Falënderimi i takon All-llahut. Atë e falënderojmë dhe prej Tij falje dhe ndihmë kërkojmë. Kërkojmë mbrojtje nga All-llahu prej të këqijave të vetvetes dhe të veprave tona. Kë e udhëzon All-llahu s’ka kush e lajthit dhe kë e largon nga rruga e vërtetë, s’ka kush e udhëzon. Dëshmoj se s’ka hyjni tjetër përveç All-llahut , i Cili është Një dhe dëshmoj se Muhammedi është rob dhe i dërguar i Tij.
Vëllezër besimtarë!
Imam Neveviu në komentim të hadithi shpjegon se arsyeja e dhënies prioritet familjes është për shkak se shpenzimi ndaj tyre ka disa trajta: është obligim për shkak të afërsisë (prindërit), e preferuar, është lëmoshë dhe mbajtje lidhjesh familjare (familja e gjerë), është obligim për shkak të kurorëzimit (gruaja)…[5]
Pra, shpenzimi ndaj gruas është obligim, andaj edhe i është dhënë përparësi, ngase të kryesh një obligim ka më shumë shpërblim se të kryesh një vepër fakultative. Fetarisht, shpenzimet që bëhen me qëllime të caktuara, pra janë përtej përmbushjes së një nevoje të thjeshtë materiale, shpërblehen dyfish. Pejgamberi [sal-laAllahu alejhis ve sel-lem] ka thënë: “Sadakaja ndaj një të ngrati është vetëm një sadaka (ka vetëm një shpërblim) ndërsa ndaj të afërmit është (me) dy (shpërblime): sadaka dhe mbajtje e lidhjeve familjare.”[6]
Pra, sadakaja ndaj të afërmve, për shkak se me të përforcohen lidhjet, llogaritet me shpërblim të dyfishtë.
RËNDËSIA E PËRKUJDESJES NDAJ FAMILJES – REFLEKTIMI
Përkujdesja ndaj familjes është edhe një lloj testimi, që në rast se kalohet, nënkupton kualifikimin e besimtarit për përgjegjësi edhe më të mëdha. Në kuptim të hadithit bazë, gjegjësisht në përpjekje për të zbuluar urtësinë se përse njeriu që përkujdeset për familjen është më i mirë, disa dijetarë kanë thënë se ka mundësi që njeriu që është i mirë me familjen e tij, të bekohet nga Allahu për të qenë i tillë – i mirë edhe në të gjitha punët tjera, derisa të bëhet i mirë në tërësi.[7]
Sigurisht, mirësjellja ndaj gruas nuk është tipari i vetëm për të cilin duhet përkujdesur besimtari, sepse, siç mund të shihet, ky tipar është mbase fryt i një besimi të thellë dhe ndërgjegjeje të lartë fetare, ndryshe, në rast se nuk është rezultat i besimit, nuk është tipar. Nga këtu, dijetarë të shumtë kanë tërhequr vërejtjen që të mos anashkalohet kjo lidhje ndërmjet besimit, si frymëzim dhe inspirim, dhe sjelljes-etikës, si reflektim dhe rezultat.
