Falënderimi i takon Allahut. Atë e falënderojmë dhe prej Tij falje, ndihmë dhe udhëzim kërkojmë. Kërkojmë mbrojtje nga Allahu prej të këqijave të vetvetes dhe të veprave tona. Kë e udhëzon Allahu s’ka kush e lajthit dhe kë e largon nga rruga e vërtetë, s’ka kush e udhëzon. Dëshmoj se s’ka hyjni tjetër përveç Allahut, i Cili është Një dhe dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij.
Të nderuar vëllezër besimtarë;
Në hutben e sotme me lejen dhe ndihmën e Allahut do të flasim në temën: “O besimtarë kërkoni ndihmë me durim dhe me namaz!”
Tregohet se një herë, në një kohë të largët, në një çarshi, jetonte një këpucar i cili punonte vetëm sa për ta ushqyer veten dhe familjen e tij. Ai kishte klientë (myshteri) të ndryshëm, me teke të llojllojshme, të cilëve ai gjithmonë përpiqej t’ua mësonte mençurinë dhe durimin.
Një ditë tek ai erdhi një njeri i cili ishte shumë zemërak dhe kokëfortë … që nuk ishte i krasitur … i cili ishte i pakënaqur me punën e tij, andaj filloi t’i bërtiste. Mirëpo këpucari ishte sabërli, ishte njeri i durueshëm, andaj në të gjitha këto provokime ai i përgjigjej me heshtje dhe durim. Kur ky burrë kokëfortë pa se këpucari nuk po reagon në fjalët e tij, mori ujë nga tavolina e këpucëtarit, me të cilin ai e lagëte lëkurën të cilën e punonte, dhe e lagu këpucëtarin. Por këpucari nuk reagoi as ndaj këtij provokimi, por ashtu i përulur, me durim, e fshiu ujin e ndotur nga fytyra e tij. Duke parë se këpucari nuk iu përgjigj as kësaj provokimi, “kokëforti” çmendet, dhe e godet me flakaresh këpucarin. Pas kësaj, këpucari u ngrit nga karriga e tij. Ai ishte një njeri me gjatësi mbi dy metra, pra ishte një njeri i tmerrshëm. Kur e pa ky “kokëforti” këpucëtarin para vetes sa një shkëmb, filluan t’i dridhen këmbët. E lëshoi trimëria e më hershme, krenaria dhe zemërimi. I hodhi këpucët dhe filloi të ikte. Edhe këpucëtari pas tij. Kokëforti iku derisa këmbët filluan ta lëshojnë, pastaj ashtu i rraskapitur, i poshtëruar, u ndal dhe tha: “Unë u dorëzova, nuk po mundem më tutje!” Këpucëtari iu afrua me buzëqeshje në fytyrë dhe i tha: “Më fal vëllam im, unë vetëm desha që të pyes, se a pate dhembje në dorë kur më godite mua?!”
Vëllezër të respektuar;
Sot ka gjithnjë e më shumë trima si ky “kokëforti” ynë, por gjithnjë e më pak, ose aspak, sikurse ky këpucari ynë.
Durimi është një veçori që i zbukuron vetëm besimtarët e mëdhenj dhe njerëzit e mëdhenj. Në hadith thuhet se në një rast Pejgamberi (savs) është pyetur: “Cilët njerëz janë më të sprovuar? E ai përgjigjet: “Njerëzit me të sprovuar janë pejgamberët, pastaj ata që janë më afër tyre dhe që i ndjekin ata. Sprovohet njeriu sipas shkallës së besimit, nëse është i fortë në besimin e tij edhe sprovën e ka më të madhe, e nëse është i dobët në besimin e tij, do të sprovohet sa shkalla e besimit të tij. Njeriu sprovohet derisa të ecë mbi tokë pa asnjë mëkat. (Transmeton Tirmidhiu, e hadithi është sahih).
Ademi (a.s.) është sprovuar me frytin e ndaluar. Jusufi (a.s.) është sprovuar me Zulejhanë dhe me pushtetin. Sulejmani (a.s.) me pasuri. Ejubi (a.s.) me sëmundje, me humbje të pasurisë dhe pasardhësve, kurse pejgamberi ynë Muhamedi (savs) është dëbuar nga populli i tij, i ka humbur të gjithë fëmijët, (përveç Fatimes) gjatë jetës së tij dhe shumë më tepër që zemra dhe trupi njerëzor gati nuk mund të përballojnë.
Allahu i Plotfuqishëm thotë: “Na do t’ju provojmë me ndonjë gjë: me pak frikë, uri, me dëmtim të pasurisë, dëmtim të njerëzve dhe të të lashtave. Ti përgëzoji durimtarët! – Atyre të cilët kur i godit ndonjë fatkeqësi thonë: “Të Allahut jemi dhe vetëm tek Ai do të kthehemi!” – Ata do të shpërblehen me dhunti dhe mëshirë nga Zoti i tyre; ata janë në rrugën e drejtë!” (el-Bekare, 155-157).
