Abstrakt
Objektivi kryesor i këtij studimi është të krijojë një model të matjes së performancës për xhamitë. Meqenëse modelet ekzistuese për performancën e xhamive nuk janë të disponueshme për krahasim, ky hulumtim është i kufizuar në kornizat e matjes së performancës bazuar në organizatat fitimprurëse dhe jofitimprurëse. Pavarësisht nga veçantia e perceptuar e xhamive si organizata jofitimprurëse të bazuara në besim, ky dokument tregon se të mësuarit nga modelet e matjes së performancës së sektorit privat mund të zbatohet edhe për organizatat jofitimprurëse. Rezultatet tregojnë se ekziston një lidhje pozitive e rëndësishme midis tre variablave kryesore që janë burimet, proceset dhe outputet të cilat përbëjnë bazën e modelimit të matjes së performancës. Gjetjet nga ky studim do të përfitojnë akterë të ndryshëm të xhamive, veçanërisht ata që kanë të bëjnë me menaxhimin, xhematet dhe autoritetet fetare, të cilët janë të prekur drejtpërdrejt nga performanca e xhamive. Duke qenë se janë bërë relativisht pak kërkime në këtë fushë, gjetjet japin një kontribut të vlefshëm në tërësinë e njohurive.
- Hyrje
Gjatë kohës së Profetit ﷺ dhe katër kalifëve të drejtë, xhamitë u përdorën si vendi kryesor i tubimit dhe mbajtjes së shërbesave fetare të muslimanëve. Përveç kësaj, xhamitë përdoreshin edhe si qendër për propagandimin e fesë islame dhe funksioneve shoqërore si dhe si bazë politike dhe administrative. Prandaj, xhamitë kanë disa role apo funksione në shoqërinë muslimane. Rolet përfshijnë xhaminë si një qendër bamirësie dhe mirëqenieje, një vend për trajtim mjekësor dhe infermierë, një qendër ndalimi dhe rehabilitimi dhe një vend për disa aktivitete tjera të lira. Aktualisht, xhamitë nuk përdoren më si qendra të administratës shtetërore. Megjithatë, roli i tyre në formësimin e shoqërisë kryesisht përmes aktiviteteve dhe programeve fetare vazhdojnë ende. Në vendin tonë, aktiviteti më i rëndësishëm fetar i xhamisë është falja e namazit me xhemat. Sipas shejh Kardavit, falja e pesë kohëve të namazit me xhemat në xhami në vetvete nënkuptojnë xhaminë si një institucion i rëndësishëm në Islam, pasi muslimanët duhet të jenë të pranishëm dhe të mblidhen në xhami pesë herë në ditë. Xhamitë shërbejnë edhe si qendra për edukimin fetar. Përveç kësaj, xhamitë kujdesen për përkujtimin e ngjarjeve të rëndësishme fetare si dhe qendrat e administrimit për zyrtarët e xhamive. Fatkeqësisht, xhamitë sot nuk janë më si dikur. Kjo theksohet nga Mohd Asri i cili thotë se xhamitë janë kryesisht të zbrazëta me vetëm dy ose tre safa (rreshti i xhematit) të cilat zakonisht gjenden gjatë namazeve me xhemat. Me përjashtim të ligjëratave fetare që zakonisht mbahen midis namazeve të akshamit dhe jacisë, shumica e xhamive janë të lira nga aktivitetet veçanërisht gjatë ditës kur njerëzit janë të zënë me punët e tyre të kësaj bote. Prandaj nuk është e çuditshme që xhamitë të mbeten bosh shumicën e kohës.
