1. Zejd ibn Thabiti – i riu mësues dhe Hafizii Kuranit; 2.Këshilla për hartuesit e kurrikulave; 3.Këshilla për nxënësit; 4.Këshilla për mësuesit; 5.Këshilla për prindërit.

Falënderimi i takon Allahut, të Diturit, Bujarit, i Cili mësoi me penë, ia mësoi njeriut atë që nuk e dinte. Dëshmoj se nuk ka zot tjetër të adhuruar me të drejtë përveç Allahut, dhe dëshmoj se Muhamedi është robi dhe i Dërguari i Tij. Salavatet dhe selamet e shumta qofshin mbi të, mbi familjen e tij dhe mbi shokët e tij.
E më pas, o robër të Allahut! Kini frikë Allahun me devotshmërinë e vërtetë, dhe frikësohuni Atij në fshehtësi dhe haptazi. Allahu i Madhëruar thotë:

يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا اتَّقُوا اللَّهَ حَقَّ تُقَاتِهِ وَلَا تَمُوتُنَّ إِلَّا وَأَنْتُمْ مُسْلِمُونَ

“O ju që besuat! Kini frikë Allahun ashtu siç i takon të keni frikë prej Tij, dhe mos vdisni veçse duke qenë muslimanë.”

O robër të Allahut!

A keni dëgjuar ndonjëherë për njeriun e parë në historinë e myslimanëve, që mblodhi Librin e Madhërueshëm të Kuranit në një Mus’haf ?

Heroi ynë është Zejd ibn Thabit el-Ensarij, Allahu qoftë i kënaqur me të. Kur i Dërguari i Allahut ﷺ erdhi si muhaxhir në Medinë, ia sollën përpara tij Zejd ibn Thabitin, i cili ishte ende një djalosh i vogël, vetëm njëmbëdhjetë vjeç. Ata i thanë të Dërguarit ﷺ: “Ky është një djalosh nga fisi i Benu Nexhharit, i cili ka mësuar përmendësh disa sure të shpallura prej Allahut e kjo i pëlqeu Profetit ﷺ, i cili tha:

“O Zejd, mëso shkrimin e çifutëve, sepse, për Allahun, unë nuk kam besim te çifutët për letërkëmbimet e mia me ta.”

Zejdi tregon: “Unë u përkushtova dhe mësova shkrimin e tyre saqë nuk kaluan pesëmbëdhjetë netë, derisa e zotërova plotësisht. Më pas, kur ata i shkruanin ndonjë letër të Dërguarit ﷺ, unë ia lexoja, dhe kur ai donte të përgjigjej, unë ia shkruaja.” (1)

Në një transmetim tjetër thuhet se Profeti ﷺ e pyeti: «A di ti gjuhën siriane? Sepse më vijnë letra në atë gjuhë. Ai tha: “Jo.” Atëherë Profeti ﷺ i tha: “Mësoje atë.”  Zejdi tregon: “Unë e mësova atë gjuhë për shtatëmbëdhjetë ditë!” (2)

Ja pra një shembull i flakës së entuziazmit dhe i vullnetit të pathyeshëm: në më pak se gjysmë muaji, Zejdi mësoi gjuhën e çifutëve derisa e zotëroi me mjeshtëri, e madje mësoi edhe gjuhën siriane. Lum për të zotët e fuqisë dhe mençurisë!

Zeyd ibn Thabiti e vazhdoi jetën e tij në rrugën e dijes, derisa u bë mbledhësi i Kuranit, shkruesi i shpalljes, imam në fikh, dijetar i njohur i çështjeve të trashëgimisë dhe gjykimit.

Kur ndërroi jetë i Dërguari i Allahut ﷺ, sahabët e nderuar u bashkuan në një mendim të vetëm: që Kurani Famëlartë të mblidhej në një Mus’haf të vetëm. Dhe pikërisht për këtë detyrë të madhe, Ebu Bekr es-Sidiku, Allahu qoftë i kënaqur me të,  e zgjodhi Zejd ibn Thabitin, duke i thënë: “Ti je një djalosh i ri, i mençur, dhe ne nuk  dyshojmë në ty për asgjë. Ti ke qenë ai që ia shkruaje shpalljen të Dërguarit të Allahut ﷺ. Prandaj, ndiqi pjesët e Kuranit që janë ruajtur në zemrat e sahabëve dhe ato që janë shkruar, dhe mblidhi në një Mushaf të vetëm.” (3)

Dhe kështu, Zejd ibn Thabiti r.a. e mori përsipër këtë detyrë madhështore, nën mbikëqyrjen e sahabëve të mëdhenj, duke e përmbushur atë me përkushtimin më të lartë dhe me besnikërinë më  të plotë.

O robër të Allahut!

