Sedat ef.Islami

Besimtarë të nderuar!
Karvani ynë me robërit e sinqertë të Allahut të Madhëruar vazhdon. Përshkrimi i tyre sot fokuson tiparin më të rëndësishëm, atë të besimit të pastër –monoteizmit. Allahu i Madhëruar duke ua përshkruar këtë tipar, respektivisht duke i zhveshur nga e kundërta e tij, thotë: “Edhe ata që pos Allahut, nuk lusin zot tjetër…” (El-Furkan, 68.)
Të këtillë janë besimtarët e sinqertë. Ata kanë të stolisur, krahas anës së jashtme me të cilën synoj sjelljet dhe moralin, edhe shpirtin. Ata, vërtetë janë të sinqertë, ngase burim i këtij sinqeriteti është shpirti, në të cilin ka zënë vend besimi i pastër në Allahun e Madhëruar. Se sa është e rëndësishme kjo cilësi dhe cili është roli i saj në botën e të sinqertëve, do të mësojmë në vijim, por më parë, do të doja të ndalemi në një pikë që ia vlen të diskutohet në fillim të kësaj ligjërate: Përse kjo cilësi, pra monoteizmi, që absolutisht është më e rëndësishmja në Islam, në këtë renditje kur’anore nuk erdhi e para? Ku qëndron sekreti dhe cila është urtësia? Duke qenë se është pjesë esenciale e kredos islame se Allahu nuk harron e aq më pak të gabojë, atëherë sigurisht se në këtë janë fshehur urtësi, rezymenë e të cilave do ta sjellim para jush:
a. Ekziston mundësia që cilësitë e përmendura më parë të jenë pjesë e personalitetit edhe të ndonjë jomyslimani. Mund të gjesh ithtarë të feve tjera, të cilët janë modest, janë të butë, luten shumë sipas parimeve
të fesë së tyre, frikësohen nga Xhehennemi, janë të kujdesshëm në shpenzime, por që besimin e pastër në Allahun nuk e kanë. Nga këtu, përmendja e kësaj cilësie vjen për të tërhequr vërejtjen se mungesa e besimit të pastër zhvleftëson çdo tipar tjetër.
b. Përvetësimit të tipareve i është dhënë përparësi ndaj zhveshjes nga cilësitë e urryera, jo si zakonisht1, për shkak se për tematikën që flitet, pra për robërinë e përkryer ndaj Allahut, dhënia përparësi përvetësimit të tipareve ndaj zhveshjes prej të këqijave është më e përshtatshme(2)
c. Janë përmendur këto cilësi në këtë ajet kur’anor(3) (besimi i pastër, largimi nga vrasja e njerëzve dhe prostitucioni), për t’ua bërë me dije popullit të tyre, pra fjala është për idhujtarët arabë të asaj kohe, se besimtarët e sinqertë janë të zhveshura nga cilësitë më të cilat shquheshin më së shumti ata idhujtaria, vrasja dhe prostitucioni4.

Vëllezër të nderuar!
Se sa është i rëndësishëm monoteizmi flasin qartë edhe faktet që dëshmojnë se prioritet i parë i misioneve të të gjithë profetëve ka qenë thirrja në të. Madje ka qenë edhe moto e tyre. Allahu në Kur’anin Famëlartë thotë: “Ne nuk dërguam asnjë të dërguar para teje e të mos i kemi shpallur atij se: Nuk ka zot tjetër përveç Meje, pra më adhuroni!” (El-Enbija, 25.)
“Ne dërguam në çdo popull të dërguar që t’u thonë: “Adhuroni vetëm Allahun, e largojuni djajve (adhurimit të tyre)!” Por, pati nga ata që Allahu e udhëzoi dhe pati nga ata që ishte i gjykuar me humbje, pra udhëtoni nëpër botë dhe shihni se si ishte fundi i gënjeshtarëve?” (en-Nahl, 36.)
Nga këtu, nuk është çudi të hasësh në Kur’an shumë ajete tek aprovojnë Monoteizmin sikur që nuk është çudi të vëresh Muhamed Mustafanë, a.s.,të ketë kaluar shumicën e kohës si profet duke thirrur dhe aprovuar këtë parim, sidomos në periudhën mekase, e cila njihet si epoka e çrrënjosjes se idhujtarisë. Allahu shpalli platformën e re dhe të vetme që në raport me Të duhet besuar: “Thuaj: Ai, All-llahu është Një! All-llahu është Ai që çdo krijesë i drejtohet (i mbështetet) për çdo nevojë. As s’ka lindur kë, as nuk është i lindur. Dhe Atij askush nuk i është i barabartë.” (El-Ihlas.)

