»O ju që besoni! Ruani veten dhe familjet tuaja nga zjarri, karburante (lëndë djegëse) të të cilit janë njerëzit dhe gurët, dhe të cilin e mbikëqyrin engjëjt e fuqishëm dhe të ashpër, të cilët nuk u kundërshtojnë urdhrave të Allahut dhe të cilët punojnë për atë që urdhërohen.« (et-Tahrim, 6)
Të dashur vëllezër,
Kurani na kujton se ne si robër dhe përfaqësues të Zotit në Tokë, përveç përgjegjësisë personale, kemi marrë amanetin dhe përgjegjësinë edhe për familjen tonë. Muslimani vazhdimisht e ka ndër mend se për shkak të neglizhencës ndaj të afërmve dhe moskryerjes së detyrimeve prindërore mund ta përjetojë dënimin e ahiretit.
Për shkak të dështimeve apo gabimeve tona, duke e neglizhuar familjen tonë, ne mund të ndëshkohemi edhe në këtë botë. Është dënim i vështirë dhe i dhimbshëm kur njeriu mbetet i privuar nga dashuria, respekti dhe mbështetja e bashkëshortes së tij apo bashkëshortit të saj. Është dhimbje e thellë dhe zbrazëti kur njeriun e harrojnë fëmijët e tij, nipërit e mbesat, vëllezërit dhe motrat. Është përvojë e hidhur dhe sprovë, kur njeriut ia kthejnë shpinën kushërinjtë dhe të afërmit, ndërsa ai, dikur i dashur dhe i mbrojtur në folenë familjare, mbetët i vetmuar dhe i braktisur. Në të njëjtën kohë, pa marrë parasysh sa i ka dashur më të afërmit e tij, sa ka jetuar me ta i lumtur dhe i gëzuar, besimtari kurrë nuk duhet t’i harrojë fjalët e Allahut të Plotfuqishëm:
إِنَّمَا أَمْوَالُكُمْ وَأَوْلَادُكُمْ فِتْنَةٌ ۚ وَاللَّـهُ عِندَهُ أَجْرٌ عَظِيمٌ ﴿١٥﴾
»S’ka dyshim se pasuria juaj dhe fëmijët tuaj janë sprovë, e te Allahu shpërblimi është i madh.« (et-Tegabun, 15)
Të gjithë ne, pa dallim dhe pa përjashtim, kemi nevojë për familje. Në fëmijëri, familja dhuron dashuri dhe vetëbesim, ndërsa në moshë të pjekur ofron rehati dhe mbështetje. Askush, madje as pejgamberët, nuk kanë mundur vetëm t’i mposhtin sfidat dhe pengesat e jetës. Ata janë shqetësuar nga pleqëria pa familje dhe pa pasardhës.
Zekerijja a.s. në lutjet e tij është lutur me përulësi: „O Zoti im, mos më lë vetëm!“ Jakubi a.s. u verbua nga dhimbja për djalin e tij Jusufin a.s., Ibrahimi a.s. në lutjet e tij u lut për furnizim dhe mbrojtje të gruas tij Haxheres dhe djalit Ismailit a.s. Pa ndihmën e vëllait të tij Harunit a.s. as Musai a.s. nuk ka mundur t’i rezistojë tiranisë dhe të keqes së Faraonit.
Për shkak të kësaj, ne jemi të detyruar që kohë pas kohe t’ia kujtojmë vetvetes dhe të tjerëve se familja është porti ynë i shpëtimit dhe kalaja e qetësisë. Nuk ka karrierë apo profit që mund ta zëvendësojë sigurinë dhe ngrohtësinë e shtëpisë së familjes.
Nuk ka medalje më të shkëlqyeshme sesa atësia dhe amësia e përgjegjshme dhe e suksesshme. Nëse e ruajmë familjen tonë, me ndihmën e Allahut, ne do t’i kompensojmë të gjitha të tjerat që i lëshojmë apo e vonojmë kryerjen e tyre. Nëse i shkëpusim lidhjet farefisnore dhe i prishim marrëdhëniet familjare, asgjë nuk mund të na kompensojë dhe të na e kthejë atë që kemi humbur.
Përvoja gjithashtu na mëson, se të gjitha vlerat e përhershme të jetesës së pari i mësojmë në familjet tona, e pastaj në shkolla dhe në fakultete. Respektin që sot e tregojmë ndaj të moshuarve, së pari e kemi mësuar në shtëpinë tonë duke i respektuar prindërit.
Vlerat morale si solidariteti dhe bujaria, pa të cilat nuk mund të mbijetojë asnjë shoqëri, gjithashtu, i mbartim nga familjet tona. Prindërit janë të parët që na kanë mësuar se është e bukur dhe e lavdëruar që të mirën ta ndajmë me vëllezërit dhe motrat, ndërsa është e shëmtuar dhe egoiste që suksesin dhe të mirën ta dëshirojmë vetëm për vete.
