Në emër të Allahut.
Falënderimi i takon Allahut, ndërsa selamet dhe salavatet tona qofshin mbi të Dërguarin e Allahut ﷺ, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjitha ata besimtarë të cilët me sinqeritet pasojnë rrugën dhe metodologjinë e këtij Pejgamberi.
Thotë ibn Serh (250 H.): “Thënia ‘Nuk e di’ tek njerëzit e kohës tonë është bërë turp.”
Paramendoje që kjo thënie e cila tregon realitetin e njohurive të njeriut, ishte turp të thuhet në kohën e këtij dijetari, i cili ka jetuar diku para dymbëdhjetë shekujve, po si është gjendja sot?!
Një njeri e pa dijetarin Rebiah ibn Abdurrahman (136 H.) duke qarë dhe i tha: Ç’të bëri të qash? Tha Rebiah: “U pyet dikush që nuk ka dituri dhe me këtë u paraqit në Islam një problem i madh.” Dhe tha: “Disa prej atyre që japin fetva këtu, janë më meritor të burgosen se hajdutët.”
Thotë ibn Kajjimi lidhur me thënien e Rebiah ibn Abdurrahman: “Si do të ishte puna nëse Rebiah e shihte gjendjen tonë, guximin e atij që nuk ka dituri për të dhënë fetva…”
Edhe une e pyes veten, shumë shekuj pas ibn Kajjimit, si do te ishte puna nëse Rebiah e shihte guximin e pseudo dijetarëve dhe pseudo hoxhallarëve për të dhënë fetvatë e tyre, çka do të thoshte sikur ti shihte se si shtyhen njëri me tjetrin, për tu shfaqur të ditur, të urtë dhe largpamës?! Sot për çështje madhore flet ai që është i veshur me petkun fetar por edhe ai që as petkun fetar nuk e ka të veshur. Jo që ky petk është kriter, por thjesht e them këtë për të treguar që secili sot merr guximin të flet për gjëra që nuk i din.
Thotë Abdurrahman ibn Mehdi: Ishim te Malik ibn Enes dhe erdhi një njeri dhe i tha: O ebu Abdullah të kam ardhur nga largësi gjashtë muaj, banorët e vendit tim më urdhëruan që tët pyes ty. Tha imam Maliku: “Pyet!” E pyeti ky njeriu për një çështje, tha imam Maliku: “Nuk e di.”
Thotë ibn Mehdi: U shtang njeriu, sikur kishte ardhur tek dikush që di gjithçka.
Atëherë njeriu tha: Çka ti them popullit tim kur të kthehem tek ata?!
Tha Maliku: “Thuaj: Ka thënë Maliku: Nuk e di.” (Xhamiu bejan el-ilm 2/119)
Kur ta kuptojmë sa dijetar i madh ishte Maliku, atëherë do ta kuptojmë madhështinë dhe kuptimin e vërtetë të këtij rrëfimi dhe qëndrimin e duhur të këtij imami.
Thoshte sahabiu i famshëm, Hudhejfe ibn Jemani: “Tre persona japin fetva:
- Një i cili i di ajetet deroguese dhe ato të deroguara;
- prijësi i cili nuk ka rrugëdalje tjetër (medoemos që të jep fetva);
- dhe një që mundohet të bëhet kokëtrashë.”
Po, ai që mundohet të flet dhe tregon dispozitat medoemos të jetë një prej këtyre tre grupeve, ose flet me dituri dhe njohuri të sigurtë, ose s’ka rrugëdalje tjetër, por pyet dhe interesohet dhe konsultohet me njerëz kompetent, ose është ky i fundit, i cili me çdo kusht mundohet të shfaqet kokëtrashë.
Sinqeriteti dhe shfaqja e asaj që jemi është vlerë dhe sa herë që themi ‘Nuk e di’, ne nuk e kemi nënçmuar veten, por përkundrazi kemi treguar realitetin tonë dhe atë se çka jemi në të vërtetë, e kjo padyshim që është cilësi që e do Allahu dhe pastaj e duan edhe njerëzit.
Ali Ashani / rizgjimi.com