Kjo botë nuk është e kthjelltë për akënd, përkundrazi është e turbulltë për nga natyra.  Sa fatkeqësi, sprova dhe vështirësi has një musliman në jetën e tij? Ai jeton me to ndërsa ato vijnë e shkojnë, duke kërkuar mjetet dhe metodat më të mira për të dalë prej tyre dhe për t’i kapërcyer ato, duke mbrojtur njëkohësisht fenë, besimin, gjakun, pasurinë dhe familjen e tij.

Fitnet dhe sprovat në jetën e individëve, shoqërive dhe kombeve janë një ligj i Zotit, i përcaktuar prej Tij mbi krijesat e Tij sa herë që Ai dëshiron i sprovon, për një urtësi që Ai dëshiron. Zoti i Plotfuqishëm thotë: ” Është Ai që ka krijuar qiejt dhe Tokën për gjashtë ditë, teksa Froni i Tij ndodhej mbi ujë, për t’ju vënë në provë kush është më i mirë në vepra..” [Hud: 7], dhe Ai gjithashtu thotë: “Çdo gjë që gjendet në Tokë, Ne e kemi bërë stoli për të, për të provuar se kush prej tyre punon më mirë.” [El-Kehf: 7]

Fitnet dhe sprovat kanë ndikim në jetën e individëve, kombeve dhe popujve. Sikur të mos ishte kështu, e vërteta nuk do të dallohej nga e pavërteta, as e mira nga e keqja dhe nuk do të dalloheshin burrat  nga burrecat.  Zoti i Plotfuqishëm thotë: “Vërtet mendojnë njerëzit, se do të lihen të thonë “Ne besojmë”, pa u vënë në provë?!  Ne i kemi sprovuar ata që kanë qenë para tyre, në mënyrë që, Allahu të dallojë ata, që thonë të vërtetën dhe, ata që gënjejnë.” (El-Ankebut: 2-3)

Muslimani duhet të ketë kujdes nga fitnet, cilatdo qofshin ato, dhe t’i trajtojë ato sipas rregullave të Sheriatit  dhe parimeve të fesë. Ai duhet të kërkojë strehim tek Allahu prej tyre. Enesi, Allahu qoftë i kënaqur me të,  transmeton se i Dërguari i Allahut, paqja dhe bekimet qofshin mbi të,  lutej duke thënë: “O Allah, kërkoj strehim tek Ti nga paaftësia dhe përtacia, frika, koprracia dhe matufosja. Kërkoj strehim tek Ti nga dënimi i varrit si dhe kërkoj strehim tek Ti nga fitnet e jetës dhe të vdekjes.” (Sahihul xhami’)

Muslimani nuk i don fitnet, as nuk dëshiron që ato t’i bien atij ose komunitetit të tij. Kur ato ndodhin, ai do të njihet për besimin dhe devotshmërinë e tij, vetëpërmbajtjen dhe durimin e tij, si dhe për mençurinë  dhe përmbajtjen e tij nga nxitimi, në mënyrë që këto fitne tunduese të mos jenë shkak humbjeje në këtë botë ose në botën tjetër.

Zoti i Plotfuqishëm e përshkroi llojin e njerëzve që nuk dinë si të përballen me sprovat, duke thënë: “Disa njerëz të tjerë e adhurojnë Allahun me kusht: Nëse u ecën mbarë, janë të kënaqur, por, nëse i godet fatkeqësia, ata kthehen në mohim e kështu humbasin këtë botë dhe tjetrën. Pikërisht kjo është humbja e qartë. ” (El-Haxh: 11)

