Falënderimi i takon All-llahut. Atë efalënderojmë dhe prej Tij falje dhe ndihmë kërkojmë. Kërkojmë mbrojtje ngaAll-llahu prej të këqijave të vetvetes dhe të veprave tona. Kë e udhëzon All-llahu s’ka kush e lajthit dhe kë e largon nga rruga e vërtetë, s’ka kush eudhëzon. Dëshmoj se s’ka hyjni tjetër përveç All-llahut , i Cili është Një dhe dëshmoj se Muhammedi është rob dhe i dërguar i Tij.
“O ju që keni besuar, keni frikë All-llahun me njëfrikë të denjë dhe mos vdisni, pos duke qenë muslimanë!” (Ali Imran:102)
“O ju njerëz! Keni frikë Zotin tuaj që ju ka krijuar prej njëveteje dhe nga ajo krijoi palën e saj, e prej atyre dyve u shtuan shumë burra e gra. Dhe keni frikë All-llahun që me emrin e Tij përbetoheni, ruajeni farefisin, se All-llahu është Mbikqyrës mbi ju.” (En-Nisa:1)
“O ju besimtarë, keni frikë All-llahun dhe thuani fjalë të drejta. Ai (All-llahu) ju mundëson të bëni vepra të mira, jua shlyen mëkatet e juaja,e kush respekton All-llahun dhe të Dërguarin e Tij, ka shpëtuar me një shpëtim të madh.” (El-Ahzab:70:71)
Thënia më e vërtetë është thënia e All-llahut, kurse udhëzimi më i mirë – udhëzimi i Muhammedit sal-lall-llahu ‘alejhi ve sel-lem. Veprat më të këqia janë ato të shpikurat, çdo shpikje është bid’at dhe
çdo bid’at është lajthitje, e çdo lajthitje çon në zjarr…
Ndikimi i vesit të keq tek njeriu
Falënderimet dhe lavdërimet janë vetëm për Allahun, paqja, mëshira dhe bekimet për Muhamedin, familjen dhe shokët e tij deri në ditën e Gjykimit.
Vëllezër besimtarë! Jini të përkushtuar ndaj Allahut pasi kush është i përkushtuar ndaj Tij ka siguruar lumturinë e vërtetë si dhe shpëtimin në të dy jetët. “O ju që keni besuar! Jini të përkushtuar ndaj Allahut me përkushtim të vërtetë e mos vdisni ndryshe por vetëm si myslimanë.”Ali-Imran 102
Të nderuar myslimanë!
Besimtari i vërtetë e i sinqertë përpiqet dhe mundohet fort që të arrijë suksesin në të dy jetët. E tërë vëmendja dhe interesi i tij janë drejtuar nga Jeta e Amshueshme, ndaj për këtë ai ia shtron vetes rrugën me vepra të mira e të dashura tek Allahu. “Dhe nga njerëzit është edhe ai cili e shet veten e vet (e mohon vetveten) duke kërkuar kënaqësinë e Allahut. Dhe Allahu është plot mirësi ndaj robëve (të Tij).” El-Bekare 207
Gjëja më e rrezikshme për besimtarin në këtë jetë të mbushur me sprova është mashtrimi nga epshet dhe dëshirat e kota dhe ç`orientuese të cilat përbëjnë të keqen e madhe pasi nuk lenë person as bashkësi pa e prishur dhe shthurur.
