Jemi në muajin Shaban, muajin që paraprin Ramazanin dhe i cili, për nga ana simbolike, ka një rëndësi të madhe. Ka qenë traditë e Pejgamberit ﷺ që këtë muaj të agjërojë më shumë se muajve tjerë, si parapërgatitje fizike për agjërimin, i cili ndryshe nga adhurimet tjera kërkon sakrificë të llojit të veçantë, respektivisht abstenimin nga ushqimi dhe pija. Por, për sfida të mëdha, nuk mjaftojnë vetëm ushtrimet fizike, duhet dhe motivim. Për këtë shkak, Pejgamberi ﷺ gjysmën e këtij muaji e shfrytëzonte në përgatitje fizike ndërsa gjysmën tjetër në ngritje të moralit dhe motivim. Në hadithin e saktë të transmetuar nga Ebu Hurejre qëndron se Pejgamberi ﷺ ka thënë:
«إذا انتصف شعبان فلا تصوموا حتى يكون رمضان»
“Kur të arrijë gjysma e muajit Shaban, lëreni agjërimin derisa të vjen Ramazani.[1]”
Së këndejmi, hutbeja e kësaj xhumaje, tani që kanë mbetur edhe tre ditë deri në Ramazan, në fokus do të ketë elemente që na motivojnë për të agjëruar me vullnet dhe dashuri.
1. Nuk ka të ngjashëm me Ramazanin
Ebu Umame el-Bahilij transmeton ta ketë pyetur Pejgamberin ﷺ për veprën më të mirë. Pejgamberi ﷺ i tha:
«عَلَيْكَ بِالصَّوْمِ فَإِنَّهُ لاَ عِدْلَ لَهُ»
“Agjëro sepse asgjë nuk është ekuivalent me të! [2]”
Cili është sekreti i këtij adhurimi që e bën të jetë ndryshe nga adhurimet tjera?Është ndikimi i tij në ndryshimin e sjelljeve tona. Agjërimi, sikur edhe adhurimet tjera, nuk janë të synuara në vete. Ato janë mjet për qëllime tjera. Kur ne agjërojmë, nuk synojmë thjesht abstenimin nga buka dhe uji, por abstenimin nga çdo gjë që, shpirtërore dhe joshpirtërore, që na pengon nga Zoti. Më qartë, Allahu duke na folur për agjërimin thotë:
يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا كُتِبَ عَلَيْكُمُ الصِّيَامُ كَمَا كُتِبَ عَلَى الَّذِينَ مِن قَبْلِكُمْ لَعَلَّكُمْ تَتَّقُونَ
“O besimtarë! Ju është urdhëruar agjërimi, ashtu si u ishte urdhëruar atyre para jush, që të mund të ruheni nga të këqijat.” [Kur’ani: Bekare:183]
Pra, qëllimi pse Zoti na urdhëron të agjërojmë është që të ndryshojmë fillimisht në raport me Të, duke pastruar anën shpirtërore. Në Ramazan bëhet rishikimi gjeneral i besimit. Në adhurimet tjera ndonjëherë sinqeriteti shënon regres për shkak se duam të na shohin të tjerët. P.sh. kur falemi, kemi qejf me na parë të tjerët dhe me na thënë: ky është namazli. Ndërsa në agjërim, kjo nuk ndodhë për shkak të natyrës ndryshe të tij. Për këtë shkak, agjërimi e ngre sinqeritetin në nivelet më të larta duke bërë që Allahu ta dallojë këtë vepër nga veprat tona tjera:
« كُلُّ عَمَلِ ابْنِ آدَمَ لَهُ إِلَّا الصِّيَامَ فَإِنَّهُ لِي وَأَنَا أَجْزِي بِهِ»
“Çdo vepër e njeriut është për të, përveç agjërimit, që është për Mua dhe Unë shpërblej për të…[3]”Ndryshe, nëse agjërimi zhveshët nga këto elemente dalluese të tij, atëherë ai bëhet i padobishëm. Pejgamberi ﷺ ka thënë:
«رب صائم حظه من صيامه الجوع والعطش»
“Ndodhë që ndonjë agjërues të ketë hise nga agjërimi i tij vetëm urinë dhe etjen… [4]”
Pra, Ramazanin duhet ta përjetojmë ndryshe, si një muaj në të cilin dallojmë duke u ngritur shpirtërisht dhe jo vetëm. Në Ramazan ngritja bëhet edhe moralisht dhe shoqërisht. Qasja vlerore e agjërimit ka të bëjë me menaxhimin e jetës dhe sjelljeve të besimtarit nga parimet, jo nefsi. Për ta kuptuar më qartë, do t’i referohemi një porosie të Pejgamberit ﷺ për sjelljen në Ramazan.