Vëllezër besimtarë! Fitnet janë bërë të shumta, të larmishme dhe të shumëanshme në kohën tonë. Një musliman nuk  shpëton nga një fitne ose fatkeqësi përveç se i vie një tjetër edhe më e rëndë dhe intensive. Muslimi transmetoi në Sahihun e tij nga hadithi i Abdullah ibn Amrit, Zoti qoftë i kënaqur me të,  se Profeti, paqja dhe bekimet qofshin mbi të, përderisa  ishte me  shokët e tij në një udhëtim thirrësi lajmëtar i  Profetit, paqja dhe bekimet qofshin mbi të, thirri: “Namazi na bashkon.” Sahabët u mblodhën rreth Profetit, paqja dhe bekimet qofshin mbi të dhe ai mbajti një predikim të fuqishëm. Ndër ato që tha ai për këtë ishte: “Mirëqenia e këtij Ummeti tuaj është bërë në fillimin e tij, ndërsa në fund të tij, fatkeqësitë dhe çështjet e pakëndshme  do ta godasin atë. Do të vijnë fitne të tilla, që një pjesë e tyre e zbut pjesën tjetër. Do të vijë një fitne e tillë që besimtari do të thotë: Kjo është shkatërrimi im. Pastaj do të largohet, dhe pas saj   vije tjetra fitne  dhe besimtari do të thotë: Kjo, kjo (do të më shkatërroi )! Pra, kushdo që dëshiron të evitohet nga Zjarri dhe të hyjë në Xhennet, le t’i vijë vdekja duke besuar në Allahun dhe Ditën e Fundit, dhe le të sillet me njerëz ashtu siç do të donte që ata silleshin me të.”

Ndër fitnet më të rrezikshme, nga të cilat  muslimani duhet të ketë kujdes ose të bjerë në to, është fitneja  në besim dhe  shoqërimi i ndonjë ortaku Zotit të Botëve. Allahu, Më i Larti, thotë: ” Kush i shoqëron Allahut diçka (në adhurim), i ngjan atij që bie nga qielli e që e rrëmben shpendi ose i ngjan atij që stuhia e erës e ka hedhur në një vend të largët e të humbur.” [El-Haxh: 31]

Prej formave të shfaqjes së kësaj fitneje midis njerëzve sot është  tavafi rreth varreve, lutja  e të vdekurve, vizita e magjistarëve dhe falltorëve, mbajtja  e hajmalive dhe nuskave, konsiderimi i asaj që Allahu e ka ndaluar  të lejuar dhe ndalimi i asaj që Ai e ka lejuar. Udaj ibn Hatimi, Allahu qoftë i kënaqur me të, tranmseton se  e ka dëgjuar Profetin, paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të,  duke recituar këtë ajet: “Në vend të Allahut, ata kanë zgjedhur për zot rabinët dhe murgjit e tyre, si dhe Mesinë, të birin e Merjemes, ndërkohë që janë urdhëruar të adhurojnë vetëm një Zot, përveç të Cilit nuk ka tjetër që meriton të adhurohet. I lartësuar qoftë Ai mbi gjithçka që ia shoqërojnë (në adhurim)..” [Et-Teube: 31] Ai thotë: Unë i thashë: “Ne nuk i adhuronim ata.” Ndërsa Profeti më tha: “A nuk ua ndalonin atë që e ka lejuar Allahu, kështu që edhe  ju e konsideronit të ndaluar, si dhe a nuk ua lejonin atë që e ka ndaluar Allahu, e ju e konsideronit të  lejuar?” Unë i thashë: “Po.” Ai tha: “Ky është adhurimi i tyre.” Transmetuar nga Ahmedi dhe Tirmidhiu, i cili e ka klasifikuar atë si hasen – hadith të mirë.

Ekzistojnë fitnet  e dyshimeve dhe fitnet e tundimeve, si  fitnjea e pasurisë, pozitës, prestigjit dhe ndjekësve. Ndër këto fitne, më të rrezikshmet për individët dhe shoqëritë, janë fitnet e konflikteve, luftrave, derdhjes së gjakut, përhapjes së vrasjeve dhe humbjes së sigurisë. Gjaku që derdhet sot dhe jetët që humbasin nga  shtete e ushtri të ndryshme  janë prej fitneve më të rënda. Ebu Hurejra transmetoi se i Dërguari i Allahut, paqja dhe bekimet qofshin mbi të, tha: ” Kijameti nuk do të vijë derisa të përhapet herxhi”. Ata pyetën: “Çfarë është herxhi, o i Dërguar i Allahut?” Ai tha: “Vrasja, vrasja”. Sahih  Muslim.