Profeti(paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të) duke folur në lidhje për këtë aspekt thekson: “Ajo nga e cila druhem më shumë për ju janë epshet dhe dëshirat e shfrenuara në ushqime (të ngrënë), epshi i dëshirave seksuale, si dhe çdo pasion ç`orientues (çoroditës).” Ahmedi
Epshet dhe pasionet përafërsisht janë të njëjta në kuptim, vetëm se pasionet në të shumtën e rasteve kanë të bëjnë me idetë e personit ndërsa epshet me sigurimin e kënaqësive materiale të kësaj jete. E ajo që vlen të theksohet është se epshet s`janë gjë tjetër vetëm se rrjedhojë e pasioneve të sëmura. Allahu i Madhëruar në Kur`an ka përmendur popuj të cilët ishin shumë më të fuqishëm, më të pasur e më me begati sesa ne, por për fat të keq u dhanë pas pasioneve dhe dëshirave të mbrapshta e si pasojë ranë viktimë e punëve të poshtra e u sprovuan rëndë e kjo vetëm sepse ata iu përgjigjën mirësive të Allahut me mëkate ndaj i përfshiu dënimi i tmerrshëm. Ata i bënë pasionet e tyre të shfrenuara rrugë e metodë të jetës së tyre duke mos fituar gjë tjetër veç mundimit e poshtërimit. Duke folur për ta, Allahu në Kur`an na thotë: “Si puna e tyre para jush; ata ishin më të fuqishëm sesa ju dhe më të begatë në pasuri e fëmijë. Ata e shijuan pjesën e tyre (për një kohë), shijojeni pra edhe ju pjesën tuaj (për një kohë) siç e shijuan ata para jush pjesën e tyre (për një kohë). Edhe ju u dhatë e u kënaqët në lojra e dëfrime njësoj siç u dhanë e u kënaqën edhe ata në lojra e dëfrime. Kështu janë ata veprat e të cilëve janë të kota (për) në këtë botë dhe (për) në Botën e Përtejme. Të tillët janë ata që janë të humbur.”
Et-Teube 69
Ndaj ruajuni e mos shkoni asaj rruge që ata zgjodhën.
Të nderuar myslimanë!
Lufta më e rëndë është lufta kundër pasioneve pasi rruga e tyre është e ngatërruar, koha e tyre e gjatë dhe e mbushur me të këqija dhe sprovime. Profeti (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të) thotë: “Lufta më e rëndë është kur njeriu lufton (të mposhtë) vetveten dhe pasionet e tij.”
Ibn Tejmijje(Allahu e mëshiroftë) duke folur për këtë pikë thotë: “Lufta për mposhtjen e vetvetes dhe pasioneve të saj është baza e luftës ndaj pabesimtarëve dhe hipokritëve pasi askush nuk mund t`i mposhtë ata pa mposhtur vetveten dhe pasionet e saj. Nëse arrin t`a bëjë këtë atëherë mund të jetë i aftë për luftë kundër tyre (armiqve). Kushdo që e mposht vetveten me pasionet e saj të mbrapshta ka arritur lumturi dhe krenari ndërsa atë që e mposht vetvetja dhe pasioni është poshtëruar e ka sharruar.”
Vëllezër besimtarë!
Zemra është vendi ku mund të zërë vend e mira dhe e mbara, nëse është e edukuar dhe mbrujtur me të, por në të njëjtën kohë aty mund të zërë vend e keqja, shthurja dhe poshtërsitë nëse njeriu është dhënë pas dëshirave dhe pasioneve mashtruese. Kështu është puna e njeriut, nëse ia plotëson vetvetes çdo tekë dhe jepet pas tyre atëherë është mundur (nënshtruar) e nëse mbahet dhe frenohet do të jetë i qetë nga lodhjet e mundimet e kësaj jete. “Për Nefsin (Ademin, njeriun ose shpirtin) dhe për Atë i Cili e përsosi atë në përmasa. Pastaj i tregoi atij çfarë është e gabuar dhe çfarë është e drejtë për të. Vërtet që do të ngadhënjejë ai i cili e pastron vetveten (dmth bindet dhe kryen gjithçka që urdhëron Allahu). Dhe vërtet dështon ai i cili e prish vetveten (nuk i bindet Allahut).” Esh-Shems 7-8-9-10
Profeti(paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të) thotë: “Çdo njeri e shet vetveten. Pastaj, ai ose do të jetë shpëtuesi i saj ose shkatërruesi i saj.” Tirmidhiu
Vëllezër myslimanë!
Vërtet që pushteti i pasioneve përforcohet me anë të shtytjeve dhe premisave të tyre, me anë të gjërave që i ndihmojnë ato. Ky është pushtet shumë i rëndë dhe i poshtër, ndaj nëse njeriu nuk tregohet i ruajtur dhe i përkushtuar atëherë do të bjerë në këto pasione poshtëruese e shkatërruese. Kushdo që druhet se po ik koha për kthesë le të ngutet e të pendohet para se t`a kapë vdekja. Profeti (paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të) thotë: “Xheneti është i rrethuar me gjëra të pakëndëshme (për njeriun) ndërsa Xhehenemi është i rrethuar me gjëra të pëlqyeshme (për të).” Bukhariu, Muslimi
(Dmth: Njerëzit janë të obliguar të kryejnë gjëra (vepra) të cilat i shohin si të vështira e të mundimshme, në mënyrë që të fitojnë Xhenetin ndërsa Xhehenemi nuk kërkon mund, mjafton që njeriu të jepet pas dëshirave dhe qejfeve të cilat i pëlqen dhe do t`a arrijë atë që e meriton (Xhehenemin) (sh.p.).