Islami e gjeti femrën në një gjendje të mjerueshme. Për shkak të besëtytnive që dominonin skenën botërore, pozita e saj ishte aq e nënvlerësuar, saqë kishte raste edhe kur debatohej në ishte qenie njerëzore apo jo. Konstatimi më “human” ishte se ajo ishte njeri porse ishte krijuar për t’i shërbyer burrit. Për ta ndryshuar gjendjen, Islami ndërmori disa hapa të rëndësishëm, si:
- Islami vërteton se gruaja është qenie njerëzore
- Islami shfajëson gruan nga fajet që i janë ngarkuar padrejtësisht sikur që zhduk botëkuptimet se kinse ajo është burim fatkeqësie
- Islami konfirmon se burri dhe gruaja, ndonëse nuk janë të njëjtë, megjithëkëtë, të barabartë janë
- Islami njeh meritat e gruas dhe të drejtat e saja[8]
Me një fjalë, është përpjekje për a bërë burrin të ndiejë se bota e tij është gruaja e tij, lumturia e tij është gruaja e tij, qetësia shpirtërore është gruaja e tij. Kështu ka thënë Allahu i Madhëruar: “Dhe nga faktet (e madhërisë së) e Tij është që për të mirën tuaj, Ai krijoi nga vetë lloji juaj palën (gratë), ashtu që të gjeni prehje tek ato dhe në mes jush krijoi dashuri dhe mëshirë. Në këtë ka argumente për njerëzit që mendojnë.“ (Err-Rrum, 21)
Madje, pikërisht për shkak të këtij fakti, Islami ka edukuar besimtarin që të gjurmojë në jetën bashkëshortore gjithherë për këtë qëllim: lumturinë. Pra, të mos jetë shkak ndonjë gjë e vogël ta shkatërrojë jetën bashkëshortore. Allahu i Madhëruar thotë: “Çoni jetë të mirë me to. Nëse i urreni ato, bëni durim pse ndodh që All-llahu të japë shumë të mira në një send që ju e urreni.“ (En-Nisa, 19)
Islami ka ndaluar që gruaja të trajtohet si objekt për dëfrim dhe më pastaj të degradohet personaliteti dhe karakteri i saj. Pejgamberi [sal-laAllahu alejhis ve sel-lem], siç transmetojnë Buhariu, Muslimi, ka thënë: “Për çfarë e rrah njeriu gruan e tij sikur ta rrihte një robëreshë ndërsa ai në mbrëmje mund të flenë me të?!”
Siç ka shpjeguar Imam Neveviu, në këtë hadith ndalohet rrahja e gruas, veçanërisht kur bëhet për motive të këtilla të pajustifikuara. Hadithi është argument për mirësjelljen dhe edukatën që duhet patur me gruan.[11] Ndërsa rrahja që bëhet për edukim, e përmendur në Kur’an (En-Nisa, 34), nuk hyn në këtë kategori, pasi që ajo përdoret vetëm si mjet për edukim dhe se nuk përfshin format brutale që do t’i shkaktonin gruas lëndime apo do ta degradonin personalitetin e saj.
PREJ KUJT TË MARRIM SHEMBULLIN E INTERESIMIT PËR GRUAN
Në hadith, shohim se si Muhammedi [sal-laAllahu alejhis ve sel-lem] shfaq nivelin e tij të lartë fetar dhe edukativ ndaj të gjithë neve, edhe, përveç tjerash, për shkak të mirësjelljes së tij ndaj grave. Kjo, në njëfarë forme, nënkupton se kodin e mirësjelljes dhe respektit bashkëshortor duhet ta marrim prej tij, ashtu siç i marrim edhe gjërat tjera. Pra, nëse dikush dëshiron ta di se si trajtohet femra në islam, le t’i drejtohet traditës së Muhammedit [sal-laAllahu alejhis ve sel-lem], i cili ka qenë shembull i përkryer dhe absolutisht i dalluar për të mirë. Ai, përveç që ka flakë bindjet e gabuara përkitazi me femrën, ka shërbyer edhe si shembull konkret për modestinë dhe mirësjelljen me familjen. Kur Aisheja [radijAllahu anha] qe pyetur për gjendjen e Pejgamberit [sal-laAllahu alejhis ve sel-lem] brenda shtëpisë, qe përgjigjur: Sa ishte brenda, i shërbente familjes, ndërsa kur vinte koha e namazit, dilte për namaz.[12]