Në një transmetim nga Buhariu Abdullah ibn Mes’ud thotë: “Pak para se të vijë Kijameti, do të jenë ditët e herxhit, në të cilat dituria do të zhduket dhe injoranca do të mbizotërojë”.   Ebu Hurejra, r.a. tranmseton se i Dërguari i Zotit, paqja dhe mëshira e Zotit qofshin mbi të, ka thënë: “Pasha Atë në Dorën e të cilit është shpirti im, bota nuk do të përfundojë derisa të vijnë  ditë për njerëzit kur vrasësi nuk do ta dijë pse ka vrarë dhe i vrari nuk do ta dijë pse është vrarë.” Sahih Muslim.

Ndërsa Profeti, paqja dhe bekimet qofshin mbi të, ka sqaruar peshën reale të gjakut, ai tha: “Shkatërrimi i botës është më i lehtë për Allahun sesa vrasja e një muslimani.” (Sahih Tirmidhij). Ai, paqja dhe bekimet qofshin mbi të, tha gjithashtu: “Nëse banorët e qiellit dhe të tokës do të merrnin pjesë në gjakun e një besimtari, Allahu do t’i hidhte të gjithë në Zjarr.” (Sahih Tirmidhij). Allahu i Plotfuqishëm tha: “Kushdo që vret një besimtar me qëllim, ndëshkimi i tij është Xhehenemi, në të cilin do të qëndrojë përgjithmonë. Allahu është zemëruar me atë, e ka mallkuar dhe i ka përgatitur një dënim të madh.” (En-Nisa’: 93).

Robër të Allahut: Ne duhet të ruhemi nga tundimet dhe t’iu qasemi  atyre me mençuri, të armatosur me besim, devotshmëri dhe frikë nga Allahu. Kjo ndodh sepse tundimet e fitneve i verbojnë zemrat dhe për shkak të tyre, një person humbet fenë e tij, dynjanë dhe ahiretin e tij. Ebu Hurejreh,  Zoti qoftë i kënaqur me të, transmeton  se i Dërguari i Zotit,  Zoti e bekoftë dhe i dhëntë paqe,  ka thënë: “Do të ketë një sprovë të shurdhuese  dhe të verbuese. Kushdo që i  ekspozohet do të implikohet, aktiviteti i  gjuhës në të  është si e bëma e shpatës.” (Sunen Ebi Davud)

Vetëm pjesëmarrja me gjuhë në nxitjen e këtyre trazirave  shtrembëron të vërtetën, jepen dëshmi të rreme, përhapen gënjeshtra, zhduken vlerat, e vërteta bëhet gënjeshtër, gënjeshtra bëhet e vërtetë dhe e mira bëhet e keqe. Kjo do të thotë që ka kryer një mëkat të rëndë dhe ka vepruar një gjynah të madh. Po sikur dikush të merr pjesë në to me duart, pasurinë, prestigjin dhe pushtetin e tij?

Ebu Musa el-Esh’ari, Allahu qoftë i kënaqur me të, transmeton se i Dërguari i Allahut, paqja dhe bekimet qofshin mbi të, ka thënë: ” Para jush , do të vijnë fitne-sprova si pjesët e   natës së errët. Një person në mëngjes  zgjohet besimtar por në mbrëmje përfundon si jobesimtar, ose besimtar në mbrëmje dhe jobesimtar në mëngjes! Ai që rri ulur gjatë shfaqjes së tyre është më i mirë se ai që qëndron në këmbë, ai që qëndron në këmbë është më i mirë se ai që ecën, dhe ai që ecën është më i mirë se ai që nxiton.” Ata i thanë: “Çfarë na urdhëron?” Ai tha: “Qëndroni në shtëpitë tuaja siç qëndrojnë gjësendet.” Ebu Davudi dhe Hakimi,  i cili e  edhe kalsifion si të saktë.

Nëse nuk kontribuon në zgjidhjen e problemit, në riparimin e përçarjes, në kërkimin e zgjidhjeve, në urdhërimin e së mirës dhe në ndalimin e së keqes, dhe në të folurit e së vërtetës, atëherë dëgjoje çfarë tregon Hudhejfe ibn el-Jeman r.a.  se Profeti, paqja dhe bekimet e Zotit qofshin mbi të, ka thënë: “Pasha Atë në Dorën e të Cilit është shpirti im, ju duhet të urdhëroni të mirën dhe të ndaloni të keqen, përndryshe Zoti së shpejti do t’ju dërgojë një ndëshkim prej Tij. Atëherë do t’i luteni Atij, por Ai nuk do t’iu përgjigjet.” (Sunenu Tirmidhi, shejh Albani  e ka klasifikuar sahih.)

