Falënderimet dhe lavdërimet janë vetëm për Allahun. Paqja, mëshira dhe bekimet janë për të Dërguarin Muhamed, për familjen dhe për shokët e tij deri në Ditën e Gjykimit. Thënia më e vërtetë është thënia e Allahut, kurse udhëzimi më i mirë është udhëzimi i Muhamedit, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të. Veprat më të këqija janë ato të shpikurat, çdo shpikje është bidat dhe çdo bidat është lajthitje, e çdo lajthitje të çon në zjarr.
Të nderuar robër të Allahut!
Ai i cili pranon teuhidin “La ilahe il-lallah” duhet të njihet me disa standarde, të cilat janë jetike për këtë botë dhe botën tjetër. Imani, besimi në Allahun e Lartësuar, përfshin tri gjëra:
1. Teuhidi Rububije (Njësimi i Allahut në zotërim)
2. Teuhidi Uluhije (Njësimi i Allahut në adhurim)
3. Teuhidi Esma ves-Sifat (Njësimi i Allahut në Emrat dhe Cilësitë e Tij).
Në këtë hytbe do të flasim për llojin e parë: Teuhidi Rububije (Njësimi i Allahut në zotërim). Me këtë lloj teuhidi kuptojmë besimin e prerë në zemrën e çdo muslimani se Allahu është i vetmi Zot i çdo gjëje dhe Sunduesi i gjithçkaje. Ai është Krijuesi i vetëm, Rregulluesi dhe Komanduesi i Gjithësisë, vepron në të si të dojë. Ai i ka krijuar robërit dhe i furnizon ata, u jep jetë e ua merr atë dhe përcakton gjithçka.
Në vazhdim do të sjellim argumentet nga fjalët e Allahut të Lartësuar. Pra, le t’i kujtojmë fjalët e Allahut dhe të mendojmë për domethënien e tyre.
– Allahu i Lartësuar në Librin e Tij na tregon se Ai është Zot i çdo gjëje:
“Gjithë lavdërimet dhe falënderimet janë për Allahun, Zotin e alemin-it (Zoti i të gjitha botëve, i gjithësisë dhe i gjithçkaje që gjendet në të, gjithçka që ka krijuar Allahu).” 1
“Thuaj: “A mos duhet të kërkoj zot tjetër përveç Allahut, ndërkohë që Ai është Zoti i gjithçkaje? Secili fiton gjynahe vetëm përkundër vetvetes dhe askush nuk do të mbajë barrën e tjetrit. Pastaj te Zoti juaj është kthimi juaj dhe Ai do t’ju tregojë juve (gjithçka) në të cilat ju ndryshuat.”2
– Allahu i Lartësuar në Librin e Tij na tregon se Ai është Krijuesi i çdo gjëje:
“Ai është Filluesi i qiejve dhe i tokës. Si mund të ketë Ai fëmijë kur Ai nuk pati bashkëshorte? Ai krijoi gjithçka dhe Ai është i Gjithëdituri përmbi çdo gjë. I tillë është Allahu, Zoti yt! La i lahe il-la Huve (nuk ka të adhuruar të merituar përveç Atij). Krijuesi i çdo sendi. Kështu pra, adhuroni Atë të Vetëm dhe Ai është Vekil (Kujdestar, Rregullues i të gjitha punëve) përmbi çdo gjë.”3
“Thuaju (O Muhamed): “Kush është Zoti i qiejve dhe i tokës?” Thuaj: “Allahu”. Thuaju: “A keni zgjedhur për mbrojtës të tjerë në vend të Tij, të tillë që as vetvetes s’mund t’i sjellin dobi dhe as ta largojnë dëmin!?”. Thuaju: “A është i verbëri i njëjtë me atë që sheh? Ose a është errësira e njëjtë me dritën? Apo i caktojnë Allahut ortakë të cilët krijuan të ngjashëm në Krijimin e Tij, kështu që krijimi (i tyre dhe Krijimi i Tij) iu duk atyre njësoj?” Thuaj: “Allahu është Krijuesi i çdo gjëje dhe Ai është Një i Vetëm, më i Larti i Papërballueshmi.”4
– Allahu i Lartësuar në Librin e Tij na tregon se Ai është Zotërues i Mbretërimit:
“Thuaj: “O Allah! Zotërues i Mbretërimit! Ti ia jep mbretërimin atij që Ti do dhe Ti ia merr mbretërimin atij që Ti do. Ti e vesh me nder atë që Ti do dhe Ti e poshtëron atë që Ti do. Në Dorën Tënde është mirësia. Vërtet, Ti je i Zoti për të bërë gjithçka.”5
– Allahu i Lartësuar në Librin e Tij na tregon se Ai është Gjithëfurnizues:
“Vërtet që Allahu, Ai është Gjithëfurnizuesi, Zotëruesi i Fuqisë, i Përhershmi më i Fortë.”6
– Allahu i Lartësuar në Librin e Tij na tregon se Ai është Dhurues i jetës dhe vdekjes:
“Si e mohoni e nuk e besoni Allahun? Duke parë se ishit të vdekur dhe Ai ju dha jetë, pastaj Ai do t’ju vdesë dhe Ai përsëri do t’ju sjellë në jetë (në Ditën e Ringjalljes) e atëherë Atij do t’i ktheheni.”7
– Allahu i Lartësuar në Librin e Tij na tregon se tek Allahu kthehen të gjitha çështjet:
“Vetëm i Allahut është gajbi (e fshehta) e qiejve dhe e tokës dhe tek Ai kthehen të gjitha çështjet (për gjykim e vendim), kështu që adhuro Atë pra, dhe tek Ai mbështetu. Ndërkohë, Zoti yt nuk është i pavetëdijshëm për çfarë veproni ju (o njerëz).”8
Të nderuar robër të Allahut!
