Falenderimet dhe lavdërimet janë për Allahun, Zotin e gjithë botëve. Paqja, mëshira dhe bekimet janë për Muhamedin, familjen dhe shokët e tij deri në Ditën e Gjykimit.
Thënia më e vërtetë është thënia e Allahut, ndërsa udhëzimi më i mirë është udhëzimi i Muhamedit (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) Veprat më të këqija janë ato të shpikurat, çdo shpikje është bidat dhe çdo bidat është lajthitje, e çdo lajthitje të çon në zjarr.
E vërteta, besnikëria, ka një pozitë të veçantë në Islam, jo pse vetëm që është degë e moralit por është parim i imanit dhe bazë për t’i shpëtuar dënimit të Allahut të Lartësuar. E vërteta të ofron afër Allahut të Lartësuar dhe kështu shpërblehesh në Ditën e Gjykimit.
قَالَ اللَّهُ هَذَا يَوْمُ يَنفَعُ الصَّادِقِينَ صِدْقُهُمْ لَهُمْ جَنَّاتٌ تَجْرِي مِنْ تَحْتِهَا الْأَنهَارُ خَالِدِينَ فِيهَا أَبَدًا رَضِيَ اللَّهُ عَنْهُمْ وَرَضُوا عَنْهُ ذَلِكَ الْفَوْزُ الْعَظِيمُ.
“Allahu thotë: “Kjo është një ditë që të vërtetët do të kenë dobi nga e vërteta e tyre. Për ta janë xhenetet nën të cilët rrjedhin lumenj, aty do të jetojnë përherë. Allahu është i kënaqur me ta dhe ata janë të kënaqur me Të. Ky është shpëtim i madh.” (Maide, 119)
Vërtetësia – sidku, është një emër përmbledhës që ngërthen në vete dëshirën, qëllimin, fjalën, veprën. Dijetarët kanë dhënë përkufizime të ndryshme për sidkun por në këtë rast veçojmë këtë përkufizim:
“Sidku është besnikëria ndaj Allahut të Lartësuar duke harmonizuar atë që ke në zemër me atë që e shpreh dhe vepron, duke mos mashtruar veten dhe të tjerët. ”
Të kuptuarit e vërtetësisë
Të nderuar besimtarë!
Sot besimtarët çështjen e vërtetësisë e kanë zvogëluar aq shumë sa që kur përmendet shprehja besnikëri, vërtetësi, mendohet se kanë të bëjmë vetëm me fjalën e vërtetë dhe të shprehurit e drejtë. E gjithë kjo po ndodhë në kohën kur gjërat e vogla zmadhohen, kurse çështjet dhe problemet madhore zvogëlohen. Por besnikëria ka një kuptim shumë më të gjerë. Pra, sidku-vërtetësia, është i tërë Islami, Allahu i Lartësuar thotë:
وَالَّذِي جَاءَ بِالصِّدْقِ وَصَدَّقَ بِهِ أُوْلَئِكَ هُمْ الْمُتَّقُونَ
“E ai (Muhamedi) e solli të vërtetën (Kuranin) dhe e vërteton atë (besimin islam) të tillët që janë muttekunët (besimtarët e përkushtuar).” (Zumer, 33)
لَيْسَ الْبِرَّ أَنْ تُوَلُّوا وُجُوهَكُمْ قِبَلَ الْمَشْرِقِ وَالْمَغْرِبِ وَلَكِنَّ الْبِرَّ مَنْ آمَنَ بِاللَّهِ وَالْيَوْمِ الآخِرِ وَالْمَلائِكَةِ وَالْكِتَابِ وَالنَّبِيِّينَ وَآتَى الْمَالَ عَلَى حُبِّهِ ذَوِي الْقُرْبَى وَالْيَتَامَى وَالْمَسَاكِينَ وَابْنَ السَّبِيلِ وَالسَّائِلِينَ وَفِي الرِّقَابِ وَأَقَامَ الصَّلاةَ وَآتَى الزَّكَاةَ وَالْمُوفُونَ بِعَهْدِهِمْ إِذَا عَاهَدُوا وَالصَّابِرِينَ فِي الْبَأْسَاءِ وَالضَّرَّاءِ وَحِينَ الْبَأْسِ أُوْلَئِكَ الَّذِينَ صَدَقُوا وَأُوْلَئِكَ هُمْ الْمُتَّقُونَ
“Nuk është tërë mirësia (përkushtimi dhe devotshmëria) vetëm të ktheni fytyrat tuaja nga Lindja ose Perëndimi, por mirësi e vërtetë është ajo e atij që i beson Allahut, Ditës së Gjykimit, engjëjve, librit, pejgamberët. Ndërsa pasurinë që e do, ua jep të afërmve, jetimëve, të vërfërve, udhëtarëve, lypësve dhe për lirimin e robërve, dhe ai që e fal namazin, e jep zeqatin, dhe ata që përmbushin premtimin kur e japin, dhe të durueshmit në varfëri, në sëmundje dhe në kohën e luftës. Këta janë njerëzit e së vërtetës dhe këta janë muttekunët (besimtarët e devotshëm).” (Bekare, 177)
Kushtet e imanit dhe të islamit janë të përmbledhura në këtë ajet, dhe ata të cilët janë të cilësuar më cilësitë e lartpërmendura janë ithtarët e së vërtetës të përkushtuar në besim.