Ruajuni të nderuar vëllezër nga çdo rrugë që çon tek pasionet apo i nxit ato. Ruajuni nga e keqja dhe rreziku i tyre, mos u mashtroni e t`ju viheni prapa se shija e tyre është e hidhur edhe pse mund të duket e ëmbël në fillim.
Kujdesuni për vetvetet duke ua rregulluar gjërat që dëshirojnë si dhe duke i përmirësuar dhe mbarësuar ato pasi dëshirat personale nëse nuk mbarësohen kthehen në pasione të sëmura. Le të jenë për ju fjalët e Allahut drita që ndriçon rrugën dhe qartëson idetë: “O ju që keni besuar! Në qoftë se i nënshtroheni Allahut dhe e keni frikë Atë, atëherë Ai do t`ju garantojë juve një parim për të gjykuar mes së drejtës dhe të gabuarës ” El-Enfal 29
Profeti(paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të) thotë: “Ju kam lënë dy gjëra të cilave nëse i përmbaheni nuk do të gaboni kurrë (nuk do të ç`orientoni kurrë nga udha e drejtë). Ato janë Libri i Allahut (Kur`ani) si dhe suneti (rruga apo tradita ime).” Hakim
Kini kujdes! Mos u përzini me ata që janë dhënë pas pasioneve pasi qëndrimi me ta është sprovë. A nuk e shihni se ata i ka mashtruar kjo jetë dhe se mendojnë e përpiqen si e si t`i arrijnë ato gjëra që ia kërkojnë vetvetet. Pasionet e tyre të sëmura i kanë bërë të jepen pas epsheve e kënaqësive të përkohshme.
Ja pra, kështu është puna e çdo kujt që jepet pas dëshirave. Mendimet (idetë) e tij janë të pavlera, pasionet e tij të çuditshme dhe veprat e tij të dyshimta. Për këta Allahu thotë në Kur`an: “A e ke parë ti atë që ka zgjedhur zot të tij dëshirën e vet? A do të ishe ti përgjegjës ndaj tij. Apo mendon se shumica e tyre dëgjojnë ose kuptojnë. Ata janë veçse si bagëti;- jo, ata janë edhe më tej në rrugë të gabuar, larg Udhës (së Drejtë),(dmth akoma më keq se bagëtitë).” El-Furkan 43-44
Për këtë parardhësit tanë të mirë thonin: “Ruajuni nga dy grupe njerëzish, nga ata që janë mashtruar pas dëshirave dhe nga ata që janë mashtruar pas kësaj jete.”
Vëllezër myslimanë!
Çdokush që i fton njerëzit larg kësaj fejé dhe mirësive të saj, ai padyshim është i zhytur në pasione të sëmura dhe shthurje. Po ashtu kushdo që punon në kundërshtim me atë që porosit Allahu dhe i dërguari i Tij, del kundër mendimit të përbashkët të myslimanëve duke preferuar ide dhe vepra që nuk kanë bazë në fe dhe bën propagandë të tillë me preteksin se duhet t`i përshtatemi ndryshimeve të kohës (të jemi bashkohorë), t`i nënshtrohemi globalizmit (gjithpërfshirjes) së ekonomisë e popujve, padyshim që i tilli është fundosur në llumin e pasioneve të mbrapshta. Për të tillin nuk lejohet kurrfarë bindje apo përkrahje pasi ai vetë është i pabindur ndaj Allahut dhe të dërguarit të Tij. Ja si e porosit Allahu të dërguarin e Tij: ” dhe mos shko pas dëshirave të tyre të kota duke u shmangur nga e vërteta e cila të ka ardhur ty ” El-Maide 48
Në një ajet tjetër thotë: ” dhe mos u shko pas dëshirave të tyre të kota, por tregohu i vëmendshëm ndaj tyre që të mos të të kthejnë e të të largojnë nga disa gjëra që Allahu t`i ka zbritur ty. Por nëse ata largohen, atëherë dije se është dëshira e Allahut për t`i ndërshkuar ata për disa mëkate të tyre. Dhe vërtet shumica e njerëzve janë të pabindur (ndaj Allahut).” El-Maide 49
Po ashtu, Allahu thotë: ” Thuaj (o Muhamed): Unë nuk do të ndjek dëshirat tuaja boshe. Sikur ta bëja këtë do të isha i humbur (nga e Drejta) dhe nuk do të isha më prej të udhëzuarve drejt.” El-En`amë 56
” Vërtet sikur të ndiqje dëshirat e tyre pas asaj dije që ke marrë (nga Allahu), atëherë padyshim do të ishe prej të gabuarve.” El-Bekare 145
e sa e sa ajete të tjera që flasin për këtë çështje.
