Falënderimet dhe lavdërimet janë vetëm për Allahun. Paqja, mëshira dhe bekimet janë për Muhamedin, për familjen dhe për shokët e tij deri në Ditën e Gjykimit. Thënia më e vërtetë është thënia e Allahut, kurse udhëzimi më i mirë është udhëzimi i Muhamedit, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të. Veprat më të këqija janë ato të shpikurat, çdo shpikje është bidat dhe çdo bidat është lajthitje, e çdo lajthitje të çon në zjarr.
Të nderuar robër të Allahut!
Ai i cili pranon teuhidin “La ilahe il-lallah” duhet të njihet me disa standarde, të cilat janë jetike për këtë botë dhe për botën tjetër. Prej besimit tek Allahu i Lartmadhëruar është besimi në njëshmërinë e Tij. Imani, besimi në Allahun e Lartësuar përfshin tri gjëra.
Ato janë:
1. Teuhidi Rububije (Njësimi i Allahut në zotërim)
2. Teuhidi Uluhije (Njësimi i Allahut në adhurim)
3. Teuhidi esma ves-sifat (Njësimi i Allahut në emrat dhe cilësitë e Tij).
Në këtë hytbe do të flasim për llojin e tretë, teuhidin esma ves-sifat (njësimin e Allahut në emrat dhe cilësitë e Tij).
Pra, besimi i plotë dhe i prerë se Allahu i Lartmadhëruar ka emra të bukur dhe cilësi të përsosura, është i shenjtëruar, i pastër nga të gjitha cilësitë e mangëta. Pranimi i çdo emri dhe cilësie që Allahu e ka pohuar për veten e Tij pa i përngjarë ato, pa i krahasuar, pa i mohuar dhe pa i ndryshuar.
Ky lloj teuhidi ngërthen në vetvete këto parime:
-Allahu i lartësuar është larg çdo të mete dhe nuk i ngjason askujt;
-çdo emër dhe cilësi e Allahut që është përmendur në Kuran dhe në Sunet është e pranuar duke mos e shtrembëruar e as mohuar;
-shuarja e dëshirave për t’i kuptuar cilësitë e Allahut të Lartësuar.
Argumentet për këtë janë fjalët e Allahut të Lartësuar: “Kështu që mos shpikni përngjasime për Allahun (sepse asgjë nuk i ngjason Atij e nuk është si Ai dhe Ai nuk është si asgjë tjetër). Nuk ka pikë dyshimi se Allahu ka Dijeni për gjithçka, ndërsa ju nuk dini.”1
“Dhe s’ka asnjë të barabartë ose të krahasueshëm me Të (Një, i Vetëm, i Pashok).”2
Emrat e bukur të Allahut dhe cilësitë e Tij nuk i ngjasojnë dhe nuk janë të barabarta me të askujt. Besimtari është i obliguar t’i pranojë cilësitë e Allahut ashtu siç Ai ia përshkroi Vetes në Kuran dhe ashtu si na mësoi Muhamedi salallahu alejhi ue selem në hadith, ngase Allahu di më së miri për veten dhe Ai përshkruhet vetëm si e ka përshkruar Veten duke mos e tejkaluar Kuranin dhe Sunetin (hadithin).
“Thuaju: “A ju e dini më mirë apo Allahu?”3
Ahmed ibn Hanbeli thotë: “Allahu i Lartësuar përshkruhet vetëm me atë që e ka përshkruar Veten ose që e ka përshkruar i Dërguari i Tij, duke mos e tejkaluar aspak Kuranin dhe Hadithin.
Gjithashtu cilësitë e Allahut të Lartësuar duhet të pranohen sipas domethënieve të tyre të qarta duke mos i mohuar e as shtrembëruar nga domethënia e tyre, natyrisht duke mos pyetur për esencën dhe kuptimin e tyre të vërtetë. Këtu ndajmë thënien e njohur kur janë pyetur dijetarët për ngritjen e Allahut të Lartësuar. Përgjigja e dijetarëve të Ehli Sunetit ishte: “Ngritja është e njohur, kurse mënyra e sajë është e panjohur. Besimi në të është i obliguar, ndërsa pyetja për këtë është bidat.”
Të nderuar robër të Allahut!
Në vazhdim do të ndalemi te fjalët e Allahut të Lartësuar mbi teuhidin esma ves-sifat (njësimin e Allahut në emrat dhe cilësitë e Tij). Argumentet për këtë lloj teuhidi janë të shumta. Në çdo sure të Kuranit përmenden emrat dhe cilësitë e Allahut, por ne së bashku po lexojmë disa prej tyre.