Vërtet, kombet ndërtohen me krahët e bijve të tyre dhe me fuqinë e rinisë së tyre, me ta ngrihen lavditë, ruhet feja dhe mbrohet vatani.

Dhe, gurthemeli i parë që duhet të vihet në ndërtimin e fëmijëve tanë, pas besimit, është largimi i injorancës përmes dijes, sepse ata janë udhëheqësit e së ardhmes dhe zemra e umetit që rreh .

Ja, ky është Urveh ibn Zubejri, Allahu e mëshiroftë, i cili i mblidhte fëmijët e tij dhe u thoshte:  “O bijtë e mi, mësoni, sepse nëse sot jeni të vegjlit e një populli, ka gjasë që nesër të bëheni të mëdhenjtë e një populli tjetër.”(4)

O vëllezër në Islam!

Ne ndodhemi në prag të  vitit të ri shkollor, ku fëmijët tanë shkojnë në shkolla dhe universitete, ku kalojnë pjesën më të madhe të kohës së tyre, duke mësuar në to edukatën dhe dituritë e dobishme. Dhe meqë feja është këshillë, atëherë këto janë disa këshilla të domosdoshme:

Së pari: për hartuesit e kurrikulave mësimore, të cilat janë themeli i parë i procesit arsimor.

U themi atyre: dija është e llojllojshme,  ka prej saj që është e dobishme, ka prej saj që nuk ka dobi, dhe ka prej saj që është e dëmshme, pa asnjë të mirë. Amaneti të cilin Allahu ua ka ngarkuar, kërkon që çështja t’u besohet njerëzve të aftë, duke zgjedhur kompetentët që hartojnë programet më të plota, më të dobishme dhe më të domosdoshme, si për fenë ashtu edhe për dynjanë.

Ata duhet të largojnë programet e kota ose të prishura, dhe të pastrojnë shkencat e dynjasë nga çdo gjë që bie ndesh me Besimin islam dhe me Sheriatin e tij.

Prandaj, kujdesuni për amanetin tuaj, mësoni fëmijët tanë atë që ruan fenë e tyre, i mbron nga sprovat e dyshimeve dhe të epsheve, u forcon në shpirt krenarinë islame, dhe i përforcon në mbajtjen fort pas ligjit të Allahut dhe sunetit të të Dërguarit të Tij ﷺ.

Së dyti: këshilla për fëmijët tanë, për bijtë e zemrave tona, që rrinë roje në llogoret e diturisë, duke ndërtuar lavdinë e përjetshme të umetit tonë.

O shpresa e pritur e këtij umeti: dija e parë që duhet të gdhendet në zemrat tuaja dhe të shkruhet në mendjet tuaja është dija mbi Allahun dhe fenë e Tij. Ç’vlerë ka një njeri që nuk njeh Zotin e tij dhe fenë e tij, edhe nëse ka arritur shkallët më të larta në shkencat e kësaj bote? Allahu i Lartësuar thotë: “Dije se nuk ka zot tjetër të adhuruar me të drejtë përveç Allahut.” [Muhamed: 19].

Pastaj, dijeni, Allahu ju ruajtë, se çdo dituri e dobishme që i duhet umetit, dhe nga mungesa e së cilës i shkaktohet dëm dhe vështirësi myslimanëve, kërkimi i saj është farzi kifaje– obligim kolektiv; dhe shpërblimi i saj tek Allahu është i madh dhe me shumë sevape.

Po ashtu, dijeni, Allahu ju ruajtë, se muslimanin e veçon nga të tjerët qëllimi dhe synimi i tij. Prandaj, mos e bëni qëllimin tuaj në mësim vetëm arritjen e dunjasë dhe kënaqësive të saj me çdo mjet; mos e bëni qëllim vetëm ngritjen, karrierën, famën e pushtetin. Por bëjeni qëllimin tuaj largimin e injorancës nga vetvetja, që të jeni besimtarë të fortë, të dobishëm për veten dhe për umetin tuaj, të kryeni obligimet e përbashkëta që i takojnë gjithë umetit t’i realizojë. Atëherë, hapat tuaj në tempullin e diturisë do të jenë në peshoren e veprave të mira.

Pastaj, dijeni se Allahu do t’ju pyesë për rininë tuaj, sepse ajo është koha e mbjelljes dhe e ujitjes. I Dërguari ﷺ ka thënë: “Nuk do të lëvizë këmba e birit të Ademit Ditën e Kiametit para Zotit të tij, derisa të pyetet për pesë gjëra: për jetën e tij,  se ku e shpenzoi; për rininë e tij, se ku e harxhoi; për pasurinë e tij, se nga e fitoi dhe në çfarë e shpenzoi; dhe për atë që bëri me diturinë që kishte.” (5)

Dijeni gjithashtu se rruga më madhështore për arritjen e diturisë është devotshmëria ndaj Zotit të botëve, Atij që ka thënë: “Nëse keni frikë Allahun, Ai do t’ju japë dallueshmëri (mes të vërtetës e të kotës).” [Enfal: 29].