Familja jonë sot është e ekspozuar ndaj sprovave të shumta. Ne ndjeshëm e kemi shkurtuar kohën në të cilën shkojmë përtej distancave hapësinore, por gjithnjë e më pak kemi kohë për njëri-tjetrin. Edhe mjetet e komunikimit i kemi përmirësuar, megjithatë, na mungojnë bisedat e sinqerta, mirëkuptimi dhe besimi reciprok. Shumë prej nesh sot jetojmë më mirë se prindërit tanë, por, në të njëjtën kohë, jemi më të pakënaqur dhe më mosmirënjohës se ata. Po mendojmë se përgjithmonë i kemi bërë të lumtur të gjithë pasardhësit tonë, duke ua siguruar ekzistencën e tyre materiale, por, ndoshta kurrë nuk kemi tentuar ta kuptojmë me të vërtetë bashkëshorten tonë, ta ndjejmë botën e brendshme të fëmijës sonë, ta njohim psherëtimën dhe shqetësimin e prindërve tanë.
Pejgamberi savs na udhëzon që të kemi mirëkuptimin midis brezave. Ai na këshillon që të tregojmë ndjeshmëri të veçantë ndaj fëmijëve dhe të rinjve, ndërsa ndaj të vjetërve, ndaj etërve dhe nënave, ndaj gjyshërve dhe gjysheve tona të shprehim respektin e merituar.
لَيْسَ مِنّا مَنْ لًمْ يَرْحَمْ صَغِيِرَناَ وَ لاَ يَعْرِفْ شَرْفَ كًبيِرِناَ
Nuk na përket neve ai që nuk ka mëshirë për të rinjtë dhe që nuk tregon respekt për pleqtë tanë – porosit Muhamedi savs. (Hadithin e regjistron Ebu Davudi dhe Tirmidhiu)
Prandaj, sot, kur ne po flasim për rëndësinë e familjes dhe të vlerave familjare, le ta shqyrtojmë gatishmërinë tonë, që familjen ta forcojmë me shembullin personal të prindërve të mirë, të fëmijëve të butë dhe të mëshirshëm, të vëllezërve dhe motrave të cilët e duan njëri-tjetrin, e ndihmojnë dhe këshillojnë. A jemi të gatshëm që si prindër dhe anëtarë të familjes të marrim përsipër pjesën tonë të përgjegjësisë dhe t’i pranojmë gabimet dhe lëshimet tona?!
Prindërit shumë shpesh janë të zënë me obligmet e tyre të punës, kështu që fëmijët janë të detyruar ta kalojnë kohën e tyre me të tjerët. Meqenëse askush fëmijëve tanë nuk mund tu japë dashuri dhe edukim, ashtu siç janë në gjendje ta bëjnë prindërit e ndërgjegjshëm dhe përgjegjës, atëherë duhet të kujdesemi mirë, se kujt do t’ia besojmë kujdesin e fëmijëve tanë gjatë mungesës sonë.
Veçanërisht ne jemi të detyruar të kujdesemi për shëndetin e fëmijëve tanë. Na brengos paraqitja e epidemive dhe sëmundjeve të fëmijëve të mitur, të cilat janë rezultat i kujdesit të pamjaftueshëm prindëror për trajtimin e tyre mjekësor në kohën e duhur. Prindërit e përgjegjshëm, për të mirën e fëmijëve të tyre, i ndjekin dhe zbatojnë këshillat profesionale dhe parandaluese të mjekëve. Në të njëjtën kohë, shëndeti fizik dhe mendor i fëmijëve dhe të rinjve është i rrezikuar edhe nga përdorimi i tepruar i teknologjisë moderne. Në një fazë shumë të hershme të jetës, madje edhe në moshën parashkollore, disa prindër ua mundësojnë dhe lejojnë fëmijëve të tyre përdorimin e telefonave celularë, tabletave dhe teknologjive të tjera. Edhe kur shprehitë e tilla të këqija e rrezikojnë shëndetin e fëmijëve dhe lënë pasoja në zhvillimin e tyre psikologjik dhe emocional; ne rrallë gjejmë mënyra që me vendosmëri t’i përmirësojmë dhe ndryshojmë.
