Muhamedi alejhi selam ishte pejgamberi i fundit nga e gjithë hallka e pejgambereve të Allahut. Pas ti nuk ka më pejgamber dhe pas Kuranit nuk ka më libër të shenjtë.
Si gjithë pejgamberët e Allahut edhe Muhamedi alejhi selam, misioni i tij ishte thirrja në rrugën e Allahut. Gjatë rrugëtimit të tij në këtë mision hasi në shumë vështirësi, në shumë sfida dhe në rezistencë të fortë nga populli i tij. Gjatë trembëdhjetë viteve në Meke, ai me shokët e tij u keqtrajtuan, u maltretuan, u dënuan në forma të ndryshme. Urrejtja e popullit ndaj tij dhe shokëve të tij kishte arrit kulmin. Në vitin e dhjetë të misionit të tij ne Meke i ndodhi edhe një sprovë e madhe. Në këtë vit i vdiq axha i tij Ebu Talibi, i cili vazhdimisht e mbronte nipin e tij nga të këqijat që ia bënin populli i tij. Prezenca e axhës së tij ishte një mbështetje e fortë për Pejgamberin. Po në këtë vit i vdiq edhe bashkëshortja e tij Hadixheja, e cila vazhdimisht ishte në përkrahjen e Pejgamberit duke e ngritë moralin e Pejgamberit në thirrje dhe duke i dhënë kurajë dhe nxitje në vazhdimin e rrugës së tij. Këtë vit i Dërguari i Allahut e quajti viti i pikëllimit.
Muhamedi alejhi selam shikonte në Meke nuk gjente dikë që do ti dal në krah për kumtimin e misionit të tij. Atëherë, shkoi në Taif ( qytet tjetër nga Meka) që popullit të këtij vendi t’ia paraqes fenë e Allahut. Ata refuzuan ftesën e Pejgamberit dhe e maltretuan duke e gjuajtur me gurë sa që përgjakën këmbët e tij dhe duke kërkuar largimin e me njëhershëm nga qyteti i tyre.
I Dërguari i Allahut kthehet nga Taifi, i mërzitur, i pikëlluar. Dëshironte të kthehet në vendlindjen e tij, por banorët e Mekës nuk i lejuan hyrjen në Meke. Por, me ndërmjetësimin dhe nën mbrojtjen e Matam b. Adij, i cili ishte idhujtarë arriti të hyj në Mekë.
Në këtë situatë të rëndë dhe në këtë ambient shumë të vështirë dhe pasi kaloi dymbëdhjetë vite nga misioni i pejgamerëllkut të tij, dëshira e Allahut ishte që ta përgëzoj të Dërguarin e Tij, ti largoj pikëllimet dhe brengat e tij, ti tregoj se ai është nën mbrojtjen e Allahut, ta forcoj në misionin e tij. Në këto situata të rënda që kaloi Pejgamberi, erdhi ftesa e Krijuesit që i Dërguari i Tij të marr një rrugëtim deri te Fqinjësia e Tij. Një rrugë të cilën nuk e kishte menduar as Pejgamberi ndonjëherë. Një udhëtim i cili do të thyente edhe ligjet e natyrës. Një udhëtim jo i zakonshëm, sidomos për kohën kur jetonte Pejgamberi. Ky udhëtim në histori njihet si ngjarja e Israsë dhe Mi’raxhit.
Isra’ do të thotë udhëtim tokësor prej Mekës në Mesxhidul Aksa, në Kuds- Palestinë (afërsisht 1200 km larg Mekes). Ndërsa Mi’raxh do të thotë udhëtim qiellor, prej Mesxhidul Aksa gjerë në qiellin më të lartë, deri në Sidretul munteha , pastaj takimin me Krijuesin e qiejve dhe tokës. Për këtë ndodhi shih kaptinën Isra’ ajeti i parë dhe kaptinën Nexhm prej ajetit të parë deri te ajeti nëntëmbëdhjetë.
E tërë kjo, ndodhi brenda një pjese të natës dhe i Dërguari i Allahut u kthye në Meke. U ul afër Qabës dhe kaloi pranë tij Ebu Xhehli dhe i tha ç’ke o Muhamed? I Dërguari i Allahut i tha kamë udhëtuar sonte deri në Mexhidul Aksa. Ebu Xhehli i tha dhe tash je në mesin ton?! I tha po. Ebu Xhehli i tha nëse unë i thërras Kurejshitët ti do ti lajmërosh për këtë. I tha po. Ebu Xhehli i ftoi Kurjeshitët dhe tha ja se çka thotë Muhamedi, se paska bërë një udhëtim sonte deri ne Mesxhidul Aksa dhe prapë është kthyer në Meke. Ju e dini se sa është largësia mes nesh dhe Mesxhidul Aksas. Një grup tregtarë vetëm se kishin arrit prej Mesxhidul Aksas në Meke i thanë na përshkruaj si duket Mesxhidul Aksa. Muhamedi alejhi selam pasi që nuk kishte qenë asnjëherë më parë në Mesxhidul Aksa filloi ta përshkruaj në formë precize këtë vend ashtu sikur e kishin parë ky grup.
