Mos ta harrojmë All-llahun
Jetojmë në një kohë kur njerëzit kanë shumë angazhime dhe preokupime, ata interesohen për çdo gjë që u sjell atyreve mirësi në dynja, mirëpo shumë pak janë ata që interesohen për gjërat që u sjellin mirësinë në ahiret, ditën kur do të takohen me Zotin e vet.
Preokupimet, brengat dhe interesimet për çështjet e kësaj dynjaje i kanë angazhuar njerëzit përtej mase dhe ata nuk gjejnë kohë e as rast për ta kujtuar dhe përmendur All-llahun, subhanehu ve teala.
Madje nëse dikujt prej tyre dikush dëshiron tua përkujton All-llahun dhe fenë e Tij, atyreve kjo gjë u pengon dhe i ç’rehaton!
Ne kujdesemi për shkollim, punë, shtëpi, veshmbathje, ushqim, pushime, dhurata, mirëpo shumë pak na kujtohet se të gjtiha këto të mira na kanë ardhur nga All-llahu, azze ve xhel-le!
Ne gëzojmë shëndet, familje, fëmijë, pasuri, komoditet, mirëpo aspak nuk na shkon mendja se tërë këto janë dhunti nga All-llahu, tebareke ve teala!
Shikoni çfarë lëvizjesh dhe angazhimesh bëjmë kur dëshirojmë të regjistrohemi në shkollë, kur planifikojmë të dalim në gyrbet, kur fillojmë të ndërtojmë shtëpinë, kur bëjmë dasmën, kur dëshirojmë të realizojmë ndonjë projekt, mirëpo, a thua vallë, kemi parashtruar pyetjen: a mund të bëhen këto gjëra nëse nuk do të kishte dashur All-llahu?!
Këto pyetje dhe të ngjashmet me to na detyrojnë të flasim për këtë temë:
“Mos ta harrojmë All-llahun”
All-llah!
Sa fjalë e këndshme e sa emër i bukur!
Fjalë e ëmbël në shqiptim, e këndshme në dëgjim, e dashur në zemër, e afërt për shpirtin, gjendet në ndërgjegje, e gdhendur në zemër, e përzier me gjakun!
Me këtë emër fillojmë, Atij i mbështetemi dhe tek Ai strehohemi!
A ka kush meriton lavdërimin më shumë se All-llahu!
Pse All-llahu krijoi njeriun, i dha gjuhën dhe dijen? Për të lavdëruar All-llahun, për të madhëruar Atë dhe për ta përmendur Atë!
All-llahu, subhanehu ve teala, thotë:
“All-llahu është dritë (ndriçues, udhëzues) i qiejve e i tokës. Shembulli i dritës së Tij i ngjason kandilit të vendosur në një zgavër të errët (ßóãöÔúßóÇÉò). Kandili gjendet brenda një qelqi si të ishte yll flakërues e që ndizet prej (vajit të) një druri të bekuar, prej ullirit që nuk mund të quhet as i lindjes e as i perëndimit, e vaji i tij ndriçon pothuajse edhe pa e prekur zjarri. Dritë mbi dritë. All-llahu udhëzon kah drita e Vet atë që do Ai. All-llahu sjell shembuj për njerëzit. All-llahu çdo gjë di shumë mirë”. (En-Nur: 35).
All-llahu, i cili:
” Zoti i botëve.
Zoti që më krijoi, Ai më udhëzon mua.
Dhe Ai që më ushqen dhe më jep të pijë.
Dhe kur të sëmurem Ai më shëron,
Ai më bën të vdesë e mandej më ngjall,
Ai tek i cili kam shpresë se do t’i m’i falë mëkatet e mia në ditën e gjykimit.
Zoti im, më dhuro mua urtësi dhe më bashko me të mirët!
Më bën përkujtim të mirë ndër ata që vijnë pas,
Më bën prej trashëguesve të xhenetit të begatshëm”. (Esh-Shuara: 78- 85).
Kujt i drejtohemi në brenga dhe vështirësi
Kur të na kaplojnë brengat, streset, pikëllimet, vështirësitë, ngushticat, paaftësia e thërret njeriu: All-llah, o All-llah!
La Ilahe il-lAllahul-‘Adhimul-Halim, la Ilahe il-lAllahu Rabbul-‘Arshil-‘Adhim, la Ilahe il-lAllahu Rabbus-semavati ve Rabbul-erdi ve Rabbul-‘Arshil-kerim.