Monoteizmi zgjidhje problemesh

Njeriu, si shkak i mungesës së besimit dhe lidhjes së duhur me Allahun, shpeshherë përfundon në udhëkryqe, të cilat janë me fatalitet për të. Duke mos ditur drejtimin, ai bie viktimë e depresionit, mërzisë, pesimizmit, dhe jo rrallë na bie të dëgjojmë se filani u var, tjetri bëri vetëvrasje, i treti kërceu nga lart, etj. Sikur ta lexonin këtë ajet shpresëdhënës dhe të shfletonin urtësitë e tij mbase do ta kishin dashur jetën. Kjo për faktin se shkaku i zbritjes së këtij ajeti është për t’i dhënë fund këtyre marrëzive. Buhariu, Muslimi, Ebu Davudi dhe Nesaiu transmetojnë nga Ibni Abbasi, i cili rrëfen se disa idhujtarë erdhën tek Pejgamberi, a.s., dhe duke qenë se kishin mbytur shumë njerëz, pyetën e thanë: Vërtetë, kjo në të cilën po thërret është e mirë po sikur të na tregoje se a ka shpagim për atë që kemi bërë? Atëherë Allahu i Madhëruar e shpalli këtë ajet: “Edhe ata që pos Allahut, nuk lusin zot tjetër…” (El-Furkan, 68).
Si dhe ajetin tjetër: “Thuaj: “O robërit e Mi, të cilët e keni ngarkuar me shumë gabime veten tuaj, mos e humbni shpresën ndaj mëshirës së Allahut, pse vërtetë Allahu i falë të gjitha mëkatet, Ai është që shumë falë dhe është
mëshirues!” (ez-Zumer, 53.)
Mbase mund të ketë qenë një nga mbështetjet e Ibni Tejmijes ky fakt përse deklaroi: “Zemrat nuk do të mund ta arrijnë gëzimin dhe kënaqësinë e plotë përveçse me dashurinë për Allahun dhe afrimin tek Ai me gjërat që i do. E kjo dashuri nuk mund të realizohet pa u larguar paraprakisht nga çdo i dashur tjetër. Kjo është e vërteta e La ilahe il-la Allah, dhe kjo është feja e Ibrahimit, a.s.”(5) Ndërsa nxënësi i tij, Ibnu’l Kajjim, në Zadu’l Mead, deklaron se “Monoteizmi është shkaku më i rëndësishëm i zemërgjerësisë! “Pra, kthejuni Islamit, pendohuni dhe vazhdoni jetën sipas tij, ngase mëkatet tuaja të kaluara, falen. Kjo, siç po vëren-vëlla i nderuar- kushtëzohet me një model të ri jetese, dhe mu për këtë: Monoteizmi është program jete. Shërimi nga sëmundjet e besëtytnisë, depresionit, pesimizmit, arrihet vetëm nëse njeriu iu përmbahet udhëzimeve të Islamit. Hadithi që përmendëm pak më parë parashtron këtë kërkesë. Ata që kërkuan zgjidhje nga Muhamedi, a.s., morën këtë përgjigje: Allahu ua falë mëkatet, ua hap rrugët, ua largon problemet shpirtërore me kusht që trendi i jetës të ndërrojë: të mos i bëni shok Allahut, të mos vrani njerëzit, të mos bëni prostitucion. Me një fjalë, jeta juaj, nga A-ja deri në Zh-ë, duhet të jetë vetëm për Allahun. “Thuaj: “Namazi im, kurbani im, jeta ime dhe vdekja ime janë thjesht për Allahun, Zotin e botëve.” (El-En’amë, 162.)

