Mjetet e thirrjes islame

Ja erdhëm deri te konkretizimi i veprimtarisë sonë në këtë fushë. Sepse zakonisht kur tu flasim njerëzve për vlerën e një vepre, ata kërkojnë dhe hulumtojnë mjetet që mund t’ju ndihmojnë në realizimin e asaj vepre. Andaj edhe ne duke e patur parasysh këtë nevojë, do tu ofrojmë disa mjete të cilat mund të përdoren në mejdanin e thirrjes në fe të All-llahut. Nuk pretendojmë se do t’i përmendim të gjithat, mirëpo mjafton si një udhërrëfyes në këtë drejtim, kurse pjesa tjetër i mbetet kapacitetit dhe aftësive intelektuale dhe shpirtërore tonat për të gjetur mjete dhe metoda sa ma të mira për hyrjen e njerëzve në fe të All-llahut dhe shpëtimin e tyre në dynja dhe ahiret.

Secili njeri i mençur e di se nuk mund të arrihet deri te qëllimet në mungesë të mjeteve që na shpiejnë atje.

Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, i ka shfrytëzuar të gjitha mjetet e mundshme të asaj kohe për ta publikuar të vërtetën dhe fenë e All-llahut.

Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, e publikoi të vëretën në kodrinën e Safasë duke bërtitut para kurejshitëve, ua ofronte fenë njerëzve në raste të ndryshme të takimeve, takohej me fise të ndryshme për tua ofruar fenë dhe për të kumtuar ate.

Shejhul-Islam Ibën Tejmiu rahimehull-llah, duke folur për thirrjen në fe të All-llahut na e mëson edhe këtë rregull:

“Secili thirrës që e thërret dikend në ndonjë gjë, në këtë vepër duhet ti ketë parasysh dy gjëra:

Një: Qëllimi;

Dy: Mjetin dhe mënyrën për të arritur deri te qëllimi.

Andaj kur përmendet thirrja në Kur’an herë përmendet thirrje te All-llahu, e herë thirrje në fenë e All-llahut, sepse Ai, subhanehu ve teala, është i adhuruari, i qëllimti dhe i dëshiruari me thirrjen”. (“El-Fetava”, 15/162).

Ai që thërret në fe të All-llahut duhet të përdorë mjetet dhe metodat fetarisht të lejuara, të cilat e shpiejnë deri te qëllimi i tij.

Andaj secili që mirret me këtë detyrë dhe obligim duhet ta dijë se feja ndahet në dy pjesë kryesore:

1- Adhurime me të cilat e fiton ahiretin. Në këto vepra nuk mund të bëjmë asgjë pa marrë leje nga Ligjvënësi, All-llahu, subhanehu ve teala, qoftë në llojin, formën, numrin, shkakun, kohën, etj. Argument për këtë është ajeti Kur’anor, ku All-llahu, subhanehu ve teala, thotë:

“A mos kanë ata ortakë (zota ose idhuj) që u përcaktuan atyre fé, të cilën nuk e urdhëroi All-llahu? …”. (Esh-Shura: 21).

2- Adete ose raporte shoqërore me të cilat zhvillohet jeta. Këto veprime në origjinë janë të lejuara, siç janë marëveshjet, kushtet, mjetet, etj. Argument për këtë është ajeti Kur’anor, ku All-llahu, subhanehu ve teala, thotë:

“Thuaj: “Më thuani, atë që All-llahu ju dha si ushqim (të lejuar), e ju nga ai diçka bëtë të ndaluar e diçka të lejuar?” Thuaj: “A ju lejoi All-llahu ju, ose ju i shpifni All-llahut?”. (Junus: 59).

Duke u mbështetur në këtë rregull themi: ai që e kërkon ndonjë adhurim duhet të sjell argument dhe ai që e ndalon ndonjë adet duhet të sjell argument.