Për të ndaluar rënien e numrit të xhematit nga frekuentimi i xhamive në të gjithë komunitetin musliman, këshillat e bashkësisë islame nëpër komuna duhet të fillojnë me kampanja ndërgjegjësimi rreth vlerës dhe rëndësisë së xhamisë. Prandaj, këshillat e xhamive pritet të tregojnë nëse ka pasur përmirësime në performancë dhe se qëllimet dhe objektivat e xhamive po arrihen. Megjithatë, deri më sot, nuk ka një metodologji të përbashkët për matjen e performancës së xhamive qoftë në formën e perspektivës financiare apo jofinanciare. Deri më tani, matja tradicionale e performancës së organizatave jofitimprurëse fokusohet kryesisht në konstruktet si inpute, procese dhe outpute me synimin për të vlerësuar efikasitetin dhe efektivitetin. Ka disa studime që shikojnë në detaje kornizën e matjes së performancës për organizatat jofitimprurëse, si ato të ndërmarra nga Baruch dhe Ramalho (2006) dhe Sillanpaa (2011).
Megjithatë, aktualisht dihet pak për matjen e performancës për xhaminë në lidhje me inputet, proceset dhe rezultatet dhe se si këta tre faktorë mund të ndikojnë në performancën e xhamisë. Inputet i referohen burimeve të dedikuara për aktivitete dhe programe fetare si zyrtarët e xhamive, anëtarët e komitetit, fondet financiare dhe objektet e xhamive. Proceset që përbëhen nga proceset e menaxhimit i referohen organizimit të aktiviteteve të punës që transformojnë burimet (njerëzit, pajisjet, materialet, objektet, informacionin, etj.) në një produkt ose shërbim. Outputet janë produkte të drejtpërdrejta të aktiviteteve dhe programeve fetare dhe maten në njësi financiare ose jofinanciare. Për shembull: numri i pjesëmarrësve në namazet me xhemat, numri i ngjarjeve fetare dhe funksionet shoqërore, dhe numri i bisedave fetare të mbajtura në një periudhë financiare mund të shprehet në njësi jo financiare. Megjithatë, mënyra e matjes zakonisht shprehet në njësi financiare ose monetare siç tregohet në pasqyrat financiare të xhamive. Deri më sot, këta tre faktorë, përkatësisht burimet, proceset e menaxhimit dhe rezultatet nuk janë shqyrtuar plotësisht për shkak të vëmendjes së pamjaftueshme që i është kushtuar çështjeve që ndoshta, si rrjedhim ka çuar në minimumin e frekuentuesve në xhami. Fakti që studimet mbi matjen e performancës kanë fituar terren të mjaftueshëm për organizatat jofitimprurëse në vitet e fundit, por jo për organizatat e bazuara në besim si xhamitë, nuk kanë ndihmuar në kuptimin e faktorëve të ndryshëm që ndikojnë në performancën e xhamive. Për të udhëhequr këtë studim, objektivi i kërkimit kërkon të përcaktojë marrëdhëniet midis burimeve, proceseve dhe rezultateve të xhamive, të cilat do të çojnë në krijimin e modelit të matjes së performancës për xhamitë.
- Rishikim i Literaturës
2.1. Burimet
Zona e burimeve është e gjerë dhe e paqartë. Kjo është e vërtetë veçanërisht kur Kurani ka burime të përgjithësuara si të gjitha gjërat ose të dukshme ose jo të dukshme që mund të përdoren për të mirën e njeriut që përfshijnë paratë, mjetet, pasurinë, fëmijët, fuqinë punëtore, furnizimin dhe të gjitha gjërat që burojnë nga Furnizuesi i këtyre burimeve.