Aisha, Allahu qoftë i kënaqur me të, thotë: “E dëgjova të Dërguarin e Allahut, paqja dhe mëshira qofshin mbi të duke  thënë: “Urdhëroni të mirën dhe ndaloni të keqen para se të luteni, por mos t’iu pranohet.”(Sahih Sunen Ibn Maxhe )

Kini kujdes nga kontributi në çdo fitne e konflikt që mund të çojë në humbjen e sigurisë, përhapjen e frikës, derdhjen e gjakut, sulmin ndaj nderit, terrorizimin e të pafajshmëve dhe mbështetjen për ata që kryejnë shkelje, padrejtësi dhe tirani. Le të përpiqemi të gjithë të përhapim mirësi, dhembshuri dhe dashuri, dhe të përmbushim të drejtat e vëllazërisë midis nesh. Le të kujtojmë se ajo që është tek Zoti është më e mirë dhe më e qëndrueshme, dhe se kjo botë është një kënaqësi kalimtare, e pasuar nga një llogari e rëndë, dënim i padurueshëm dhe një Zot i hidhëruar dhe i zemëruar,  përveç atyre që i frikësohen Zotit dhe bëjnë vepra të mira.

O Zot, ne kërkojmë strehim tek Ti nga sprovat, të dukshme dhe të fshehura. Unë thashë  atë që dëgjuat dhe i kërkoj falje Zotit për veten time dhe për ju, prandaj kërkoni falje prej Tij se Ai është Falës dhe Mëshirues.

Robër të  Allahut!  Kur një muslimani i ndodhin sprova, ai duhet t’i drejtohet Allahut nëpërmjet pendimit, duke iu kthyer Atij dhe duke kërkuar falje. Allahu i Plotfuqishëm thotë: “Ne i vumë në provë ata me mirësi dhe fatkeqësi, me qëllim që të ktheheshin (në rrugë të drejtë”.  [El-A’raf: 168]. Për më tepër, një musliman duhet të lutet shpesh, pasi sprovat parandalohen me lutje. Allahu i Plotfuqishëm thotë: “Ne iu kemi dërguar shumë popujve profetë para teje dhe i kemi dënuar ata me skamje dhe fatkeqësi, për t’u bërë të dëgjueshëm.” [El-En’am: 42].

Ne duhet t’i shtojmë aktet tona të adhurimit, siç janë namazi, agjërimi, leximi i Kuranit, përkujtimi i Zotit, kërkimi i faljes dhe dhënia e lëmoshës, në mënyrë që Zoti të na lehtësojë shqetësimin dhe të na mbrojë nëpërmjet veprave të mira. I Dërguari i Zotit, Zoti e bekoftë dhe i dhëntë paqe, tha: “Veprat e mira mbrojnë nga përfundimet e këqija, dhe lëmosha e fshehtë shuan zemërimin e Zotit.”

Pra, o Allah, na kthe në fenë Tënde me një kthim të bukur dhe na mbroj nga fitnet, si të dukshme ashtu edhe të fshehura. O Allah, na ruaj me mbrojtjen Tënde të palëkundur. Mbroje vendin tonë nga çdo e keqe, sprovë dhe fatkeqësi. Bashko zemrat tona drejt mirësisë dhe bashko çështjet tona të shpërndara. Na bë ta shohim të vërtetën si të vërtetë dhe na mundëso ta ndjekim atë, e të pavërtetën si të pavërtetë dhe na mundëso ta shmangim atë. Mbroj bijtë dhe bijat tona dhe familjet tona dhe mbroje gjakun tonë dhe gjakun e muslimanëve, me mëshirën Tënde, o Më i Mëshirshmi i të Mëshirshmëve.

Falënderimi i qoftë Allahut, Zotit të Botëve, dhe bekimet dhe paqja e Tij  qofshin mbi zotëriun  e të Dërguarve e Shokët e tij të mirë dhe familjen e tij të pastër!

Hasan Ahmed Elamarij

Përktheu dhe përshtati

Thirrja.org – Nisma për zhvillimin e imamëve – thirrësve