Nga ana tjetër i bëj thirrje besimtarëve të ruhen nga ata që përpiqen t`i mveshin fésë tonë atë që nuk është prej saj si dhe janë të mashtruar pas dëshirave të kota, të cilët kanë lënë Kur`anin dhe sunetin (rrugën e Profetit) pas dore duke preferuar mbi ta idetë e tyre apo mendime filozofësh me qëllim të prishjes dhe shthurjes së njerëzve.
Ruajuni nga këta pasi kanë futur hundët thellë duke prekur aty ku nuk ju lejohet, tek emrat dhe cilësitë e Allahut, saqë i kanë shtrembëruar nga e vërteta që përmbajnë apo më keq i kanë mohuar fare. E kjo nuk tregon gjë tjetër, por shthurjen dhe çoroditjen që i ka kapluar pasi mendjet e tyre i çuan në këtë gjendje. Dhe Profeti(paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të) thotë të vërtetën kur thekson: “Do të dalin nga rradhët e ummetit tim (myslimanëve) njerëz tek të cilët vrapojnë (rrjedhin) pasionet e tyre ashtu siç rrjedh tërbimi nëpër pjesët e trupit të njeriut, saqë nuk do të lënë pjesë të trupit të tyre pa depërtuar në të.” Ebu Dauti
Zoti na ruajtë nga fjalët e kota dhe të poshtra!
Allahu në Kur`an thotë: “Dhe të Allahut janë të gjithë Emrat më të bukur, kështu që luteni Atë me ta dhe largojuni shoqërisë së atyre që përgënjeshtrojnë (dhe përdhosin) Emrat e Tij. Ata shpejt do të shpërblehen për çfarë kanë vepruar.” El-A`rafë 180
Ndaj ndiq atë që thotë Kur`ani dhe që ka ardhur e saktë nga goja apo veprat e Profetit(paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të) pasi vetëm kështu do të gjesh udhëzimin e drejtë e mos pyet pse e si pasi kjo është portë mjaft e rrezikshme që i tërheq të mençurit e të diturit drejt injorancës e verbimit.
Vëllezër myslimanë! Nga pasionet e mbrapshta është të afrohesh t`i kërkosh Allahut (të fitosh kënaqësinë e Tij,(sh.p.) me vepra të cilat nuk i ka ligjëruar (me risi e shpikje në fé) të çfarëdolloj qofshin këto, ide, bindje, adhurime etj. Asgjë nuk do t`i shtojë atij që i vepron vetëm se largim dhe distancim nga Allahu. Le t`ia vëmë veshin më të sinqertit dhe më besuarit, Muhamedit(paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të) kur thotë: “Kapuni fort pas sunetit tim (rrugës sime) dhe sunetit (rrugës) së katër kalifëve të udhëzuar drejt. Kapuni fort për të dhe shtrëngojeni me dhëmbë e ruhunu nga gjërat e shpikura (në fé) pasi çdo gjë e shpikur (në fé) është risi e çdo risi humbje dhe largim (nga udha e drejtë).” Ebu Daud
Mos harroni se Profeti(paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të) thotë gjithashtu: “Kush shpik (sjell) në këtë çështje tonën (në fé) diçka që nuk është prej saj, nuk do t`i pranohet (do t`i kthehet mbrasht).” Bukhariu, Muslimi
Ndërsa në një transmetim tjetër: “Atij që vepron diçka për të cilën nuk kemi porositur do t`i kthehet mbrapsht (puna e tij).”
