METODAT E PEJGAMBERËVE NË THIRRJE SIPAS KURANIT
Në emër të Allahut, Mëshiruesit, Mëshirëbërësit.
Hamdi i takon Allahut, ndërsa salavatet dhe selamet qofshin mbi të Dërguarin e Allahut, mbi familjen dhe shokët e tij.
Prej mësimeve më të mëdha kuranore që i përfiton kërkuesi i udhëzimit janë mësimet e përfituara prej rrëfimeve profetike. Allahu (subhanehu ue teala) na ka rrëfyer thirrjen e pejgamberëve tek popujt e tyre, polemikat dhe debatet që kishin me ta, saqë thirrësi dhe edukatori sot gjen mësime të mëdha dhe qartësime të dobishme dhe kjo konsiderohet prej stolisjes me moralin e të dërguarve, të cilët jemi urdhëruar që ti pasojmë.
- Prej metodave të pejgamberëve në thirrje, është ajo që na është rrëfyer në tregimin e Musait (alejhi selam) në Kuran: “Shkoni (ju të dy) te Faraoni! Ai, me vërtet e ka tepruar. E flitni atij fjalë të buta, që të këshillohet apo të frikësohet. Ata thanë: “O Zoti ynë, na, me të vërtetë, druajmë se do të na dënojë menjëherë do apo t’i kalojë kufijtë ndaj nesh.” (Taha: 43-45).
Më pas Allahu tregoi fjalimin e Musait përpara Faraonit; “Na, të kemi sjellë ty argument nga Zoti yt. Paqja qoftë mbi atë që ndjek udhëzimin! Me të vërtetë, neve na është shpallur, se dënimi do ta godasë atë që e konsideron për gënjeshtër (shpalljen) dhe ia kthen shpinën besimit.” (Taha: 47-48)
Këto ajete dëshmojnë se prej fjalës së butë (butësisë në të folurit) është:
- Që selami ndaj mosbesimtarit të jetë me fjalët: Esselamu ala men ittebeal huda (Paqja qoftë mbi atë që ndjek udhëzimin)!
- Përkujtimi i dënimit në fillimin e thirrjes së njerëzve nuk kundërshton butësinë në thirrje.
Vazhdon të jetë aktual mospajtimi i kamotshëm i thirrësve rreth metodologjisë së “Fjalës së butë”, por është e pëlqyeshme që në këto gjëra besimtari tu referohet këtyre dhe ajeteve tjera të ngjashme, sepse kjo është prej stolisjes kuranore për të cilën aludon Aishja gjatë cilësimit të saj të Pejgamberit ﷺ kur tha: “Morali i të Dërguarit ishte Kurani.”1
- Prej metodave të pejgamberëve në thirrje është edhe ndjenja e superioritetit të retorikës së besimit gjatë polemikës më përgënjeshtruesit dhe largimi nga inferioriteti në ballafaqimin me ta. Në fjalën e Allahut kur rrëfen tregimin e Hudit (alejhi selam) me popullin e tij, thotë: “(Ia dërguam) Adit – vëllain e tyre Hudin. Ai tha: “O populli im, adhurone Allahun! Ju nuk keni të adhuruar tjetër përveç Tij; ju jeni vetëm trillues (nëse adhuroni tjetër kënd).” (Hud:50).
Ky ajet përmban një prej metodave pejgamberike në thirrje, madje ndoshta kjo ishte në fillim të thirrjes së tij, por megjithatë ai u ballafaqua me ta dhe i kundërshtoi me fjalët: “Ju jeni vetëm trillues.”
E kur ata i thanë atij: “Ne të themi se ty të ka goditur ndonjë e keqe nga zotat tonë.” Ai u përgjigj: “Unë dëshmitar e kam Allahun, e ju dëshmoni se unë jam larg nga ajo çka ju i shoqëroni Atij.” (Hud: 55) Ai i sfidoi ata në zotat e tyre për të cilat ata pretendonin se e kanë goditur atë me çmenduri a me diçka të keqe, duke u distancuar nga ato në mënyre sfiduese që e bën kundërshtarin të pamundshëm, pastaj tha: “Të gjithë ju bëni dredhi kundër meje, dhe mos më jepni afat aspak!” (Hud:56). Më pas i sfidon ata në dëmtim të tij, e kjo është kulmi i fuqisë së shfaqur në replikë ndaj kundërshtarit, sepse kur një njeri i drejtohet masës së gjerë dhe ju thotë: Më armiqësoni dhe më dëmtoni sa të mundeni, madje mos më jepni afat aspak! Këto fjalë nuk i thotë vetëm së njeri me mentalitet të fortë dhe me guxim të madh.