(S’ka të adhuruar tjetër përveç Allahut të Madhëruar e të Urtë. S’ka të adhuruar tjetër përveç Allahut, Zotit të Arshit të lartësuar. S’ka të adhuruar tjetër përveç Allahut, Zotit të qiejve dhe të tokës dhe Zotit të Arshit Fisnik). (Buhariu dhe Muslimi).
Largohet brenga dhe pikëllimi, lehtësohen vështirësitë dhe vuajtjet:
“Ne iu përgjigjëm atij, e shpëtuam nga tmerri. Kështu i shpëtojmë Ne besimtarët”. (El-Enbija: 88).
“Dhe çdo të mirë që e keni, ajo është prej All-llahut, madje edhe kur ju godet e keqja, ju vetëm te Ai e greni zërin (me lutje)”. (En-Nahl: 53).
Kur thahet toka, vdesin bimët, thahen gjitë, vyshken lulet dhe pemët, mungon uji, pakësohet ushqimi, shtohen sprovat, dalin pleqtë, fëmijët e vegjël dhe kafshët e luten duke thënë: All-llah, o All-llah!
Zbret shiu, vjen bereqeti, ikë etja dhe gjelbërohet toka:
” E ti e sheh tokën e tharë – të vdekur, e kur Ne ia lëshojmë asaj ujin ajo gjallërohet, shtohet dhe nga të gjitha llojet rritë bimë të këndshme”. (El-Haxh: 5).
Uji e largon etjen dhe pastron ndyrësirën.
Kur ti shtohet sëmundja njeriut të sëmurë, kur ti dobësohet trupi, ti ikë ngjyra, ti dobësohet fuqia, të jetë i paaftë mjeku, të trishtohet njeriu, t’i dridhet dora, ti thahet zemra, të dorëzohet i sëmuri, kurse i sëmuri i drejtohet All-llahut të Lartë e Fisnik: All-llah, o All-llah!
Largohet sëmundja, vjen shërimi dhe vjen përgjigjja e kësaj lutjeje:
“(Përkujto) Edhe Ejubin kur iu drejtua Zotit të vet me lutje: “Më gjeti belaja, e Ti je më Mëshiruesi ndër Mëshiruesit!” Ne iu përgjigjëm atij nga mëshira Jonë, ia hoqëm ato vështirësi që i kishte, i dhamë familjen e tij dhe aq sa ishin ata, dhe e bëmë përkujtim për të devotshmit”. (El-Enbija: 83- 84).
Nëse mbetemi në mes të detit në anije, na vijnë valët e vrullshme, mbushet qielli me re e bëhet i zymtë, vetëton vetëtima dhe bubullon bubullima, errësira e madhe kaplon çdo anë, rrokulliset anija herë në të djathtë e herë në të majtë, zemra do të del nga gjoksi, vdekjen e sheh me sy, atëherë krejt zemrat drejtohen kah All-llahu dhe njëzëri brohorisin: All-llah, o All-llah!
Vjen kujdesi i All-llahut, vjen drita, largohet errësira dhe eliminohet rreziku:
“Ai (All-llahu) ua bëri të mundshëm udhëtimin në tokë e në det, deri kur jeni në anije që lundrojnë me ta (me udhëtarët) me anë të një ere të lehtë dhe janë të lumtur me të (me erën e lehtë), ia beh një erë e fortë dhe nga të gjitha anët rrethohen nga valët dhe binden se janë të shkatërruar, e lusin All-llahun pa farë përzierje të idhujve (duke thënë): “Nëse na shpëton nga kjo (katastrofë), ne do të jemi gjithnjë falënderues!” E kur Ai (All-llahu) i shpëtoi ata, ja, ata veprojnë mbrapshtë në tokë, pa arsye. O ju njerëz! Kryeneçësia juaj është vetëm kundër vetes suaj, është përjetim i jetës së kësaj bote, pastaj kthimi juaj është te Ne, e Ne ju shpërblejmë për veprimet tuaja”. (Junus: 22- 23).
“Thuaj: “Kush ju shpëton prej errësirave (trishtuese) të tokës e të detit e (nga trishtimi) ju e lutni atë haptas e fshehtas (duke thënë), nëse Ai na shpëton prej kësaj, ne do të jemi (besimtarë) mirënjohës?” Thuaj: “All-llahu ju shpëton nga ajo dhe nga çdo brengosje. Megjithëkëtë ju Atij i përshkruani shok”. (El-Enam: 63- 64).
