Didmar ef.Faja
Të gjitha falënderimet dhe lavdërimet i takojnë Allahut. Paqja dhe faljet e tija qofshin mbi të dërguarin e fundit, Muhamedin (a.s.), familjen e tij, shokët e tij dhe mbi të gjithë ata që e ndoqën rrugën e tij. O Zot, na mëso nga ajo që kemi përfitim prej saj dhe na bëj të përfitojmë nga ajo që Ti na mëson!
Të nderuar besimtarë! Mirënjohja ndaj Zotit është një nga bazat e karakterit të besimtarit. Përmes mirënjohjes, njeriut, jo vetëm që i shtohen mirësitë, por dhe fiton pëlqimin e Krijuesit, qëllim ky i jetës së besimtarit. Interesant është fakti se si Zoti (xh.sh.) e simbolizon besimtarin në Kur’an me fjalën Shākiren (falënderues) dhe jobesimtarin me fjalën Kefūren (mohues). Thuhet në Sūren El-Insān, ajeti 3:
“Natyrisht që Ne i treguam atij rrugën e drejtë, që ai të jetë ose mirënjohës, ose mosmirënjohës.”
Në lidhje me falënderimin, disa janë shprehur: “Falënderim do të thotë t’i atribuosh mirësitë pronarit të duhur duke poseduar cilësi përulëse.”
Mundet që njeriu jo medoemos të bëhet mohues i Krijuesit, por mospërfillës i mirësive të Tij. Kjo e bën atë indiferent ndaj Krijuesit dhe simbolizon shkëputjen e njeriut nga Zoti (xh.sh.), por jo anasjelltas. Allahu, megjithatë vazhdon duke furnizuar atë.
Në Sūren En-Neml, i dërguari i Zotit, Sulejmani (a.s.), pasi që merr përgjigjen nga xhindi për sjelljen e fronit të princeshës Bilkis para tij brenda një kohe aq të shkurtë sa hap e mbyll sytë, përmend:
Po ai që ishte i pajisur me dijen e Librit, tha: “Unë do të ta sjell ty sa çel e mbyll sytë”. Kur (Sulejmani) e pa të vendosur para tij, tha: “Kjo është nga dhuntitë e Zotit tim, për të më provuar a jam mirënjohës apo mohues. Kush falënderon, e bën për të mirën e vet e, kush mohon, (ta dijë se) Zoti im është i Vetëmjaftueshëm dhe Dhurues.(En-Neml:40)
Nga përgjigjja profetike e Sulejmānit (a.s.), njerëzit duhet të kuptojnë se ç’do e mirë që posedojnë në jetë, është thjeshtë një test nga Allahu (xh.sh.). Shëndeti, pasuria, familja, puna, të gjitha këto janë mirësi përmes të cilave njeriu testohet, por fatkeqësisht shumica e njerëzve të cilët posedojnë këto mirësi janë mosmirënjohës. Kështu shkruhet në Kur’an:
“Allahu e ka bërë natën që ju të pushoni, ndërsa ditën e ka bërë të ndritshme për të parë. Vërtet, Allahu është Dhurues i madh ndaj njerëzve, por shumica e tyre nuk janë mirënjohës.” (El-Gāfir: 61)
Në jetën e përditshme, shumë nga ne kemi njerëz që na rrethojnë me një kujdesie të veçantë. Mes nesh dhe tyre ekziston një dashuri, miqësi, respekt, i cili shpeshherë shfaqet përmes dhuratave të ndryshme. Në shumicën e rasteve këto dhurata nuk simbolizojnë ndihmë materiale, se asnjë nuk ka mundësi të na i përmbushin nevojat tona, por megjithatë, ne e vlerësojmë shumë një veprim të tillë. Tani le të mendojë njeriu rreth Krijuesit, i cili meriton të falënderohet pa pushim. Ai e krijon njeriun duke i dhënë atij atë që ai ka nevojë dhe e bën atë ta kuptojë rëndësinë a saj. Në të njëjtën kohë, Zoti (xh.sh.) e pajis njeriun dhe me gjëra esenciale për qenien e tij, për të cilat njeriu është plotësisht i painformuar. A nuk meriton Ai të falënderohet më tepër se ç’do kush tjetër?
