Falënderimi i takon Allahut, me dritën e Fytyrës së Tij u nderuan qiejt dhe toka, dhe me mirësinë e Tij u përfshinë të gjitha krijesat. E falënderoj Atë s.v.t. dhe vetëm Aitj i kërkoj ndihmë e falje.

Dëshmoj se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut, Një dhe i Pashoq, dhe dëshmoj se Profeti ynë Muhamed është rob i Allahut dhe i Dërguari i Tij, i zgjedhuri dhe i besuari për shpalljen e Tij. Paqja dhe bekimet e Allahut qofshin mbi të, mbi familjen e tij të pastër, mbi shokët e tij të udhëzuar dhe mbi të gjithë ata që i pasojnë me mirësi deri në Ditën e Gjykimit. Pas kësaj:

O myslimanë, ju këshilloj për devotshmëri ndaj Allahut, bindje ndaj Tij, mbikëqyrje të vazhdueshme dhe reflektim mbi këtë gjithësí të gjerë dhe mbi menaxhimin hyjnor të çdo çështjeje të saj. Asgjë nuk lëviz e asgjë nuk qetësohet në të, veçse me lejen e Tij. I Lartësuar dhe i Shenjtë është Zoti ynë.

Robër të Allahut, në një natë nga netët e kësaj bote, në një kohë kur Allahu  i Lartësuar deshi të ndryshojë rrjedhën e ngjarjeve në këtë univers, ndodhi një ngjarje madhështore për banorët e tokës dhe të qiejve, një ngjarje që nuk e kishin njohur dhe as përjetuar më parë. Në Mekë, në Qytetin e Shenjtë, në shtëpinë e të Dërguarit të Allahut ﷺ, u hap dhe u ça çatia e shtëpisë ndërkohë që i Dërguari ﷺ flinte. Zbriti Xhibrili me dy engjëj, paqja qoftë mbi ta,  dhe e morën të Dërguarin e Allahut ﷺ te Zemzemi, ia çanë kraharorin fisnik, ia nxorën zemrën, ia hoqën pjesën potenciale  të shejtanit, ia lanë me ujin e Zemzemit dhe, me lejen e Allahut, ia mbushën zemrën me urtësi dhe besim. Pastaj Xhibrili ia mbylli kraharorin të Dërguarit të Allahut ﷺ. Më pas iu soll një kafshë udhëtimi, më e vogël se mushka dhe më e madhe se gomari, e bardhë, e cila e mbarti atë, bashkë me Xhibrilin, drejt xhamisë së largët, Mesxhidul Aksa. Ajo e vendoste thundrën aty ku i shtrihej shikimi, dhe kështu ai u shpie gjatë natës deri në Aksa. Aty Allahu ia ringjalli të gjithë profetët dhe të dërguarit dhe ai ﷺ u priu atyre në dy rekate si imam. Pastaj u ngrit me të nëpër shtatë qiejt; Xhibrili trokiste në derën e çdo qielli dhe ajo hapej me lejen e Allahut. Ai takoi profetët dhe të dërguarit: Ademin, Idrisin, Musain, Isain dhe Ibrahimin,  paqja e Allahut qoftë mbi ta. E gjeti Ademin,  paqja qoftë mbi të, në qiellin e parë; në të djathtë të tij kishte turma dhe në të majtë turma. Kur shikonte nga e djathta qeshte, e kur shikonte nga e majta qante. Pyeti Xhibrilin për këtë njeri dhe për ata që ishin në të djathtë e në të majtë, dhe ai i tha: “Ky është Ademi; ata në të djathtë janë pasardhësit e tij, banorë të Xhenetit, ndërsa ata në të majtë janë pasardhësit e tij, banorë të Zjarrit” (Buhariu).

Derisa arriti te Sidretul Munteha. Aty Xhibrili u ndal dhe u tërhoq, duke thënë: “Secili prej nesh ka vendin e vet të caktuar”, ndërsa i Dërguari i Allahut ﷺ iu afrua dhe bisedoi me Zotin e tij. Aty iu bënë obligim pesëdhjetë namaze, me shpërblimin e pesëdhjetëve. Pastaj ai u kthye mes Zotit të tij dhe Musait, derisa namazi u lehtësua në pesë namaze në ditë e natë, pasi fillimisht ishin pesëdhjetë. Pastaj u kthye në tokë po atë natë, dhe në mëngjes ua tregoi Kurejshëve, të cilët e përgënjeshtruan dhe u tallën me të. Ndërsa Ebu Bekri, Allahu qoftë i kënaqur me të, i besoi pa asnjë hamendje, dhe Profeti ﷺ e quajti “Es-Siddik”. Mesxhidul Aksa ishte kibla e myslimanëve për gjashtëmbëdhjetë muaj e më tepër; disa nga sahabët vdiqën duke u falur drejt Aksasë. Pastaj Allahu i Lartësuar  e nderoi të Dërguarin e Tij duke ia plotësuar dëshirën që ai dëshironte, duke e kthyer kiblën drejt Mesxhidul Haramit. Allahu thotë: “Ne e shohim kthimin e fytyrës sate drejt qiellit, andaj do të të kthejmë patjetër nga  kibleja-drejtimi që ti e pëlqen, prandaj ktheje fytyrën tënde drejt Xhamisë së Shenjtë” (El-Bekare, 144). Kështu Qabja u bë kibla e myslimanëve, ndërsa Mesxhidul Aksa mbeti kibla e parë dhe e treta pas dy xhamive të shenjta. Mesxhidul Harami, Mesxhidun Nebeui dhe Mesxhidul Aksa janë xhami drejt të cilave bëhen udhëtime, ato kanë përparësi dhe shenjtëri mbi të gjitha xhamitë e tjera; ndërsa xhamitë e tjera janë të barabarta në shpërblim dhe vlerë.