Mustafa ibën Kerametull-llah Mahdum në disertacionin e tij të doktoraturës për mjetet si rezyme e thotë këtë:

“Qëllimi i thirrjes islame është udhëzimi i njerëzve dhe realizimi i interesit për ta, andaj secili mjet i cili çon në këtë qëllim dhe e realizon ate pa ndonjë kundërshtim fetar, është në suazt e të ligjshmes dhe lejuarës “. (Kavaidul-Vesaili fish-Sherijatil-Islamije”, fq. 343).

Zgjedhja e mjetit të përshtatshëm është shkak për arritjen e qëllimit

Të gjith ne e kemi vërejtur se disa ide dhe shprehi edhe pse nuk janë të vërteta e as me vlerë janë përhapur për shkak se kanë përdorur mjete të përshtatshme për përhapjen e tyre, kurse nga ana tjetër gjejmë disa thirrës që i ka kapluar plogështia dhe dobësimi dhe nuk ia arrijnë që ta përhapin di duhet këtë fe, edhe pse Islami ka prirje për përhapje sepse përputhet me çdo kohë dhe vend dhe është në përputhje me natyrën e njeriut, në të cilën e ka krijuar All-llahu. Nëse e hulumtojmë shkakun e kësaj do të kuptojmë se shkaku i tërë kësaj është keqpërdorimi i mjeteve.

Rregullatori kryesor për përdorimin e mjeteve

Në këtë drejtim duhet të tregojmë se mjetet duhet të jenë në përputhje me rregullat fetare, të cilat e mbrojnë thirrësin nga gabimi me qëllim të mirë dhe nga shpikja e gjërave të cilat nuk kanë bazë në fe të All-llahut, subhanehu ve teala.

Duke u nisur nga rregulli i madh fetar: Mjetet i kanë dispozitat e qëllimeve, dalin dy rregulla që duhet ti kemi në konisderatë:

Një: Leja, domethënë të jetë e lejuar fetarisht ose me përcaktim ose duke hyrë nën rregullat e përgjithshme.

Dy: Dobia (interesi). Këtu hyn përshtatja me momentin, zgjedhja e mjetit, peshimi i dëmit dhe dobisë. Kurse tërë kjo kërkon analiza të thella dhe zemër të pastër.

Mjetet e thirrjes

Mjetet që do t’i përmendim në vijim, disa prej tyre mund të jenë të përshtatshme në këtë kohë, mirëpo mos të jenë të përshtatshme në kohën që vjen.

Në këtë drejtim njeriu duhet të njeh edhge aftësitë e veta, atë që mund ta jep për të mirën e tij dhe të mbarë umetit, e mos të bëhet sikur “deveja që nxiton, e cila as që arrinë në destinacionin e caktuar e as që i mbetet kurrizi pa thyer”, sikurse ka treguar këtë gjë Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem.

Kur flasim për mjetet dëshirojmë të përmendim se njeriu me këto mjete duhet të bashkëvperon sipas aftësive shkencore që ka, sepse ai, të cilit i mungon një gjë, nuk mund ta jep atë gjë. Këtu hynë edhe aftësitë intelektuale edhe ato fizike.

Mjetet për thirrje në fe të All-llahut janë të shumta dhe ripërtërihen vazhdimisht, prej tyre mund të përmendim:

Një: Mjetet e lexuara.

Prej mejeteve të lexuara me të cilat mund të thërrasim në fe të All-llahut janë:

1- Shkrimi i librave.

Shkrimi i librave nuk duhet të jetë qëllim në vete, por të ketë nevojë për atë shkrim. Haxhi Halife, kur flet për shkrimin dhe nevojën për shkrim thotë:

“Shkrimi është shtatë kategorishë dhe secili dijetar dhe njeri i mençur duhet të shkruan vetëm brenda tyre, e ato janë:

– Një gjë për të cilën nuk ka shkruar askush para tij, e ai e shpik;

– Një gjë të mangët të cilën ai e plotëson;

– Një gjë të mbyllur (të paqartë) ai e sqaron;

– Një gjë të gjatë, të cilën ai e shkurton, duke mos e prishur kuptimin e tij;

– Një gjë të shpërndarë duke e grumbulluar;

– Një gjë të përzier duke e renditur;

– Një gjë ku ka gabuar autori, e ky e përmirëson.