”Pastaj jua kthyem juve sërish fitoren kundër tyre, ju ndihmuam me pasuri e djem dhe jua shtuam numrin e ushtarëve.” (El-Isra, 6)
”Pasaniku le të shpenzojë sipas pasurisë që ka, ndërsa i varfri le të shpenzojë sipas asaj që i ka dhënë Allahu; Allahu nuk e ngarkon askënd mbi sa i ka dhënë. Pas vështirësisë, Ai sjell lehtësimin.” (Et-Talak, 7)
”…dhe i dhashë pasuri të pamasë” (El-Muddethir, 12)
Megjithatë, burimet nga perspektiva akademike janë më specifike në natyrë dhe nga përkufizimet e tyre (Galbreath, 2005). Duhet gjithashtu të theksohet se studimet mbi burimet e firmave të cilat janë fokusi i veçantë i teorisë së bazuar në burime zakonisht lidhen me performancën e firmave. Edhe pse, teoria e bazuar në burime e ka fillimin e saj të hershëm që nga puna kryesore e Penrose (1959), studimi mbi burimet e firmave mbetet një temë kryesore me interes midis studiuesve dhe praktikuesve deri më sot. Një studim i fundit nga Galbreath (2005) përcakton një burim si një faktor [në nivel firme] që ka potencialin të kontribuojë në përfitime ekonomike dhe ndahet në dy kategori, të cilat janë burimet e prekshme dhe të paprekshme. Portofoli i burimeve Galbreath është si më poshtë:
- Burimet e prekshme që përfshijnë: aktivet financiare dhe asetet fizike.
- Burimet e paprekshme që janë aktive që përfshijnë: pasuritë e pronësisë intelektuale, asetet organizative dhe asetet e reputacionit.
- Burimet e paprekshme të cilat përfshijnë aftësitë.
Teoria e bazuar në burime ka fituar shumë rëndësi kur Wernerfelt (1984) parashtroi në punimin e tij “Një pikëpamje e bazuar në burime të firmës”, e cila teorizoi se suksesi i një firme përcaktohet kryesisht nga burimet që zotëron dhe kontrollon. Ajo që e bën teorinë e bazuar në burime të Wernerfelt të dallohet është se theksi i saj në shfrytëzimin e burimeve të firmave për të fituar avantazhe të qëndrueshme konkurruese, të cilat në përputhje me rrethanat kontribuojnë në performancat superiore të firmave. Një firmë e cila zotëron dhe kontrollon disa lloje të burimeve, do të jetë në gjendje t’i sigurojë organizatës një avantazh të qëndrueshëm konkurrues. Këto burime strategjike të vlefshme, të rralla, të paimitueshme dhe të pazëvendësueshme (Burimet VRPP) përveçse janë të vlefshme dhe të rralla, përshkruhen edhe në aspektin e karakteristikave të tyre të ndryshme të veçanta, siç janë barrierat ndaj dyfishimit ose ato burime që mund t’i rezistojnë dyfishimit të konkurrencës. Burimet strategjike VRPP të cilat kategorizohen si burime jo-materiale përfshijnë aktivet e pronësisë intelektuale, asetet organizative, asetet e reputacionit dhe aftësitë midis disa shembujve. Nga ana tjetër, Warnier argumenton se llojet e tjera të burimeve të përdorura nga firmat përveç burimeve të lartëpërmendura kanë gjithashtu një rol për të luajtur në kontributin në performancën e firmave. Në studimin e tyre të fundit, ata prezantojnë krahas burimeve strategjike VRPP, konceptin e “burimeve të zakonshme”, duke treguar se si ato mund të kontribuojnë në performancën me një model të përshtatshëm biznesi. Burimet e zakonshme përbëjnë pjesën më të madhe të aktiveve të një firme që kërkohen për procesin e prodhimit dhe të cilat janë gjerësisht të disponueshme në tregun e faktorëve. Burimet e zakonshme në përgjithësi nuk krijojnë një avantazh konkurrues, por mungesa ose mosdisponueshmëria e tyre mund të krijojë kosto për firmën dhe të shkatërrojë vlerën.
