e dëboi (provë e mjafueshme për vërtetësinë dhe rëndësinë e davetit të tij). Pasi u largua nga vend i tij ai u vendos në Sham dhe Egjipt ku vazhdoi profecinë e vet tashmë si një i ardhur – joautokton dhe në fakt si një profet pa popullin e vet, kurorëzimi i misionit të tij ishte rindërtimi i Kabes dhe themelimi i një qyteti të ri a një populli të ri në Mekë, me banorët e të cilës ai ishte po aq autokton sa ata.


4. Po ashtu shembulli i Jusufit a.s., dëshmon se megjithëse ai u bë madje edhe mbret në Egjipt, pas ardhjes së familjes së tij, nuk arriti ta bënte musliman popullin ku mbretëroi dhe shpjegimi i vetëm i arsyeshëm për këtë është se ai nuk ishte autokton, ishte i ardhur tek ai popull dhe nuk plotësonte ato tre kushtet që përmendëm që në fillim(dhe me sa duket as kushtin e një të huaji që pa asnjë dyshim i përket një qytetërimi më të lartë).


5. Që plotësohet si vazhdim me historinë e Musait a.s., i cili u dërgua si profet tek faraoni (pasi ishte bërë e qartë që ai megjithëse ishte rritur në pallatin e faraonit, i përkiste popullit hebre) por jo me qëllimin kryesor për t’i bërë davet atij, por me qëllimin për ta çliruar popullin e tij nga robëria: Zoti nuk i kërkoi atij që të konvertonte në fenë e drejtë faraonin dhe popullin e tij, pasiqë ata nuk ishin populli i tij dhe ai nuk ishte autokton në Egjipt.
III.

Nga gjithë sa thamë , vjen i pashmangshëm një reflektim mbi çfarë kemi bërë ne si muslimanë këto 30 vjet, në shoqërinë shqiptare. Dhe nuk mund t’i shpëtojmë gjykimit sesi vullnetarisht ose praktikisht me një rezistencë të dobët, ose madje as pa e kuptuar, ne kemi dorëzuar një kusht themelor të mundësimit të davetit, madje atë që na e ka dhënë Zoti dhuratë, pra Autoktoninë. Ne kemi pranuar të sillemi vetë dhe mandej të na trajtojë një pjesë e shoqërisë, sikur jemi të huaj a të ardhur në këtë vend. Sigurisht që dëmi i parë që vërehet është që kemi dëmtuar veten se kemi këmbyer stausin superior të vendaliut me statusin inferior të emigrantit; por kjo është më e pakta (dhe në fakt më e pakta dhe më e merituara), por problem më i madh është që kemi nxjerrë mbi dhe themelet e detyrimit tonë për të përçuar tek njerëzit të vërtetën e Zotit, pra kemi prerë degën mbi të cilën ulemi, sepse të sillesh si joautokton do të thotë ta bësh objektivisht të pamundshëm davetin dhe në njëfarë mënyre të jesh i justifikuar për mossuksesin.

Me siguri që sebep për këtë çrangim jemi bërë në mënyrë të pavetëdijshme, duke mos i njohur (e duke mos i njohur duke mos i pranuar apo synuar) minimumi tri argumentet kushtëzuese që renditëm që në krye të këtyre shënimeve: pra duke mos synuar njohjen e kodeve simbolike apo duke i nënvlerësuar ato, duke mos pranuar të drejtën në zanafillë të kësaj shqërie që të mbrojë shenjtërinë e origjinës dhe efikasitetit të saj, duke mos arritur as ta përfytyrojmë se na kërkohet jo si element alternativ. por thelbësor i ftesës tek e vërteta e Zotit, paraqitja e projektit sesi ky popull dhe kjo shoqëri do të duhet të ndryshojnë për të prosperuar në përputhje me shenjtërinë e re që sjell njohja dhe pranimi pa kushte i Zotit.