Ndonjëherë njeriu vihet në sprovë për shkak të mosbindjes dhe mëkateve të tij, kurse ndonjëherë njeriu mund të vihet në sprovë edhe për shkak të bindjes tij, të ibadetit dhe veprave të mira, dhe kjo do të jetë shenjë e dashurisë së Allahut për të, sepse Allahu i Plotfuqishëm ka vendosur ta ngre robin e Tij në një shkallë më të lartë, ka vendosur që ta pastrojë nga mëkatet, dhe kështu ta shpëtojë nga zjarri i xhehenemit, andaj dhe ia jep këtë mundësi e cila shpesh herë edhe nuk është e lehtë!
Prandaj, kur Allahu na sprovon me varfëri, sëmundje, me çfarëdo humbje, duhet ta kujtojmë ajetin e mëposhtëm kuranor në të cilin ka një zgjidhje për të gjitha problemet tona, ky ajet thotë:
“O ju që keni besuar, kërkoni ndihmë me durim e me namaz, se vërtetë Allahu është me durimtarët.” (el-Bekare, 153)
Vëllezër të dashur;
Duhet ta dimë se në namaz dhe në durim është shpëtimi dhe lumturia edhe e kësaj bote edhe e botës tjetër. Namazi është ilaç për çdo pikëllim, brengë dhe fatkeqësi. Prandaj nuk duhet të habitemi nga fjalët e Pejgamberit (savs), i cili në momentet brengës, fatkeqësisë apo vuajtjes i thoshte muezinit tij: “O Bilal, na pusho me namaz!” Namazi nuk ka qenë shpëtim dhe strehim vetëm për Pejgamberin tonë, por edhe për të gjithë gjigantët e tjerë të Islamit. Të gjithë ata në momentet e vështira ia kanë mësy namazit, sidomos namazit me xhemat, duke e falur me përulje dhe përkushtim.
Vëllezër të respektuar;
Sot kur bota është plot me njerëz të këqij, me njerëz sikur ai “kokëforti” ynë në fillim të hutbes, sot kur është krim të jesh musliman, sot kur në TV nuk mund ta shohim asnjë informacion pozitiv, por vetëm kronikë të zezë, shpëtimi i vetëm është namazi, xhamia, xhemati, sexhdeja.
Është koha e fundit kur duhet t’i kushtojmë kujdes më tepër xhamisë, jo vetëm me donacione, por edhe duke e vizituar, sepse përkushtimi për xhaminë do të thotë përkushtim për vetveten.
Prandaj, ju lutem mos ta neglizhojmë namazin, mos ta shkatërrojmë jetën tonë me gjëra që nuk mund të na ndihmojnë dhe në çka nuk mund të ndikojmë, por të ngrihemi në namaz dhe të themi, atë që e tha Ibrahimi (a.s.) kur e hodhën në zjarr: “Mua më mjafton Allahu, Ai është mbrojtësi më i mirë!” Për shkak të këtyre fjalëve, Allahu i Plotfuqishëm për Ibrahimin (a.s.) zjarrin e bëri të ftohtë dhe shpëtimtar.
Kur Pejgamberi (savs) dhe sahabët ballafaqoheshin me ushtri më të madhe, më të pajisur dhe më të fortë të jobesimtarëve, të gjithë bërtitnin:
“Neve na mjafton Allahu, dhe Ai është mbrojtës i mrekullueshëm!” Ata u kthyen (nga Bedri) me dhuntitë dhe begatitë e Allahut, nuk i gjeti asgjë e keqe dhe bënë që Allahu të jetë i kënaqur. Allahu është dhurues i madh.” (Alu Imran, 173-174)
Në çdo kohë, në çdo situatë – Allahu është i mjaftueshëm për ne, dhe Ai është mbrojtësi më i mirë.
Kur Musai (a.s.) arriti te deti duke ikur nga Faraoni, nuk mundi të vazhdonte, por nuk e humbi shpresën në Zotin, ai tha: ”Me mua është Zoti im, Ai do të më udhëzojë.” (esh-Shuara, 62)
– O Zot na i prano veprat tona të mira dhe na i fal mëkatet dhe gabimet!
– O Zot, ndihmoju të gjithë vëllezërve dhe motrave tona në nevojë!
– Na bën prej atyre që vetëm për Ty bëjmë ruku dhe sexhde!
– Na ruaj nga sprovat të cilat nuk mund t’i përballojmë!
– O Zot, fali prindërit dhe paraardhësit tonë të vdekur, të cilët te ne e përcjellën dritën e Islamit, kurse fëmijët tonë bëri prijës të Umetit dhe mbrojtës më të mirë se ne të fesë dhe atdheut!
Na mëshiro në Ditën e gjykimit, dhe na vendos në xhenet në shoqëri me pejgamberë, me të sinqertë, me shehidë dhe me njerëz të mirë! Amin.
Pershtati: Miftar Ajdini