Mësuesi duhet të ketë mëshirë të madhe ndaj nxënësve dhe duhet t’i konsiderojë ata si fëmijët e tij. Ai nuk duhet të kërkojë shpërblim për përhapjen e diturisë dhe as mirënjohje dhe falënderim, por duhet ta ketë nijetin për All-llahun xh.sh.

Po ashtu, mësuesi nuk duhet ta konsiderojë veten më të lartë se nxënësit, por duhet t’i konsiderojë ata më të mirë dhe më të lartë se vetë ai, për arsye se ata i kanë përgatitur zemrat e tyre për All-llahun xh.sh. Shembulli është sikurse ai i cili ia huazon tokën për të mbjellë dikush diçka (pra duhet të gëzohemi që dikush kërkon diturinë për All-llah).

Mësuesi duhet ta kërkojë shpërblimin tek All-llahu xh.sh., e jo prej të tjerëve. Dijetarët e hershëm (SELEFUSALIH) nuk kanë pranuar asnjëherë dhurata prej nxënësve të tyre.

Sa i përket shpërblimit të mësuesit (hoxhës), myezinit, ligjëruesit javor, pastruesit dhe hatibit, dijetarët e hershëm të mejtepit hanefi kanë qenë të mendimit se këtyre nuk iu takon shpërblimi dhe nuk iu takon paga, mirëpo dijetarët e mëvonshëm, për shkak të vështirësive ekonomike, e kanë parë të arsyeshme që të jepet një shpërblim i posaçëm për ligjëruesin, për pastruesin etj., nga fondi apo buxheti i bashkësisë muslimane.

Ata janë bazuar dhe kanë pasur si argument faktin se EBU BEKRI ju ka dhënë shpërblim (paga) disa punëtorëve dhe, përveç kësaj, edhe ua ka shtuar atyre pagat.
Mësuesit nuk i lejohet që të jetë i rezervuar ndaj nxënësit të tij.

Nëse nxënësi devijon ose prishet moralisht, mësuesi duhet ta këshillojë atë në mënyrë alegorike e jo të drejtpërdrejtë (indirekt e jo direkt) dhe jo në mënyrë ofenduese, sepse ofendimi e rrëzon perden e autoritetit. Po ashtu, mësuesi duhet ta ketë parasysh aftësinë logjike të nxënësit dhe nuk duhet ta ngarkojë me ato gjëra që mendja e tij nuk mund t’i kuptojë.

Transmetohet se Muhamedi (a.s.) ka thënë: “Jam urdhëruar që t’ju flas njerëzve sipas asaj që ata e kuptojnë.”

Po ashtu, mësuesi duhet të punojë vetë në përputhje me diturinë e tij, në mënyrë që fjalët e tij të mos kundërshtohen me veprat e veta.

A PO I UDHËZONI TË TJERËT ME MIRËSI E VETEN PO E HARRONI? DHE JU PO E LEXONI LIBRIN. A NUK LOGJIKONI SE SI VEPRONI?” (EL BEKARE 44)

H. ALIU (r. a.) ka thënë: Dy persona më kanë munduar shumë:
-Një dijetar (Alim) që vepron në kundërshtim me atë që flet dhe di.
-Një xhahil që i bën shumë ibadet All-llahut (xh. sh.)

DIJETARËT E KËSAJ BOTE DHE TË AHIRETIT
Dijetarët e këqij janë ata të cilët e përvetësojnë diturinë me qëllim që të kënaqen dhe të dëfrejnë në këtë jetë dhe që, nëpërmjet asaj diturie, synojnë të arrijnë në një pozitë të lartë.

Nga Ebu Hurerje transmetohet se Muhammedi (alejhi selam) ka thënë:
“Ai i cili mëson një dituri me qëllim që të arrijë diçka në këtë jetë, e jo për hir të All-llahut (xh. sh.), nuk ka për ta shijuar erën e xhenetit e lëre më të hyjë në të”. (TIRMIDHIU)

Muhammedi alejhi selam ka thënë:
“Ai i cili e mëson një dituri për t’u krenuar para dijetarëve ose për t’u futur në dialog me injorantët (xhahilat) ose për të tërhequr vëmendjen të tjerëve se kush është ai, me të vërtetë ai është në zjarr”. (TIRMIDHIU)

Disa dijetarë të hershëm kanë thënë se më së shumti që pendohet dhe dëshpërohet para vdekjes është ai dijetar i cili nuk ka punuar sipas fjalëve të Muhammedit (alejhi selam).

Po ashtu duhet të dimë se dijetari duhet t’i respektojë ligjet e All-llahut xh.
sh., qofshin ndalesa apo urdhëresa, dhe nuk duhet të largohet dhe të heqë dorë nga gjërat e lejuara (për t’u bërë Zahid). Ai duhet t’iu kushtojë sa më pak rëndësi pasurive të kësaj jete. SUFJAN ETHERIU (All-llahu e mëshiroftë) transmeton se ai është ushqyer mirë gjithë jetën, pasi -siç thotë ai – nëse kafshës nuk i jep të hajë, ajo nuk punon mirë.

Prof. Dr. Hfz. Hajredin HOXHA