Falënderimet dhe lavdërimet janë vetëm për Allahun. Paqja, mëshira dhe bekimet janë për të Dërguarin Muhamed, për familjen dhe për shokët e tij deri në Ditën e Gjykimit. Thënia më e vërtetë është thënia e Allahut, kurse udhëzimi më i mirë është udhëzimi i Muhamedit, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të. Veprat më të këqija janë ato të shpikurat, çdo shpikje është bidat dhe çdo bidat është lajthitje, e çdo lajthitje të çon në zjarr.

Të nderuar robër të Allahut!

Ai i cili pranon teuhidin “La ilahe il-lallah” duhet të njihet me disa standarde, të cilat janë jetike për këtë botë dhe botën tjetër. Imani, besimi në Allahun e Lartësuar, përfshin tri gjëra:
1. Teuhidi Rububije (Njësimi i Allahut në zotërim)
2. Teuhidi Uluhije (Njësimi i Allahut në adhurim)
3. Teuhidi Esma ves-Sifat (Njësimi i Allahut në Emrat dhe Cilësitë e Tij).

 

Të nderuar muslimanë!

Në këtë hytbe do të flasim për llojin e dytë, njësimin e Allahut në adhurim.
Teuhidi i adhurimit dhe kuptimi i tij është besimi i plotë dhe i vendosur se Allahu i Lartmadhëruar është Zot i vërtetë, se nuk ka të adhuruar tjetër veç Tij dhe se çdo i adhuruar tjetër veç Tij është i kotë dhe i padrejtë. Njësimi i Tij në adhurim është me përulje dhe bindje të plotë, duke mos i bërë askush shok Atij dhe duke mos iu drejtuar dikujt tjetër përveç Tij, sikurse namazi, agjërimi, zekati, haxhi, lutja, kurbani, mbështetja, frika, shpresa, dashuria. Argumenti për këtë lloj teuhidi është: “Vetëm Ty të adhurojmë dhe vetëm Ty të mbështetemi e të kërkojmë ndihmë (kudo, në çdo kohë dhe për çdo gjë).”1

Atëherë, të pyesim veten: Pse Allahu i Lartësuar është i vetmi që e meriton adhurimin?! Përgjigjja është: I vetmi që e meriton adhurimin është Allahu i Lartësuar, për arsye të shumta që janë logjike dhe racionale. Allahu është Ai që na krijoi, na furnizoi, na dhuroi jetën, Ai është rregullues i çdo gjëje. Pra, vetëm Atij duhet të nënshtrohemi, t’i lutemi dhe t’ia drejtojmë të gjitha ibadetet (adhurimet).

Ibadet në gjuhën e Kuranit do të thotë përkushtim, devotshmëri, devocion, besnikëri, dëgjueshmëri, përulje, përkushtim, etj.. Ibadet do të thotë dashuri e sinqertë me përkushtim të plotë ndaj Allahut të Lartësuar.

Shejhul Islami, Ibni Tejmija, ibadetin e përkufizon në këtë mënyrë: “Adhurimi është një term përmbledhës i çdo gjëje, të cilën Allahu e do dhe kënaqet me të, qoftë ajo fjalë apo vepër e dukshme apo e padukshme.”

Pra, çdo gjë bëhet për Allahun e Lartësuar. Atëherë, tek Allahu në Ditën e Gjykimit adhurimet pranohen vetëm nëse i plotësojnë katër kushte parimore, të cilat janë:

1. Besimi i vërtetë
Veprimeve duhet t’u paraprijë besimi i vërtetë e i drejtë për të qenë i saktë dhe i pranuar tek Allahu i Lartësuar. Veprimet vijnë pas besimit. Së pari besimi e më pas mirësjellja. Së pari besimi pastaj edukata. Së pari besimi dhe më pas namazi, agjërimi dhe veprat e tjera. Së pari besimi e më pas vepra.