Vëllezër të nderuar!
Tash që mësuam diç për rëndësinë e Monoteizmit na mbetet të mësojmë edhe për rrezikun e politeizmit. Ndoshta do të mjaftonte vetëm dënimi i përmendur në këtë kaptinë kur’anore prej së cilës jemi duke vjelë këto tipare. “Edhe ata që pos Allahut, nuk lusin zot tjetër dhe nuk mbysin njeriun që e ka ndaluar Allahu, por vetëm kur e meriton në bazë të drejtësisë, dhe që nuk bëjnë kurvëri, ndërsa kush i punon këto, ai gjen ndëshkimin. Atij i dyfishohet dënimi ditën e kiametit dhe aty mbetet i përbuzur përgjithmonë.” (El-Furkan, 68-69.)
Idhujtaria kategorizohet si mëkati i vetëm që pa pendim Allahu nuk e fal. “S’ka dyshim se Allahu nuk falë (mëkatin) t’i përshkruhet Atij shok (idhujtarinë), e përpos këtij (mëkati) i falë kujt do. Kush përshkruan Allahut shok, ai ka trilluar një mëkat të madh.” (en-Nisa, 48.)
Përderisa monoteizmi paraqet strumbullarin e jetës, tek i cili drejtohen dhe prej të cilit merren direktivat e jetës, politeizmi nënkupton plotësisht të kundërtën: konfuzionin, hamendjen, mëdyshjen, humbjen. Allahu sjell shembull për këtë në Kur’an e thotë: “Allahu solli një shembull: Një njeri (rob) në posedimin e të cilit ishin ortakë pa marrëveshje mes vete dhe një njeri (rob) që është thjesht në posedimin e një njeriu. A janë ata të dy të një lloji (të një gjendjeje)? Lavdërimi i takon vetëm Allahut, por ç’bën shumica e tyre nuk e dinë.” (ez-Zumer, 29)
Një njeri që adhuron vetëm një Zot, që është Zoti i qiejve dhe tokës dhe çdo gjëje ndërmjet tyre e në to, ka vetëm një detyrë: atë të përmbushjes së obligimeve ndaj këtij Zoti. Ndërsa ai që ka shumë zota, si do t’iu përgjigjet atyre?! Urdhrat e cilit do t’i kryen së pari?! Pra, konfuzion. Kësisoj është politeizmi. Politeizmi paraqet edhe budallallëkun e njerëzve. Si e lut atë që nuk mund t’i bëj dobi as vetes. “Kush është më i humbur se ai që pos Allahut lut diç që nuk i përgjigjet atij deri në kijamet, pse ata (që luten) janë gafilë ndaj lutjes së tyre. E kur do të tubohen njerëzit, ata (zotat e tyre) do të jenë armiq të tyre (të adhuruesve) dhe do ta mohojnë adhurimin e tyre (të idhujtarëve).” (El-Ahkaf, 5-6)
Politeizmi në raport me veprat është identik me një armë biologjike të shkatërrimit në masë. Mu për këtë, shprehjet kur’anore për dëmin e politeizmit gjithnjë kanë qenë të frikshme:“…Kush përshkruan Allahut shok, ai ka trilluar një mëkat të madh.” (en-Nisa, 48)
“…Ai që i përshkruan shok Allahut, ai ka humbur dhe bërë një largim të madh (prej të vërtetës).” (en-Nisa, 116.)
“…e kush i përshkruan shok Allahut, ai është sikur të bie nga qielli e ta rrëmbejë shpendi, ose si ai të cilin e gjuan era e stuhishme në ndonjë vend të humbur.”(El-Haxh, 31)
“… sepse idhujtaria është padrejtësi më e madhe!” (Lukman, 13.)
“…E sikur t’i përshkruajnë shok Zotit (edhe ndonjë nga këta) kishte për t’iu shkuar huq ajo që kanë vepruar.” (El-En’am, 88).
“…sepse ai që i përshkruan Zotit shok, Allahu ia ka ndaluar (ia ka bërë haram) atij xhenetin dhe vendi i tij është zjarri…” (El-Maide, 72)

Përmbyllje

Besimtarë të nderuar!
Do të doja që përmbylljen e kësaj hutbeje ta bëj me një mësim që e morëm nga një tipar paraprak i robërve të Allahut, respektivisht i asaj të frikës nga Xhehennemi: jeta ndërmjet frikës dhe shpresës. Muhamedi, a.s., siç transmeton Theubani, në një hadith të gjatë, ndër tjera thotë: “…dhe Kiameti nuk do të ndodhë derisa fise nga ummeti im të mos iu bashkohen idhujtarëve dhe derisa fise të mos kenë adhuruar idhujt…” 6. Keni kujdes pabesimin dhe ruajuni atij dhe çdo forme a mënyre të tij. Le t’iu mjaftojë Allahu ndaj fallxhorëve, parashikuesve të fatit, astrologëve, varrezave – teqeve. Dijeni se askush, absolutisht, pa caktimin e Allahut nuk mund t’iu bëj as mirë dhe as keq, madje edhe nëse të gjithë bëhen tok për një gjë të tillë. Dorëzojuni Allahut dhe caktimeve të Tij ngase vetëm kështu arrijmë kënaqësinë e Tij. Kujdesuni per besimin tuaj dhe dijeni se ai që vdes me besim të pastër, ai e ka të garantuar Xhenetin. Thotë Muhamedi, alejhi’s selam: “Kush e takon Allahun duke mos i shoqëruar asgjë, hyn në Xhennet” Buhariu.
Dhe krejt për fund fare, preferoj që lutja e kësaj ligjërate të jetë ajo e Jusufit, a.s.: “…o Krijues i qiejve e i tokës, Ti je kujdestar imi në Dunja e në Ahiret, më bën të vdes musliman dhe më bashko me të mirë!” (Jusuf, 101).

1) Ekziston një parim, sidomos tek asketët dhe ata që merren me edukim se: “et tahlijetu kable’t tahlijeti – zhveshja para stolisjes”, që nënkupton zhveshjen nga cilësitë e urryera para përvetësimit të cilësive të lëvduara, ose pastrimin e brendshëm-shpirtëror para sjelljeve të jashtme.
(2) Shih për më gjerësisht: Ruhu’l meani fi tefsiri’l Kur’ani’l Adhim ve’s Seb’i’l Methani, Alusi, www.altafsir.com
(3) El- Furkan, 68(4)Shih më shumë: Et Tahriru ve’t Tenvir, Ibn Ashur, www.. altafsir.com(5)http://almoslim.net (6)Transmeton Ebu Davudi ndërsa Albani e ka cilësuar autentik.

Burimi