Secili autor i ndonjë libri në ndonjë lëmi për të cilën kanë shkruar edhe tjerë, libri i tij nuk duhet të jetë pa një nga pesë dobitë:

– Konkludim i gjërave të vështira;

– Grumbullimi i gjërave të shpërndara;

– Sqarimi i gjërave të paqarta;

– Rregullim dhe shkrim i mirë;

– Eliminim i tepricës dhe zgjatjes”. (Shiko: “KeshfuDhunun an esamijel-Kutubi vel-Funun; 1/36-35).

Thirrja në fe të All-llahut është tregti me All-llahun, nuk është tregti materiale. Tregtia materiale e lirë mbështetet në konkurencë dhe mbetet më i fuqishmi, kurse veprimtaria e thirrjes dallon, andaj nëse një thirres e sheh dikend se është duke e bërë një vepër, të cilën dëshiron edhe ai ta bën, le ta falënderon All-llahun se ka kush e ka bërë këtë vepër, pasiqë mejdani është i gjërë, andaj le të shikon ndonjë hapësirë tjetër. Qëllimi është me tregu se qëllimi i thirrësve nuk është rrënimi i personaliteteve dhe nënçmimi i tyre, por përkrahja për njëri tjetrin, këshilla reciproke, orientimi dhe udhëzimi.

2- Shkrimi i letrave. Letrat janë dy llojesh:

Një: Letra personale, të cilat i shkruajnë njerëzit dhe ua dërgojnë miqve dhe dashamirëve, ose gazetave dhe revistave të ndryshme.

Dy: Letra ku studiohen çeshtje të ndryshme në akide, fikh, edukatë, etj. dhe publikohen si fletushka.

Përhapja e kësaj dukurie në një aspekt është e dobishme, sepse i nxitë njerëzit në lexim dhe ua mësojnë disa gjëra të cilat nuk i kanë ditur, kurse në aspektin tjetër është e dëmshme, nëse njeriu mjaftohet vetëm me to dhe le pas dore leximin e librave të mëdha dhe bazore.

Në këtë drejtim hyjnë edhe letrat që dërgohen nëpërmjet telefonave celular, nëse shfrytëzohen si duhet kanë ndikim shumë të madh.

3- Shkrimi në gazeta dhe revista. Kjo ndahet në dy kategori:

Një: Shkrimi në gazeta dhe revista të specializuara fetare.

Dy: Shkrimi në gazeta dhe revista të përgjithshme. Pjesmarrja në këto gazeta dhe revista është gjë e pëlqyeshme dhe e kërkuar, mirëpo duhet patur parasysh disa gjëra në këtë drejtim:

– vendi ku do të publikohet shkrimi;

– mosndryshimi i tekstit.

Ai që dëshiron të thërret në fe të All-llahut me shkrim, shkrimi i tij duhet të jetë i gjallë dhe i fuqishëm, me argumente nga Kur’ani dhe Sunneti dhe sqarime të mjaftueshme dhe të rëndësishme për të depërtuar deri te mendja dhe zemra e lexuesit.

– mospublikim në kohë kur njerëzit janë të angazhuar dhe preokupuar me gjëra të përgjithshme ose ndodhi të jashtëzakonshme.

4- Interneti. Interneti është prej mejeteve të reja dhe leximi në to është mjaft i përhapur. Andaj duhet ta shfrytëzojmë këtë mjet për të përhapur fenë e All-llahut nëpërmjet tij.

Pjesmarrja në internet mund të jetë duke shkruar shkrime të caktuara, duke publikuar libra, duke përkthyer shkrime interesante, duke marrë pjesë në forume të ndryshme debatuese, duke postuar shkrime ne lista të ndryshme, etj.