- Fuqia e thirrësit në çështjen e thirrjes dhe superioriteti që e ndjen ndaj të kotës nuk është për shkak të ngurtësimit të zemrës së tij apo për shkak të natyrës së tij të vrazhdë ose për shkak të arrogancës në fjalët e tija, por thirrësi që pason metodologjinë e pejgamberëve është zemërbutë me të ftuarit (në fe), frikësohet për ta, i thërret në fe dhe shpreson shpëtimin e tyre nga Zjarri, ka dhembshuri ndaj atyre që i thërret në fe, e kush i posedon këto gjëra do ti sheh gjurmët e tyre në thirrjen e tij. Këtë do ta sheh në mënyrën se si synon interesin e thirrjes dhe jo interesin e tij, përpjekjen e tij për udhëzimin e njerëzve, durimin që e bën ndaj tyre dhe për faktin që nuk hakmerret për veten e tij.
Shiko këtë dhembshuri që përsëritet në thirrjen e pejgamberëve të cilët i paralajmërojnë me frikë kryelartit prej popujve të tyre, thoshte Nuhu (alejhi selam): “Ne me të vërtetë, ua kemi dërguar Nuhun popullit të tij, i cili u tha: “O populli im! Adhuroni Allahun, ju nuk keni të adhuruar tjetër përveç Tij! – Unë frikësohem për ju nga dënimi në Ditën e madhe!” (El-Earaf: 59) dhe poashtu tha: “Që të mos adhuroni tjetër kë pos Allahut, sepse unë kam frikë për dënimin tuaj në ditëm e dhimbshme.” (Hud:26). Gjithashtu tregon Allahu për Shuajbin i cili tha: “Unë po shoh se ju gjendeni në begati të mirë dhe druaj se juve, do t’ju godas dënimi, i një dite që u përfshinë të gjithëve.” (Hud:84).
- Prej metodave të pejgamberëve në thirrje është që të mos preokupohet thirrësi me polemika me pasuesit e së kotës, edhe atë duke e kthyer fyerjen me fyerje dhe ofendimin me ofendim. Në rrëfimin e Nuhut me popullin e tij, ata e akuzuan me devijim dhe humbje, por ai nuk ua ktheu me sharje dhe denoncim të asaj që e thanë ata: “Paria e popullit të tij thanë: “Na me të vërtetë, të shohim ty në humbje të madhe”. Ai tha: “O populli im! Unë nuk jam në kurrfarë humbje, por jam pejgamber nga ana e Zotit të gjithësisë.” (El-Earaf: 60-61).
Nuhu (alejhi selam) u përgjigj me thënien: “O populli im! Unë nuk jam në kurrfarë humbje…” dhe përfundoi replikën e tij. Nuk kishte aty ndonjë kundërshtim të shtuar apo përkeqësim të mosmarrëveshjes, Nuhu e pranoi këtë akuzë me zemërgjerësi të një pejgamberi, duke u distancuar nga egoja e tij, i sigurtë në Zotin e tij që e kishte dërguar, madje nuk u mundua që ti mvesh vetes dhe as misionit të tij diçka që nuk e ka.
- Prej metodave pejgamberike në thirrje në fenë e Allahut është përkujtimi i vazhdueshëm i të thirrurve për dhuntitë e Allahut ndaj tyre, sepse ky përkujtim i zbut zemrat dhe e bën Zotin të dashur tek robërit e Tij. Shiko se si i drejtohet Hudi popullit të vet: “Përkujtoni kur Ai ju bëri mëkëmbës pas popullit të Nuhut dhe ju shtoi fuqinë fizike. Përkujtoni të mirat e Allahut që të gjeni shpëtim.” (El-Earaf: 69).
Përkujtimin e begative e ndërlidhë me shpresën për shpëtim, sepse përkujtimi e shpien njeriun drejt përulësisë.
Gjithashtu i thotë Salihu popullit të tij: “Përkujtoni kur Ai ju bëri mëkëmbës pas Adit, ju vendosi në tokë e ju në rrafshin e saj ndërtoni pallate, kurse në kodrina ngritni shtëpia, përkujtoni të mirat e Allahut e mos u bëni shkatërrues në tokë.” (El-Earaf: 74). I përkujtoi ata për dhuntitë dhe begatitë, sepse kjo gjë largon nga çrregullimi dhe shkatërrimi.
- Prej metodave pejgamberike në thirrje është edhe stimulimi për përfitime në jetën e kësaj bote, thotë Allahu: “O populli im! Kërkoni falje nga Zoti juaj dhe kthehuni tek Ai, e Ai do t’ju sjellë shi të begatshëm dhe do t’ju shtojë fuqinë mbi fuqinë tuaj, dhe mos u shmangëni si mëkatarë!” (Hud: 52). Shpirtrat janë të tërhequr kah shpërblimi i përshpejtuar (i dynjasë) dhe janë të motivuar me këto shpërblime, kështu që shpërblimet për veprat e mira janë bërë një pjesë e natyrës së njerëzve. Stimulimi me përfitime të kësaj dynjaje me përkujdes për Ahiretin është prej metodave të pejgamberëve në thirrje, nuk del nga metodologjia e tyre.