2.2. Proceset
Modeli i teorisë së bazuar në burime i propozuar nga Barney (1991) thekson se vetëm firmat që janë të pajisura me burime strategjike VRPP mund të mbajnë avantazhin konkurrues. Modeli gjithashtu bëri një supozim të nënkuptuar se menaxherët janë të kufizuar në aftësinë e tyre për të manipuluar të gjitha atributet dhe karakteristikat e firmave të tyre. Prandaj, është ky kufizim që i bën burimet e disa firmave të vështira për t’u imituar dhe të pazëvendësueshme. Megjithatë, studiuesit kanë vënë në dyshim fuqinë parashikuese të teorisë së bazuar në burime pa përfshirjen e menaxherëve si katalizator për avantazhin dhe performancën konkurruese të firmës. Modeli i procesit të menaxhimit të burimeve nga Sirmon (2007) jo vetëm që kërkon që menaxherët të jenë në gjendje të blejnë, grumbullojnë dhe të zhveshin (nëse është e nevojshme) burimet për të arritur portofolin më efektiv të burimeve, por gjithashtu do t’u kërkonte menaxherëve të zhvillojnë aftësitë e nevojshme për të grumbulluar burimet për të krijuar aftësi efektive. Një xhami, për shembull, duhet të organizohet për të shfrytëzuar dhe shpërndarë këto burime që kanë potencial për t’u bërë asete të vlefshme. Si të tillë, zyrtarët e xhamisë dhe anëtarët e komitetit duhet të jenë në gjendje të identifikojnë burimet e vlefshme të kontrolluara nga xhamia dhe në këtë mënyrë të rrisin gjasat që këto burime të përdoren për të fituar performancë superiore.
2.3. Rezultatet dhe matja e performancës
Treguesit e performancës janë normalisht masa sasiore objektive të lidhura me disa aspekte të performancës së organizatave ose institucioneve. Kategoritë tipike të matjes së performancës përfshijnë masat e procesit (p.sh., inputet, outputet) dhe masat e rezultateve (p.sh., të menjëhershme, të ndërmjetme, afatgjata). Sillanpaa përshtati një kornizë të ngjashme në studimin e tij mbi elementet kryesorë të performancës në organizatat finlandeze të shërbimeve të mirëqenies dhe se si matet performanca në këto sektorë të shërbimeve të mirëqenies. Inputet janë ato burime të dedikuara për programet; proceset i referohen kapacitetit të organizatës për të kthyer inputet në outpute të cilat përfshijnë proceset e menaxhimit dhe klimën organizative; dhe rezultatet janë produkte të drejtpërdrejta të aktiviteteve të programit. Në të kaluarën, sistemet e menaxhimit të performancës janë fokusuar kryesisht në masat financiare si rritja e shitjeve, fitimi, fluksi i parasë dhe kthimi nga investimi në mënyrë që të analizojnë performancën (Chan, 2004). Një fokus i tillë ka rezultuar në një sërë dobësish. Së pari, këto matje të performancës financiare nuk i lejojnë menaxherët të vlerësojnë se sa mirë performojnë organizatat në të gjithë gamën e fushave jetike strategjike, të tilla si performanca e punonjësve dhe kënaqësia e klientit. Së dyti, masat tradicionale financiare janë historike dhe nxjerrin në pah pasojat dhe jo shkaqet. Prandaj, ato nuk janë të zbatueshme. Si të tilla, këto masa ofrojnë hapësirë të kufizuar për veprimet e ardhshme pasi ato nuk ofrojnë informacion të mjaftueshëm për atë që duhet zgjidhur. Së fundi, masat financiare tradicionale nuk janë të lidhura me strategji dhe për rrjedhojë, mund të bien ndesh me qëllimet dhe objektivat; dhe për më tepër, ato nuk janë të fokusuara nga jashtë.