Kjo, o robër të Allahut, është një përmbledhje e shpejtë e ngjarjeve të Israsë dhe Miraxhit. Arsyeja e përmendjes së saj sot është sqarimi i shenjtërisë që ka Mesxhidul Aksa te Allahu, te i Dërguari i Tij dhe te besimtarët: ajo  është kibla e parë, e treta e xhamive të  shenjta, dhe falja në të vlen sa pesëqind namaze. Ajo është e  bekuar dhe rrethina e saj është e bekuar: “I Lartësuar qoftë Ai që e shpiu robin e Tij natën nga Xhamia e Shenjtë në Xhaminë e Largët, rrethin së cilës Ne e kemi bekuar” (El-Isra, 1).

Sot Mesxhidul Aksa është në duart e mizorëve zullumqarë- jahudive, të cilët çdo ditë përpiqen ta rrënojnë për të ngritur tempullin e tyre të trilluar. Myslimanët në këto kohë të vona, prej dekadash përpiqen ta pastrojnë atë nga ndyrësitë dhe zullumi. Myslimanët atje çdo ditë vdesin ose përcjellin njëri-tjetrin; vdesin duke mbrojtur Aksan, pa pasur gjë tjetër veç trupave të tyre, kraharorëve të zhveshur dhe gurëve. Deri më sot, arabët myslimanë nuk kanë gjetur një zgjidhje për ta çliruar kiblën e parë dhe xhaminë e tretë të shenjtë.

O vëllezër në Allah, nga mësimet dhe porositë që merren nga ngjarja e Israsë dhe Miraxhit është meditimi mbi lidhjen që Allahu  i Lartësuari ka bërë mes Mesxhidul Haramit dhe Mesxhidul Aksasë. Kjo lidhje nuk është e kotë,  por janë sinjale dhe paralajmërime për këtë ummet që të mos e neglizhojë Aksan; sepse ai ka shenjtëri dhe nderim te Allahu, ashtu si Mesxhidul Harami në Mekë  dhe Xhamia e Profetit s.a.v.s. në Medinë.. Si jo kur Aksa është kibla e profetëve dhe e të dërguarve dhe kibla jonë e parë?! Allahu e ka përmendur atë në Librin e Tij dhe i Dërguari i Tij në Sunetin e tij. Pyetja është a na lejohet neve të neglizhojmë dy haremet e shenjta?

Nëse përgjigjja është se shpirtrat dhe trupat e myslimanëve në lindje e në perëndim të tokës janë kurbanë për dy xhamitë e shenjta, atëherë po ashtu gjaku dhe shpirtrat e myslimanëve duhet të jenë flijim për Aksan, dhe trupat e tyre të bëhen mburojë për të, që të mos preket apo ndotet.

Kj është ndjenja e vërtetë imanore te myslimanët e Ehli Sunetit ndaj Mesxhidul Aksasë dhe ndaj të gjitha shenjtërive islame. Mirëpo ajo që e ka dobësuar umetin është plogështija e disfata  psikologjike e mendore, dobësimi i besimit, mendimi i keq ndaj Allahut, dobësimi i bindjes në premtimin e Tij të sinqertë, dobësia në besimin ndaj të fshehtave dhe mbështetja e tepruar në materialen e  dukshme, mashtrimi me atë që kanë njerëzit, veçanërisht jobesimtarët dhe frika prej tyre. Të gjitha këto, madje edhe më shumë se kaq, e kanë sjellë gjendjen në këtë pikë që e shihni dhe e dëgjoni, derisa armiqtë dolën hapur në mbështetje të hebrenjve, duke i furnizuar me armë, duke sabotuar projektet arabe dhe islame, dhe duke u rreshtuar fuqishëm në anën e tyre. Kështu u shprehën kryqtarët, dhe kështu shprehen edhe sot, në çdo kohë, ndërsa umeti sheh dhe dëgjon me sy të ngulur, me veshë të hapur, me pështymë që thahet dhe me gjuhë që mezi lëviz. Nuk ka forcë dhe fuqi përveçse me Allahun.