- Prej gjërave të bukura që na janë rrëfyer nga etika e thirrjes është ajo që është transmetuar në rrëfimin e Shuajbit : “O Shuajb, ne, me të vërtetë, do të dëbojmë ty dhe ata që kanë besuar me ty, nga vendbanimi ynë, ose do të ktheheni ju në fenë tonë…” (El-Earaf: 74). U përgjigj Shuajbi me përgjigje në të cilën bashkoi mes krenarisë e mospërfilljes së besimtarit para kufrit të mosbesimtarit dhe sjelljes së mirë dhe mbështetjes së tij të plotë në Allahun, andaj tha: “Ne, me të vërtetë, do t’i bënim gënjeshtër Allahut, nëse kthehemi në fenë tuaj, pasi që Allahu na shpëtoi nga ajo. Ne nuk mund të kthehemi në të, përpos, nëse don Allahu, Zoti ynë” (El-Earaf: 89) Replika e tij përmban në vete disa qëndrime:
- U tregoi atyre që plotësimi i kërkesës së tyre është shpifje dhe gënjeshtër ndaj Allahut;
- I lajmëroi se ai që del nga gjendja e tyre është i shpëtuar;
- U krenua para tyre me vendosmërinë e një besimtari duke thënë: “Ne nuk mund të kthehemi në të, përpos, nëse don Allahu, Zoti ynë” (El-Earaf: 89);
- Pasi u dha atyre këto përgjigje më fuqinë e besimit dhe krenarinë e tij, atëherë filloi të shfaqë moralin dhe sjelljen e tij ndaj Allahut, duke mos u mbështetur në veten e tij, por gjithmonë mbështetja e tij të jetë në Të: “Përpos, nëse don Allahu, Zoti ynë. Zoti ynë me dijeninë e Tij i përfshinë të gjitha. Ne, te Allahu mbështetemi. O Zoti ynë, gjyko Ti drejt mes nesh dhe popullit tonë! Ti je gjykatësi më i mirë”. (El-Earaf: 89). Kështu shfaqi mbështetjen në Allahun dhe distancimin nga fuqia dhe aftësitë e tija.
- Prej metodave të pejgamberëve në thirrje është edhe harmonizimi i thirrjes me dobinë dhe sakrificën për njerëzit, kështu që kur dy të rinjtë e pyetën Jusufin që t’ua komentojë ëndrrat, ai filloi me thirrje në njëshmërinë e Allahut, përpara se t’ua interpretojë ëndrrat, kështu që pritshmëritë e tyre për interpretimin e ëndrrave i bëri ata të përshtatshëm për pranimin dhe këshillat e udhëzimit, andaj u tha atyre: “O shokët e mi të burgut! A janë më të mirë zotat e llojllojshëm apo Allahu, i Vetmi dhe Ngadhënjimtari? Ju adhuroni, pos Allahut, vetëm emra, të cilët ua keni ngjitur ju dhe të parët tuaj, – e Allahu nuk ka shpallur asnjë argument për ta. Vendimi i takon vetëm Allahut: Ai ka urdhëruar që ta adhuroni vetëm Atë. Kjo është e vetmja fe e vërtetë, por shumica e njerëzve nuk e din.” (Jusuf:39,40).
- Prej metodave të përsëritura të pejgamberëve në thirrjet e tyre është thënia: “O populli im…” Një pejgamber kështu i drejtohet popullit të vet, me dashuri dhe me shfaqjen e përkatësisë së tyre të përbashkët dhe lidhshmërisë së ndërsjellët. Kjo gjë është ledhatim (verbal) përmes së cilit synohet qetësimi i kryelartësisë së tyre, sepse thirrja përmes lidhjeve dhe afërsisë së njeri-tjetrit, largon neverinë dhe e afron të ftuarin më afër dhe çdo pejgamber, rrëfimi i së cilit është transmetuar në Kuran e ka thirrur popullin e tij me këtë thirrje të butë.
- Prej metodave të pejgamberëve në thirrje është që përmirësuesi të theksojë distancimin thirrjes së tij nga synimet materiale dhe përfitimet e kësaj dynjaje, tha Nuhu : “O populli im! Unë për këtë nuk kërkoj nga ju kurrfarë pasurie. Mua më shpërblen vetëm Allahu. E, unë nuk mund t’i dëboj ata që besojnë. Ata do të takohen me Zotin e tyre. Mirëpo, unë shoh se ju, me të vërtetë, jeni popull që nuk di.” (Hud:29).
Thirrja në fe është e lavdishme dhe përmirësimi është i vështirë, ndërsa thirrësit në fenë e Allahut thërrasin në gjënë më të kërkuar, andaj sa keq është që në këtë thirrje të synojnë dikë tjetër veç Tij!
Nga: Muhamed Aalu Rumejh
Rizgjimi.com
Përktheu dhe përshtati: Ali Ashani
- Muslimi ↩︎