Vërtet, këto janë fjalët e Profetit(paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të) i cili nuk flet në erë, por gjithçka që ai flet janë shpallje dhe frymëzim nga Allahu. Fjalën e tij nuk e polemizon tjetërkush përveç atij që faktet i ka të rrëzuara e përpjekjet të dështuara. Abdullah ibn Mes`udi(Allahu qoftë i kënaqur prej tij) thotë: “Ne jemi pasues ndjekës (të asaj që ka ardhur) e jo shpikës (nuk na takon të sjellim diçka të re në fé). E sa kohë që t`ju përmbahemi urdhërave nuk do të humbasim rrugën e drejtë.”
Me të vërtetë është për të ardhur keq nga fakti se sot janë përhapur gjëra të shpikura në fé aq shumë dhe njerëzit kanë rënë në gjumë para tyre duke i pranuar e mos i luftuar në shumë vende myslimane. Kjo është padiskutim vepër e rëndë e papëlqyer pasojat e së cilës janë mjaft të rrezikshme e që e bën ndëshkimin të meritueshëm. Ndaj për këtë, çdo mysliman e ka për detyrë t`a bëjë të qartë rrezikun e tyre, t`i dënojë e t`ua tërheqë myslimanëve vërejtjen nga e keqja që ato ndjellin. Profeti(paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të) thotë: “Feja është këshillë “! Thamë:Për kë o i dërguari i Allahut? Tha: “Për Allahun, librin e Tij, të dërguarin e Tij, për prijësit e myslimanëve dhe mbarë ata.”
Muslimi
Ndërsa Xherir ibn Abdullah(Allahu qoftë i kënaqur prej tij) thotë: “Ia dhashë besën të dërguarit të Allahut se do t`a fal namazin, do t`a jap zekatin si dhe do t`a këshilloj çdo mysliman.” Bukhariu
O ju myslimanë!
Kujdesuni për vetvetet tuaja dhe mësojini ato të jenë të drojtur nga Allahu dhe të shpresojnë prej Tij e mos i lini të shkojnë pas dëshirave të mbrapshta pasi ato çojnë në humbje e shkatërrrim. Profeti(paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të) thotë: “Tri gjëra janë shpëtimtare(për njeriun); Droja nga Allahu haptas dhe fshehtas, drejtësia në pëlqim dhe urrejtje (inat) si dhe nikoqirllëku në pasuri e varfëri, ndërsa tri gjëra janë shkatërruese; Pasioni i ndjekur, kopracia e tepruar si dhe vetëkënaqësia tek njeriu.” Tabarani
Siç paraqesin rrezik ato që përmendëm më lart, po kështu rrezik paraqet edhe marrja pjesë e prezantimi në tubime e kuvende ku myslimani bie viktimë e sprovës që e çon deri në luhatjen e tij në çështjet bazë të fesë. Për këtë ai duhet t`i lutet Allahut t`a forcojë e t`a largojë nga e keqja e kësaj jete dhe sprovat e ndryshme. Abdullah ibn Abbasi(Allahu qoftë i kënaqur prej tij) tregon se Profeti(paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të) ua mësonte atyre këtë lutje siç ua mësonte atyre kapitujt e Kur`anit. “ALL-LLAHUMME INNI EUDHU BIKE MIN ADHABI XHEHENNEME, UE EUDHU BIKE MIN ADHABIL KABRI, UE EUDHU BIKE MIN FITNETIL MESIHID-DEXH-XHALI, UE EUDHU BIKE MIN FITNETIL MAHJA UEL MEMATI.”
Muslimi
(O Allah! Më ruaj nga ndëshkimi i Xhehenemit dhe i varrit, më ruaj nga sprova e Dexhalit (Shpëtimtarit të rremë), nga sprova e kësaj jete si dhe nga sprova e vdekjes).”
Mos u bëni pra nga ata që shkojnë pas qejfeve e dëshirave të tyre duke i sprovuar vetvetet e duke merituar ndëshkimin siç thotë Allahu: ” dhe mos ndiq dëshirën tënde, pasi ajo do të të largojë nga Udha e Allahut. Sigurisht se ata që enden të humbur larg Udhës së Allahut (do të ) kenë ndëshkim të rreptë, për shkak se ata harruan Ditën e Llogarisë.”