Le t’i paralajmërojmë dhe t’i mësojmë të rinjtë tanë për pasojat negative të qasjes së pakufizuar në teknologjinë moderne. Zvogëlimi i aktivitetit fizik, deformimet e ndryshme për shkak të uljes së gjatë, ekspozimi ndaj dhunës dhe pornografisë, si dhe abuzimi virtual janë vetëm disa nga pasojat që fëmijët dhe të rinjtë përballen në botën virtuale. Rinisë sonë duhet përkujtuar se teknologjia moderne është mjet që duhet t’i shërbejë njeriut, dhe jo obsesion nga i cili do të bëhemi të varur duke e sakrifikuar pjesën më të madhe të kohës së lirë dhe aktiviteteve.
Le tu shpjegojmë atyre se nuk është e mirë dhe e moralshme gjithçka që ofrohet aty. Siç duhet të insistojmë në përsëritje të vazhdueshme dhe trajnime, që tu ndihmojmë fëmijëve për ta mësuar matematikën dhe drejtshkrimin, në mënyrë të njëjtë, ne nuk guxojmë ta lejojmë braktisjen e “detyrave të shtëpisë” nga morali dhe etika. Fëmijët tanë shumë shpejt do t’i harrojnë mësimet e moralit, nëse të gjithë ne, në jetën e përditshme ato mësime nuk i jetësojmë dhe zbatojmë praktikisht.
Nuk mjafton vetëm të kritikojmë dhe t’i identifikojmë mangësitë dhe të metat e pasardhësve tonë. Çdo efekt negativ që shfaqet në sipërfaqe e ka shkakun e tij më të thellë. Sa më shumë t’i mbyllim sytë mbi shkaqet e mangësive tona, pasojat negative do të jenë më të mëdha dhe më të vështira. Sa më shumë që ta drejtojmë gishtin tonë tek tjetri, për ta kërkuar tek ai fajin për dështim, aq më larg do të jemi nga zgjidhja e problemit i cili na shqetëson.
Hasan el Basriu ka thënë: „Në qoftë se e vëren te fëmija yt atë që e urren, pendohu tek Allahu i Plotfuqishëm dhe kërko falje prej Tij, sepse ajo është pjesë e natyrës tënde, përkatësisht, mëkati yt të cilin e ke kryer më parë.“
Të dashur vëllezër,
Allahu i Plotfuqishëm ju premton falje atyre të cilët pas fjalëve të rënda, fyerjeve dhe lidhjeve të shkëputura familjare dhe farefisnore mbledhin forcë për të falur, për rivendosjen e lidhjeve të shkëputura dhe vazhdojnë tu bëjnë mirë dhe tu ndihmojnë të afërmve të tyre.
Habili nuk ia ktheu në të njëjtën masë urrejtjen e Kabilit, Jusufi a.s. ua fali vëllezërve intrigat dhe padrejtësitë. Shumica e punëve të tyre kanë mbetur deri sot ideal dhe frymëzim për besimtarët. Duke i ndjekur të dërguarit e Allahut, muslimani me durim i fal të afërmit, sepse pret dhe shpreson që edhe atij t’ia fal Ai që fal shumë. Duke falur, muslimani në sytë e besimtarëve bëhet model i mirësisë dhe ndershmërisë, kurse tek Allahu i Plotfuqishëm e arrin reputacion të veçantë dhe shkallë të lartë.
Le t’i dëgjojmë fjalët e Allahut: „Të ndershmit dhe të pasurit nga ju, të mos betohen se nuk do t’u japin të afërmve, të varfërve dhe atyre që për hir të Allahut lanë vendlindjen e tyre, por le t’ua falin (gabimin) dhe mos t’ua zënë për të madhe (mos të mbajnë inat). A nuk dëshironi që Allahu t’u falë. Allahu falë dhe mëshiron shumë.“
O Zoti ynë dhurona neve në gratë tona dhe trashëgimtarët tanë burim gëzimi, dhe bëna neve shembull për të devotshmit! O Zoti ynë! Mos na i shmang zemrat tona, pasi që na i ke udhëzuar në rrugën e drejtë, na dhuro mëshirën Tënde; Ti, me të vërtetë je Ai që dhuron shumë! “O Zoti ynë, falna neve dhe vëllezërit tanë, të cilët kanë besuar para nesh dhe mos lejo që në zemrat tona të ketë asnjë të keqe ndaj besimtarëve; O Zoti ynë, Ti je, me të vërtetë, i butë dhe mëshirues!”
Burimi: Preporod.com
Përshtati: Miftar Ajdini
P.S.
– Kjo hutbe është përgatitur nga Drejtoria për Çështje Fetare e Rijasetit të Bashkësisë Islame të BeH (në Sarajevë), në kuadër të aktiviteteve të rregullta për afirmimin e familjes dhe vlerave familjare. Hutbeja është lexuar më datë 19. 01. 2018, në namazin e xhumasë në xhamitë e vendit dhe në diasporë.
– Meho Shlivo; Shef i Departamentit për Hutbe, Vaz dhe Irshad.