Të nderuar vëllezër besimtarë!
Fëmijët janë dhuratë çmuar që Zoti ia jep njeriut. Dashuria për ta është e mbjellë në shpirtin e njeriut. Është dashuri me të cilën lind njeriu. Allahu i Madhëruar në Kur’anin Famëlartë na kujton se edhe robërit e Tij të sinqertë kanë qenë të pasionuar pas fëmijëve.
Edhe ata që thonë: “Zoti ynë, na bën që të jemi të gëzuar me (punën) e grave tona dhe pasardhësve tanë, e neve na bën shembull për të devotshmit.”.“ (el-Furkan, 74)
Edhe i Dërguari i fundit, Muhammedi, [alejhis salatu ves selam] ishte fisnikëruar me këtë dashuri për fëmijët. Madje, jo vetëm që i donte, por edhe kërcënonte ata që nuk i duan fëmijët se nuk do të mëshiroheshin prej Allahut të Madhëruar.
“Vërtetë, ai që nuk mëshiron (fëmijët), nuk mëshirohet!” (Muslimi)
Por, njeriu sprovohet, e sprova ndonjëherë nënkupton edhe vdekjen e më të dashurve, fëmijëve në këtë rast. Andaj, si ta përballojmë këtë gjendje? Si të gjendemi në të? Është një ndjesi që ka prekur edhe të Dërguarin e Allahut, Muhammedin, [alejhis salatu ves selam], i cili për vdekjen e të birit kishte thënë këto fjalë:
“Syri loton, zemra pikëllohet, ndërsa ne nuk themi vetëm se atë që e gëzon Zotin tonë. Pasha Allahun o Ibrahim, ne për ty jemi pikëlluar!”
Andaj, sot do të kemi në fokus disa prej formave dhe mënyrave që na forcojnë në përballimin me vdekjen e fëmijëve.

1. Besimi në caktimet e Allahut të Madhëruar
Myslimanët. Për dallim nga të tjerët, besojnë se vdekja është caktim i Zotit, që nuk vjen as para dhe as mbrapa. Ajo ka kohën e caktuar, që pavarësisht rrethanave, ndodhë. Allahu i Madhëruar ka thënë:
Çdo popull (që përgënjeshtroi pejgamberët) ka afatin e vet, e kur t’u vijë afati tyre, ai nuk mund të shtyhet për asnjë moment, e as të përngutet më parë.“ (el-A’rafë, 34)
Kjo nuk nënkupton se ne gjatë kësaj jete duhet të distancohemi nga shërimi i sëmundjeve, assesi, por nënkupton një bindje që në rast se ndodhë vdekja, të mos pikëllohesh shumë, sepse aty ka qenë fundi dhe ndryshe nuk bëhet. Tregimi i mbretit që la amanet për përcjelljen e xhenazes së tij në varreza vetëm nga mjekët është shpjegim shumë ngushëllues. Keni dëgjuar, mbreti kishte porositur suitën e tij që xhenazeja t’i përcillej në varreza vetëm nga mjekët, për tua bërë me dije njerëzve se vdekjen askush nuk mund ta largon.

2. Nuk jeni të parët, as të fundit
Një prej formave të ngushëllimit është edhe fakti se Allahu i Madhëruar ka sprovuar njerëzimin në vazhdimësi dhe këtë me sprova të ndryshme. nuk ka sprovë që godet njeriut, e që mos të ketë goditur dikë para tij. Allahu i Madhëruar ka thënë:
Elif, Lam, Mim. 2. A menduan njerëzit të thonë: “Ne kemi besuar, e të mos vihen në sprovë?” 3. Ne i sprovuam ata që ishin para tyre, ashtu që All-llahu gjithqysh do t’i dallojë ata që e thanë të vërtetën e do t’i dallojë edhe gënjeshtarët.“ (el-Ankebut, 1-3)

3. Ka edhe më keq
Një prej mënyrave se si besimtarët ngushëllojnë veten për humbjen e fëmijëve është dhe përkujtimi për atë se ka mundur të ndodhë dhe më keq. Ndarja është e dhimbshme por format e saja ndonjëherë mund të shkaktojnë mërzi dhe pikëllim jo të njëjtë. Ta zëmë, nuk është pikëllimi për atë që ka vdekur në shtrat, sikur pikëllimi për atë që vritet. Kësisoj, pikëllimi për fëmijën që vdes nga vdekja natyrale është më pak i rëndë se sa pikëllimi për vdekjen në forma tjera. P.sh. njëri nga hoxhallarët përmend një rast interesant dhe shumë prekës. Përmend rastin e një familjeje që kishin therur kurban për ftesën e Kurban Bajramit. Fëmijët, duke parë të atin se si e terte kurbanin, e kishin therë njëri tjetrin. Vëllai i madh kur kupton se ka bërë faj, ik për të mos e ndëshkuar prindërit, por me të dalë në rrugë, e shkel vetura. Pra, dy vdekje shumë të dhimbshme brenda vetëm dhjetë minutave.