Dhe ngaqë të pranosh të sillesh sikur je i huaj në vendin tënd është më inferiori i statuseve të mundshëm, prandaj kanë pasur një lloj qarkullimi dhe popullariteti mes nesh këto tri teza:

— Gjendja e muslimanëve shqiptarë nuk është e ngjashme as me gjendjen e muslimanëve në Mekë, as me gjendjen e muslimanëve në Medinë, por me strehimin e tyre në Abisini (kjo është më mirë sesa realisht jemi, sespe na konsideron të huaj në vend të huaj dhe jo në vendin tonë)

— Gjendja e muslimanëve shqiptarë mund të zgjidhër sipas modelit të Jusufit a.s. në Egjipt, pra duke u kooptuar (pranoj një a më shumë anëtarë të rinj në një organ, për të plotësuar vendet e lira, pa bërë zgjedhje të reja) në sistem përmes aftësive dhe zotësive të shquara për të cilat sistemi ka nevojë dhë s’mund t’i gjejë ndryshe pos tek ne (edhe kjo është më e mirë sesa realisht jemi, sepse na konsideron po ashtu të huaj në një vend dhe shoqëri të huaj dhe jo në shoqërinë tonë)

— Gjendja e muslimanëve shqiptarë është ngjashëm me gjendjen e muslimanëve në Medine, sepse kemi xhami dhe nuk pengohemi të bëjmë davet (në fakt po, pengohemi të bëjmë davet , davetin vertikal që e sfidon sistemin dhe lejohemi të bëjmë davetin horizontal që e toleron dhe konservon sistemin) (edhe kjo sigurisht është shumë më e mirë ngasa realisht jemi sepse në rastin më të mirë muslimanët autoktonë jethribas ishin të përforcuar me muslianët muhaxhirë apo muhaxhir[t ishin joautoktonë në një shoqëri muslimane; madje edhe nëse vetëm si Musab ibn Umeri, ai ishte përfaqësues i një qytetërimi më të lartë se ai i vendalive ndërkohë që ne s’mundemi asfare ta pretendojmë këtë).

Pra megjithëse asnjëri prej këtyre modeleve nuk është adekuat me gjendjen tonë, ne ngulim këmbë o tek njëri o tek tjetri, sepse na lejojnë të fshehim se cila është realisht gjendja jonë: ajo e Junusit pas dorëheqjes prej misionit, duke u munduar t’i shmanget shortit të hedhur për të përcaktuar se cili duhet sakrifikuar që të mos mbytet – mbijetojë shoqëria.

____________________________________
Një shtojcë

Mbi emigrimin ekonomik të muslimanëve.

Largimi i muslimanëve nga trojet e tyre drejt kryesisht Perëndimit, për një jetë më të mirë, nuk u jep atyre asnjë mundësi përveç asaj të dhimive, ata pra mund të lejohen në rastin më të mirë të kenë dhe praktikojnë fenë e vet, por si joautoktonë nuk kanë të drejtë mbi sistemin dhe nuk u lejohet daveti publik apo vertikal apo altersistem. Kjo është jo thesht evidente, por e natyrshme, nuk ka ndonjë padrejtësi këtu dhe s’mund të jetë ndryshe, nuk mund të bëhesh zot në shtëpinë e tjetrit. Këmbëngulja tek kjo është utopi dhe iluzion, kundërproduktive.

Mundësia e parë për të shpëtuar nga ky iluzion dhe nga ky status davetpaktë, është ta përfytyrojnë emigrimin e tillë si një gjendje sa më të përkohshme të mundshme dhe të kthehen në vendin e vet me sa kanë mundur të jenë begatuar prej punës së vet; vetëm në vendin e vet daveti i tyre mund të jetë i plotë.

Mundësia e dytë, është që aq sa do ta rrinë atje t’i bashkangjiten si prapavijë përpjekjeve të davetit të muslimanëve (sado të paktë por autoktonë të vendit ku kanë emigruar), duke i mbështetur ata sa të munden në davetin alternativ ndaj sistemit.

Mundësia e tretë, është të presin në mënyrë futuriste të ndryshojë gjeopolitika dhe shoqëritë dhe popujt muslimanë të bëhen edhe njëherë dominues dhe supëriorë: atëherë si Musab ibn Umeri në Jethrib do bëjnë davetin e destinuar të jetë produktiv si përfaqësues të një qytetërimi më të lartë se ai i shoqërisë që i drejtohen.



Mbi brain gain.

Largimi po ashtu masiv i të rinjve shqiptarë, muslimanë ose jo, për t’u shkolluar kryesisht në Perëndim në shkollat më të mira, me supozimin se ky shkollim superior do t’i shërbejë kur të kthehen zhvillimit të shoqërisë shqiptare, është po ashtu, një dështim i paralajmëruar (në fakt ky s’është më një parashikim por një fakt, sespe është fakt që brain gain ka dështuar).

