Përpjekja për të ulur numrin e namazeve ditore është e kahershme nga disa pseudohoxhallarë në botën arabe të ndikuar nga fryma kuraniste e cila synon të ndërtojë një strukturë të re të Islamit duke u bazuar gjoja vetëm në Kuran dhe duke e zhveshur atë nga parimet, dituria dhe interpretimet klasike të transmetuara dhe trashëguara brez pas brezi në umetin islam. Për fat të keq kanë filluar të shfaqen dhe te shqiptarët nga njerëz të ndryshëm injorantë.
Për sa i përket Kuranit, ai engjëll (Xhebarili a.s) që zbriti për t’ia kumtuar Profetit a.s ajetet Kuranore është i njëjti engjëll që e përcolli Profetin a.s në natën e Israsë dhe Miraxhit ku u bë farz (detyrim) namazi, pikërisht pesë namaze dhe jo më pak.
Gjithashtu ishte i njëjti engjëll, Xhebraili a.s i cili zbriti me urdhërin e Zotit për t’i treguar Profetit tonë Muhamedit a.s kohët e namazeve të pesta, sic dëshmohet në hadithin e Abdullah ibn Abasit që përcillet te Musnedi imam Shafiut nr 145, Musnedi imam Ahmedit nr 3081, Ebu Davudi nr 393, Tirmidhiu nr 149 etj.
Po ashtu Profeti a,s i cili ua kumtoi sahabëve Kuranin ishte i njëjti që u tregoi sahabëve kohët e pesë namazeve, sic përcillet në hadithin e Buredjes te Sahihu Muslimit nr 613.
Ata që mundohen të anashkalojnë ose të injorojnë hadithet e sakta profetike duhet ta shuajnë injorancën e tyre duke mësuar dhe kuptuar se me të njëjtat rregulla dhe kushte që u përcoll dhe u ruajt Kurani është përcjellur dhe ruajtur Suneti (tradita profetike) në tërësi dhe se shpjegimet Kuranore janë bërë nga vetë Profeti a.s dhe sahabët, shokët e tij të ndershëm. Andaj kush nxjerr gjëra te reja apo kundërshton këtë rrugë të trashëguar brez pas brezi në umetin islam rrezikon vetë besimin dhe islamin duke filluar me devijim dhe mbaron me blasfemi.
Ndërsa për sa i përket Kuranit se gjoja nuk janë përmendur aty pesë namazet mjafton fakti se ai që na e përcolli Kuranin, Profeti a.s ai na mësoi në një mori hadithesh profetike të sakta (dhe jo një) se cfarë është namazi, si falet namazi dhe sa namaze janë. Nëse pranon tre namaze dhe jo pesë sepse gjoja nuk janë përmendur në Kuran, atëherë në Kuran nuk janë përmendur as detajet e formës së namazit dhe i bie të falemi si duam ne. Kështu që mohimi i haditheve profetike është një devijim shumë i rrezikshëm.
Sidoqoftë, për t’i shuar kureshtjen injorantëve po përcjell një transmetim të Ibn Abbasit i cili është pyetur se a janë përmendur pesë namazet ne Kuran dhe Ibn Abbasi fillon dhe e sqaron këtë cështje sic vijon”
Në ajetin 17 të sures er-Rum: “Madhëro Allahun kur vjen mbrëmja dhe kur agon mëngjesi!” Bëhet fjalë për namazin e akshamit dhe të sabahut.
Në ajetin 11 të sures Merjem: “Madhërojeni Allahun mëngjes e mbrëmje!” Me mbrëmje bëhet fjalë namazi i ikindisë.
Në ajetin 18 të sures er-Rum: “Lavdërojeni Atë gjatë natës dhe në mesditë!” Me mesditë bëhet fjalë për namazin e drekës.
Në ajetin 58 të sures en-Nur: “…pas namazit të darkës..” bëhet fjalë për namazin e darkës (jacisë). Transmetoi Abdurrezzaku në el-Musannef nr 2280.
Po e mbyll këtë shkrim për shkurt duke cituar një hadith të Profetit tonë të dashur i cili thotë: “Në brezat e fundit të umetit tim do të ketë njerëz të cilët do t’ju flasin për gjëra të cilat nuk i keni dëgjuar më parë as ju as baballarët tuaj. Kujdes, ruhuni prej tyre!” Transmetoi Muslimi.
Allahu na ruajt nga lajthitja dhe devijimi, na ruajt besimin dhe na bëftë të qëndrueshëm te ajo që brezat e parë na e lanë trashëgimi të patjetërsueshme.
Hoxhë Mustafa Terniqi