Sad 26
Ndaj, i bëj thirrje çdo kujt që është zhytur në gjynahe, i humbur pas pasioneve të tij, që i del Allahut para (i shfaqet) me vepra të cilat Ai i urren si dhe vepron gjithçka në kundërshtim me ato që Ai urdhëron dhe që nuk i friket dënimit të Tij t`i thotë vetes stop, mjaft më me arrogancë e gjynahe.
Pendohuni o besimtarë nga këto vepra dhe kërkoni falje nga Allahu para se të jetë vonë, para se t`i shkatërroni vetvetet sepse Allahu ia pranon pendimin atij që pendohet, kthehet nga e keqja dhe i nënshtrohet Atij. “Allahu pranon vetëm pendimin e atyre që bëjnë gjynah nga padija dhe marrëzia dhe pendohen menjëherë pas kësaj dhe janë mu këta ata të cilët do t`i falë Allahu dhe Allahu është kurdoherë i Gjithëdituri, më i Urti Gjithëgjykues. E nuk ka pendim për ata të cilët vazhdojnë të bëjnë vepra të këqija derisa t`ju vijë përballë vdekja dhe të thonë: “Tani pendohemi”, as edhe për ata që vdesin duke qenë mosbesimtarë. Për ta Ne kemi përgatitur dënim të dhimbshëm.” En-Nisa 17-18
O ti që e sheh varrin me sy, që i dëgjon porositë dhe këshillat. A nuk e sheh se qortuesin e ke para syve. Ruaju pra dhe përgatitu. Ki kujdes e ruaje vetveten mos të dëbohesh nga shoqërimi i të dashurit tënd Muhamedit Ditën e Gjykimit.
Ja sesi thotë Profeti(paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të) : “Do të rri në krye të Haudit (vend i mbushur me ujë që do t`i dhurohet Profetit Muhamed(paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të) në Ditën e Kijametit e kushdo që pi prej tij nuk do të ndjejë më etje kurrë; sqarim i përkthyesit) duke pritur se kush do të vijë. Disa njerëz do të kapen pas meje (e do të largohen). Do të pyes: “O Allah, edhe populli im”? Do të thotë: “A di gjë ti se çfarë kanë bërë pas teje?! Ata janë kthyer mbrapsht nga ajo që i pate urdhëruar?! Dhe pastaj do t`ju them: Larg, larg nga unë të gjithë ata që i ndërruan gjërat (porositë) pas meje.” Bukhariu, Muslimi
Ndaj ruajuni nga ndërrimet dhe zëvendësimet e asaj që urdhëron Allahu dhe porosit Profeti(paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të) ! Ruajuni nga ftuesit e së kotës dhe injorancës e mos bini pre e tyre. Ruajuni nga ata që kërkojnë e ftojnë për liberalizim (liri absolute) të femrës, të cilët dëshirojnë t`ia zhveshin asaj rrobën e trupit e të nderit! Ruajuni nga ata që e pëlqejnë dhe e përkrahin europianizimin dhe amerikanizimin e këtij populli (myslimanëve).
Pikërisht nga gjëra të tilla na e tërheq vërejtjen Allahu kur thotë: “Allahu dëshiron t`ju bëjë të qartë juve (çfarë është e ligjshme dhe çfarë është e paligjshme) dhe t`ju tregojë se ç`kanë vepruar ata para jush dhe t`ju pranojë juve pendimin tuaj. Dhe Allahu është i Gjithëditur më i Urti Gjithëgjykues. Allahu dëshiron t`jua pranojë pendimin, ndërsa ata që ndjekin epshet e tyre, duan tmerrësisht që ju të largoheni larg e më larg prej Rrugës së Mbarë.” En-Nisa 26-27
Ndërsa Profeti(paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të) thotë: “Kush thërret për në rrugën e drejtë do të shpërblehet me shpërblimin e të gjithë atyre që e pasojnë pa ua cënuar atyre shpërblimin aspak, ndërsa kush thërret për në rrugë të gabuar do të ketë (mbajë) gjynahet (barrët) e të gjithë atyre që e pasojnë pa i liruar ata nga gjynahet (barrët) aspak.” Muslimi
E pra, ruajuni nga veprat të cilat janë shkak për nxirjen e fytyrave, për dënim e ndëshkim të rreptë. Kapuni fort pas besimit Islam e mos e lëshoni atë! Dijeni se gjërat e dyshimta janë me rrezik ndaj mos iu afroni atyre. Mos harroni se kjo jetë është helm gjarpërinjsh, ndërsa ata që mashtrohen pas saj janë të molisur e të helmuar. Pak është jeta në këtë botë, si nata të cilën e mbulon drita e mëngjesit apo si një udhëtim i shkurtër që harrohet!