ISLAMI EDHE SOT SI SHPËTIM PËR FEMRËN
Kodi profetik për mirësjelljen me gruan, në përgjithësi, dhe familjen në veçanti, po bëhet gjithnjë e më i nevojshëm për shoqërinë njerëzore. Kjo për shkak të degradimit të femrës dhe çnjerëzimit të saj. Femra, ndonëse propagandohet shumë për të drejtat e saj, ka përfunduar më keq se kurrë më parë. Nderi dhe dinjiteti i saj identifikohen me trupin dhe bukurinë që ka, ndërsa ligjet që garantojnë të drejtat e saj, janë ligje që lehtësojnë rrugën deri tek ajo. Tregtia me femrën vazhdon, industria e pornografisë është ndër më profitabilet. Roli familjar i femrës është parë si pengesë e zhvillimit në Evropë, për këtë, është bërë thirrje që të shkatërrohet ai. Turpi është pari si sëmundje që duhet shëruar (pra duhet zhveshur nga turpi) ndërsa nderi si prapambeturi dhe shtypje e lirisë seksuale…[13]
[1] Buhariu transmeton se Pejgamberi [sal-laAllahu alejhis ve sel-lem] ka thënë: “Nëse dikush prej jush flenë me familjen – gruan e tij (kryen marrëdhënie) dhe thotë: Bimilah – me mrin e Allahut, o Allah na e largo djallin dhe largoje po kështu edhe nga ajo që na ke dhuruar (fëmija), kështu nëse (e thotë këtë lutje dhe) iu falet fëmijë (mbetet me barrë), djalli nuk do ta dëmtojë kurrë.”
[2] Shih: El-Mubarekfuri, Muhammed ibn AbduRrahman ibn AbduRrahim. Tuhfetul ahvedhi bi sherhi xhamii-t-Tirmidhijj. Bejrut: Dar el-kutub el-ilmijjeh. 10/269.
[3] Ibn El-Ethir, El-Mubarek ibn Muhammed ibn Muhammed ibn Muhammed ibn Abdul Kerim. (1979) En-Nihaje fi garbi-l-hadithi ve-l-ether. Verifikues: Tahir Ahmed Ez-Zavi dhe Mahmud Muhammed Et-Tanahi. Bejrut: El-Mektebetu el-ilmijjeh. 2/91.
[4] Transmeton Imam Muslimi.
[5] Shih: En-Nevevi, Jahja ibn Sheref. (1392 h.) El-Minhaxh sherhu Sahihi Muslim ibn El-Haxh-xhaxh. Ed. 2. Bejrut: Dar Ihja et-turath el-arabijj. 7/81.
[6] Transmetojnë Tirmidhiu dhe Ibni Maxheh ndërsa Albani e ka vlerësuar hadithin për të saktë.
[7] Shih: Es-Sindi, Muhammed ibn Abdul Hadi Et-Tetevi. (p.v.b.) Hashijetu-s-Sindi ala Suneni Ibni Maxheh. Bejrut: Dar el-Xhil. 1/699.
[8] Dr. Jusuf Kardavi ka bërë një shpjegim të hollësishëm dhe me argumente e fakte të shumta, andaj, kush të do, për këtë çështje mund t’i kthehet librit të tij Gruaja në Islam, të përkthyer në shqip nga Sadush Tahiri dhe të botuar në Prishtinë, më 2002, nga Shoqata Bamirëse e Katarit.
[9] Shih: Es-Sidiki, Muhammed ibn Al-lan. (2004) Delilu-l-falihine li turuki rijadi-s-salihine. Ed. 4. Bejrut: Daru-l-ma’rifeh. 3/106.
[10] Hadithin e transmeton Muslimi.
[11] Shih: En-Nevevi. (1392 h.) El-Minhaxh sherhu Sahihi Muslim ibn El-Haxh-xhaxh. 17/188.
[12] Hadithin e transmeton Buhariu.
[13] Shih: Ammare, Muhammed. (2009) Tahriru-l-mer’eti bejne-l-garbi ve-l-Islam. Kajro: Mektebetu El-Imam El-Buhari. F. 38;40.