Falënderimi i qoftë Allahut të Madhërishëm, kurse bekimi dhe paqja qoftë mbi Pejgamberin Muhamed (savs), mbi familjen e tij dhe mbi shokët e tij. Paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë edhe mbi shehidët, mbi të gjithë të vdekurit tonë dhe mbi njerëzit që kërkojnë rrugën e së mirës.
Të dashur vëllezër!
Hutbeja e sotme e mban titullin: “Ndryshime të vogla, rezultate të mëdha”
Filozofi i famshëm francez, Denis Didero, jetoi pothuajse gjithë jetën e tij në varfëri, por gjithçka ndryshoi në vitin 1765. Kur Didero ishte 52 vjeç, vajza e tij duhej të martohej, por ai nuk ishte në gjendje t’i përballonte shpenzimet për pajën e saj. Pavarësisht mungesës së pasurisë së tij, emri i Dideros ishte i njohur si një nga themeluesit dhe shkrimtarët e Enciklopedisë, të njërës nga enciklopeditë më gjithëpërfshirëse të kohës. Kur Katerina e Madhe, perandoresha e Rusisë, dëgjoi për problemet financiare të Dideros, përndryshe asaj i pëlqente shumë enciklopedia e tij, ajo ofroi t’ia blinte bibliotekën e tij për 1000 paund, që ishte rreth 150,000 dollarë të sotëm. Papritur Didero bëri para për të shpenzuar. Tani, ai jo vetëm që kishte para për të paguar dasmën e vajzës, por e mori edhe një mantel të shtrenjtë për vete. Manteli i shtrenjtë i Dideros ishte i bukur. Në fakt, ishte aq i bukur sa vuri re menjëherë sesi manteli nuk ishte në përputhje me gjërat e tjera që posedonte. Sipas Dideros, midis mantelit të tij dhe gjërave të tjera që posedonte “tash nuk kishte më koordinim, unitet, bukuri”. Filozofi së shpejti ndjeu dëshirën për të blerë disa gjëra të reja që do të përputheshin me bukurinë e mantelit të tij. Ai e zëvendësoi qilimin e tij të vjetër me një të ri të prodhuar në Damask; pasaj e dekoroi shtëpinë e tij me skulptura të bukura dhe një tavolinë kuzhine më të mirë. E bleu edhe një pasqyrë të re, kurse karrigen e vjetër e zëvendësoi me një prej lëkure. Sikurse copëzat e dominos që bien, një blerje çonte në një tjetër, një tjetër çonte në një të tretë, e kështu me radhë.
Sot, ky lloj i sjelljes, do të thotë, tendenca për t’i blerë gjërat njëra pas tjetrës quhet efekti i Dideros, dhe kjo në kuptimin ekonomik nuk është aspak e mirë për individin. Por nëse e zbatojmë këtë efekt të Dideros në ndërtimin e shprehive të mira, atëherë mund të jetë shumë pozitiv.
Një burrë erdhi te pejgamberi Muhamed (a.s.) dhe i tha: “O i Dërguar i Allahut, kam shumë vese të këqija, cilin prej tyre duhet ta braktisi së pari?” Pejgamberi (a.s.) tha: “Së pari braktise gënjeshtrën dhe gjithmonë thuaje të vërtetën.” Burri i premtoi se do ta bënte këtë dhe shkoi në shtëpi. Kur ra nata, burri po bëhej gati të shkonte për të vjedhur. Por, para se të dilte nga shtëpia, iu kujtua për një moment premtimi që i kishte bërë Pejgamberit (a.s.): “Nëse nesër Pejgamberi më pyet se ku kam qenë, çfarë do t’i them?” A do t’i them se shkova për të vjedhur? Jo, nuk mund ta bëj këtë. Por as unë nuk mund të gënjej. Nëse them të vërtetën, të gjithë do të më urrejnë, do të më quajnë hajdut dhe do të ndëshkohem edhe për vjedhje.” Kështu burri vendosi të mos vidhte atë natë dhe e la këtë zakon të keq. Të nesërmen ai donte të pinte verë, por kur ishte gati ta bënte këtë, mendoi: “Çfarë do t’i them Pejgamberit nëse më pyet se çfarë kam bërë gjatë ditës? Nuk mund të gënjej, por nëse them të vërtetën njerëzit do të më urrejnë sepse muslimanit nuk i lejohet të pijë verë.” Kështu ai hoqi dorë edhe nga qëllimi i tij për të pirë verë. Dhe kështu, sa herë që ky njeri mendonte të bënte diçka të keqe, kujtonte premtimin e tij për ta thënë gjithmonë të vërtetën. Një nga një, ai hoqi dorë nga të gjitha shprehitë e tij të këqija.