Dy: Mjetet audiovizuele.

Edhe këto mjete kanë ndikim të madh te publiku, mirëpo mvaret shumë edhe nga kualiteti i lëndës, ligjëruesit, ligjerimit, prezentimit, kohës, etj.

Prej këtyre mejeteve janë:

1- Arsimi me të gjitha llojet e veta, qoftë arsimi i rregullt, ose shkollat fetare, ose mësimet dhe ligjeratat nëpër xhamia.

Secili mësues, pa marë para sysh se me çfarë nxënës mirret, nëse kujdeset për gjendjen e tyre dhe u flet aq sa kuptojnë do të ndikon në edukatën e tyre.

Amr ibën Asi, radijall-llahu anhu, pasiqë kreu tavafin i drejtohet një grumbulli njerëzish që ishin ulur afër Qabes dhe që kishin larguar prej atje fëmijët, duke u thënë:

“Mos i largoni ata prej këtu, bënu vend atyre, afroni dhe inspironi, sepse sot ata janë të vegjël, mirëpo së shpejti do të bëhen të mëdhenjtë e popullit, sepse dje ishim të vegjëlit e popullit, kurse sot jemi bërë të mëdhenjtë”.

Ibën Muflihu, duke e komentuar këtë thotë:

“Kjo është e vërtetë, sepse dija që mirret në fëmijër mbetet, andaj duhet të kujdesemi për nxënësit e vegjël, sidomos ata që janë të kthjellur, të zgjuar dhe që kujdesn për të marrë dije. Andaj nuk duhet ta konsiderojmë moshën, varfërinë ose dobësinë e tyre pengesë për kujdes dhe preokupim me ta”. (El-Adab esh-Sherije”, 1/244).

Mësues dhe pedagog i sukseshëm është ai që vepron për ta hapur diapazonin e diturive nxënësve dhe ti ndërlidh ata me Krijuesin e tyre gjat çdo rasti të vo;itshëm që i jepet gjatë mësimdhënies.

Ibën Kajimi, rahimehull-llah, thotë:

“Bereqeti i një njeriut është tua mëson të mirën njerëzve kudo që gjindet, ti kshillon të gjith ata që mblidhen rreth tij. All-llahu, subhanehu ve teala, tregon për Isain, alejhisselam, se ka thënë:

“Më ka bërë dobiprurës kudo që të jem dhe më ka porositur me namaz (falje) e zeqatë për sa të jem gjallë!”. (Merjem: 31).

Domëthënë mësues të të mirës, thirrës në fe të All-llahut, përkujtues i Tij, stimulues në respekte ndaj Tij. Kjo është bereqeti i njeriut, ai që është i zbrazur nga kjo ai është i zbrazur nga bereqeti, eliminohet bereqeti i takimit dhe bashkimit me te”.

2- Hutbeja. Mbajtja e hutbes (ligjerimi) është shumë i vjetër, kurse me ardhjen e Islamit është shtuar edhe më shumë fuqia dhe rëndësia e hutbes.

Fuqia e hutbes është shtuar me mënyrat e bukura, shprehjet e zgjedhura dhe stolisja e tyre me argumente nga Kur’ani dhe Sunneti i Pejgamberit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, kurse rëndësia është spikatur duke u shndëruar në adhurim, qoftë ligjërimi ose dëgjimi.

Andaj hatibi e ka obligim që të kujdeset për dëgjuesit duke e zgjedhur temën, kohën, zgjatjen, gjendjen, situatën dhe rrethanat, etj.

3- Këshilla. Njeriu duke e përdorur këtë mjet mundohet të ndikon tek ata që i thërret në fe të All-llahut në mënyrë që përkon me gjendjen dhe vendin.

Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, në shumë raste i ka këshilluar sahabet me këshilla në përputhje me gjendjen dhe kohën.

