Falënderimet dhe lavdërimet janë vetëm për Allahun. Paqja, mëshira dhe bekimet janë për Muhamedin, për familjen dhe për shokët e tij deri në Ditën e Gjykimit. Thënia më e vërtetë është thënia e Allahut, kurse udhëzimi më i mirë është udhëzimi i Muhamedit, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të. Veprat më të këqija janë ato të shpikurat, çdo shpikje është bidat dhe çdo bidat është lajthitje, e çdo lajthitje të çon në zjarr.
Njësimi i Allahut të Lartësuar në adhurim (teuhidi uluhije) është besimi i vërtetë, sinqeriteti në Allahun, përputhja e veprës me Sunetin e të Dërguarit dhe largimi nga shirku. Për këtë lloj teuhidi Allahu krijoi qiejt, tokën, njeriun, dërgoi Pejgamberët, zbriti librat, u krijua xheneti dhe xhehenemi. Ky lloj teuhidi është e drejtë e Allahut të Lartësuar ndaj robërve të Tij. Kur kjo kuptohet nga besimtarët, atëherë kemi realizuar amanetin e dhënë dhe në anën tjetër kemi realizuar të mira të shumta. Në vazhdim do të flasim për rëndësinë e teuhidit uluhije dhe ndikimin e këtij lloji tek individi dhe shoqëria.
Të nderuar muslimanë!
Teuhidi i adhurimit është thelbi që në sipërfaqen e tokës të adhurohet vetëm Allahu. Kur kjo jetësohet, atëherë mund të përfitojmë dhunti të shumta dhe këto të mira mund t’i gëzojë individi dhe shoqëria në këtë botë dhe në botën tjetër. Atëherë, në vazhdim le t’i kujtojmë disa nga këto të mira.
Teuhidi i adhurimit ofron jetë të mirë në të dy botët.
Allahu i Lartësuar thotë: “Kushdo që punon të drejtën e të mirën, burrë a grua qoftë, duke qenë besimtar i vërtetë, sigurisht që Ne do t’i dhurojmë atij jetë të mirë (në këtë botë duke qenë i respektuar e i kënaqur dhe furnizim e jetesë sipas ligjit të Allahut) dhe (në botën tjetër) Ne do t’ua paguajmë padyshim atyre shpërblimin sipas veprave të tyre më të mira që ata i kanë punuar.”1
“Ndërsa po të kishin besuar popujt e këtyre vendeve dhe të ishin bërë të përkushtuar (ndaj Allahut duke e pasur frikë Atë), padyshim që Ne do të kishim hapur për ta mirësitë nga qielli dhe nga toka, por në të vërtetë ata i mohuan (të Dërguarit Tanë dhe të vërtetën), kështu që Ne i morëm ata (me ndëshkim) për atë çfarë ata vetë fituan (politeizmin, krimet etj.).”2
Teuhidi i adhurimit ofron fitoren dhe ndihmën
Allahu i Lartësuar thotë: “…ndërsa për besimtarët ishte si detyrë për Ne që t’i ndihmonim.”3
Allahu i Madhërishëm në fillim të Islamit i ndihmoi besimtarëve besnikë dhe kjo u realizua vetëm me besimin e sinqertë.
“Dhe më parë Allahu ju nxori ju fitimtarë në Bedër, kur ju ishit një forcë e vogël dhe e dobët. Kështu që kijeni frikë Allahun, që të jeni me të vërtetë falënderues.”4
“Vërtet që Allahu tashmë ju ka dhënë juve fitore në shumë beteja.”5
“O ju që keni besuar! Nëse ju e ndihmoni Allahun (në çështjen e Tij), Ai do t’ju ndihmojë juve dhe do t’ju bëjë të qëndroni fort në këmbët tuaja.”6
Teuhidi i adhurimit u mundëson besimtarëve vazhdimësinë e zotërimit dhe të udhëheqjes në tokë
Allahu i Lartësuar thotë: “Allahu u ka premtuar atyre nga mesi juaj që besojnë dhe që punojnë mirësi e drejtësi, se Ai patjetër do t’u sigurojë atyre vazhdimësinë (e fuqisë së tashme të udhëheqësve) në tokë, ashtu siç ua siguroi Ai këtë atyre përpara tyre dhe se Ai do t’u sigurojë fuqinë për të zbatuar e përmbushur fenë e tyre, atë të cilën Ai e ka zgjedhur për ta (Islamin). Dhe padyshim që Ai do t’u japë atyre në shkëmbim siguri e ruajtje pas frikës së tyre, (me kusht) që këta besimtarë të më adhurojnë vetëm Mua dhe të mos bashkojnë gjë tjetër (në adhurim) me Mua. Por kushdo që nuk beson pas kësaj, këta janë fasikunë (kryeneçë, të pabindur ndaj Allahut).”7
