Nëse e parcializojmë adhurimin, atëherë agjërimi i Ramazanit është adhurimi më i gjatë për nga koha, krahasuar me adhurimet tjera me të cilat jemi obliguar, si namazi, zeqati, haxhi etj. Aq gjatë u shoqëruam me të, sa që ndarja nga ai na krijoi zbrazëti në zemrat tona. Sa më gjatë që shoqërohesh me ndokënd që e do, aq më e fortë është ndjenja e mërzisë dhe e dhimbjes kur të ndahesh nga ai. Kështuqë, tani po ndihemi të vetmuar nga ikja e Ramazanit. Por, ligji i kësaj jete nuk është tjetër, vetëm se bashkim dhe ndarje. Sa do që ne duam të mos ndahemi nga më të dashurit, por rrethanat e jetës janë të atilla, që na detyrojnë me patjetër të ndahemi. Ndarjet janë për arsyje të shumta, por pa marrë parasysh arsyet, ato janë fenomeni dominues i kësaj jete. Ashtu sikur që tha Pejgamberi a.s.: ”Duaje kënd të duash një ditë do të ndahësh nga ai”
E vetmja lidhje dhe shoqërim që nuk këputet është lidhja dhe shoqërimi me Allahun e Lartëmadhërishëm. Ai ishte me ne kur në ishim në botën e dherrit (shpirtit), është me ne në këtë jetë, do të jetë me ne edhe në berzah (varreza), kur edhe të afërmit na na braktisin,sikur që do të jetë me ne edhe në ahiret, atëherë kur çdo njëri është i preokupuar me veten e tij. Andaj, shoqërimi me Të, është i vetmi shoqërim që nuk të lë vetëm për asnjë moment të jetës apo vdekjes.
Gjatë Ramazanit dhamë maksimumin nga vetja jonë për të vepruar vepra të mira dhe për të ikur nga veprat e liga. Por duhet kuptuar se qëllimi i gjithë kësaj, thjesht nuk ishte të bësh, apo të mos bësh. Qëllimi i Ramazanit ishte që ti vet të bëhesh, të përmisohesh e të ndryshosh. Është fjala, që të ndryshosh nga brenda, si bindjet, idetë, mendimet e gabuara duke i zëvendësuar ato me ide, bindje e mendime të sakta. Po ashtu të ndryshosh edhe nga jashtë, duke i ndyshuar fjalët dhe sjelljet e gabuara me fjalë dhe sjellje të pranuara derisa ato të bëhen karakteri yt. Andaj, Ramazani ishte një frymëzim që na nxiti drejt këtij qëllimi, por duhet vazhduar edhe pas tij, ngase Ramazani nuk ishte qëllim në vete, por një mjet që na shërbeu ta shfaqim njerëzoren, që të kthehemi në thelbin e jetës, dhe kështu ta forcojmë lidhjen me Allahun xh.sh. përmes një adhurimi të fuqishëm.
Ne, thjesht përfunduam një trajnim një mujor, në forcimin e lidhjeve me Zotin tonë, e që tani ky trajnim duhet të reflektojë në jetën e përditshme gjatë gjithë vitit. Ata që nuk e kuptuan drejt muajin e Ramazanit, i godet një fatkeqësi në dy gjëra të fesë:
– E para – Rënia në zbatimin e adhurimit.
Nuk është e ndershme që tani pas Ramazanit ta krijojmë ndjenjën e përfundimit të sezonit me adhurim. Ngase adhurimi është në vazhdimësi, deri në momentet kur do ta takojmë Zotin tonë. Nga ky këndvështrim, Ramazanin duhet parë si një bonus shtesë nga ana e Allahut, e jo sikur fillimi dhe përfundimi i raporteve me Allahun. Zoti na drejtohet kështu në një ajet Kur’anor:
وَٱعۡبُدۡ رَبَّكَ حَتَّىٰ یَأۡتِیَكَ ٱلۡیَقِینُ
Adhuroje Zotin tëndë derisa të vie e vërteta(vdekja-takimi me Zotin). Hixhër 99.
– E dyta – Prishja e asaj që u ndërtua gjatë Ramazanit
Nëse e lirojmë epshin të veprojë lirshëm sepse tani paska shkuar Ramazani atëherë, do ta shkatrrojmë gjithë atë që ndërtuam përgjatë gjithë Ramazanit. Nëse gjuhës ia japim lirinë e pa kontrulluar për të folur, syrit për të shikur, dorës për të kapur, veshit për të dëgjuar, zemrës për të urrejtur e lakmuar, atëherë ia kemi vënë uthëllen mjaltit. Allahu na drejtohet në Kur’an duke na thënë:
وَلَا تَكُونُواْ كَٱلَّتِي نَقَضَتۡ غَزۡلَهَا مِنۢ بَعۡدِ قُوَّةٍ أَنكَٰثٗا
Mos u bëni si ajo gruaja që e shprish dhe e bën fije-fije atë që e ka tjerrë fort…Nahel 92.
Çfarë na porositi i Dërguari a.s. për të bërë që të ruajmë vazhdueshmërinë në adhurim?
I Dërguari a.s. pas Ramazanit agjëronte vet dhe i nxiti sahabët që të agjërojnë gjashtë ditët e muajit Sheval, muajit që tani gjindemi në të. Ai thotë në një hadith:
“Kush agjëron gjashtë ditë pas Fitrit plotëson me to vitin, sepse kush vjen me një të mirë ajo vlenë për të dhjetë të tilla.”
Ai këtë e mbështeste me ajetin kuranor: “Kush vjen me një të mirë ka për të dhjetë të tilla…” Sure En’am: 160.
Andaj, i Dërguari a.s. nga kuptimi i këtij ajeti, që flet për bereqetin e veprës së mirë, specifikon agjërimin e gjashtë ditëve të muajit Sheval. Ja, sa i mëshirshëm që është Zoti me ne. Një për dhjetë, ngase popujt e më hershme jetuan më gjatë dhe arritën shpërblime të mëdha. Ndërsa,ne kemi një jetë të shkurtër, por me mundësi që t’ia arrijmë umetet e më hershme, Ai na ndryshoi llogarinë, për një të mirë të paguan dhjetëfish.
Vellëzër të dashur!
Kushdo që ndjen plogështi në adhurim të Zotit, le ta kujtojë mirësinë e Zotit që derdhi mbi të. Ai ta dha jetën, shëndetin, familjen e shumë të tjera që nuk arrin t’i blesh në asnjë treg të botës, sa do i pasur që je. Nuk mundesh t’ua marrësh të tjerëve për vete sado i pushtetshëm që je. Pra, ti je krijesa më e vlefshme për vetvetën tënde, je unikat i pazëvëndsueshëm dhe i pa përseritshëm në jetën e kësaj bote. Lavdroje emrin e Zotit që të fitosh lavdin e Tij, e që nuk do të kesh nevojë per lavdin e askujt tjeter.