Allahu i Lartësuar thotë: “Allah! La ilahe il-la Huve (askush nuk ka të drejtë, nuk meriton dhe nuk duhet të adhurohet përveç Atij), El-Haj-ju El-Kaj-jum (i Përjetshmi, i Pafillim dhe i Pambarim, Mbajtësi dhe Mbrojtësi i gjithçkaje që ekziston). Atë nuk e kap as kotje e as gjumë. Atij i përkasin gjithë ç’është në qiej e gjithë ç’është në tokë. E kush është ai që mund të ndërhyjë tek Ai përveç se me Lejen e Tij? Ai di se çfarë u ndodh krijesave të Tij në këtë botë, dhe çfarë do t’u ndodhë atyre në Botën Tjetër, dhe ata kurrë nuk do të marrin me mend ndonjë gjë nga Dija e Tij, përveç asaj që Ai do (nga Vullneti i Tij). El-Kursija e Tij (dija, sundimi, mbikëqyrja) shtrihet mbi qiej dhe tokë dhe Ai nuk ndjen aspak lodhje në ruajtjen dhe mbrojtjen e tyre. Dhe Ai është më i Larti, më Madhështori.”4
“Thuaj: “Ai është Allahu, Një dhe i Vetëm. Allahu është Es-Samed (Zotëruesi i Vetëmjaftueshëm, Absolut me të gjitha Cilësitë e përsosura në shkallën më të Lartë, për të Cilin kanë nevojë të gjitha krijesat dhe të gjitha Atij i drejtohen; i Përhershmi; i Pafillim dhe i Pambarim; Ai s’ka nevojë për asgjë; as ha dhe as pi). Ai as nuk lind, as nuk është i lindur. Dhe s’ka asnjë të barabartë ose të krahasueshëm me Të (Një, i Vetëm, i Pashok).”5
“Allahu është Ai, veç të Cilit nuk ka të adhuruar tjetër të merituar, por vetëm Ai (La ilahe il-la Huve), i Gjithëdituri i Gajbit (i çdo të fshehte e të panjohure) dhe të shfaqurës (i çdo të njohure). Ai është i Gjithëmëshirshmi, Mëshirëploti.”6
“Allahu është Ai (La ilahe il-la Huve) përveç të Cilit nuk ka të adhuruar tjetër të merituar, por vetëm Ai, Mbizotëruesi, i Shenjti, i Gjithëpërsosuri pa asnjë të metë, Gjithëdhuruesi i sigurisë (besimit), Gjithëvëzhguesi mbi krijesat e Tij, i Gjithëfuqishmi, Urdhëruesi i Papërballueshëm, më i Larti Suprem. Lavdi i qoftë Atij! I Lartë është Ai nga gjithë çfarë i mveshin dhe i shoqërojnë Atij!”7
“Ai është Allahu, Gjithëkrijuesi, Shpikësi i Pashembullt i çdo gjëje, Formësuesi i gjithçkaje. Të Tij janë Emrat më të Bukur e më të Lartë. Gjithë ç’është në qiej dhe në tokë e lavdërojnë Atë. Dhe Ai është i Gjithëfuqishmi, më i Urti Gjithëgjykues.”8
Të nderuar muslimanë!
Emrat e Allahut të Lartësuar janë të gjithë të bukur dhe emri që në vetvete përmban domethënien e emrave dhe cilësive është emri ALLAH.
“Dhe të Allahut janë gjithë emrat më të bukur, kështu që luteni Atë me ta.”9
Ndërsa për numrin e emrave të bukur të Allahut të Lartësuar mësojmë nga hadithi i njohur që transmeton Buhariu dhe Muslimi nga Ebu Hurejra, Allahu qoftë i kënaqur me të, ku i Dërguari i Allahut ka thënë: “Allahu i Lartësuari ka 99 emra, një më pak se njëqind, dhe vepro sipas tyre, e do të hysh në xhenet. Allahu është Vitër (tek) dhe e do vitrin.”10
Të nderuar besimtarë!
Njësimi i Allahut në emrat dhe cilësitë e Tij është një pasuri për besimtarin në këtë botë dhe në botën tjetër. Ai i cili beson në këtë pjesë të teuhidit, ka një besim të paluhatur dhe u bën ballë sprovave dhe telasheve të kësaj bote.
Atëherë, le të njihemi me emrat e Allahut Fuqiplotë, t’i mësojmë dhe t’i përsërisim me bindje dhe besim e pa dyshim që do ta shijojmë ëmbëlsinë e njësimit të Allahut në emrat dhe cilësitë e Tij.
Allahu im! Të lutemi me emrat e Tu të bukur dhe cilësitë e Tua të larta që të na falësh të gjithëve.
1 Nahël, 74.
2 Ihlas, 4.
3 Bekare, 140.
4 Bekare, 255.
5 Ihlas, 1-4.
6 Hashër, 22.
7 Hashër, 23.
8 Hashër, 24
9 Araf, 180.
10 Transmeton Buahriu dhe Muslimi.
Ulvi Fejzullahu