Sipas Sillanpaa-së (2011), burimet përbëhen nga disa elemente që përfshijnë punonjësit, menaxhimin, burimet financiare, objektet dhe karakteristikat e klientit. Punonjësit të cilët Sillanpaa i konsideron si burimet kryesore në ofrimin e shërbimeve të mirëqenies maten në kuptimin e kompetencës, motivimit dhe angazhimit të tyre. Disa studiues kanë vendosur gjithashtu marrëdhënien midis motivimit të stafit, kënaqësisë në punë dhe angazhimit organizativ si një masë e performancës së punonjësve. Burimet financiare janë një tjetër element i rëndësishëm pasi i mundëson organizatës të kryejë operacione të përgjithshme dhe rekrutimin e punonjësve. Sipas një studimi mbi xhamitë dhe performancën e tyre, burimi kryesor i të ardhurave për xhamitë është nga donacionet që i bëjnë bizneset dhe individëd e ndryshme, vakëfet ekzistuese dhe format tjera të mbledhjes së fondeve. Të ardhurat nga toka dhe marrja me qira e ndërtesave janë një tjetër burim i madh i të ardhurave për xhamitë. Objektet dhe pajisjet e xhamisë janë një formë tjetër e burimeve të prekshme që janë të vlefshme në ofrimin e shërbimeve dhe komoditetit për xhematin. Lista e objekteve dhe pajisjeve të xhamive përfshin sallat e faljes për meshkuj dhe femra, dhomat e abdesit, banjat dhe tualetet, sistemi i zërit dhe ai audiovizuel, kondicioner, sallat e mësimit dhe sallat e mbledhjeve, libraria, zyra, hapësira të mjaftueshme për parkim të veturave e shumë të tjera që janë lehtësim për frekuentuesit e xhamive.
Sillanpaa gjithashtu thekson rëndësinë e proceseve në modelin e matjes së performancës. Elementet e proceseve përfshijnë proceset e menaxhimit dhe klimën organizative. Proceset e menaxhimit i referohen organizimit të aktiviteteve të punës që transformojnë burimet në një produkt ose shërbim. Studimet e fundit kanë zbuluar se menaxherët luajnë një rol jetik në aftësinë e tyre për të përvetësuar, grumbulluar, kombinuar dhe shfrytëzuar burime për të krijuar vlera që kanë ndikim të rëndësishëm në performance. Përveç masës financiare, Sillanpaa (2011) mat edhe rezultatet bazuar në numrin e shërbimeve të ofruara (p.sh. numri i ditëve të kujdesit) nga organizatat e shërbimit të mirëqenies. Në rastin e xhamive, elementet e rezultateve mund të maten në bazë të aktiviteteve dhe programeve fetare të kryera nga xhamitë, të cilat përfshijnë namazet me xhemat, përkujtimin e ngjarjeve fetare, edukimin fetar, përhapjen e dijes islame përmes bashkëbisedimeve dhe forumeve, bamirësisë dhe shërbimeve komunitare. Tabela 2 thekson disa nga elementet kryesorë të mundshëm të pranishëm në kuadrin e matjes së performancës për xhamitë.
- Korniza teorike dhe zhvillimi i hipotezave të kërkimit
Teoria e bazuar në burime bazohet në teorinë se suksesi i një firme përcaktohet kryesisht nga burimet që zotëron dhe kontrollon. Burimet zakonisht përcaktohen si asete dhe aftësi. Asetet mund të jenë ose në formën e aktiveve të prekshme ose jo-materiale, ndërsa aftësitë i referohen një grupi jo-material të aftësive dhe njohurive të akumuluara të fituara përmes rutinave organizative. Burimet VRPP janë superiore në natyrë dhe zakonisht kategorizohen nën burime të paprekshme që përfshijnë aftësi. Prandaj, xhamitë të cilat kanë përvojë dhe menaxhim të aftë pritet të performojnë më mirë se ato xhami me menaxhim më pak të aftë. Përveç burimeve jomateriale, burimet e zakonshme si fondet financiare dhe objektet e xhamive mund të kontribuojnë gjithashtu në performancën e xhamive. Bazuar në këto argumente, ky studim zhvillon hipotezën e parë:
Hipoteza I: Xhamitë që kanë burime superiore në dispozicion tregojnë performancë më të mirë si rezultat i rritjes së aktiviteteve dhe programeve fetare sesa xhamitë me burime të zakonshme.