Tregon Irbad ibën Sarije, radijall-llahu anhu:

“Na ka këshilluar Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, një ditë pas namazit të mëngjesit me një këshillë të fuqishme, na rrodhën syt lot dhe na u dridhën zemrat. Një njeri tha: kjo është këshillë e njeriut që ndahet prej dikujt, çka na porosit “. (sahih, transmeton Tirmidhiu, Ibn Maxheja, etj).

Këshilla zakonisht jepet në raste kur njerëzit nuk janë të përgaditur për te, qoftë pas namazve ose kur takohen ndonjë herë, mirëpo me kusht që të kemi kujdes për njerëzit dhe mos ti bezdisim ata.

4- Ligjerata. Ligjerata dallon nga këshilla, sepse njerëzit vijnë në ligjeratë të përgaditur. Ligjerata përmban sqarime shkencore, është më e gjatë, mundohet ta ngërthen tërë temën, ka hapësirë për pyetje dhe sqarime, gjë që kërkon nga ligjeruesi të jetë i përgaditur shkencarisht, intelektualisht, psiqikisht për tu përgjgigjur pyetjeve që parashtrohen dhe të kërkon falje për atë që nuk e din.

5- Tribuna. Tribuna dallohet nga ligjerata, sepse në tribunë marrin pjesë më shumë se një ligjerues dhe kjo e largon mërzinë dhe bezdisjen për këtë shkak dhe për shkak të dallimit të temave.

6- Radioja. Edhe këtu vlen e njejta ndarje sikur te shkrimet në gazeta dhe revista. Nëse një thirrës e sheh rëndësinë e pjesmarrjes në programe të përgjithshme, ai duhet ta shfrytëzon praninë e tij atje për të përmirësuar dhe për të ndikuar sa ma shumë te masa që e dëgjojnë atë program.

7- Televizioni dhe kanalet satelitore. Pjesmarrja në këto kanale nuk është më e keqe e kulluar, sepse arritja e zërit të një thirrësi në një auditorium prej miliona shikuesve është një lehtësim shumë i madh, njëherëzit edhe një përgjegjësi e madhe, e cila kërkon studim serioz për prezentim dinjitoz dhe të përshtatshëm me madhësinë e këtij mediumi.

8- Audio kaseta. Kjo është një mjet shumë i lehtë dhe shumë efikas. Duke krijuar kaseta me lëndë të llojllojshme, si ato shkencore, këshilluese, me tregime ndikojmë me të madhe në masën e gjërë. Ajo që kërkohet në këtë drejtim është përkujdesi për publikimin e mirë dhe kualitativ të këtyre materialeve. Ne jemi dëshmitar të faktit se kaseta sot është shkak për udhëzimin e shumë njerëzve dhe shkak për tua shtuar dijen mbi fenë e All-llahut shumë njerëzve. Kaseta depërton atje ku nuk mund të depërton thirrësi, ndikon aty, ku ndoshta prania direkte nuk do të kishte atë ndikim.

Ky mjet është edhe për ligjeruesin, hoxhën, por edhe për masën e gjërë, duke e shfrytëzuar dhurimin e kasetës si mjet për të përhapur udhëzimin e njerëzve.

Tre: Organizatat shkencore dhe thirrëse.

Kjo domethënë organizimin e punës së davetit duke i përfshirë sa ma shumë njerëz në këtë fushëveprim. Kjo shkakton më shumë ide dhe mendime që e ndihmojnë këtë veprimtari, më shumë energji dhe potencial dhe nuk mvaret vetëm nga një njeri, ashtuqë me mungesën edhe eliminimin e tij, të eliminohet edhe mirësia dhe thirrja në fe të All-llahut.

Kjo veprimtari dallohet me planifikim, organizim, precizitet dhe ikje nga spontaniteti.