Kur të fluturoni aeroplani lart në qiell, të jetë mes tokës dhe qiellit e sinjalizon alarmi për defekt dhe duken shenjat e prishjes, trishtohet piloti, trazohen udhëtarët, ngrihen zërat, qajnë burrat, bërtasin gratë, frikësohen fëmijët, dominon llahtaria, atëherë insistojnë në lutje dhe thirrje: All-llah, o All-llah!
Vjen mëshira e tij, dhuntitë dhe begatitë e Tija, qetësohen zemrat, rehatohen shpirtrat e zbret aeroplani në rehati.
Kur të ketë probleme fëmija në barkun e nënës, të ketë vështirësi nëna gjatë lindjes së foshnjës, i rrezikohet nënës jeta, i mbushet mendja se është afër vdekjes, atëherë i drejtohet Atij që i largon brengat, që i realizon nevojat dhe bërtet: All-llah, o All-llah!
Largohet kjo brengë dhe mërzi, largohet kjo klithmë dhe frikë dhe del foshnja me rehati.
Kur dijetarit i del përpara një çështje e vështirë, nuk sheh zgjidhje për te, nuk mund ti jep përgjigje, duhet ta ulë kokën në tokë e të thotë: All-llah, o All-llah!
Ti që ke mësuar Ibrahimin, më mëso edhe mua, Ti që i ke dhënë kuptim të thellë Sulejmanit, më jep kuptime dhe mua.
O All-llah! Zot i Xhebrailit, Mikailit dhe Israfilit! Krijues i qiejve dhe i tokës! Njohës i së fshehtës dhe i së dukshmes! Ti je Ai që do të gjykosh mes robërve të Tu në çështjet që ata nuk pajtoheshin. Më udhëzo me Mëshirën Tënde, në të vërtetën e asaj për çka ata nuk pajtoheshin, sepse, vërtet, Ti e udhëzon këdo që dëshiron në rrugën e drejtë. (Muslimi).
All-llahu është strehimi në vështirësi, shoqëruesi në vetmi dhe ndihmuesi në dobësi. Atij i drejtohet i sëmuri që nuk gjen ilaçin te mjeku dhe i lutet me shpresë për shërim.
Njeri me brenga dhe pikëllim Atij i drejtohet dhe kërkon prej Tij durim dhe dakordim, zëvendësim të çdo gjëje që i ka shkuar dhe kompensim të çdo gjëje që i ka ikur:
“Të cilët, kur i godet ndonjë e pakëndshme thonë: “Ne jemi të Allahut dhe ne vetëm tek Ai kthehemi”! (El-Bekare: 156).
Njeriu, të cilit i është bërë zullum i drejtohet Allahut, duke shpresuar një ditë të afërt kur do t’i vjen ndihma, kurse mes tij dhe All-llahut nuk ka perde:
“E ai iu drejtua Zotit të vet: “Unë jam i mundur, prandaj më ndihmo!”. (El-Kamer: 10).
Atij i drejtohet njeriu që ska fëmijë, duke e lutur që All-llahu ti jep pasardhës të hairit:
“Tha: “Zoti im! Vërtet, mua më janë dobësuar eshtrat, më janë përhapur thinjat në kokën time, e me lutjen time ndaj Teje o Zoti im, asnjëherë nuk kam qenë i dëshpëruar”. Unë ua kam frikën pasardhësve të mi pas meje (kushërinjve, se do ta humbnin fenë), ndërsa gruaja ime është sterile, pra më fal nga ajo mirësia Jote një pasardhës (një fëmijë). Të më trashëgojë mua dhe t’i trashëgojë ata nga familja e Jakubit, dhe bëre atë, o Zoti im, të këndshëm! (të vyeshëm)! O Zekerija, Ne po të përgëzojmë ty me një djalë, emri i të cilit është Jahja, e që askush para tij nuk u emërtua me këtë emër.” (Merjem: 4- 10).
Të gjithë këta njerëz shpresojnë tu përgjigjet All-llahu kërkesave të tyre, tu realizon nevojat e tyre, kurse kjo nuk është e vështirë për All-llahun!
Çfarë qetësie gjen njeriu besimtarë kur i drejtohet All-llahut në çastin e vështirësisë dhe në momentin e mungesës së zgjidhjes dhe i lutet All-llahut me lutjen e Pejgamberit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem:
All-llahumme Rabbes-semavatis-seb`i ve Rabbel-`arshil-`adhim, Rabbena ve Rabbe kul-li shej`in, Falikal-habbi ven-neva, ve Munzilet-tevrati vel-Inxhili, vel-furkan, eøudhu bike min sherri kul-li shej`in Ente ahidhun bi nisijetihi. All-llahumme Entel-Evvelu fe lejse kableke shej`un, ve Entel-ahiru fe lejse baødeke shej`un, ve Entedh-Dhahiru fe lejse fevkake shej`un, ve Entel-batinu fe lejse duneke shej`un, Ikdi øanna ed-dejne, ve agnina minel-fakr.