Në këtë model, inputet janë ato burime të dedikuara për programet dhe proceset i shndërrojnë burimet në outpute. Zyrtarët e xhamisë dhe anëtarët e komitetit identifikohen si një nga burimet më të rëndësishme dhe shumë organizata matën faktorët që lidhen me to, si kënaqësia e punonjësve, motivimi i stafit, angazhimi organizativ dhe performanca e punës. Punonjësit që janë të motivuar dhe të përkushtuar në punët e tyre pritet të performojnë më mirë dhe kështu të kontribuojnë në performancën organizative. Përveç faktorëve që lidhen me punonjësit, mjaftueshmëria e burimeve financiare është një tjetër objekt matës kritik në shumë organizata. Xhamitë të cilat nuk kanë burime të mjaftueshme financiare nuk do të jenë në gjendje të kryejnë aktivitete dhe programe të cilat janë kritike për zhvillimin fetar të komunitetit. Në mënyrë të ngjashme, objektet e xhamive janë burimet e tjera të rëndësishme që përdoren për të tërhequr xhematin për të ardhur në xhami në baza të rregullta. Me fjalë të tjera, xhamitë të cilat kanë burime të bollshme në dispozicion do të jenë në gjendje të kryejnë më shumë aktivitete dhe programe si dhe të ofrojnë shërbime të cilat janë të dobishme për komunitetin. Kështu, zhvillohet hipoteza e mëposhtme:
Hipoteza II: Ekziston një lidhje domethënëse ndërmjet shfrytëzimit të burimeve dhe proceseve të menaxhimit të xhamive.
Roli i xhamive si vend i vetëm për faljen e namazit me xhemat nuk është më i mjaftueshëm për të ndaluar pjesëmarrjen në rënie. Menaxhmenti i xhamive i përbërë nga zyrtarë të xhamive dhe anëtarë të komitetit do të duhet të luajë një rol më proaktiv dhe të tregojë më shumë përkushtim drejt performancës më të mirë. Nëpërmjet proceseve të menaxhimit, ata duhet të jenë në gjendje të organizojnë dhe manipulojnë burimet e disponueshme të tyre dhe t’i transformojnë këto burime në aktivitete dhe programe fetare. Nëse direktivat e autoriteteve fetare për ‘gjallërimin’ e xhamive do të rezultonin në performancë më të mirë, shtroni pyetjen mbi marrëdhënien midis proceseve dhe produktit që çon në zhvillimin e hipotezës së tretë:
Hipoteza III: Ekziston një lidhje domethënëse ndërmjet proceseve të menaxhimit dhe performancës së xhamive në drejtim të rritjes së aktiviteteve dhe programeve fetare.
Megjithëse studimet e kaluara fokusohen në marrëdhënien e drejtpërdrejtë midis burimeve dhe performancës, studimet e fundit kanë zbuluar se roli ndërmjetësues i menaxherëve në kapacitetin e tyre për të përvetësuar, grumbulluar, kombinuar dhe shfrytëzuar burimet për të krijuar vlerë ka ndikim të rëndësishëm mbi performancën. Një studim tjetër i fundit nga Lin dhe Wu (2014) tregon se aftësitë dinamike (integrimi, mësimi dhe rikonfigurimi) mund të ndërmjetësojnë burimet VRPP të firmave për të përmirësuar performancën. Ata zbulojnë gjithashtu se burimet jo-VRPP kanë një efekt ndërmjetësues të parëndësishëm bazuar në studimin e 1000 kompanive më të mira tajvaneze. Gjetje të ngjashme janë të zbatueshme për organizatat jofitimprurëse ku ka disa faktorë që mund të shpjegojnë marrëdhënien midis burimeve dhe rezultateve. Si rezultat, është paraqitur hipoteza e mëposhtme:
Hipoteza IV: Proceset e menaxhimit përmes transformimit të burimeve ndërmjetësuan ndikimin e burimeve në performancën e xhamive.
Korniza e propozuar e kërkimit është paraqitur në Figurën 2. Katër grupe marrëdhëniesh janë propozuar bazuar në sa vijon:
– Teoria e bazuar në burime e Warnier, Weppe dhe Lecocqs (2013).