Ekzistimi i rregullave që e organizojnë veprimtarinë e thirrjes, njohja e detyrave dhe të drejtave të atyreve që punojnë në atë organizatë, ekzistimi i këshillit adiminstrativ dhe udhëheqës, i cili mer vendime janë shkaqe që gabimet e kësaj organizate të jenë më të vogla, kurse dobia dhe suksesi më i madh.

Këtu hynë edhe qendrat verore, aktivitetet e ndryshme shkollore, pikniqet, kampingjet, etj.

Katër: mjetet tjera.

1- Shkuarja në vendin e njerëzvë që dëshiron t’i thërrasish në fe të All-llahut. Thirrësi duhet të jetë njeri që ua sjell krijesave të vërtetën, duke patur shembull në këtë gjë Pejgamberin, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, i cili u shkonte idhujtarëve të Mekës në tregun Ukadh, Dhil-Mexhaz, etj. mirëpo ai që dëshiron të shkon te ata për ti thirrur duhet të jetë i pajisur me dije, besim të fuqishme dhe metodë të shëndoshë.

2- Përgjigjeja e ftesave. T’i përgjigjemi ftesës së vëllaut tonë musliman është obligim, sidomos nëse mungojnë mëkatet dhe gabimet, të cilat nuk mund ti ndryshosh.

Ebu Hurejre, radijall-llahu anhu, thotë se Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ka thënë:

“Pesë gjëra janë obligim i muslimanit kundrejt vëllaut të tij: kthimi i selamit, thënja jerhamukall-llah atij që teshtis, përgjigjeja kur na fton, vizita e të sëmurit dhe përcjellja e xhenazës”. (Buhariu dhe Muslimi).

Mirëpo në këto raste thirrësi nuk duhet të insiston që vetëm ai të flet, e mos ti le njerëzit të flasin mes vete, sepse shkaku i këtij tubimi është të shihen njerëzit mes vete pas një kohë të gjatë që nuk janë parë. Andaj thirrësi duhet ta ketë parasysh edhe këtë element dhe duhet të jet i lehtë në prezentimin e tij dhe sjelljet e tija të manifestojnë modestinë, butësinë dhe zemërgjërësinë e tij.

3- Veprimi për dobinë e tyre dhe për pajtimin mes tyre.

Të veprosh për dobinë e xhematit është edukatë fisnike dhe argument se nuk je egoist dhe vetjak.

Drejtimi i njerëzve kah hoxha dhe thirrësi për tua kryer nevojat është një mjet shumë i rëndësishëm për tua përfituar zemrat e tyre, sepse bamirësia ndikon te njeriu dhe ata e dojnë edhe më shumë, madje hidhërimin e shndëron në dashuri.

Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, thotë:

“Ai që ia largon një brengë të dynjasë besimtarit, All-llahu ia largon një brengë të ahiretit, ai që ia lehtëson njeriut në vështirësi, All-llahu ia lehtëson atij në dynja dhe ahiret, ai që ia mbulon të metat muslimanit, All-llahu ia mbulon në dynja dhe ahiret. All-llahu është në ndihmë të robit, përderisa robi është në ndihmë të vëllaut të vet “. (Muslimi).

Nëse xhemati te hoxha gjen vetëm buzëqeshjen edhe kjo do të ndikonte pozitivisht te ai, e mos të flasim se çfarë ndikimi do të kishte nëse ai angazhohet dhe vepron për tia kryer nevojat që ka.

Thirrësi dhe hoxha duhet të veprojnë për pajtimin e muslimanëve dhe afrimin e tyre. All-llahu, subhanehu ve teala, thotë:

“Në shumë biseda të tyre të fshehta nuk ka kurrfarë dobie, përveç (bisedës) kush këshillon për lëmoshë, për ndonjë të mirë ose pajtim mes njerëzve. E kush i bën këto duke pasur për qëllim vetëm kënaqësinë e All-llahut, Ne do ti japim më vonë (në botën tjetër) shpërblim të madh”. (En-Nisa: 114).