(O All-llahu im, Zot i të shtatë qiejve dhe Zot i Arshit të Madh, Zoti ynë dhe Zot i çdo sendi, Zbërthyes i farës (i kokrrës së saj) dhe i bërthamës (së pemës), Ti je Ai i Cili e shpalle Tevratin, Inxhilin dhe Furkanin (Kur`anin). Kërkoj mbrojtjen Tënde nga sherri i çdo sendi, balli i të cilit është në dorën Tënde. O All-llah, Ti je i pari dhe para Teje nuk pati asgjë. Ti je i Fundit dhe mbas Teje nuk mbetet asgjë. Ti je i Dukshmi dhe mbi Ty s’ka asgjë. Ti je i Padukshmi dhe nën Teje s’ka asgjë. Largoje nga ne borxhin dhe na mbroj prej varfërisë). (Muslimi).
Ebu Bekër Ketaniu thotë:
“Në kohë të haxhit në Mekë u debatua mbi dashurinë. Folën mbi këtë temë shumë dijetarë, kurse Xhunejdi, rahimehull-llah, ishte më i riu në atë mes. I thanë: na sjell çka ke ti. Uli kokën një kohë, i rrodhën lotët e pastaj tha:
Njeriu që injoron vetveten, vazhdimisht përmend Zotin e vet, i kryen detyrat ndaj Atij, e shikon Atë me zemrën e tij, i këpusin zemrën drita e Dinjiteti të Tij, pi ujë të pastër nga gota e dashurisë së Tij, ia zbulon i Madhërishmi perdet e të padukshmes, e nëse flet, flet me All-llahun, nëse tregon, nga All-llahu tregon, nëse punon, sipas urdhrit të All-llahut punon, e nëse pushon, me All-llahun pushon. Pra, ky njeri është për All-llahun, sipas All-llahut dhe me All-llahun. Qanë dijetarët e thanë: s’kemi çka shtojmë më shumë se kjo që the.
Kush meriton të përmendet më shumë
All-llahu, tebareke ve teala, është:
Ai që më së shumti meriton të përmendet
Ai që më së shumti meriton të adhurohet
Ai që më së shumti meriton të falënderohet
Ai që më së shumti meriton të jemi mirënjohës ndaj Tij
Ai që më së shumti ndihmon kur kemi nevojë për Te
Më i buti ndaj atyreve që i posedon
Më i drejti ndaj atyreve që i dënon
Më falësi ndaj atyreve që e meritojnë dënimin
Më bujari që e synojnë njerëzit
I butë edhe pse ua din gjendjen
Ua fal njerëzve edhe pse mund të hakmerret ndaj tyre
Ua fal edhe pse është Krenar
Ai është Mbreti pa shok, Një pa rival, i Pasuri pa nevojë për ndihmë, Zotëri që s’ka fëmijë e as shoqe, i Lartë pa përngjajësues e as pa emnak, çdo gjë do të shkatërrohet përpos Fytyrës së Tij, çdo mbretëri do të perëndon përpos mbretërisë së Tij, çdo hije do të zhduket përpos hijes së Tij, çdo mirësi do të përfundon përpos mirësisë së Tij
Me lejen dhe mëshirën e Tij adhurohet, kurse me dijen dhe urtësinë e Tij bëhet mëkat ndaj Tij.
Nëse e adhurojnë njerëzit, ai ata i falënderon, e nëse gabojnë ndaj Tij Ai ua fal dhe nuk i dënon.
Çdo dënim i Tij është i drejtë, kurse çdo begati është dhunti prej Tij.
Është dëshmitari dhe kujdestari më i afërt. Ai i udhëheq njerëzit me kokë në dorë, i regjistron veprat e tyre, i ka caktuar exhelet e tyre, zemrat kah Ai anojnë, sekreti tek Ai është publik, kurse e padukshmja e dukshme:
“Kur Ai dëshiron ndonjë send, urdhri i Tij është vetëm t’i thotë: “Bëhu!” Ai menjëherë bëhet”. (Jasin: 82).
Komenti i ajeteve ku përmendet harrimi i All-llahut.
All-llahu, subhanehu ve teala, në dy ajete e përdorë këtë frazë: “harrim të All-llahut”, kurse përgjigjeja e All-llahut për këtë vepër është në dy forma:
a) All-llahu i harroi ata – ;
b) All-llahu bëri që ata të harrojnë vetveten – .