Allahu i Lartësuar thotë: “Kushdo që punon të drejtën e të mirën, burrë a grua qoftë, duke qenë besimtar i vërtetë, sigurisht që Ne do t’i dhurojmë atij jetë të mirë (në këtë botë duke qenë i respektuar e i kënaqur dhe furnizim e jetesë sipas Ligjit të Allahut) dhe (në botën tjetër) Ne do t’ua paguajmë padyshim atyre shpërblimin sipas veprave të tyre më të mira që ata i kanë punuar.”2

“Sigurisht se ata që besuan (në njësimin e Allahut) dhe punuan mirësi e drejtësi, do të kenë kopshtet e xhenetit Firdeus (vendet më të larta të xhenetit) për kënaqësinë e tyre.”3

“Pasha kohën! Nuk ka dyshim se njeriu është në një humbje të sigurt. Me përjashtim të atyre që besuan, që bënë vepra të mira, që porositën njëri-tjetrin t’i përmbahen së vërtetës dhe që këshilluan njëri-tjetrin të jenë të durueshëm.”4

2. Sinqeriteti në Allahun e Lartësuar
Kërkohet që të shijohet sinqeriteti në vepër. Vepra duhet të jetë e sinqertë dhe të bëhet për Allahun. Falja e namazit nuk duhet bërë me dyfaqësi, kështu qëndron çështja edhe me adhurimet e tjera.

Allahu i Lartësuar thotë:
“Dhe ata nuk u urdhëruan për tjetër, pos asaj që duheshin të adhuronin vetëm Allahun dhe të mos adhuronin tjetër përveç a përkrah Tij, të adhuronin Atë me besim të vërtetë e me përkushtim të plotë, edhe të kryenin faljen e detyruar të namazit e të jepnin Zekatin: dhe kjo është feja e drejtë, e vërtetë.”5

“Adhuro pra Allahun (Një e të Vetëm) duke plotësuar detyrat e Fesë së Tij me çiltërsi e përkushtim vetëm për Hir të Tij.”6

Nga hadithet e Muhamedit, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, mësojmë se veprat vlerësohen sipas qëllimit dhe ai i cili thotë “La ilah il-lallah” sinqerisht, do të hyjë në xhenet.

3. Përputhshmëria e veprës me Sunetin e Muhamedit salallahu alejhi ue selem
Adhurimet duhet të jenë në pëlqim të plotë me Sunetin. Nuk lejohen bidatet apo ndonjë veprim i ashtuquajtur “ibadet”, por që nuk ka aspak bazë në fenë e Allahut të Lartësuar.
“Dhe çfarëdo që t’ju japë juve i Dërguari, atë merreni dhe çfarëdo që ai ua ndalon juve, hiqni dorë (prej saj) dhe kini frikë Allahun. Vërtet që Allahu është i ashpër në ndëshkim.”7

4. Largimi nga shirku
Shirku, idhujtaria, i humb veprat dhe i asgjëson ato. Në Ditën e Gjykimit mund të vijë njeriu me vepra të mëdha, por i ka bërë shok Allahut të Lartësuar, prandaj ato vepra janë të refuzuara. Allahu i Lartësuar thotë: “Dhe Ne do t’i kthehemi çfarëdo lloj pune që bënë ata (mosbesimtarët) dhe do t’i bëjmë veprat e tilla si grimca pluhuri që fluturojnë në erë.”8

“Në qoftë se bashkoni të tjerë në adhurim me Allahun, sigurisht që gjithë veprat tuaja do të jenë të pavlera dhe padyshim që do të ishe nga të humburit.”9

“Thuaj: “Sigurisht falja ime, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime janë për Allahun, Zotin e aleminit (njerëzve, xhindeve dhe gjithçkaje që ekziston). Ai nuk ka asnjë shok e të barabartë me Të dhe për këtë unë jam urdhëruar dhe unë jam i pari që i nënshtrohem vullnetit të Tij si musliman.”10

Këto katër kushte parimore duhen pasur në konsideratë me seriozitetin më të madh.

Të nderuar robër të Allahut të Lartësuar!

