Kur flasim për kërkimin e diturisë duhet të kuptojmë se jemi duke folur për një obligim shumë të madh. Obligim mbi të gjitha obligimet. Fjala e parë Hyjnore ishte fjala e dijes, leximit, obligim para gjitha obligimeve tjera. Lexo me emrin e Zotit tënd, i Cili krijoi (gjithçka), e krijoi njeriun nga një droçkë gjaku! Lexo! Zoti yt është Bujari më i madh, i Cili, me anë të penës ia mësoi, ia mësoi njeriut ato që nuk i dinte. (1-5).
Gjëja më e shtrenjtë që njeriu shpenzon prej jetës së tij është koha që ai shpenzon në lexim, në kërkimin e diturisë. Nxënësi, studenti është ai i cili e kalon kohën e tij më të shtrenjtë në lexim dhe në kërkimin e diturisë. Melaqet shtrijnë flatrat duke shprehë kënaqësinë e tyre, me atë që vepron kërkuesi i diturisë. Ndjekja e rrugës së dijes është ndjekje e rrugës së ngritjes, krenarisë, Allahu do t’i ngrejë në shkallë të lartë ata midis jush që besojnë dhe që u është dhënë dija. Allahu di çdo gjë që punoni. ( Muxhadele 11). Thotë Ibnul Kajjimi: “ çdo cilësi që Allahu e ka lavdëruar robin e Tij në Kuran është rezultat i dijes. Ndërsa, çdo cilësi që Allahu e ka përçmuar robin e Tij në Kuran është rezultat i injorancës”.
Arritja e diturisë bëhet përmes dy gjërave, të cilat duhet të ecin së bashku njëra me tjetrën:
E para: qëndrimi para mësuesit, profesorit, dijetarit.
E dyta: leximi, të jetuarit me librin. Sepse, dija është shkallë, shkallë dhe nuk arrihet në shkalla të larta vetëm se përmes leximit, angazhimit, lodhjes dhe pagjumësisë. Kur është pyet Imam Ahmedi se deri kur do të merresh me shkrim dhe me lexim, ka thënë deri në vdekje.
Nxënësi,studenti, asnjëherë nuk duhet të ndahet nga libri dhe nga leximi, nëse dëshiron të arrij synimin. Çdo shkencë është në zhvillim e sipër, në shpikjen e gjërave të reja dhe nxënësi, studenti ka nevojë që ta përcjell vazhdimisht këtë ecje të shpejtë të shkencës. Ndërsa, leximi është rruga e realizimit të kësaj, qoftë në profesionin e vet, qoftë në fushat e përgjithshme të jetës.
Hulumtimet tregojnë se 90% e njohurive shkencore janë ripërtëri në tri dekadat e fundit dhe këto njohuri shkencore do të shtohen edhe më shumë dymbëdhjetë vitet e ardhshëm. Po ashtu hulumtimet shkencore porosisin ata që merren me shkencë se 20% e dijes së tij plaket dhe ka nevojë që ta ripërtërij atë. Vazhdimësia në lexim dhe në kërkimin e dijes na jep mundësinë që ti ripërtërijmë njohurit tona.
Nxënësi dhe studenti besimtar para se gjithash duhet ta dijë se të merresh me lexim është adhurim dhe afrim te Allahu nëse nijeti është i pastër. Mendo vetëm pak në fjalën e parë që i zbriti i të Dërguarit të Allahut, Zotërisë dhe Mësuesit të njerëzimit. Fjala e parë ishte “ LEXO”. Pastaj këtë lexim e ndërlidhi me përkujtimin e njeriut për krijimin e tij. Sikur Allahu dëshiron ti thotë njeriut se Ai i Cili të krijoi kur ti ishe asgjë, Ai është i Plotfuqishëm edhe të mësoj atë që nuk e dinë. Pastaj, prapë porositi njeriun që të lexoi në emër të Atij i cili ia mësoi njeriut përdorimin e penës, e që pena është mjetë i shkrimit, për të arritur deri te leximi.