Po tregojmë këtu skemën e plotë të mundësive, të këtij shkollim, ku dështimi është pothuajse i pashmangshëm dhe suksesi vetëm një mundësi e brishtë. Kjo është skemë që mbështetet mbi gjithë sa kemi thënë deri më tani për parimin e autoktonisë.

Duke qenë se këto student askush nuk i ka lajmëruar për ekzistencën e këtij ligji: të shkollohesh jashtë shoqërisë tënde, pra si joautokton është krejtësisht një gjë tjetër ngasa të shkollohesh në shoqërinë tënde si autokton (paradoksalisht jo në kuptimin se është prejvetiu më mirë, por sepse është një mundësi shumë e vogël që të jetë diçka e mirë). Sepse një universitet elitë në një shoqëri tjetër është produkt i asaj historie, i atij identiteti të përbashkët, i asaj kulture, i atyre kodeve specifike simbolike. Që një student i huaj – jovendali të marrë më të mirën e atij shkollim, do t’i duhet të vendoset në kushtet epistemologjike të vendalive: të njohë themelet e atij identiteti, të asaj kulture, të njohë kodet sekrete simbolike: pa mos e bërë këtë shkollimi i tij do të jetë fiktiv, jocilësor, pasi mekanik dhe gjysmëipavetëdijshëm.

Dhe kjo është mundësia e dytë (e para është e atyre që dështojnë haptazi, pra nuk arrijnë as t’i mbyllin studimet apo i mbyllin me rezultate të dobëta), për fat të keq shumë e përhapur dhe fatkeqe: shumica e të shkolluarve kështu, edhe nëse përfundojnë me rezultate të larta (por paradoksalisht në këtë rast nuk vlen si diferencë rezultate të larta apo të ulta), për shumicën e tyre këto rezultate janë frut i zellit dhe durimit, por jo i inteligjencës dhe kreativitetit. Këto si të kthehen si të mos kthehen në vendin e tyre, është njësoj, këta as nuk e dinë se kush është kuptimi i shkollimit të tyre, nuk njohën as themelet e shoqërisë ku u shkolluan dhe as themelet e shoqërisë amtare.

Mundësia e tretë (edhe kjo fatkeqe në mënyrën e vet) është e një pakice prej tyre, që ia dalin ta akulturohen, pra të adaptohen kulturalisht me kushtet që e bëjnë të mundshme atë unversitet dhe atë shkollim, duke përbrendësuar vetëdijen dhe identitetin e vendalive. Përsa bëjnë këtë, përfitojnë më të mirën nga ky shkollim, por këto janë në mënyrë kritike të kushtëzuar nga risku që sistemi që i formoi , dukei çmuar të kërkojë t’i mbajë për vete, t’i shërbejnë asaj shoqërie, praktikisht duke u tjetërsuar , pra duke e humbur definitivisht identitetin e tyre amtar dhe duke u asimiluar prej shoqërisë pritëse.

Mundësia e katërt, është që ç’farë rezidton ndaj tre mundësive të para, vjen i shkolluar dhe i formuar në vendin e vet dhe gjëja më e mundshme që mund t’i ndodhë është që pa qenë dot në gjendje të konvertojë zotësitë dhe dhuntitë e fituara në një shoqëri tjetër nga ajo ku i fitoi këto zotësi, të dështojë apo të bllokohet nga një system ku ai dedektohet si trup i huaj.

Mundësia e vetme ( e pesta, më e pakta, gati në kufijtë e të pamundshmes, ajo që quhet pra brain gain) është që pasi kthehet, i duhet të riakulturohet, të ribëjë identitetin e vet amtar në mënyrë që të bëjë analogjitë kreative (ixhtihadin) mes dy kulturave njohës plotë i të dyjave siç është, dhe të vendosë në tension establishmentin dhe sistemin, deri aq sa një jetë e tensionuar dhe e vështirë të jetë çmimi për gjithë përpjekjen e vet, sespe brain gain i vetëm i mundshëm është në thelb telash dhe tension, moskuptim dhe mosmirënjohje (dhe që madje, nëse ia del me të vërtetë në fund të ndikojë në përmirësimin e shoqërisë, kjo nuk do të thotë se funksionoi brain gain, sepse pas kaq shumë sprovash, i till dëshmon se do ta kishte synuar dhe mbërritur të njëjtën për çdo rast, edhe pa u shkolluar si i huaj në një shoqëri tjetër).

Rudian Zekthi