Në shpalljen e ajetit të parë prej Kuranit, që është fjala e të Lartësuarit: “Lexo me emrin e Zotit tënd i cili krijoi” (Alek: 1) ka tregues dhe kuptime të shumta aq sa nuk mund të numërohen. Nga fjala “Lexo” e cila është folje e formës urdhërore, e cila tregon urdhër të prerë për të lexuar dhe nxit për mësimin e leximit dhe mësimin e tij të tjerëve (mësimdhënien). Dhe kjo tërheqje-vëmendjeje është e mjaftueshme ndaj fjalëve të shumta në këtë temë.[1]
Urdhërimi i Lajmëtarit të Allahut – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – për të shtuar diturinë.
Pastaj erdhi urdhëri tjetër kuranor për të theksuar rëndësinë e çështjes dhe nxitjen për kërkimin e shtimit të diturisë. Prandaj Allahu – i Lartësuar – tha: “Dhe ti mos shpejto ta lexosh Kuranin përpara se të mbarojë shpallja e tij mbi ty, dhe thuaj: ‘Zoti im më shto dituri’!” (Taha: 114)
Thotë Ibnul Kajjimi – Allahu e mëshiroftë: “Mjafton kjo si vlersim dhe nderim për diturinë, e urdhëroi Profetin e Tij që të kërkonte t’ia shtonte atë”[2]
Ka thënë Ibn Kethiri në tefsirin e tij: “Dmth: më shto dituri prej Teje. Ka thënë Ibn Ujejneh – Allahu e mëshiroftë: ‘Vazhdoi i Dërguari i Allahut – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – të shtonte (prej diturisë) derisa i mori shpirtin Allahu”[3]
Dhe kanë thënë: “Nuk e ka urdhëruar Allahu të Dërguarin e Tij që të kërkonte shtimin e diçkaje përveç diturisë”[4]
Ngjarja e Profetit të Allahut Musa – sal lall llahu alejhi ue sel lem – dhe kërkimin e shtimit të diturisë nga ana e tij.
Dijetari sa më shumë që ta shtojë diturinë aq më shumë i shtohet njohuria për vlerën e diturisë dhe pozitës së saj, dhe kështu shpirtit të tij i shtohet etja për dituri dhe për shtimin e saj, dhe është i gatshëm të durojë edhe vështirësi në këtë përpjekje. Për shembull, tek ngjarja e atij që Allahu i ka folur, Musait – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – që na e tregon Kurani fisnik në suren Kehf, në ajetet (60-82) dhe ua ka përmendur Profeti – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – shokëve të tij siç ka ardhur tek “Dy të saktët”[5] ku thuhet se Profeti – lavdërimi dhe paqja e Allahut qofshin mbi të – tha: “Kur Musa ishte në mesin e disa njerëzve prej bijve të Israilit, i erdhi një burrë dhe e pyeti: A njeh ndonjë më të dijshëm se ti? – Musa i tha: Jo. – Atëherë Allahu i shpalli Musait: ‘Posi jo! Robi Ynë Khidri[6] (është më i dijshëm se ti)’. – Atëherë Musa morri rrugën në kërkim të tij…” hadithi në vazhdim. Ebul Abbasi el Kurtubij ka thënë: “Kuptimet që nxirren nga ky hadith janë: Udhëtimi i dijetarit për ta shtuar diturinë dhe marrja e shërbëtorit dhe shoqëruesit si ndihmës. Shfrytëzimi i takimeve me njerëzit e zgjedhur dhe dijetarët edhe nëse janë larg. Dhe kjo ka qenë tradita e të parëve tanë të devotshëm. Për këtë shkak udhëtarët kanë arritur grada të larta dhe suksese të mëdha. Këmbët e tyre u forcuan fort në truallin e diturisë, u bënë njerëz që përmenden dhe arritën shpërblime të mëdha.”[7]
El Hafidh Ibn Haxher ka thënë: “Nuk e pengoi Musain – alejhis selam – pozita e tij e lartë prej prijësi nga kërkimi i diturisë, dhe hipja në anije për shkak të saj… dhe nga ky hadith përfitohet gjithashtu lundrimi në det për kërkimin e diturisë, madje për shtimin e saj”[8]
Mauerdij përmend nga Ibn Abbasi – Allahu qoftë i kënaqur prej tij – se ka thënë: “Sikur dikush të ishte mjaftuar me diturinë që ka, do të ishte mjaftuar Musa – mbi Profetin tonë dhe mbi të qoftë paqja – por ai tha: “A të të vij pas që të më mësosh diçka nga udhëzimi që të është mësuar?” (Kehf: 66)[9]
Them: Kjo ishte gjendja e Profetëve, dhe dijetarët janë trashëgimtarët e tyre, e ata nuk kanë trashëguar prej tyre veçse diturinë, e kërkuan dhe e arritën dhe u lodhën në atë rrugë, por morrën pjesën më të zgjedhur.
“Nxitësi për lexim dhe kërkim të diturisë”
Autor: Alij ibn Muhammed el Imranij
Përktheu Emin Bilali
[1] Shiko “Shembuj nga mrekullia kuranore” (Sheuahid minel i’xhaz el kuranij” i Prof. Audeh Ebu Audeh.
[2] “Miftahu daris seadeh” (Çelësi i shtëpisë së lumturisë) (223-224/1).
[3] Tefsiru Ibn Kethir (175/3), dhe shiko gjithashtu: “Ruhul meanij” e Alusit (269/16).
[4] Shiko: “El Kesh-shaf” (448/2), dhe “Tefsirul Khazin” (282/3) dhe “Fet’hul Barij” (170/1), dhe “Mehasinut te’uil” (197/11). Dobi: Ka thënë Zemakhsheriu: “Ky ajet përmban thjeshtësi përpara Allahut dhe falënderim ndaj Tij, kur mësoi renditjen e mësimit, dmth: Ti o Zoti im më mësove një dobi në temën e diturisë, dhe një edukatë të bukur që unë nuk e dija, prandaj më shto dituri mbi diturinë, sepse Ti ke urtësi dhe dituri në çdo gjë” prej “El kesh-shaf” (442/2)
[5] Bukhari (74), dhe Muslimi (2380) në hadithin që e përcjell Ubejj ibn Ka’bi – Allahu qoftë i kënaqur prej tij.
[6] Thuhet Khadir dhe Khidr, të dyja leximet janë të sakta.
[7] “El Mufhim” (196/6). Shiko gjithashtu: “Çelësi i shtëpisë së lumturisë” (487-488/1) ku ka fjalë të çmuara, që po të mos ishin aq shumë do t’i kisha cituar këtu.
[8] “Fet’hul Barij” 202-204/1 dhe shiko “Umdetul karij” (64/2) dhe “Ikmalul mu’lim” (367/7).
[9] “Edebud dunja ued din” (Edukata e dynjasë dhe e fesë) fq. 124. Ndërsa tek “El bejan uet tebjin” ia atribuoi këtë fjalë Katades.