“Ata (sundues muslimanë) të cilët, nëse Ne u japim fuqi në tokë, urdhërojnë për plotësimin e faljeve të rregullta ditore dhe për zekatin, që urdhërojnë el-ma’ruf (besimin dhe ligjin islam) dhe ndalojnë el-munker (mosbesimin, politeizmin dhe gjithçka që ka ndaluar Islami). Dhe tek Allahu mbështetet përfundimi i të gjitha çështjeve (të krijesave të Tij).”8
Teuhidi i adhurimit i lartëson dhe i nderon besimtarët në të dy botët
Allahu i Lartësuar thotë: “Por nderimi, fuqia dhe lavdia i përkasin Allahut, të Dërguarit të Tij dhe besimtarëve, por hipokritët nuk e dinë.”9
“Thuaj: “O Allah, Sundues i çdo sendi, Ti ia jep pushtetin atij që do, Ti ia heq prej dore pushtetin atij që do, e lartëson atë që do dhe e përul atë që do. Çdo e mirë është vetëm në dorën Tënde, vërtet, Ti ke mundësi për çdo gjë.”10
Teuhidi i adhurimit i mbron besimtarët dhe i ruan ata nga sherret e armiqve
Allahu i Lartësuar thotë: “Pa dyshim që Allahu i mbron ata që besojnë. Pa dyshim që Allahu nuk e do asnjë mosmirënjohës tradhtar.”11
Teuhidi i adhurimit i bën besimtarët umet të vëllazëruar
Allahu i Lartësuar thotë: “Nuk ka dyshim se ky, umeti (vëllazëria, ligji e feja juaj, besimi i pastër islam) është një fe dhe Unë jam Zoti juaj, kështu pra, më adhuroni vetëm Mua (të Vetëm).”12
Të nderuar muslimanë!
Kur adhurohet Allahu i Lartësuar, vjen jeta e mirë, fitorja, ndihma, zotërimi, lartësia, nderi, vëllazëria dhe të gjitha këto arrihen në saje të teuhidit uluhije. Vetëm në këtë mënyrë, pra me besim të saktë, janë zemrat e bashkuara dhe kjo është mirësi e dhuruar nga Allahu i Lartësuar.
“Dhe mbahuni fort, të gjithë ju së bashku pas Litarit të Allahut (Kuranit) dhe mos u përçani e mbani në mendje Përkujtimin e Allahut përmbi ju, pasi ju ishit armiq mes njëri-tjetrit, por Ai bëri bashkimin mes zemrave tuaja, kështu që me mirësinë e Tij ju u bëtë vëllezër (në besimin islam); dhe ishit në buzë të greminës së zjarrit, ndërsa Ai ju shpëtoi prej tij. Kësisoj Allahu jua bën të qarta ajetet (provat, treguesit, shpalljet), që të mund të drejtoheni.”13
Allahu i bashkoi zemrat e besimtarëve me besimin islam, duke e njësuar Allahun, të Vetmin, në adhurim. Besimi jo i drejtë, idhujtaria, politeizmi, ateizmi sjell dhe prodhon ndarje, ndasi, grindje, përçarje, klane dhe grupime. Allahu i Lartësuar thotë: “Nga ata të cilët e shpërbënë fenë e tyre (e lanë Islamin e vërtetë) dhe u bënë grupe më vete (duke sjellë bidate – risi e rishikime të fesë së pastër e të vërtetë duke e përzier me gjëra jofetare si dhe duke ndjekur dëshirat e tyre boshe), ku secili grup i gëzohet idesë së vet.”14
Kur realizojmë besimin e drejtë, pakësohen gjynahet dhe kur pakësohen ato, zbret mëshira dhe falja e Allahut. Po ashtu, të mos harrojmë se urdhri për të mirë dhe ndalimi nga e keqja i pakëson mëkatet.
“Besimtarët dhe besimtaret janë eulija (ndihmues, mbrojtës e miq) për njëri-tjetrin, ata u mishërojnë (njerëzve) el-ma’ruf (Islamin dhe gjithë përmbajtjen e tij) dhe i ndalojnë (njerëzit) nga el-munker (mosbesimi, dhe gjithçka tjetër që Islami ndalon), ata i kryejnë rregullisht e në mënyrë të përkryer faljet e përcaktuara ditore, japin zekatin dhe i binden Allahut dhe të Dërguarit të Tij. Këta janë ata mbi të cilët Allahu do të derdhë mëshirën e Tij. Vërtet Allahu është i Gjithëfuqishëm, më i Urti Gjithëgjykues.”15
E lus Allahun e Lartësuar me emrat e Tij të bukur dhe cilësitë e Tij të Larta që t’i drejtojë muslimanët në fenë e tyre!
1 Nahël, 97.
2 Araf, 96.
3 Rum, 47.
4 Ali Imran, 123.
5 Teube, 25.
6 Muhamed, 7.
7 Nur, 55.
8 Haxh, 41.
9 Munafikun, 8.
10 Ali Imran, 26.
11 Haxh, 38.
12 Enbija, 92
13 Ali Imran, 103.
14 Rum, 32.
15 Teube, 71.
Ulvi Fejzullahu