Me devotshmërinë ndaj Allahut hapen dyert e diturive, mprehen mendjet dhe kuptimet. Allahu e mëshiroftë  Ibn el-Verdin, i cili ka thënë:

“Ki frikë Allahun, sepse devotshmëria ndaj Allahut,
kurdo që  zemrën e një njeriu shoqëron,  ajo atë   në shpëtim e çon.”

Le të jetë kujdesi yt i parë, o biri im,  përmirësimi i fesë sate, ruajtja e namazit tënd dhe devotshmëria ndaj Allahut kudo që të gjendesh. Nëse ti e ruan Allahun, Ai do të të ruajë ty.

Dhe dijeni,  Allahu ju ruajtë, se feja jonë na urdhëron që të jemi seriozë dhe të përpiqemi, që ta marrim librin me vendosmëri dhe përkushtim.

Ka thënë Profeti ﷺ: “Allahu është Bujar dhe Ai e do bujarinë e virtytet e larta të moralit, ndërsa  gjërat e ulëta i urren.” (6)

Po ashtu  Profeti ynë ﷺ ka thënë:
“Allahu e do që kur ndonjëri prej jush bën një punë, ta bëjë atë në mënyrën më të përsosur.” (7)

Prandaj, përqendrohu në mësimet e tua me seriozitet dhe përpjekje të palodhur, dhe duro gjatë të nxënit me vendosmëri e maturi. Sepse dija nuk arrihet me rehati të trupit; kush i përkushtohet jastëkut, humbet udhëheqjen.  Është fakt se begatia  nuk arrihet nëpërmjet begatisë.

Dhe dijeni,  Allahu ju ruajtë nga e keqja,  se shoku është magnet, ashtu siç ka thënë Profeti ﷺ: “Njeriu është në fenë e shokut të tij, prandaj secili prej jush le të shohë se me kë po shoqërohet.” (8) Prandaj, zgjidh për veten tënde një shok të mirë, të devotshëm dhe punëtor, sepse shpirtrat janë ushtri të mbledhura dhe shpendët bashkohen me të ngjashmit e tyre; sa e sa herë sëmundja  ka infektuar  edhe të shëndoshin.

Pastaj dijeni se nderimi dhe respektimi i mësuesve dhe mësueseve është shenjë e fesë dhe e moralit. Profeti ﷺ ka thënë:
“Nuk është prej nesh ai që nuk e nderon të moshuarin tonë, nuk e mëshiron të voglin tonë si dhe nuk ia njeh të diturit të drejtën e tij.” (9)

Ndërsa tallja dhe përqeshja e mësuesit është shenjë oguri i keq dhe cilësi  poshtërsie, të cilën nuk e bën veçse më i ulti ndër njerëz.

Së treti: Këshillë drejtuar kujdestarëve të bijve tanë, drejtuar mësuesve dhe mësueseve, atyre që formojnë pasurinë më të madhe të kombeve: njeriun e drejtë.

Juve, o ju që gdhendni diturinë në kraharorët e brezave, që jeni në një front të madh, prandaj kini kujdes që muslimanët të mos dëmtohen prej anës tuaj.

Amaneti i gdhendjes së dijes dhe mbjelljes së vlerave është prej amaneteve më të rënda, por në të njëjtën kohë është prej veprave më të mëdha të mira.

A nuk e keni dëgjuar fjalën e Profetit ﷺ: “Njerëzit më të dashur te Allahu janë ata që janë më të dobishmit për njerëzit.” (10)

Prandaj, jepni gjithë mundin tuaj në mësimin e bijve të muslimanëve: lehtësoni dhe mos e vështirësoni, silluni me butësi e jo me ashpërsi. Sepse kështu ishte Mësuesi më i mirë që ka shkelur tokën, Profeti ynë Muhamed ﷺ.  Muavije ibn Hakemi, radijAllahu anhu, kur gaboi, dhe  pasiqë ai e mësoi tha për të: “Nuk kam parë mësues para tij e as pas tij më të mirë në mësim sesa ai. Pasha Allahun, nuk më qortoi, nuk më rrahu e as nuk më shau.” (11)

Ka ardhur koha që ju të nxirrni breza të pajisur me duar punëtore dhe me sy të kthjellët, që nuk e njohin korrupsionin dhe shkatërrimin, as përuljen e as thyerjen. Prandaj, mbështetuni tek Allahu dhe bëhuni të durueshëm për ditën e nesërme, sepse shumë shpejt mbjellja do të forcohet e do të bëhet e fuqishme.