All-llahu, azze ve xhel-le, thotë:
“Hipokritët dhe hipokritet janë si njëri-tjetri; urdhërojnë për të keqen e ndalojnë nga e mira dhe shtrëngojnë duart e tyre. Harruan All-llahun (nuk i binden), prandaj Ai i harroi (nga mëshira). Nuk ka dyshim, hipokritët janë ata të prishurit. Hipokritëve dhe hipokriteve dhe jobesimtarëve All-llahu u ka përcaktuar zjarrin e xhehenemit, ku do të jenë përgjithmonë, ai mjafton për ta, dhe ata i ka mallkuar All-llahu. Ata kanë dënim të pandërprerë”. (Et-Teube: 67- 68).
“E mos u bëni si ata që e harruan All-llahun, e All-llahu bëri që ata ta harrojnë vetveten! Të tillët janë ata të prishurit. Nuk janë të barabartë ata të xhenetit dhe ata të xhehenemit. Banuesit e xhenetit janë ata fatbardhë që ia kanë arritur qëllimit. Sikur Ne ta zbritnim këtë Kur’an mbi ndonjë kodër, do ta shihje atë të strukur e të çarë prej frikës nga All-llahu. Këta janë shembuj që ua shkoqisim njerëzve, që ata të mendojnë. Ai është All-llahu që nuk ka zot tjetër; vetëm Ai, që e di të fshehtën dhe të dukshmen, Ai është Mëshiruesi, Mëshirëbërësi! Ai është All-llahu që nuk ka zot tjetër përveç Tij, sundues i përgjithshëm, i pastër (prej të metave që i vishen), shpëtimtar (që i shpëton njerëzit prej ndëshkimit të padrejtë), sigurues (që i siguroi njerëzit me premtimin e vet dhe pejgamberët me mrekulli) mbikëqyrës (që mbikëqyr dhe përcjell çdo send), i plotfuqishëm, mbizotërues, i madhërishëm. I lartësuar është All-llahu nga çka i shoqërojnë! Ai është All-llahu, Krijuesi, Shpikësi, Formësuesi. Të tij janë emrat më të bukur. Atë (All-llahun) e madhëron çka ka në qiej e në tokë dhe Ai është ngadhënjyesi, i urti!”.
Imam Ibën Kajimi, rahimehull-llah, duke komentuar këto ajete mes tjerash thotë:
“Kur ata harruan Zotin e tyre, subhanehu ve teala, All-llahu i harroi ata dhe bëri që ata të harrojnë vetveten. Pra u dha dy dënime:
– All-llahu i harroi ata – ;
– All-llahu bëri që ata të harrojnë vetveten -.
Harrimi i njeriun nga All-llahu, domethënë moskujdesi për te, braktisja e tij, lërja e tij dhe të shkakton humbjen e tij. Në këtë rast shkatërrimi i tij është më afër se sa që është dora për gojën.
Kurse harrimi i vetvetes, domethënë harrimi i kënaqësirave të tija të larta dhe shkaqeve të lumturisë, shpëtimit, përmirësimit dhe gjërave që një njeri e bëjnë të plotë. Ai i harron tërësisht këto gjëra dhe nuk i kujtohen, nuk i bijë ndër mend, nuk preokupohet me to dhe largohet prej tyre
I harron të metat e veta, mangësitë dhe defektet që i ka e nuk i bie ndërmend që t’i largojë ato.
I harron sëmundjet dhe dhimbjet e shpirtit dhe zemrës së tij dhe aspak nuk i kujtohet që t’i shëron, të vepron për të larguar defektet dhe sëmundjet që e shpijnë këtë njeri në prishje dhe shkatërrim.
Ky njeri ka sëmundje shumë të keqe, sëmundje e cila e çon në shkatërrim total, kurse ai as që është duke e ndier këtë sëmundje e as që preokupohet me shërimin e saj.
S’ka dyshim se kjo është dënimi më i madh i përgjithshëm dhe i përveçëm që mund ta kaplon një njeri.
A ka dënim më të madh se sa dënimi me shkujdesi ndaj vetvetes, humbja dhe harresa e interesit të tij, harresa e sëmundjes dhe ilaçit të tij, harresa e shkaqeve të lumturisë, shpëtimit dhe përmirësimit dhe harresa e jetës së tij të përhershme në begatitë e vazhdueshme (të ahiretit)?! (Shiko: “Bedaiut-Tefsir”, 4/ 426- 427).