Problemet janë të rëndomta në jetën shoqërore, andaj hoxha ose thirrësi në fe të All-llahut, duhet të veprojnë që ata të bëhen referencë e njerëzve në zgjidhejn e problemeve të tyre, vepër me të cilën fitojnë shumë gjëra. Ua mësojnë njerëzve arbitrimin në ligjin e All-llahut, ua përfitojnë zemrat, e forcojnë shoqërinë muslimane, e pengojnë harxhimin e pasurisë së tyre pa nevojë nëpër avokatë të ndryshëm, etj.

Shikoni se kush ka qenë Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, dhe sa është kujdesur për njerëzit dhe problemet e tyre.

Abdullah ibën Shekiki thotë: I thash Aishes, radijall-llahu anha:

“A është falur Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, ulur? Tha: po, pasiqë e raskaptiën njerëzit”. (Muslimi).

I këtillë ka qenë Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, i cili duhet të jetë shembulli ynë në jetë, është raskapitur duke ua kryer nevojat njerëzve dhe duke u munduar tua zgjidh problemet e tyre.

4- Udhëtimet. Thirrësi në fe të All-llahut duhet edhe të ecë dhe të udhëton për ta përhapur fenë e Tij dhe për tua mësuar njerëzve gjërat esenciale të fesë së All-llahut, sidomos në këtë kohë që injoranca mbi fenë e All-llahut ka arritur kulmin, saqë njerëzit nuk i dinë as gjërat elementare të fesë.

Duhet ti shfrytëzojmë këto mjete që janë shpikur në këtë shekull për të ecur larg e ma larg për këtë fe, qofte udhëtimi me veturë, ose autobus, ose tren, ose aeroplan, sepse kështu e shprehim falënderimin tonë ndaj All-llahut për këto dhunti.

Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, dërgoi Musab Ibën Umejrin në Medinë që tua mëson fenë banroëve të Medinës, pastaj dërgoi Muadhin dhe Ebu Musën në Jemen, e kështu me rradhë, domethënë kanë udhëtuar me qindra kilometra në atë kohë dhe me ato mjete për të përhapur fenë e All-llahut.

Kurse Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, duke udhëtuar me Muadhin në devenë e tij, ia mëson bazat e adhurimit dhe fesë, obligimet e njeriut ndaj All-llahut dhe detyrat e All-llahut ndaj tij, në hadithin e njohur, duke na dhënë shembull konkret se si duhet shfrytëzuar çdo moment për tua mësuar njerëzve fenë e All-llahut.

Kjo metodë e Pejgamberit, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, nuk i ka lënë vend askujt që të arsyetohet për pasivitetin e vet në këtë drejtim.

Për fund

Ka edhe shumë mjete tjera që mund të shfrytëzohen për të thirru në fe të All-llahut dhe me shpenzime të vogla ekonomike dhe fizike, mirëpo këto janë ato që mund të prezentohen.

Edhe një gjë.

Të gjitha këto mjete ndoshta nuk mundet ti përdor një hoxhë apo një thirrës, mirëpo një grumbull i hoxhallarëve dhe i thirrësve nëse punojnë bashk mund ti realizojnë të gjitha këto mjete madje edhe ma shumë se kjo që kemi përmendur.

Andaj puna me xhemat përpos të bereqetit, konsultimit, ka edhe dobinë e ndarjes së detyrave dhe përdorimit të sa ma shumë mjeteve të mundshme.

Ajo që është e saktë është prej All-llahut dhe mëshirës së Tij, kurse ajo që është gabim është prej meje dhe shejtanit, e lus All-llahun të na mbrojë nga kurthet e tija.

All-llahun e lusim që të shtojë ambicjet tona për të thirru në fenë e All-llahut dhe për tua ofruar njerëzve lumturinë në dynja dhe shpëtimin në ahiret. Amin.

Në javën e ardhshme:

– Shkaqet e dobësisë së thirrjes islame

Përgaditi: Bekir Halimi

Bekir Halimi,
6.5.2005