Format e vërtetësisë
Të nderuar besimtarë!
Në vazhdim po ua paraqesim disa forma të vërtetësisë që duhet të jenë prezentë tek besimtari besnik, e ato janë:
Vërtetësia e nijetit (qëllimit).
Qëllimi duhet të jetë i sinqertë në Allahun e Lartësuar për çdo aktivitet. Vetëm me fjalë dhe vepra të sinqerta mund të arrimë kënaqësinë e Allahut të Lartësuar. Muhamedi (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) thotë:
” إن الله لا ينظر إلى أجسامكم ولا إلى صوركم ولكن ينظر إلى قلوبكم ”
“Është e vërtetë që Allahu nuk shikon trupat e tuaj e as format tuaja, por shikon në zemrat tuaja.” (Transmeton Muslimi)
Jemi të urdhëruar që Allahun e Lartësuar ta adhurojmë si besimtarë me zemra të vërteta dhe të sinqerta.
Vërtetësia në fjalë.
Vërtetësia në fjalë ka të bëjë me vërtetësinë e lajmeve, informatave. Besimtari duhet të bartë vetëm lajme të vërteta dhe ta siguroj burimin, njëkohësisht të largohet nga mendimet e gabuara dhe mashtrimet. Allahu i Lartësuar thotë:
يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا اجْتَنِبُوا كَثِيراً مِنْ الظَّنِّ إِنَّ بَعْضَ الظَّنِّ إِثْمٌ وَلا تَجَسَّسُوا وَلا يَغْتَبْ بَعْضُكُمْ بَعْضاً أَيُحِبُّ أَحَدُكُمْ أَنْ يَأْكُلَ لَحْمَ أَخِيهِ مَيْتاً فَكَرِهْتُمُوهُ وَاتَّقُوا اللَّهَ إِنَّ اللَّهَ تَوَّابٌ رَحِيمٌ
“O ju që keni besuar, largohuni prej dyshimeve të shumta, sepse disa dyshime janë mëkat dhe mos hulumtoni për zbulimin e të metave të njeri tjetrit dhe mos përgjoni njëri tjetrin. A mos ndonjëri prej jush dëshiron të hajë mishin e vëllait të vet të vdekur? Pra këtë e urreni! Kini frikë Allahun, e Allahu pranon pendimin dhe është mëshirues.” (Huxhurat, 12)
Ndërsa Muhamedi (Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të!) thotë:
” إياكم والظن فإن الظن أكذب الحديث ”
“ Ruani veten nga mendimet e këqija, sepse mendimi i keq është gënjeshtra më e madhe.” (Transmeton Buhariu dhe Muslimi)
Vërtetësia e veprave.
Besimtari duhet të angazhohet që veprat e tij të jashtme të përputhen me ato të brendshmet dhe të fitojnë statusin e vërtetësisë. Allahu i Lartësuar thotë:
وَقُلْ اعْمَلُوا فَسَيَرَى اللَّهُ عَمَلَكُمْ وَرَسُولُهُ وَالْمُؤْمِنُونَ وَسَتُرَدُّونَ إِلَى عَالِمِ الْغَيْبِ وَالشَّهَادَةِ فَيُنَبِّئُكُمْ بِمَا كُنتُمْ تَعْمَلُونَ
“Dhe thuaj (O Muhamed): “Punoni! Allahu do t’i shohë punët tuaja, edhe i dërguari i Tij e besimtarët. Dhe ju do të ktheheni te i Gjithëdituri i të fshehtës dhe të dukshmes, e do t’ju njoftojë për punët që keni bërë.’’ (Teube, 105)
Sakrifica e vërtetë
Të nderuar vëllezër!
