Prishtinë, më 14 nëntor 2024
Kryetari i Bashkësisë Islame të Kosovës, Myftiu Naim ef. Tërnava, ka pritur sot në takim drejtorin ekzekutiv të organizatës “Qatar Charity”, Yousuf al Kuwarin, i cili shoqërohej nga ambasadori i Katarit në Shqipëri, njëherësh ambasador jo rezident në Kosovë, Jabor Ali al Dasori, si dhe nga përfaqësuesi i “Qatar Charity” në Kosovës, z. Esam Dabab.
Myftiu Tërnava shprehu mirënjohjen e tij për mbështetjen e vazhdueshme të shtetit të Katarit dhe përfaqësuesve të tij, duke theksuar rëndësinë e këtyre bashkëpunimeve.
“Kur përmendim Katarin, menjëherë mendja na shkon te një popull dhe shtet bamirës, i cili, i prirë nga Emiri i tij, e ka përhapur ndihmën në të katër anët e botës. Nuk do të isha i drejtë me këtë rast sikur para jush të mos falënderoja drejtorin e shoqatës bamirëse të Katarit në Kosovë për punën e tyre te madhe që po bëjnë në Kosovë.”
Në anën tjetër, edhe drejtori i “Qatar Charity” shprehu mirënjohjen e tij ndaj Bashkësisë Islame të Kosovës, duke potencuar dëshirën e madhe për të ndihmuar popullin e Kosovës.
“Për ne është një dëshirë e madhe për të qenë pranë popullit të Kosovës në të gjitha sferat e jetës, por në veçanti kjo gjë lehtësohet falë bashkëpunimit të shkëlqyer me Bashkësinë Islame të Kosovës. Ne do të vazhdojmë të punojmë së bashku për të mirën e përgjithshme.”
Ky takimi u përqendrua në thellimin e bashkëpunimit ndërmjet Bashkësisë Islame të Kosovës dhe “Qatar Charity”. Si rezultat i kësaj, të dyja palët nënshkruan një memorandum bashkëpunimi, duke vendosur themelet për angazhime të reja në projekte të përbashkëta në të ardhmen.
Një nga temat kryesore të diskutimit ishte edhe projekti i ndërtimit të xhamisë në Lipjan, një projekt që po zhvillohet si pjesë e bashkëpunimit ndërmjet BIK-ut dhe “Qatar Charity”. Palët shqyrtuan gjithashtu mundësitë për projekte të tjera që synojnë përmirësimin e jetës së qytetarëve dhe forcimin e ndërlidhjes ndërmjet komuniteteve të ndryshme në Kosovë.







Burimi
* Rubrika e informacioneve sjell lajme nga aktivitetet që organizojnë institucione islame organizata islame, thirrës apo ngjarje të tjera me interes për komunitetin musliman. Sjellja e informacioneve nuk nënkupton pajtueshmëri të redaksisë së Thirrja.org me ngjarjet apo përmbajtjen e informacioneve që sillen.