Në një vend tjetër thotë:
“I dënoi duke e harruar vetveten, duke harruar veprimin e gjërave që janë në interesin e tyre, duke harruar përmirësimin e defekteve të tyre, duke harruar përjetimin e kënaqësirave të tyre, kurse interesi dhe kënaqësia më e madhe e shpirtit të njeriut është kujtimi i Zotit dhe Krijuesit të tij, sepse njeriu nuk ka begati, as gëzim, as shpëtim, as përmirësim, përpos se duke e përmendur All-llahun, duke e dashur Atë, duke i drejtuar kah ai dhe duke ia kthyer shpinën çdo gjësë përpos Atij Kjo harresë shkaktoi edhe një harresë tjetër.
Gjendje të kundërt kanë ata që e përmendin dhe nuk e harrojnë All-llahun, atyreve All-llahu ua kujton interesin e tyre dhe veprojnë për te, ua mëson të metat që i kanë dhe i përmirësojnë ato, ua bën të qartë kënaqjen e tyre sublime dhe nxitojnë drejt tyre.
Ata që e harruan All-llahun i shpërbleu me harresë të besimit, dashurisë së Tij, përmendjen dhe falënderimin e Tij (Shiko: “Bedaiut-Tefsir”, 4/ 427 – 428).
Njihe All-llahun në bollëk që të njeh kur je në vështirësi
Dhe në fund të përmendim disa sqarime nga një pjesë e hadithit të Pejgamberit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, që ia ka dhënë si këshillë përmbledhëse kushëririt të tij, Abdullah ibën Abasit, radijall-llahu anhu.
Ai mes tjerash në këtë hadith i thotë:
“Njihe All-llahun në bollëk që të njeh All-llahu ty në vështirësi”. (Sahih, Tirmidhiu).
Kjo pjesë e hadithit domethënë se nëse njeriu ka frikë All-llahun, kujdeset për kufijtë që i ka caktuar All-llahu, i kryen detyrat ndaj All-llahut, kur është në bollëk, ai me këtë vepër e ka njohur All-llahun dhe mes tij dhe All-llahut është krijuar një njohje e veçantë, andaj All-llahu ka për ta njohur atë kur të gjendet në vështirësi. Pra kjo njohje bëhet shkak që të shpëton nga vështirësitë dhe ngushticat kur ti dalin ato në rrugë.
Kjo njohje e veçantë mes njeriut dhe All-llahut shkakton afërsinë e njeriut me Zotin e vet, dashurinë e All-llahut ndaj tij dhe përgjigjen e lutjeve të tija.
Njohja e njeriut ndaj All-llahut është dy lloje:
– njohje e përgjithshme, e kjo domethënë konfirmim (ikrar), bindje dhe besim, dhe është për mbarë besimtarët;
– njohje e veçantë që domethënë animi i tërësishëm zemrës drejt All-llahut, ti përkushtohet Atij, të ndihet i gëzuar në shoqërimin e Tij, të qetësohet duke e përmendur, të ketë turp nga Ai dhe të ketë nderime të larta ndaj Tij. Kjo njohje e veçantë është ajo rreth së cilës rrotullohen gnostikët (arifun).
Disa prej tyre kanë thënë:
“Të ngratë janë njerëzit, kanë dalë nga dynjaja dhe nuk kanë shijuar më të këndshmen e saj. Thanë: cila është ajo gjë? Tha: njohja e All-llahut, azze ve xhel-le”.
Ahmed ibën Asim El-Antakiu ka thënë:
“Dëshiroj të mos vdes derisa ta njoh All-llahun tim. Njohja nuk është pranimi i Tij por nëse e njeh turpërohesh nga Ai”.
Edhe njohja e All-llahut ndaj robit është dy lloje:
– Njohje e përgjithshme, që domethënë Dija e All-llahut për robin e Vet, Mbikëqyrja e gjërave që i mban sekret dhe ato që i publikon, sikurse ka thënë:
“Ne e kemi krijuar njeriun dhe dimë se ç’pëshpërit ai në vetvete dhe Ne jemi më afër tij se damari (që rrah) i qafës së tij”. (Kaf: 16).
” se Ai di më së miri për ju edhe para se t’ju krijojë edhe kur filloi krijimin tuaj nga dheu, e edhe kur ishit të fshehur në barqet e nënave tuaja…”. (En-Nexhm: 32).