Në ç’do vend të botës, has nga ata që kanë një kapital të shëndoshë dhe e kanë harruar Zotin dhe dyert që të çojnë tek Ai. Ata mendojnë se duke pasur më shumë, i mbyllin “boshllëqet” e jetës së tyre. Shumë nga ata harrojnë, ose janë të pavetëdijshëm, se sa më shumë dituri, material, fuqi, etj. që zotërojnë nga kjo botë, aq më shumë mosmirënjohës, përbuzës dhe ankues bëhen. Kështu është natyra njerëzorë, përveç atyre që janë të lidhur fort me Zotin e tyre. Besimtarët, sa më shumë të kenë dituri, pasuri, etj. e falënderojnë Krijuesin dhe bota përfiton nga ata, ndërsa e kundërta qëndron më pabesimtarët, bota dhe materializmi i saj, i largon ata nga lidhja me Krijuesin. Mund të përmendim dhe një shembull tjetër nga jeta e Hz. Sulejmānit (a.s.), i cili ishte aq i pasur, saqë nuk kishte dhe as nuk do ketë rival në këtë botë. Atij i ishte dhënë mundësia e komunikimit me xhindët, kafshët, etj. Megjithatë, kur dëgjoi milingonën duke i thënë milingonave të tjera që të largohen sa më shpejt, ngase është duke ardhur Sulejmāni (a.s.) me ushtrinë e tij, ai qeshi dhe në moment kërkoi nga Zoti që t’ia mundësonte ta falënderonte Atë, jo vetëm për pasurinë e dhuruar ndaj tij, por dhe të prindërve. Ai e falënderoi Allahun dhe për mundësimin e veprave të devotshme, nga të cilat Ai është i kënaqur. Kështu shkruhet në Suren Neml.
“Ai vuri buzën në gaz, duke qeshur me fjalët e saj dhe tha: O Zoti im, më frymëzo që të jem mirënjohës për mirësitë që Ti më ke dhënë mua dhe prindërve të mi, dhe që të bëj vepra të mira, me të cilat Ti do të jesh i kënaqur. Më prano, me mëshirën Tënde, në gjirin e robërve të Tu të devotshëm!”(En-Neml:19)
Imam Kushejri në librin e tij Er-Risāle fit-Tasavvuf, në kapitullin e falënderimit përmend se si Hz. Davudi (a.s.) i drejtohet Zotit: ” O Zot! Si mund të falënderoj Ty kur dhe ky veprim që po bëj është një mirësi nga Ti? Zoti (xh.sh.) i zbriti atij: Ti sapo më falënderove.” Pra, nga kjo ne kuptojmë ndjeshmërinë e Davudit (a.s.) në lidhje me Zotin. Ashtu kërkon dhe Islami nga njeriu që të jetë i ndjeshëm ndaj Allahut (xh.sh.).
Dijetarët, kur flasin rreth llojeve të falënderimit ndaj Zotit, i ndajnë ata në tre kategori:
1. Falënderimi përmes gjuhës. Ky është një veprim i lehtë, megjithëse shpërblimet e Zotit janë të mëdha. Bëhet fjalë për shqiptimin e fjalës El-Hamdu Lil-Lāh ose fjalëve të tjera falënderuese.
2. Falënderimi i trupit dhe gjymtyrëve. Imam Kushejri tregon se ky lloj falënderimi konsiston që njeriu, trupin dhe gjymtyrët e tij t’i mbulojë me cilësitë e besnikërisë ndaj Zotit (xh.sh.) dhe shërbim ndaj Tij. Pra, goja, dora, syri etj. t’i qëndrojnë besnik mësimeve hyjnore duke mos vepruar të ndaluarën dhe duke i zbatuar obligimet fetare.
3. Falënderimi i zemrës. Kjo kategori përfshin shkallën e lartë të atyre që besojnë Zotin (xh.sh.) dhe është largimi i zemrës nga materia, për në fushën e Tevhīdit (njësimit të Zotit), duke poseduar gjithmonë respekt ndaj Tij në ç’do moment dhe gjendje që të ndodhet njeriu.
Një pikë e rëndësishme dhe ndoshta cilësi e atyre që janë të ndjeshëm me zemrat e tyre ndaj mirësive të Krijuesit është dhe kur njeriu nuk përqendrohet shumë në mirësinë që i dhurohet, por në Dhuruesin e asaj mirësie. Ndoshta ky është dhe qëllimi i zbritjes së mirësisë. Në shumë versete Kuranore, pasi që Allahu përmend të mirat që i zbret njerëzimit përmend: “Leal-lekum Teshkurūn” që do të thotë: “Që ju të falënderoni.” Për këtë, Imam Kushejri përmend fjalën e dijetarit mistik Shibli i cili shprehet: ” Të jesh mirënjohës do të thotë të jesh i ndërgjegjshëm jo ndaj mirësive, por ndaj Dhuruesit të mirësive.”
Thuhet se të dijshmit falënderojnë përmes fjalëve, të devotshmit përmes veprave dhe mistikët përmes durimit ndaj ç’do gjendjeje.
Ibrahim Ibn Ed-hem, në lidhje me atë se ç’ka e bën njeriun mirënjohës të sinqertë shprehet: “Dhe njerëzit (duhet të jenë të tillë që) nëse i jepet, falënderojnë (Zotin) dhe nëse i ndalohet, jenë mirënjohës.” Besimtari, duke pasur parasysh një nga emrat e Zotit, Māni’ (Ndalues), nuk e ka të vështirë të kuptojë se dhe kur Zoti (xh.sh.) i ndalon diçka, e bën atë për të mirën e tij dhe për këtë ai e falënderon Atë.
Zoti na bëftë nga ata që e falënderojnë Atë më gjithë qenien e tonë!
Ligjërata Xhumasë,
Greenway Masjid
6/8/2012