Po në këtë gjithësi që po jetojmë shohim argumentet dhe faktet e panumërta që dëshmojnë për njësimin e Allahut, i Cili është i vetmi në zotërim. I nderuari njeri, Allahu të nderoi dhe të veçoi me mendje që të mendosh, të dhuroi të dëgjuarit që të dëgjosh e të parit që të shohësh. Pse nuk je mirënjohës ndaj Krijuesit tënd?
Kujto fjalët e Allahut, kur flet për ata që kanë zemra dhe nuk kuptojnë, kanë sy dhe nuk shohin, etj., në çfarë gjendje dhe niveli janë? T’i lexojmë së bashku fjalët e Allahut të Lartësuar kur thotë: “Dhe vërtet që Ne kemi krijuar shumë nga xhinët dhe njerëzit për xhehenem. Ata kanë në vete zemra me të cilat nuk kuptojnë, ata kanë në vete sy me të cilët nuk shohin, ata kanë në vete veshë me të cilët nuk dëgjojnë. Ata janë si bagëti. Jo, akoma më keq. Ata! Ata janë krejt të pamend e të hutuar.”9
Allahu, Krijuesi i çdo gjëje, e urdhëron njeriun që ta shikojë qiellin dhe të shohë se kush e ngriti atë pa shtylla. Allahu i Lartësuar e urdhëroi njeriun që të shikojë tokën përpara, mbi të cilën ai me lehtësi ecën dhe zhvillon aktivitetet e veta. Allahu e urdhëron njeriun që të shikojë Diellin, Hënën, se si ato lëvizin me përpikëri. Allahu i Fuqiplotë e urdhëroi njeriun që të shikojë ushqimin e tij dhe të dijë se kjo është nga Allahu, përveç të Cilit nuk meriton të adhurohet askush tjetër.
“Atëherë, le të shohë njeriu tek ushqimi i tij: Ne derdhim ujë të mjaftueshëm. Dhe Ne e çajmë tokën në plasa. Dhe Ne e bëjmë drithin (grurin) të rritet në të. Dhe rrushin e tërfilin (bimët e gjelbra si ushqim për bagëtitë). Dhe ullinjtë, dhe hurmat. Dhe kopshtet me pemë të dendura. Dhe fruta dhe ab-ba (barishte e kullotë). Si furnizim dhe përfitim për ju dhe për bagëtitë tuaja.”10
Të nderuar besimtarë!
Kemi shembuj të shumtë nga Kurani që e angazhojnë mendjen e njeriut për të mësuar për fuqinë dhe madhërinë e Zotit, i Cili është i vetmi në zotërim, furnizim, krijim. Teuhidi Rububije (Njësimi i Allahut në zotërim) ka peshë dhe rëndësi të madhe në jetën e njeriut. Kur besimtari krijon bindjen e fuqishme se Zoti dhe Krijuesi i tij është Allahu, e ka shijuar ëmbëlsinë e imanit.
E lus Allahun e Lartësuar që të ma mundësojë përfundimin e jetës sime në ëmbëlsinë e imanit!
Allahu im! Ma mundëso që të vërtetën ta njoh vetëm si të vërtetë dhe më mundëso që ta pasoj rrugën e atyre të cilëve u ke dhuruar rahmetin Tënd!
1 Fatiha, 1.
2 Enam, 164.
3 Enam, 101-102.
4 Rad, 16.
5 Ali Imran, 26.
6 Dharijat, 58.
7 Bekare, 28.
8 Hud, 123.
9 Araf, 179.
10 Abese, 24-32.
Ulvi Fejzullahu