Vëllezër të dashur!
Të gjithë ne, pavarësisht titullit apo profesionit që mbajmë, kemi shumë shprehi të këqija që duhet t’i ndryshojmë. Ne nuk mund t’i ndryshojmë të gjitha përnjëherë, ashtu siç nuk mundi as ky burri që erdhi te Pejgamberi (a.s.). Por nëse fillojmë t’i ndryshojmë një nga një, atëherë, nëse kemi ndonjë turp në vetvete, dhe turpi është pjesë e besimit, thotë Pejgamberi (a.s.), pas një kohe të caktuar, do të shohim se duke i hedhur këta hapa të vegjël, do të arrijmë rezultate të shkëlqyera.
Për t’i sqaruar të gjitha këto, do ta theksoj një shembull: Ka njerëz që kanë shumë para, por nuk shkojnë në haxhillëk sepse shejtani u pëshpërit: “Si do të shkosh ti në haxhillëk“! pastaj, nëse dëshiron të pishë birrë, kurse ti ke qenë në haxhillëk, kjo nuk shkon kështu. Nëse dëshiron të fyeshë e të ofendosh, kurse ti ke qenë në haxhillëk, kjo nuk shkon kështu.“ Dhe kështu shejtani ua përmend njerëzve shprehitë e tyre të këqija, në mënyrë që t’i pengojë dhe largojë ata nga veprat e mira; nga namazi, nga xhamia, nga Kurani, nga haxhillëku etj.
Prandaj është shumë e rëndësishme që njeriu ta bëjë hapin e parë drejt së mirës: të vijë në xhami, të fillojë t’i mësojë shkronjat e Kuranit, të vendosë të shkojë në haxhillëk, ta gjejë një mik (shok) besimtar, të fillojë të agjërojë… sepse kur ta hedhë këtë hap të parë, atëherë do t’i vijë turp, sikur Dideros, dhe sikur këtij sahabiu që t’i bëjë gjërat që ka bërë deri tani. Do të turpërohet, që edhe të shkojë në xhami edhe t’i dalin sharjet nga goja. Do të turpërohet, që edhe jetë haxhi edhe ta mbajë shishen e birrës në dorë. Do të turpërohet, që edhe të agjërojë edhe të ushqehet me haram. Atij do t’i vijë turp të bëjë mëkat në prani të miqve të tij besimtarë.
Të dashur vëllezër!
Allahu i Plotfuqishëm thotë: “Fale namazin në mëngjes e mbrëmje dhe në një kohë të natës, sepse veprat e mira i shlyejnë veprat e këqija. Kjo këshillë vlen për ata që i pranojnë këshillat.“ (Hud, 114)…
O Zoti ynë, me përulësi të lutemi t’i shpëtoshë vëllezërit dhe motrat tona në Palestinë.
O Zoti i mëshirshëm, bëj që të marrin fund vuajtjet e tyre, të cilat po zgjasin me dekada.
O Allah, bëj që fëmijët e Palestinës të jenë vetëm fëmijë dhe jo viktima të terrorit. Bëj që nënat t’i rrisin fëmijët e tyre të lumtur dhe jo t’i numërojnë plumbat në trupin e tyre.
O Allahu i Plotfuqishëm, bëj që hipokritët të cilët janë në gjendje të ndihmojnë, që më në fund t’i hapin sytë dhe ta bëjnë këtë.
O Sundimtar i drejtë, bëje Palestinën një oazë paqeje dhe xhenet në këtë botë. Amin!
Përshtati: Miftar Ajdini