– Njohje e veçantë, që domethënë Dashuria e Tij ndaj njeriut, Afrimi me te, përgjigjja e lutjes së tij dhe shpëtimi nga vështirësitë. Në këtë aludon ajo që transmeton Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, nga All-llahu, azze ve xhel-le, në hadithin kudsi:
“Vazhdon robi Im të më afrohet me vepra vullnetare (nafile) derisa ta Dua. E kur ta dua, me Mua dëgjon, me Mua shikon, me Mua prek, me Mua ecë. Nëse kërkon diçka kam për ti dhënë e nëse kërkon strehim te unë do ta strehoj”. Në një transmetim tjetër qëndron: “nëse më lutet i përgjigjem”.
Kur iku Hasan Basriu nga Haxhaxhi, hyri në shtëpinë e Habib ibën Muhamedit. Habibi i tha: Ebu Seid, a nuk ke ndonjë gjë mes teje dhe All-llahut që t’i lutesh me të, e të fsheh prej tyre. Hynë në shtëpinë time. Hyri Hasan Basriu në këtë shtëpi, kurse pas tij erdhën edhe policia e Haxhaxhit, mirëpo nuk e gjetën në shtëpi. Kur u kthyen te Haxhaxhi dhe i treguan se nuk e gjetën te shtëpia e Habib ibën Muhamedit, Haxhaxhi u tha: ai aty ka qenë, mirëpo All-llahu ua ka mbyllur sytë e ju nuk e keni parë.
Fudajl ibën Ijadi u takua një ditë me Shavene, e cila dallohej me adhurimin e sajë dhe kërkoi prej saj që të lutet për te. E kjo ia ktheu: Fudajl, çka ke mes teje dhe All-llahut që nëse i lutesh Atij me këtë gjë Ai të përgjigjet. U alivanos Fudajli nga kjo fjalë.
Maruf Kerhiut i kanë thënë: çka të shtyn që të jepesh pas përkushtimit dhe adhurimit? Pastaj ia përmendën vdekjen, berzahun, xhenetin dhe xhehenemin. Marufi tha: Një Mbret që tërë këto gjëra i ka në Dorën e Tij, nëse ke njohje me Te të mjafton për çdo gjë”.
Në përgjithësi, ai që ndaj All-llahut ka devotshmëri dhe respekt kur është në bollëk, All-llahu do të sillet ndaj Tij me Butësi dhe ndihmesë kur të është në vështirësi.
Dahak ibën Kajsi, rahimehull-llah, thotë:
“Përmendne All-llahun kur jeni në bollëk që t’ju përmend Ai kur jeni në vështirësi. Junusi, alejhisselam, e përmendke shumë All-llahun, e kur ra në barkun e peshku, kurse All-llahu, azze ve xhel-le, tha:
“E sikur të mos ishte ajo që ai kishte qenë prej atyre që shumë e përmendin Zotin. Ai do të mbetej në barkun e tij deri në ditën e ringjalljes”. (Es-Saffat: 143- 144).
Faraoni ishte Tagut, diktator dhe mizor, kishte harruar përmendjen e All-llahut, mirëpo kur e kaploi uji nga çdo anë tha: besova All-llahun. All-llahu, tebareke ve teala, thotë:
“Ti tani beson, ndërsa më parë kundërshtove dhe ishe njëri prej shkatërruesve!” (Junus: 91).
Selman Farisiu, radijall-llahu anhu, ka thënë:
“Nëse njeriu i lutet All-llahut vazhdimisht kur është në bollëk dhe kur ti bie ndonjë vështirësi i lutet All-llahut, melaqet thonë: ky zë është i njohur për ne dhe ndërmjetësojnë për te, kurse nëse njeriu aspak nuk i lutet All-llahut kur është në bollëk dhe kur ti bie ndonjë vështirësi dhe i lutet All-llahut, melaqet thonë: ky zë është i panjohur për ne dhe nuk ndërmjetësojnë për te”.
Një njeri i tha Ebu Derdasë: më këshillo! I tha:
“Përmende All-llahun në bollëk që të përmend Ai ty kur je në vështirësi”.
Gjithashtu tregohet se ai ka thënë:
“Lute All-llahun në ditët e bereqetshme e ndoshta All-llahu të përgjigjet në ditët e vështira”.
Cila është vështirësia më e madhe?!
Vështirësia më e madhe që mund ti bie një njeriu në dynja është vdekja dhe ajo që vijon, nëse fundi i njeriut nuk është xheneti. Andaj besimtari duhet të përgatitet për vdekjen dhe atë që pason kur ka shëndet me devotshmëri dhe vepra të mira.