– Modeli i procesit të menaxhimit të burimeve sipas Sirmon, Hitt dhe Ireland (2007).
– Modeli i matjes së performances i Sillanpaa (2011).
- Metodologjia
Në shtetin e Malajzisë është zhvilluar një pyetësor i cili kishte për qëllim matjen e performancës së xhamive në këtë shtet dhe numrin e frekuentuese të xhamive. Sipas departamentit malajzian të zhvillimit islamik (JAKIM), në këtë shtet janë rreth 6000 xhamia të cilat ndahen në tre kategori: xhamitë shtetërore, xhamtë e qyteteve të mëdha dhe xhamitë komunale, ndërsa xhamitë private dhe mesxhidet nuk janë përfshirë në këtë pyetësor. Monstrat për këtë pyetësor kanë qenë të rastësishme dhe i janë dërguar 800 xhamive përgjatë gjithë Malajzisë duke u munduar të përfshijnë numër të barabart të tre kategorive të xhamive.
Pyetësori është punuar në atë formë që kishte disa lloje pyetjesh:
- Pyetje me vlerësim nga 1 (nuk pajtohem aspak) deri 5 (pajtohem plotësisht)
- Pyetje me përgjigje të shkurtëra – po ose jo
- Pyetje të hapura (në të cilat të anketuarit i lihej mundësia e përgjigjes në formë më të detajuar)
- Rezultatet
Ky pyetësor u krye për të hetuar modelin e matjes së performancës së xhamive në Malajzi. Rezultatet treguan një përshtatje të mirë të modelit për variablat e testuar mbi burimet, proceset dhe rezultatet të cilat janë brenda vlerave të rekomanduara. Të gjitha hipotezat (Hipoteza I, Hipoteza II dhe Hipoteza III) janë të mbështetura. Hipoteza IV mbështetet gjithashtu bazuar në një rezultat të veçantë duke përdorur llogaritësin e testit Sobel për rëndësinë e ndërmjetësimit, i disponueshëm në faqen e internetit http://danielsoper.com.
- Përfundim
Objektivi i këtij studimi ishte të shqyrtonte modelin e matjes së performancës për organizatat fitimprurëse dhe jofitimprurëse në mënyrë që të konstatohej nëse njohuritë ekzistuese ishin të zbatueshme për xhamitë. Bazuar në analizën SEM, modeli i propozuar tregon një përshtatje të mirë të modelit dhe rezultatet janë në përputhje me teoritë ekzistuese. Prandaj, modeli i propozuar mund të përdoret si bazë për përvijimin e kornizës së performancës së xhamive. Për shembull, treguesit e performancës mund të bazohen në matjet e rezultateve siç janë raporti i shpenzimeve të ngjarjeve fetare, edukimi fetar, bamirësia dhe shërbimet komunitare për të treguar se sa efikase përdoren burimet e xhamive. Të dhënat jo-financiare si përqindja e pjesëmarrjes në namazet me xhemat krahasuar me kapacitetin maksimal të xhamive mund të përdoren gjithashtu si një formë e matjes së performancës jofinanciare. Sa më i madh të jetë raporti i namazeve me xhemat, aq më i mirë është performanca e xhamive. Këto masa së bashku me rezultatet ose objektivat e xhamive mund të analizohen më tej. Objektivat e xhamive nuk janë realizuar në këtë studim dhe për këtë arsye paraqet një kufizim të këtij hulumtimi. Së fundi, nga gjetjet e këtij studimi do të përfitojnë akter të ndryshëm të xhamive, veçanërisht ata që kanë të bëjnë me menaxhimin, xhematet dhe autoritetet fetare, të cilët preken drejtpërdrejt nga performancat e xhamive. Me krijimin e një kornize për matjen e performancës, kjo do të ndihmonte më tej menaxhimin e xhamive në përmbushjen e objektivave.
Përktheu:
Nisma për zhvillimin e predikuesve – thirrësve | Thirrja.org