Qoftë i bekuar për mua dhe për ju Kur’ani Famëlartë, dhe Allahu më bëftë mua dhe juve të përfitojmë prej atyre ajeteve që gjenden në të  dhe prej përkujtimit të urtë. Kërkoj falje nga Allahu për veten time dhe për ju, prandaj kërkoni falje prej Tij, vërtet Ai është Falës dhe Mëshirues.

Hutbeja e Dytë

Falënderimi i takon Allahut, e salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin e Allahut, mbi familjen e tij, shokët e tij dhe mbi ata që e mbështesin.

Pas kësaj:

Mesazhi i fundit për ju, o prindër  baballarë dhe nëna:

Fëmija i mirë është një bekim, e treguesi i mirësië dhe shpëtimit të tij është besimi dhe devotshmëria e tij. Le të jetë kjo gjëja më e madhe për të cilën kujdeseni në çështjet e tyre. Mbjellni në zemrat e tyre kuptimet e imanit, mësoni ata për fenë e tyre, dhe mos i largoni nga xhamitë dhe  hallkat  e Kur’anit, sepse besimi dhe drejtësia janë themeli i ndërtimit.

Dhe dijeni se kjo treshe: xhamia, shtëpia dhe institucionet e dobishme arsimore  kur bashkëpunojnë, nxjerrin breza të drejtë e të dobishëm. Secili ka rolin e vet, ato bashkëveprojnë dhe nuk kundërshtojnë njëri-tjetrin, përkundrazi plotësojnë njëri-tjetrin dhe nuk pengojnë.

Mbjellni në shpirtin e fëmijëve tuaj këtë ajet: “Dhe përgatituni për ta sa të mundni nga fuqia.” [Enfal: 60]

Mësoni ata se muslimani duhet të mbështetet tek Allahu, por të mos bëhet  pasiv, të përpiqet dhe të mos dorëzohet.

Gdhendni në zemrat e tyre amanetin e Profetit ﷺ: “Besimtari i fortë është më i mirë dhe më i dashur për Allahun se besimtari i dobët, dhe në të dy ka  mirësi. Kujdesu për atë që të sjell dobi, kërko ndihmën e Allahut dhe mos u dorëzo.” (12)

O Allah, përmirëso për ne fenë tonë, e cila është shpëtimi i çështjeve tona, përmirëso për ne jetën tonë në këtë botë, në të cilën kemi  jetesën tonë, dhe përmirëso për ne Ahiretin tonë, aty ku është kthimi ynë.

O Allah, ndihmo Islamin dhe ndero myslimanët, e shkatërro armiqtë  kriminelë. O Allah, zbrit qetësinë në zemrat e atyre që luftojnë në rrugën Tënde, shpëto robërit e Tu të shtypur, dhe ngrit flamurin e fesë me fuqinë Tënde, o i Fortë dhe i Patundur.

Zoti ynë, dhurona mirësi në këtë botë dhe mirësi në Ahiret, dhe  na ruaj nga dënimi i Zjarrit.

_____________

1.Transmeton Ebu Daudi në Sunen (3647). Albani e ka cilësuar hasen në Silsiletul-Sahiha (nr. 187).

  1. Transmeton Ibn Hibban (7136). Albanie ka cilësuar sahih në el-Ta‘likat el-Hisan ala Sahih Ibn Hibban (10/218).
  2. Transmeton Buhariu në Sahih(4679).
  3. Transmeton ed-Darimiu.
  4. Transmeton Tirmidhiu në Xhami‘(2416). Albani e ka cilësuar hasen në Silsiletul-Sahiha (nr. 946).
  5. Transmeton Taberaniu në el-Mu‘xhem el-Kebir(6/181). Albani e ka cilësuar sahih në Silsiletul-Sahiha (nr. 1378).
  6. Transmeton Tirmidhiu në Xhami‘(2416). Albani e ka cilësuar hasen në Silsiletul-Sahiha (nr. 946).
  7. Transmeton Taberaniu në el-Mu‘xhem el-Kebir(6/181). Albani e ka cilësuar sahih në Silsiletul-Sahiha (nr. 1378).
  8. Transmeton Ebu Ja‘la në Musned(4386). Albani e ka cilësuar hasen në Silsiletul-Sahiha (nr. 1113).
  9. Transmeton Ahmed ibn Hanbeli në Musned(8417). Albani e ka cilësuar hasen në Silsiletul-Sahiha (nr. 927).
  10. Transmeton Ahmed ibn Hanbeli në Musned(22755). Albani e ka cilësuar hasen në Sahih el-Xhami‘ (nr. 5443).
  11. Transmeton Taberaniu në el-Mu‘xhem el-Eusat (6026). Albani e ka cilësuar hasen në Silsiletul-Sahiha (nr. 906).

 

Përktheu dhe përshtati

Thirrja.org – Nisma për zhvillimin e imamëve – thirrësve