Të nderuar vëllezër besimtarë!
Ruajuni nga pasimi i dëshirave kur të gjykoni ndaj të tjerëve apo të dëshmoni për ta. Allahu thotë: ” e mos lejoni që armiku dhe urrejtja ndaj të tjerëve t`ju bëjë që t`i shmangeni drejtësisë. Jini të drejtë, kjo është më afër përkushtimit dhe kini frikë Allahun. Padyshim që Allahu është në Dijeni të plotë për çdo gjë që ju veproni.” El-Maide 8
Ebu Hurejra (Allahu qoftë i kënaqur prej tij) thotë se amaneti (gjëja e besuar) do të kthehet në përfitim, sadakaja (lëmosha) gjobë, dëshmia thjesht dituri dhe do të gjykohet sipas pasioneve.”Hakim
Për këtë ju bëj thirrje të gjithë atyre që kujdesen për jetimët apo merren me administrimin e vakëfëve apo mbajnë porosinë e ndokujt në shpinë, le të tregohen të sinqertë e t`ia japin hakun (të drejtën) atij që i takon pasi amaneti është i rëndë. Profeti(paqja dhe mëshira e Allahut qoftë mbi të) thotë: “Ditën e Kijametit çdo mashtruesi do t`i ngritet një flamur e do të thuhet :Ky është flamuri i filanit birit të filanit.”
Allahu thotë: ” Kështu pra mos shkoni pas epsheve (të zemrave tuaja) që të mos i shmangeni drejtësisë. Dhe në qoftë se ju shtrembëroni dëshminë e dhënë ose nuk pranoni ta jepni atë, sigurisht që Allahu është në Dijeni të plotë për gjithçka që ju veproni.” En-Nisa 135
O ju myslimanë!
Kërkojini falje Zotit tuaj e ruajuni nga dënimi i Tij e dijeni se padyshim do t`i dilni përpara Atij. Jepini përparësi bindjes ndaj Tij para çdokujt tjetër. Mendoni për vetvetet se çdo të paraqitni nesër. Punoni mirë e drejt që të jeni të shpëtuar. Pastrojini shpirtrat nga e keqja, le të jenë ajetet e Kur`anit rregulluesit e mbarësuesit e zemrave tuaja. Mposhteni pasionin e shfrenuar duke ndjekur në vend të tij rrugën e mbarë e të porositur. Bëhuni si të parët tuaj të cilët nuk i mposhti kjo jetë por përkundrazi qenë të dhënë pas asaj të Amshueshmes dhe e shfrytëzuan tërë jetën në shërbim të botës së ardhme.
O njerëz! Nënshtrojuni të drejtës e ruajuni (kini kujdes) nga kjo jetë që të mos ju mashtrojë. Përgatituni për jetën e ardhme: ” dhe parapërgatituni për udhëtimin, por parapërgatitja më e mirë është përkushtimi “
El-Bekare 197
Në fund lusim Allahun Fuqiplotë të na ruaj nga sprovat e kësaj jete, nga lakmia dhe zilia për të dhe të vdesim me besim të pastër.(sh.p)
AMIN!
Shejkh: SALAH IBN MUHAMED EL-BUDEJR
2 Rebiul`euuel 1422 – 25 Maj 2001
http://www.taiba.org/Khutab/Albani/albani26.htm
Ligjerata e Xhumasë nga xhamia e Profetit Medina Al -Muneverah 1422.H
Përktheu sekcioni botues pranë shoqatës “TaiBa”
www.taiba.org
Salah Ibn Muhammed el-Budejr,
5.10.2001