Njësimi i Allahut në adhurim (Teuhidi Uluhije) është njëri ndër llojet më me rëndësi.
Për këtë lloj teuhidi Allahu krijoi qiejt dhe tokën
“Padyshim që Zoti juaj është Allahu i Cili krijoi qiejt dhe tokën në gjashtë ditë dhe pastaj Ai Isteva (u ngrit lart dhe qëndroi) mbi Arsh (Fronin e Tij Madhështor, vërtet ashtu siç i shkon Madhështisë së Tij). Ai është Allahu, Zoti juaj; adhurojeni pra Atë. A nuk do të përkujtoni pra?”11

Për këtë lloj teuhidi Allahu krijoi njeriun
“Dhe Unë (Allahu) nuk i krijova njerëzit dhe xhindet, veçse që ata duhet të më adhurojnë vetëm Mua.”12

Për këtë lloj teuhidi Allahu dërgoi Pejgamberë për t’i udhëzuar njerëzit
“Dhe me të vërtetë që Ne kemi dërguar te çdo umet (bashkësi njerëzish, popull, komb) të Dërguar (duke shpallur): “Adhuroni vetëm Allahun dhe shmanguni dhe i rrini larg tagutit (shejtanëve ose çdo gjëje tjetër që adhurohet pos Allahut).” Pastaj, pati prej atyre popujve të cilët Allahu i drejtoi, pati edhe të tjerë të cilët e merituan dhe iu bë e pashmangshme rruga e gabuar. Udhëtoni pra nëpër tokë dhe shikoni se si ishte fundi i atyre të cilët përgënjeshtruan (të vërtetën).”

Për këtë lloj teuhidi Allahu zbriti librat
“Elif, Lam, Ra. Ky është një Libër, vargjet e të cilit janë përsosur (në çdo fushë të dijes) dhe pastaj janë shpjeguar në imtësi nga Një (Allahu), i Cili është më i Urti Gjithëgjykues, i Mirënjohur (deri në imtësi për çdo gjë). (Duke thënë) që të mos adhuroni kënd përveç Allahut. Vërtet unë (Muhamedi) jam (i Dërguar) prej Tij tek ju, këshillues dhe përgëzues.”13

Të nderuar muslimanë!

Kjo pjesë e teuhidit në vetvete përfshin të gjitha pjesët e tjera të besimit. Por nuk duhet harrur se sipas këtij lloji të fundit dallohen besimtarët e njëmendtë prej atyre të cilët nuk e adhurojnë Allahun sinqerisht. Pra, ky lloj teuhidi është thelbi i fesë islame, prandaj shtylla e parë e Islamit është dëshmia (shehadeti).
Patjetër duhet të shprehet domosdoshmëria e dashurisë ndaj Allahut të Lartësuar, veçimi i Tij në dua (lutje), mbështetje dhe frikërespekt.

Ky lloj teuhidi është e drejtë e Allahut të Lartësuar ndaj robërve të Tij. Kur kjo kuptohet nga besimtarët, kemi realizuar amanetin e dhënë dhe në anën tjetër kemi realizuar këto të mira:
-lirimin nga vuajtjet në këtë botë dhe në botën tjetër;
-mundësinë e realizimit të fitores dhe ngadhënjimit;
-jemi të ruajtur nga të këqijat e shpirtkëqijve;
-jeta jonë gëzon liri dhe siguri.

 

Po e përmbyllim këtë hytbe me fjalët e Allahut të Lartësuar:
“E si t’u frikësohem atyre që ju i bashkoni në adhurim me Allahun (edhe pse ata nuk sjellin as dobi, as dëm), ndërsa ju nuk keni frikë aspak se i keni bashkuar Allahut në adhurim gjëra për të cilat Ai nuk ju ka zbritur juve asnjë mbështetje për t’u shfajësuar. Kësisoj pra, cila nga dy partitë ka më shumë të drejtë për të qenë në siguri? Vetëm sikur ta dinit. Janë mu ata që besojnë (në njësimin e Allahut dhe nuk adhurojnë tjetër përveç Atij) dhe nuk e përziejnë besimin e tyre me dhulm (me të gabuarën), për të cilët ka siguri të plotë. Mu këta janë të udhëzuarit.”14

“O ju që keni besuar! Përkuluni (në ruku) dhe bini me fytyrë përtokë (në sexhde), e adhuroni Zotin tuaj dhe punoni mirësi që të mund të jeni të fituar.”15

 

1 Fatiha, 5.
2 Nahël, 97.
3 Kehf, 107.
4 Asër, 1-3.
5 Bejjine, 5.
6 Zumer, 2.
7 Hashër, 7.
8 Furkan, 23.
9 Zumer, 65.
10 Enam, 162-163.
11 Junus, 3.
12 Dharijat, 56.
13 Hud, 1-2.
14 Enam, 81-82.
15 Haxh, 77.

 

Ulvi Fejzullahu