Falënderimi i qoftë Allahut të Madhërishëm, kurse bekimi dhe paqja qoftë mbi Pejgamberin Muhamed (savs), mbi familjen e tij dhe mbi shokët e tij. Paqja dhe shpëtimi i Allahut qoftë edhe mbi shehidët, mbi të gjithë të vdekurit tonë dhe mbi njerëzit që kërkojnë rrugën e së mirës.

Të dashur vëllezër!

Hutbeja e sotme e mban titullin: Mos falimentoni!

Unë u largova, i lashë shtëpitë, banesat, xhamitë dhe xhematet tuaja. Unë isha me ju për tridhjetë ditë dhe kisha për detyrë që t’i riparojë shpirtrat tuaj të thyer e të plagosur nga mëkatet. Në emrin tim theksohet ky synimi im sepse unë quhem ramadan dhe ajo fjalë do të thotë, tokë e plasaritur dhe e thatë, në të cilën bie shi i bereqetshëm dhe ajo, toka, zbukurohet me bimë dhe lule të ndryshme, dhe mahnit me pamjen e saj.

Do të doja ta di, a ia kam arritur, që t’jua forcoj zemrat dhe që t’jua shëroj shpirtrat, në mënyrë që të mos ktheheni më në mëkatet që mund t’i keni bërë dhe, që të çliroheni nga tiparet e këqija që ishin me ju?

Unë isha me ju për tridhjetë ditë dhe kisha për detyrë që me agjërim t’ju forcojë në rrugën e këmbënguljes për bamirësi dhe që t’ju bëjë të vendosur në luftën kundër mëkatit dhe së keqes. Agjërimi im, i cili është urdhëruar për ju, ashtu siç ishte urdhëruar edhe për ata që ishin para jush që të bëheni të devotshëm, ka fuqi, ka për detyrë që ta forcojë devotshmërinë tuaj, që t’ju drejtojë në bamirësi brenda kufijve të mundësive tuaja, dhe e kemi për detyrë që nga mëkatet të shmangemi plotësisht.

Do të doja ta di, a ia kam arritur, që të jeni më të pranishëm në rrugën e së mirës ​​dhe më larg rrugës së shejtanit?

Brenda këtyre tridhjetë ditëve që kalova me ju, dhjetë prej tyre veçanërisht ia kushtova mëshirës (rahmetit) të Allahut. Në ato dhjetë ditë, desha t’ju them se nëse doni të jeni nën mbrojtjen e mëshirës së Allahut, duhet edhe vetë të jeni të mëshirshëm. Çdo ditë nga ato dhjetë, ju përsërisja fjalët e të Dërguarit: “Nëse e do mëshirën e Allahut, bëhu i mëshirshëm!” Dhe të jesh i mëshirshëm, do të thotë, të ecësh me përulësi në tokë, të kujdesesh për të drejtat e të gjithëve; as bimët, as kafshët, veçanërisht njeriun, kurrë dhe askund të mos e rrezikosh dhe kurrë dhe askund të mos veprosh padrejtësisht. Të jesh i mëshirshëm, do të thotë, të kujdesesh shumë për çdo krijesë të Allahut dhe të jetosh në bindje ndaj Allahut, në mënyrë që mëshira e Allahut të derdhet mbi ne në ditën e mahsherit.

Do të doja ta di, se në ato dhjetë ditët e promovimit të rahmetit, a kam arritur t’ju bëj merhametli?

Brenda këtyre tridhjetë ditëve që kalova me ju, dhjetë prej tyre veçanërisht ia kushtova faljes. Në ato dhjetë ditë, desha t’ju mësoja se gjithmonë ekziston mënyra për t’u çliruar nga mëkatet, ajo mënyrë quhet tevbe; dhe desha t’ju them, se çdo ditë e të tretës së dytë të ramazanit i përsërisja fjalët e të Dërguarit (a.s.): “Nëse e do faljen, bëhu falës!” Allahu më bëri muaj të veçantë, nga të gjithë muajt, sepse vetëm emrin tim Ai e përmendi në Kuran. Veçanti e imja është, se unë jam mundësia për të dalë nga unë pa mëkate. A ia kam arritur të ju pastroj nga mëkatet tuaja, këtë ju e dini, ju e dini a jeni penduar sinqerisht dhe a ia keni kthyer shpinën mëkatit me vendosmëri.

Do të doja ta di, a keni derdhur në zemrat tuaja forcë të re, forcë të imanit, në mënyrë që të mund t’i rezistoni mëkatit çdo ditë dhe kudo. Qëllimi kryesor i fesë është që të mos bëni mëkate. Do të doja të di, a kam kontribuar për këtë?

Brenda këtyre tridhjetë ditëve që kalova me ju, dhjetë prej tyre veçanërisht u përkushtova për t’ju shpëtuar juve nga zjarri. E kisha obligim t’ju mësoja se të gjitha veprat e mira që i bëni, të gjitha veprat e mira që i keni bërë në ramazan; agjërimin, teravitë dhe sadakatë, mund t’i shkatërroni me pakujdesinë tuaj dhe të shkoni në zjarr. Jo vetëm në këto dhjetë ditët e të tretës sime të fundit, por çdo ditë ju përsërisja fjalët e të Dërguarit (a.s.): “Kush nuk e lë gënjeshtrën dhe fjalën e keqe, nuk ka pse ta lërë ushqim dhe pijen për hir të Allahut.” Tani që po shkoj dhe do të mungoj për njëmbëdhjetë muaj, dua t’jua kujtoj dhe në të njëjtën kohë t’ju paralajmëroj me këto fjalë të Pejgamberit. Pejgamberi (a.s.) i pyeti sahabët: “A e dini se kush është i falimentuar?” Ata thanë: “I falimentuar tek ne është ai që nuk ka para dhe nuk posedon asgjë.” Ai tha: “I falimentuari i vërtetë nga umeti im do të vijë Ditën e Kiametit me namaz, me agjërim e me zekat. Vjen, por e ka fyer këtë, ka shpifur për këtë, e ka ngrën pasurin e këtij, e ka derdhë gjakun e këtij, e ka rrahur tjetrin. Atëher ju jepet atyre nga të mirat e tij, e nëse përfundojnë të mirat e tij para sa t’i shpaguaj këto padrejtësi, mirren nga mëkatet e atyre që ju është bërë padrejtësi dhe i hudhen këtij, e më pas hudhet në zjarr.”

E di, nuk ishte e lehtë për ju këto tridhjetë ditë me mua. Nuk keni ngrënë e pirë tërë ditën, keni hequr dorë nga kënaqësitë trupore për mua, e keni ndërprerë gjumin, e di që nuk ju ka zënë gjumi gjatë tridhjetë ditëve të qëndrimit tim në shtëpitë tuaja. Unë nuk kam qenë kot te ju, por kam sjellë shumë dhurata. Ato dhurata për privimin tuaj do t’ju jepen kur të keni më shumë nevojë për to, prandaj tani për njëmbëdhjetë muaj luftoni që të mos i humbni ato, që të mos mbeteni pa dhurata. Mos falimentoni, mos lejoni që të gjitha përpjekjet tuaja në këto tridhjetë ditë të ramazanit të ju shkojnë dëm. Vazhdoni të ngulmoni në të mirën dhe qëndroni të vendosur kundër mëkatit. Ditën e gjykimit përfundimtar do të zbulohet se a ia kemi dalë apo jo!!

O Allahu i Plotfuqishëm, të lutemi na ndihmo! Amin!

Hatib: Izet ef. Čamdžić

Përshtati në shqip: Miftar Ajdini

Burimi