All-llahu, azze ve xhel-le, ka thënë:
“O ju që besuat, kini parasysh frikën ndaj All-llahut dhe le të shikojë njeriu se çka ka bërë për nesër, dhe kini frikë All-llahun, e s’ka dyshim se All-llahu është që e di në detaje atë që punoni! E mos u bëni si ata që e harruan All-llahun, e All-llahu bëri që ata ta harrojnë vetveten! Të tillët janë ata të prishurit”. (El-Hashr: 18- 19).
Ai që përmend All-llahun kur është i shëndoshë dhe në bollëk është përgatitur për takimin me All-llahun, azze ve xhel-le, është përgatitur për vdekjen dhe atë që pason. Atëherë All-llahu e përmend kur të është ngushtë dhe në vështirësi e është me te, me Butësinë, ndihmën, kujdesin dhe përforcimin e tij në Tevhid. Takohet me All-llahun, kurse All-llahu është i kënaqur me te. Kurse ai që e harron All-llahun kur ka shëndet dhe kur është në bollëk, ai nuk është përgaditur për takimin me All-llahun, andaj edhe All-llahu e harron në këto vështirësi që i biejnë mbi kokë. Domethënë e braktisë dhe e neglizhon.
Kur t’i vjen vdekja, besimtarit që është i përgatitur për te dhe ka mendim të mirë për Zotin e vet, atij i vijnë myzhde nga All-llahu, andaj edhe e dëshiron takimin me All-llahu, por edhe All-llahu e do takimin me te. Kurse e kundërta ndodh me njeriun e prishur. Në këto momente dhe çaste gëzohet besimtari me këtë myzhde që i vjen, kurse ai që s’ka punuar pendohet e thotë:
” O i mjeri unë që kam lënë mangët respektimin ndaj All-llahut dhe që kam qenë prej atyre që talleshin!” (Ez-Zumer: 56).
Ebu Abdurahman Sulemiu para se të vdes ka thënë:
“Si mos të kemë shpresë në Zotin tim, kur për Te kam agjëruar tetëdhjetë ramazane”.
Ebu Bekër ibën Ajashi, rahimehull-llah, në prag të vdekjes i ka thënë djalit të tij:
“A mendon se All-llahu ka për t’ia humbur babës tënde katërdhjetë vitet ku për çdo natë bënte hatme Kur’anin”.
Adem ibnë Ijasi e bëri hatme Kur’anin në prag të vdekjes, pastaj tha:
“Për dashurinë që kam pas ndaj Teje ji i Butë ndaj meje në këtë moment dhe në këto vështirësi. Kam pas shpresa të mëdha te Ti për këtë ditë, la ilahe il-lall-llah”. Pastaj vdiq.
Kur i erdhi vdekja Zekerija ibën Adijut i ngriti duart e tha:
“All-llahu im, më ka marrë malli për ty”.
Katadeja, rahimehull-llah, duke komentuar ajetin kuranor:
“Ai që ka frikë All-llahun, ai atij i jep rrugëdalje”. (Talak: 2), thotë:
Rrugëdalje nga vështirësia gjatë vdekjes.
Kurse Ibën Abasi, radijall-llahu anhu, ka thënë:
I jep rrugëdalje nga çdo vështirësi në dynja dhe ahiret.
Zejd ibën Eslemi duke komentuar ajetin kuranor:
“E, s’ka dyshim se ata që thanë: “All-llahu është Zoti ynë”, dhe ishin të paluhatshëm, atyre u vijnë engjëjt (në prag të vdekjes dhe u thonë): të mos u frikësoheni, të mos pikëlloheni, keni myzhde xhenetin që u premtohej”. (Fussilet: 30).
Kjo myzhde i vjen gjatë vdekjes, në varr dhe kur të ringjallet. Ai do të arrij në xhenet, mirëpo lezeti dhe gëzimi i kësaj myzhde nuk do të zhduket nga zemra e tij.
Thabit Bunaniu, rahimehull-llah, thotë:
Kemi mësuar se kur të ringjallet besimtari nga varri takohet me dy melaqe, të cilët kanë qenë me te në dynja e i thonë: mos ke frikë dhe mos u mërzit. Atëherë All-llahu e siguron nga frika dhe i jep kënaqësi. Në këtë ditë kur shumë njerëz alivanosen nga vështirësia e kësaj dite, besimtari është në kënaqësi i sigurt, për shkak të udhëzimit të All-llahut dhe veprave të tija të mira që i ka bërë në dynja. (Shiko: “Xhamiul-Ulumi Vel-Hikemi”, 1/472- 477).
Bekir Halimi
Bekir Halimi,
2.2.2007