4. Vdekja e fëmijëve si mirësi
Vdekja e fëmijëve si murojë nga zjarri i Xhehennemit. Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] ka thënë:
“Nuk ka grua prej jush që i vdesin tre fëmijë, e të mos jenë perde për të nga zjarri i Xhehennemit. Një grua tha: E nëse vdesin dy, ngase mua më kanë vdekur dy? Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] tha: Ose i vdesin dy fëmijë.” (Transmetim unanim.)
Këta fëmijë nesër në Ditën e Kiametit këtë pikëllim dhe mërzi do të na e kompensojnë, ngase atje do të shfaqin një këmbëngulësi të pashoqe.
“Do t’iu thuhet fëmijëve në Ditën e Kiametit: Hyni në Xhennet! Ndërsa ata do të thonë: O Zoti, jo deri sa të hyjnë edhe baballarët dhe nënat tona! Vijnë ndërsa Allahu i Madhëruar iu thotë: Përse iu shoh kështu që refuzoni të hyni në Xhennet (refuzojnë jo pse nuk duan porse kanë kërkesë)?! Hyni në Xhennet! Thonë: O Zot, po baballarët dhe nënat tona! Atëherë thotë Allahu: Hyni ju bashkë me baballarët (prindërit) tuaj!” (Hadithin e transmeton Imam Ahmedi ndërsa transmetuesit e tij janë besnikë.)
5. Fëmijët myslimanë në botën tjetër
Fëmijët myslimanë, që vdesin para moshës madhore do të jenë në Xhennet. Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] ka thënë:
“Pejgamberi është në Xhennet, shehidi është në Xhennet, foshnja mashkull dhe femër janë në Xhennet!” (Transmetojnë Ahmedi dhe Ebu Davudi ndërsa Albani thotë se është autentik.)
Por, jo vetëm që do të jenë në Xhennet, porse ata do të kenë një përkujdesje të rrallë dhe shumë ekskluzive. Deri në momentin kur të takohen me prindërit e tyre në Ditën e Kiametit, ata do të jenë në Xhennet, nën mbikëqyrje të babait të profetëve, Ibrahimit [alejhiselam] dhe gruas së tij, Sarës. Pejgamberi [alejhis salatu ves selam] ka thënë:
“Fëmijët e besimtarëve do të jenë në një kodër në Xhennet. Për ta do të përkujdesen Ibrahimi dhe Sara derisa tua dorëzojnë prindërve të tyre në Ditën e Kiametit!” (Hadithin e transmeton Hakimi ndërsa Albani thotë se është autentik.)
Madje, mbikyqrja do të jetë e atillë që atyre të mos iu mungojë asgjë që ka të bëjë me moshën e tyre. Kur i vdiq djali Muhammedit [alejhis salatu ves selam] tha:
“Vërtetë, biri im Ibrahimi vdiq duke qenë ende për gjiri. Ai do të ketë dy gra që do t’ia kompensojnë gjidhënien në Xhennet!” (Muslimi)

Përfundim
Të nderuar vëllezër!
Mëshira e madhe e Allahut të Madhëruar me robërit e Tij ka bërë, që për të arritur këtë mirësi, të mos kushtëzojë patjetër durimin e prindit dhe llogaritjen në shpërblimin e Allahut. Pra, edhe nëse ndodhë që të qanë apo mërzitet shumë, Allahu i Madhëruar prapë e fal atë dhe nuk e privon nga kjo mundësi shpërblimi. Por, për të qenë robër të vendosur në rrugën e Tij, për të treguar lidhjen tonë të madhe me Zotin, le të durojmë dhe le të shpresojmë në shpërblimin e Tij ngase kështu do ta kemi më të sigurt shpërblimin e Tij.