Atëherë i thanë sa i përket përshkrimit ashtu është ndërsa sa i përket lajmit që po e thua ajo është gënjeshtër. Ebu Xhehli duke menduar se do ta sfidoj Muhamedin alejhi selam edhe më shumë shkoi te shoku më i ngushtë i Muhamedit, te Ebu Bekri dhe i tha a dëgjon se çka po fletë shoku yt, po thotë se ka udhëtuar për një pjesë të natës prej Mekës në Mesxhidul Aksa. Ebu Bekri i tha a e ka thënë këtë Pejgamberi? Ebu Xhehli i tha po, bile po pretendon se ka shkuar edhe në qiell dhe ka biseduar me Zotin e tij. Ebu Bekri i tha për Zotin të vërtetën e ka thënë Pejgamberi sepse ai nuk gënjen. Unë po i besoj atij në shpallje që po i vjen nga Zoti , e kjo që thua ti është edhe më e lehtë. Prej këtij momenti Ebu Bkeri mori epitetin “ Siddik” i Sinqerti.
Në këtë rrugëtim të Pejgamberit kanë ndodhur shumë mrekulli dhe shumë ngjarje madhore. Por, ajo çka neve na intereson është nxjerrja e mësimeve dhe dobive nga kjo ngjarje:
1. Besimi në Isran dhe Mi’raxhin është pjesë e besimit të myslimanit. Ajo është mrekulli prej mrekullive të Allahut. Ndërsa besimi në mrekullitë e Allahut është pjesë e besimit të myslimanit. Besimi në mrekullitë e Allahut vë në sprovë besimin e njeriut dhe bënë dallimin mes besimtarëve të sinqertë dhe besimtarëve të luhatshëm në besimin e tyre.
2. Butësia e Allahut me robërit e Tij dhe ndihma që Allahu i sjellë robërve të tij besimtarë. Ngjarja e Israsë dhe Mi’raxhit erdhi pasi që u vështirësu gjendja e Muhamedit me shokët e tij nga mundimet e jobesimtarëve. Erdhi Israja dhe Mi’raxhi për ta nderuar Pejgamberin dhe besimtarët, për të ripërtëri vendosmërinë dhe synimet e tyre, për ti forcuar edhe më shumë në fenë e Allahut dhe për ti përforcuar edhe më shumë në premtimet e Allahut ndaj robërve të Tij besimtarë.
3. Udhëtimi i Muhamedit prej Mekës në Mesxhidul Aksa, e që ky vend ishte nën sundimin e Benu israilve ishte një shenjë dhe përgëzim se misioni i Muhamedit do të arrij deri në ato vende, dhe kështu ndodhi. Ndërsa, ngjitja e Pejgamberi në qiell tregon për pozitën e Pejgamberit te Zoti i Ti, dhe se ai është më i miri prej njerëzve. Po ashtu ishte një shenjë se Allahu do ta ngritë fenë e tij mbi të gjitha fetë.
4. Kjo ngjarje tregon edhe rëndësinë e namazit. Allahu, obligushmërinë e namazit e dalloi nga gjitha obligimet tjera, ku Allahu ia obligoi duke qenë Pejgamberi në qiell drejtë për së drejti, pa ndonjë ndërmjetësim. Allahu e obligoi namazin që ai të jetë udhëtimi qiellor i shpirtit të besimtarit. Çdo herë kur epshet dhe pasionet pas dynjasë dëshirojnë ta ulin shpirtin e besimtarit, ai me namazin e tij ia mësyn ngritjes së tij drejtë qiellit. Andaj, namazi është një ngritje e shpirtit të besimtarit, një ngritje e përsosmërisë së tij, një ngritje drejt banorëve të qiellit, një solidarizim me krijesat e Allahut që janë pa mëkate, e që janë melaiket. Dije o besimtar se obligimet tjera nuk janë sikur namazi. Besimtari mundë të thotë nuk mundë të agjëroj, mundë të thotë nuk mundë ta jap zekatin, mundë të thotë nuk mundë të kryej obligimet e fesë. Por, nuk guxon në asnjë mënyrë të thotë se un nuk mund të falem. A nuk dëshiron që shpirti yt të ngritët në qiell me namaz? A nuk dëshiron që ta përsosësh shpirtin tënd? Vetëm me namaz mund ta arrish këtë. Namazi është Mi’raxhi i shpirtit tënd. Mos e humb namazin.
5. Dëshira e Allahut ishte që Pejgamberi të ngjitet në qiell prej Mesxhidul Aksas e jo prej Mekës. Prej shenjave të kësaj janë përhapja e islamit dhe shtrirja e tij në tërë botën, pa dallim lloji, ngjyre dhe gjuhe. Islami është fjala e fundit Hyjnore te krijesat. Islami është feja universale dhe do të mbetet deri sa të ekzistoj kjo botë. Të gjithë pejgamberët kanë pas një fe, një mision,, një qëllim, që ti thërrasin njerëzit në adhurimin e Allahut dhe largimin nga idhujtaria, mosbesimi dhe injoranca. Muhamedi nuk është tjetër vetëm se hallka e fundit e vargut të pejgamberëve që erdhi mëshirë dhe udhëzim për mbarë njerëzimin.
Mesazhi i Hutbës së Xhumasë
E mbajtur, më: 15/05/2015
Vendi: Xhamia Dardania – Gjilan
Ligjërues: Hoxhë Shaban Murati