Duhet të pozicionohemi sepse vërtetësia kërkon kujdes dhe vendosmëri nëse dëshirojmë të jemi me të drejtit, Allahu i Lartësuar në Kuran thotë:
يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا اتَّقُوا اللَّهَ وَكُونُوا مَعَ الصَّادِقِينَ
“O ju që keni besuar! Kini frikë Allahun dhe jini me ata që janë të vërtetë (në fjalë dhe vepra).’’(Teube, 119)
Të jesh prej të vërtetëve do të thotë edhe të japësh jetën për hir të së vërtetës. Allahu i Lartësuar thotë:
مِنْ الْمُؤْمِنِينَ رِجَالٌ صَدَقُوا مَا عَاهَدُوا اللَّهَ عَلَيْهِ فَمِنْهُمْ مَنْ قَضَى نَحْبَهُ وَمِنْهُمْ مَنْ يَنْتَظِرُ وَمَا بَدَّلُوا تَبْدِيلاً
“Prej besimtarëve kishte burra që vërtetuan (e mbajtën) besën e dhënë Allahut, e disa prej tyre e realizuan premtimin duke dhënë jetën, dhe ka prej tyre po presin, por ata nuk e kanë ndryshuar vendosmërinë (besën).’’(Ahzab, 23)
Për shkakun e zbritjes së këtij ajeti veçojmë hadithin e Enesit (Allahu qoftë i kënaqur me të!) ku transmeton Imam Buhariu.
عَنْ أَنَسٍ رَضِيَ اللَّهُ عَنْهُ قَالَ: غَابَ عَمِّي أَنَسُ بْنُ النَّضْرِ عَنْ قِتَالِ بَدْرٍ، فَقَالَ: يَا رَسُولَ اللَّهِ. غِبْتُ عَنْ أَوَّلِ قِتَالٍ قَاتَلْتَ الْمُشْرِكِينَ. لَئِنْ اللَّهُ أَشْهَدَنِي قِتَالَ الْمُشْرِكِينَ، لَيَرَيَنَّ اللَّهُ مَا أَصْنَعُ. فَلَمَّا كَانَ يَوْمُ أُحُدٍ وَانْكَشَفَ الْمُسْلِمُونَ قَالَ: اللَّهُمَّ إِنِّي أَعْتَذِرُ إِلَيْكَ مِمَّا صَنَعَ هَؤُلَاءِ يَعْنِي أَصْحَابَهُ وَأَبْرَأُ إِلَيْكَ مِمَّا صَنَعَ هَؤُلَاءِ يَعْنِي الْمُشْرِكِينَ. ثُمَّ تَقَدَّمَ فَاسْتَقْبَلَهُ سَعْدُ بْنُ مُعَاذٍ فَقَالَ يَا سَعْدُ بْنَ مُعَاذٍ الْجَنَّةَ وَرَبِّ النَّضْرِ إِنِّي أَجِدُ رِيحَهَا مِنْ دُونِ أُحُدٍ. قَالَ سَعْدٌ فَمَا اسْتَطَعْتُ يَا رَسُولَ اللَّهِ مَا صَنَعَ. قَالَ أَنَسٌ فَوَجَدْنَا بِهِ بِضْعًا وَثَمَانِينَ ضَرْبَةً بِالسَّيْفِ أَوْ طَعْنَةً بِرُمْحٍ أَوْ رَمْيَةً بِسَهْمٍ وَوَجَدْنَاهُ قَدْ قُتِلَ وَقَدْ مَثَّلَ بِهِ الْمُشْرِكُونَ فَمَا عَرَفَهُ أَحَدٌ إِلَّا أُخْتُهُ بِبَنَانِهِ قَالَ أَنَسٌ كُنَّا نُرَى أَوْ نَظُنُّ أَنَّ هَذِهِ الْآيَةَ نَزَلَتْ فِيهِ وَفِي أَشْبَاهِهِ (مِنْ الْمُؤْمِنِينَ رِجَالٌ صَدَقُوا مَا عَاهَدُوا اللَّهَ عَلَيْهِ(
Tregon Enesi (Allahu qoftë i kënaqur me të!): Xhaxhai im Enes bin Nadri nuk prezentoi në luftën e Bedrit dhe ai tha: O i Dërguari Allahut! Unë nuk mora pjesë në luftën e parë që ju luftuat kundër idhujtarëve. Por, nëse Allahu ma bën të mundur që t’i luftoj idhujtarët, vërtet Allahu do të më shoh se si do të luftoj. Dhe në ditën (luftën) e Uhudit kur myslimanët u tërhoqën, ai tha: Allahu im! Kërkoj falje te Ti për çka kanë bërë këta (shokët e vetë), dhe distancohem nga ajo çfarë bënë ata (idhujtarët). Pastaj eci përpara dhe u takua me Sad ibn Muadhin, dhe i tha: O Sad ibn Muadh! Për Zotin e Nadrit dëshiroj xhenetin, vërtet po ndiej aromën e