Nxënësit, studentët dhe dijetarët e më hershëm e kuptuan shumë mirë këtë porosi Hyjnore. Ata u morën shumë me librin, me lexim, dhe vetëm për mes leximit arritën krenarinë dhe mburrjen e tyre. Ibnul Kajjimi, njëri prej dijetarëve të mëdhenj mysliman tregon për mësuesin e tij Ibën Tejmijen, thotë: “ Iu paraqitë një sëmundje mësuesit tim dhe mjeku erdhi ta kontrolloj. Pasi e kontrolloi i tha se duhet të pushosh sepse leximi i jot dhe bisedat tua shtojnë edhe më shumë sëmundjen. Mësuesi i tha nuk mundem që të rri pa lexim dhe pa biseda. A nuk është shpirti i cili nëse gëzohet forcohet edhe njeriu. Mjeku i tha po. Atëherë Mësuesi tha atëherë dije se shpirti im kënaqet me dije, lexim dhe kështu forcohet edhe trupi im. Mjeku tha kjo është jashtë mundësive tona për shërim”. Sikur që njerëzit janë të pasionuar pas gjërave të kësaj bote, dikush është i pasionuar pas bukurisë, dikush është i pasionuar pas pasurisë, dikush është i pasionuar pas pozitës, ndërsa nxënësi, studenti pasionin e vetëm duhet ta ketë leximin ndërsa shokun më të mirë ta bëjë librin.
Është shumë me rëndësi për nxënësin, studentin dhe kërkuesin e diturisë që të ketë një metodologji të drejtë në lexim. Shkalla e nxënësve nuk është e njëjtë. Nuk është i njëjtë nxënësi i klasave të ulëta me atë të filloreve. Sikur që nuk është i njëjtë ai i fillores me atë të mesmen, e as ai i të mesmes me atë të fakultetit. Andaj, është shumë me rëndësi që nxënësi të zgjedh nga leximi dhe njohurit atë që i përshtatet moshës së tij.
Sikur që nxënësi, studenti duhet ta dijë se nuk janë të gjitha librat njësoj. Disa nga librat janë më të vështira për ti kuptuar. Disa prej tyre kërkojnë lexim më serioz. Disa prej tyre kërkojnë meditim më të thellë. Disa prej tyre nuk mund të kuptohen pa ndihmën e mësuesit. Disa prej librave janë të mbushura me definicione dhe rregulla që kërkojnë mësim përmendësh. Andaj çdo libri duhet ti qaset përmes formës së cilës arrin deri te kuptimi dhe përfitimi prej tij.
Nxënësi, studenti duhet ta kuptoj se njohurit nuk përfitohen dhe nuk nguliten në kokën e tij nëse ai lexon librin vetëm një herë dhe mendon se me një herë lexim ka arrit atë që është e kërkuar. Një fjalë popullore thotë “sa më shumë që përsëritet, aq më mirë ngulitet”. Thotë Imam Muzni, nxënës i Imam Shafiut: “ kamë lexuar librin e mësuesit tim “ Err-rrisale” (Mesazhi) mbi pesëdhjetë herë. Sa herë që e lexoja, përfitoja atë që nuk e kisha përfituar në herët e para”.
Është shumë me rëndësi që nxënësi, studenti gjatë leximit dhe marrjes së njohurive të konsultohet me pedagogë dhe profesionistë në këtë fushë. Konsultimi me njerëz të tillë i shkurton nxënësit, studentit shumë nga rruga e tij e dijes dhe nga mundimet e panevojshme.
Është shumë me rëndësi po ashtu që nxënësi, studenti para se të futet në leximin dhe mësimin e librit të lexoj parathënien e librit, përmbajtjen. Ajo e ndihmon shumë nxënësin, studentin që të ketë një njohuri të përgjithshme për librin që do të mësoj prej tij.
Lapsi duhet të jetë shoqëruesi i vazhdueshëm i nxënësit, studentit. Sidomos gjatë leximit të librit. Të shkruaj mësimet dhe dobitë që nxjerrë nga ajo që lexon, të nënvizoj gjërat kryesore, të nënvizoj gjërat të cilat nuk i kupton, të shkruaj në qoshe të librit rezymenë e asaj që kupton.
Për fund:
Nxënësi dhe studenti duhet të krijojnë kulturë të leximit, ta shfrytëzojnë kohën e tyre. Vetëm leximi është ai i cili të ndihmon të bëhesh një nxënës i mirëfilltë, me kulturë të përgjithshme. Vetëm përmes shfrytëzimit të kohës në dije dhe në lexim do të arrish të jesh i dobishëm për vetën tënde, për familjen vendin dhe fenë tënde.
Mesazhi i Hutbës së Xhumasë
Vendi: Xhamia Dardania – Gjilan
Ligjërues: Hoxhë Shaban Murati