Ne jetojmë në shoqëri në të cilat shumica e meshkujve dhe femrave kanë humbur ndjenjën e modestisë, gratë janë të opsesionuara me pamjen e tyre dhe veshin rroba që do të shihen dhe vërehen nga të tjerët, me qëllim për të tërhequr vëmendjen e meshkujve, edhe nëqoftëse ata janë të martuar! Ata (ato) e kanë humbur sensin e tyre të turpit. Martesa shpesh shikohet si gjë e cila nuk është në modë, ndërsa lidhjet afatshkurte dhe marrëdhëniet joserioze janë norma dhe standardi më i përhapur. Të gjithë janë në pritje për të tërhequr një partner më të mirë, më qëllim që të justifikohet largimi dhe “shqelmimi” i partnerit të “vjetër” dhe jo aq atraktiv.  Feminizmi ka arritur kulminacionin, andaj të dy gjinive u thuhet t’i “kontrollojnë” dhe shtypin emocionet e tyre natyrore . Burrat nuk ndjejnë keqardhje as atëherë kur gratë e tyre janë veshur për të tërhequr vëmendjen e meshkujve të tjerë, atij nuk i pengon nëse një mashkull tjetër e shikon gruan e tij, apo bisedon dhe qesh me të, madje edhe nëse vallëzon me gruan e tij, ai bëhet se nuk e sheh. Nëse i pengon e gjithë kjo, atëherë i thuhet mos u bën i prapambetur![1]

Mirëpo a janë këto vlerat tona, a është kjo tradita jonë, sidomos tradita e mirëfilltë e popullit tonë, a është normal e gjithë  kjo? a e kemi pyetur ndonjëherë veten: “A është Allahu i kënaqur me këtë gjendje të cilën e përshkruajta?!”

Në Islam ne kemi një koncept i cili quhet xhelozi, virtyt i cili ka qenë pjesë e vlerave të popullatës tonë, virtyt me të cilin kemi qenë krenar përpara popujve tjerë.

Xhelozia është ndjenja për ta ruajtur dhe mbajtur diçka të sigurtë. Ne këtu jemi duke folur për xhelozinë e kontrolluar, pozitive, të dashur tek Allahu, e jo për atë xhelozi të bazuar në dyshime të kota dhe të dobëta.

Shembull për këtë xhelozi (të mirë, pozitive) është kur njeriu e ka këtë ndjenjë atëherë kur dikush i huaj e shikon bashkëshorten, apo nënën, apo ndonjë grua tjetër e cila është dashur për të, kjo është ndjenjë e mbjellur natyrore të cilën e ka mbjellur Allahu në zemrën e secilit njeri. Për këtë shkak shembëlltyra jonë, Muhamedi (sala Allahu alejhi ue sel-lem) ishte njeriu më xheloz për gratë e tij, gjë që na bën me dije se Allahu e don këtë cilësi, ngase e ka bërë si pjesë të moralit dhe virtyteve të të Dërguarit të Tij (sala Allahu alejhi ue sel-lem).

Thotë er-Ragib el-Asfehani: “Allahu e ka bërë këtë fuqi në njeriun shkak për ruajtjen e prejardhjes dhe njeriut, andaj thuhet se çdo popull, meshkujt e së cilit e kanë humbur xhelozinë, femrat e kanë të humbur nderin. Xhelozia mund të përdoret në ruajtjen e gjithçka që ka nevojë, apo që duhet të ruhet.”[2]

Çdo mashkull musliman duhet ta ketë këtë ndjenjë dhe këtë cilësi, ndjenjë të mbrojtjes dhe ruajtjes të asaj që është e dashur për të, thotë Pejgamberi (sala Allahu alejhi ue sel-lem) në Hadithin e ebu Hurejres: “Me të vërtetë Allahu xhelozon dhe xhelozia e tij është kur një besimtar bën atë që e ka ndaluar Allahu.”[3]

Kuptimi i Hadithit: Allahu xhelozon kur të shkelen kufijtë që i ka ndaluar Ai, nuk është xhelozia e Tij shkelja e këtyre kufijve, sepse ky është veprim i njeriut, edhepse kur ky veprim bëhet prej besimtarit është më i madh sesa kur bëhet prej jobesimtarit. Xhelozia e Allahut është prej cilësive të Tija me të cilat veçohet Allahu, andaj xhelozia e Tij nuk është si e krijesave të Tija (bile as e përafërt), por ajo është cilësi e cila i takon Madhërisë së Tij, siç është edhe hidhërimi, kënaqësia dhe cilësi tjera të cilat janë veçori të Tija.[4]

Poashtu thotë Pejgamberi (sala Allahu alejhi ue sel-lem) në Hadithin e Xhabirit: “Ka prej xhelozisë që e don Allahu dhe ka prej saj që e urren Allahu …”[5]

Thotë esh-Sheukani në komentimin e këtyre fjalëve: “Xhelozia që e don Allahu: është xhelozia e njeriut kur të sheh se ndonjë prej grave të afërta me të bën diçka të ndaluar, për këtë xhelozia që është në këtë kontekst është prej xhelozisë që e don Allahu. Ndërsa xhelozia e urrejtur është p.sh: Njeriu të xhelozon që nëna e tij[6] të ketë kontakt intim me burrin e saj, ose ndonjë prej femrave të familjes që i ka të kenë kontakt me bashkëshortët e tyre, kjo është xhelozia e urrejtur tek Allahu, sepse atë që e ka lejuar Allahu, duhet të jemi plotësisht të kënaqur me atë, ndërsa nëse nuk kënaqemi atëherë i japim përparësi fanatizmit injorant ndaj asaj që na e ka ligjësuar Allahu.”[7]