tij (xhenetit) në Uhud. Sadi më pas tha: O i Dërguari i Allahut unë nuk munda të bëjë atë çka e bëri ai (Nadri). Thotë Enesi në trupin e tij gjetëm mbi tetëdhjetë plagë nga shpata, shtiza dhe shigjeta. E gjetëm të vrarë dhe të masakruar nga idhujtarët, sa që askush prej neve nuk e njohu përveç motrës së vet, e cila arriti ta njohë në gishta. Thotë Enesi mendonim se ky ajet ka zbritur për te (Nadrin) dhe për të tjerët si ky: “Prej besimtarëve kishte burra që vërtetuan (e mbajtën) besën e dhënë Allahut,..’’(Transmeton Buhariu)
Ky rast tregon seriozitetin e sahabit Enes bin Nadër që tregon shembullin e besnikërisë dhe njëri ndër besimtarët e së vërtetës që ndjeu aromën e xhenetit në Uhud, para se të vdes, para se të takohet me Allahun e Lartësuar, dhe para se të futet në xhenet.
Allahu ekber! Shijoi dhe gjeti ëmbëlsinë e veprës, sepse ishte i vendosur në përmbushjen e premtimit.
Kush dëshiron të jetë i shpërblyer në botën tjetër dhe të shënohet në listën e “siddikinëve” menjëherë pas pejgamberëve le të jetë besimtarë i vërtetë në besim. Allahu i Lartësuar thotë:
وَمَنْ يُطِعْ اللَّهَ وَالرَّسُولَ فَأُوْلَئِكَ مَعَ الَّذِينَ أَنْعَمَ اللَّهُ عَلَيْهِمْ مِنْ النَّبِيِّينَ وَالصِّدِّيقِينَ وَالشُّهَدَاءِ وَالصَّالِحِينَ وَحَسُنَ أُوْلَئِكَ رَفِيقًا
“E kush do që i bindet Allahut dhe të dërguarit, të tillët do të jenë së bashku me ata që Allahu i shpërbleu: (me) pejgamberët, besnikët e dalluar, dëshmorët dhe me të mirët. Sa shokë të mirë janë ata!”. (Nisa, 69).
Njeriu i së vërtetës është mik dhe dashamirë i Allahut të Lartësuar.
Të nderuar besimtarë!
A dëshironi të jeni dashamirë të Tij apo të dynjasë?
A e dëshironi xhenetin apo pasionet e epsheve?
A dëshironi pozitë në këtë botë apo vende të larta në xhenet?
Përgjigjuni në këto pyetje duke qenë ithtarë të së vërtetës duke përfshirë të gjitha format dhe hapësirat e së vërtetës duke filluar nga qëllimi, fjala dhe vepra.
Këto janë këshilla për të gjithë ne.
Besnikëria kërkohet prej dijetarit që të kontribuojë në ngritjen e umetit, që ta shpëtojë njerëzimin nga errësirat e ateizmit dhe imoralitetit materialist.
Besnikëria kërkohet prej studentit që të përpiqet në arritjen e sukseseve për ta jetësuar të vërtetën.
Besnikëria kërkohet prej thirrësit që ta ngrejë lartë zërin e së vërtetës duke ua ofruar të vërtetën islame tek të gjitha shtresat.
Besnikëria kërkohet nga pedagogët dhe edukatorët që t’i edukojnë gjeneratat për të vërtetën duke qenë të vendosur në besën e dhënë Allahut të Lartësuar.
يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا اتَّقُوا اللَّهَ وَكُونُوا مَعَ الصَّادِقِينَ (119)
“O ju që keni besuar! Kini frikë Allahun dhe jini me ata që janë të vërtetë (në fjalë dhe vepra).’’(Teube, 119)
Ulvi Fejzullahu