«الصِّيَامُ جُنَّةٌ فَلَا يَرْفُثْ وَلَا يَجْهَلْ وَإِنْ امْرُؤٌ قَاتَلَهُ أَوْ شَاتَمَهُ فَلْيَقُلْ إِنِّي صَائِمٌ مَرَّتَيْنِ»
“Agjërimi është mburojë, andaj (agjëruesi) le të mos flet fjalë të pahijshme dhe le të mos shfaqë injorancë. E, nëse ndokush e provokon apo shan, le të thotë -dy herë-: unë jam agjërueshëm!…[5]”
Pra, arsyeja pse nuk reagon agjëruesi ndaj provokimit nuk është pse fizikisht nuk ka fuqi ta bëjë këtë, por për shkak të vlerave: jam agjërueshëm.
2. Ramazani dallon edhe në shpërblime.
Për shkak të natyrës së tij, ai është sinonim i durimit. E nga këtu shpërblimi i tij është shpërblimi i durimit, për të cilin Allahu ka thënë:
إِنَّمَا يُوَفَّى الصَّابِرُونَ أَجْرَهُم بِغَيْرِ حِسَابٍ
“…Vetëm ata që janë të durueshëm do të shpërblehen pa masë.” [Kur’ani: Zumer, 10]
Për këtë qëllim, Pejgamberi me rastin e ardhjes së muajit të Ramazanit, i përgëzonte besimtarët me këto, me të cilat edhe do ta përmbyllim këtë hutbe:
«أَتَاكُمْ رَمَضَانُ شَهْرٌ مُبَارَكٌ فَرَضَ اللَّهُ عَزَّ وَجَلَّ عَلَيْكُمْ صِيَامَهُ تُفْتَحُ فِيهِ أَبْوَابُ السَّمَاءِ وَتُغْلَقُ فِيهِ أَبْوَابُ الْجَحِيمِ وَتُغَلُّ فِيهِ مَرَدَةُ الشَّيَاطِينِ لِلَّهِ فِيهِ لَيْلَةٌ خَيْرٌ مِنْ أَلْفِ شَهْرٍ مَنْ حُرِمَ خَيْرَهَا فَقَدْ حُرِمَ «
“Ramazani iu erdh, muaj i bekuar, agjërimin e të cilit Allahu ua obligoi; në të hapen dyert e Xhennetit, mbyllen ato të Xhehennemit ndërsa djajtë e tërbuar prangosen. Në të është një natë, më me vlerë se njëmijë muaj, kush privohet prej saj, vërtet është i privuar![6]”
Përhajr muaji i Ramazanit, Allahu na e lehtësoftë agjërimin dhe namazin, dhe na bëftë prej atyre që përfitojnë nga mësimet dhe të mirat e këtij muaji të bekuar!
——————————————–
[1] Albani, Sahih el-xhami, nr. 367.
[2] Hadithin e shënojnë Imam Ahmedi, Nesaiu dhe Bejhakiu.
[3] Hadithin e shënon Buhariu në Sahih.
[4] Albani në Sahih el-Xhami, nr.3488, e ka cilësuar të saktë.
[5] Hadithin e shënon Buhariu në Sahih.
[6] Transmeton Nesaiu ndërsa Albani e ka cilësuar të saktë.