Thotë Aliu (radijAllahu anhu): “Xhelozia është dy lloje:

– Xhelozi e mirë dhe e bukur me të cilën njeriu e përmirëson bashkëshorten dhe familjen;

– Xhelozi e cila e shpien në Zjarr, e stimulon që të vret dhe ai i përgjigjet këtij stimulimi.”[8]

Tregim mbresëlënës

Thotë Esma, bija e ebu Bekr-it (radijAllahu anhuma): “Kur ez-Zubejri u martua me mua , ai nuk kishte as tokë as pasuri, as skllav … “ Andaj Esma duhej që të punoj shumë, të gatuan bukë, duke shkuar larg për të marrë ujë. “Dhe unë i mbaja mbi kokën time”, ajo tregon, “…bërthamat e hurmave, nga vendi i ez-Zubejrit që i Dërguari i Allahut (sala Allahu alejhi ue sel-lem) ia kishte dhuruar atij dhe kjo ishte në largësi prej 1/3 të fersekhit[9] (2 km) nga Medina . Një ditë, ndërsa isha duke i mbajtur bërthamat e hurmave mbi kokën time, e takova të Dërguarin e Allahut (sala Allahu alejhi ue sel-lem), së bashku me një grup të shokëve të tij. Ai më thirri dhe urdhëroi devenë që të ulet, me qëllim që të hypi unë pas tij. U ndjeva e turpëruar që të ec rrugës me burrat dhe mu kujtua ez-Zubajri dhe xhelozia e tij dhe ai ishte prej njerëzve më xheloz. I Dërguari i Allahut (sala Allahu alejhi ue sel-lem) e kuptoi hezitimin dhe turpin tim dhe u largua. Erdha në shtëpi dhe i tregova ez-Zubejrit çfarë kishte ndodhur, kurse ai tha : “Pasha Allahun, për mua është më rëndë që ti t’i mbash bërthamat e hurmave mbi kokë, sesa të kishe hypur mbi devenë e tij.”[10]

Shikoni dinjitetin dhe turpin e Esma-së, shih sesi ajo u turpërua para njerëzve, shih sesa e kujdesshme ishte ajo për ndjenjat e burrit të saj! Ajo e dinte se bashkëshorti i saj ishte shumë xheloz, kështu që ajo nuk dëshironte që ai të mërzitet, edhepse Profeti (sala Allahu alejhi ue sel-lem) ishte njeriu më i ndershëm dhe më larg ndalesave të Allahut!

Dhe shikoni ez-Zubejrin (radijAllahu anhu), edhe ai ishte njeri xheloz, nuk dëshironte që xhelozia e tij të bëhet shkak që mos ta pranon me zemër të hapur këtë sakrificë kaq të madhe të Esma-së (radijAllahu anha).

Ndonjëherë muslimanja nuk e kupton të atin, burrin ose vëllaun e saj, kur ai është xheloz për të, kur ai ndjen se duhet ta mbrojë këtë perlë të shtrenjtë, kur ai i vëren shikimet keqdashëse të meshkujve ndaj saj. Mirëpo motra  ime në Islam, ji krenare që bashkëshorti yt është xheloz për ty, ji krenare që ai të vlerëson dhe kujdeset për ty, për Dynjanë dhe Ahiretin tënd. Ai shpesh herë e din më mirë sesi mendojnë meshkujt tjerë, për këtë shkak kjo ndjenjë e tij ndaj teje, duhet që të të bën krenare, të nderuar dhe të respektuar, sepse nderi i muslimanes është diçka shumë e shtrenjtë.

Ka dallim të madh në mënyrën sesi Islami e trajton dhe e vlerëson femrën dhe sesi në mënyrë nënçmuese shumica e shoqërive e trajtojnë femrën.

Ne si musliman duhet që të kemi kujdes dhe t’i ruajmë vlerat tona, siç janë: modestia, turpi dhe xhelozia, duhet të kujdesemi mos t’i humbim, si shkak i asaj se jetojmë në rrethe ku shumica këto cilësi nuk i llogaritin më si vlera të mirëfillta.

Andaj nuk është turp dhe as nënçmim për ne si besimtarë të mundohemi ti ringjallim këto vlera të humbura në shoqëritë tona, ngase kjo është obligim me të cilin ne krenohemi dhe shpresojmë që me këtë ta largojmë një pjesë të përgjegjësisë tonë përpara Allahut.

Allahu na dhashtë sukses!

Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi njeriun më të mirë, Muhamedin, mbi familjen e tij, mbi shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që e pasojnë sinqerisht deri në Ditën e Gjykimit.

Përgatiti: Ali Ashani


[1] Ahmed Ali – islam21c.com

[2] Edh-Dheriatu ila mekarimi esh-Sheriah fq.347

[3] Buhariu (2901)

[4] Komentimi i Kapitullit të Teuhidit nga Sahihu i Buhariut të Abdullah el-Gunejman (1/335)

[5] Ebu Davudi (2659), En-Nesai (5/78), Albani e ka cilësuar si autentik

[6] Në rast se nëna e tij është martuar me dikë tjetër pas shkurorëzimit ose vdekjes së atit të tij. Sh.P.

[7] Nejl el-Eutar (7/287)

[8] El-Muhtarah (2/226)

[9] El-fersekh është njësi matëse e vjetër për distancë e cila është përafërsisht 6 km. Sh.P.

[10] Buhariu (4926)