Nga mësimet e Israsë dhe Miraxhit është edhe namazi që ju falni. Ai namaz, vlera e të cilit është relativizuar te shumë bij të umetit dhe kujdesi ndaj tij është dobësuar në nivele që mendja mezi i përfytyron. Ai shtyhet për arsye nga më të voglat, neglizhohet për angazhimet më të parëndësishme, e te disa madje anulohet plotësisht. Ende ka burra të moshuar e të rritur nga umeti i Muhamedit ﷺ që nuk falen fare, ose falen herë pas here, vetëm kur u mbetet kohë nga punët e dynjasë; e kryejnë namazin shpejt e pa përkushtim, sikur po i bëjnë një nder Allahut që falën një rekat. Pas tyre dolën breza që e hodhën pas dore namazin, prandaj mos u çudisni nëse sot fëmijët tanë flenë për namazin e xhumasë, e jo më për pesë namazet ditore.

Ky nuk është vendi për të sqaruar dispozitën e namazit në Sheriat, por për të marrë këshillë dhe mësim nga Israja dhe Miraxhi. I Dërguari i Allahut ﷺ porositi për namazin në çastet e ndarjes nga kjo botë, teksa ishte në shtratin e vdekjes. Është vërtetuar se ai thoshte: “Namazin, namazin, dhe ata që i keni nën përgjegjësi.”

Ju tashmë e dini se Allahu i Lartësuar e ka ligjësuar namazin dhe e ka bërë obligim për të Dërguarin dhe robërit e Tij në Miraxh, në qiej, ndërsa shtyllat e tjera janë ligjësuar në tokë, ose urdhri për to ka ardhur përmes Xhibrilit – paqja qoftë mbi të – te i Dërguari i Allahut ﷺ. Kjo tregon rëndësinë e madhe të namazit dhe shpjegon pozitën e tij të lartë. Allahu i Lartësuar ka porositur për të duke thënë: “Kërkoni ndihmë me durim dhe me namaz; vërtet ai është i rëndë, përveç për të përulurit” (El-Bekare, 45), dhe ka thënë: “Kujdesuni për namazet dhe për namazin e mesëm” (El-Bekare, 238).

I Dërguari i Allahut ﷺ pati menduar t’u vinte zjarrin shtëpive të disa njerëzve, për shkak se burrat e tyre nuk merrnin pjesë në namazin me xhemat. Po të mos kishte në ato shtëpi persona mbi të cilët nuk bie obligimi i xhematit dhe të cilëve Allahu nuk ua ka kërkuar pjesëmarrjen në xhami, si gratë dhe fëmijët, do t’ua kishte djegur shtëpitë. Ai ﷺ ka thënë: “Kam pasur ndërmend të urdhëroj për namazin që të falet, pastaj të shkoj te disa njerëz në shtëpitë e tyre që nuk e falin namazin me xhemat dhe t’ua djeg shtëpitë” (muttefekun alejhi). Po ashtu ka thënë: “Besa dalluese mes nesh dhe tyre është namazi; kush e lë atë ka bërë kufër”, dhe ka thënë: “Mes robit dhe kufrit është lënia e namazit”.

Shumë varre janë errësuar për banorët e tyre për shkak të neglizhencës dhe braktisjes së urdhrave të Zotit të tyre dhe shtyllave të fesë së tyre. I Dërguari ﷺ ka thënë: “Vërtet këto varre janë të errëta për banorët e tyre” (Muslimi).

Ka njerëz që kanë hyrë në zjarr për shkak të lënies së namazit. Allahu i Lartësuar thotë: “Çfarë ju futi në Sekar?” – domethënë në zjarr – “Ata thanë: Nuk ishim prej atyre që faleshin, dhe nuk ushqenim të varfrin, dhe hynim në biseda të kota me ata që hynin, dhe e përgënjeshtronim Ditën e Gjykimit” (El-Mudethir, 42–46).

Këto janë disa nga qortimet dhe paralajmërimet për lënien e namazit. Ka edhe paralajmërime për ata që falen, por që i cenojnë shtyllat e tij, neglizhojnë kryerjen e tij dhe nuk ia japin të drejtën ashtu siç duhet.

Nga mësimet dhe porositë e Israsë dhe Miraxhit që janë shfaqur në këto ditë është edhe zhdukja e ndjenjës ndaj gjendjes së Mesxhidul Aksasë, robërisë e ndotjes së tij nga hebrenjtë dhe gjakut që derdhet, si dhe vrasjeve e masakrave ndaj bijve të myslimanëve në Palestinë.

Vërehet se ndjenja është e përkohshme. Mendonim se umeti ishte zgjuar nga gjumi i tij, me ngritjen e myslimanëve, me largpamësinë e tyre imanore dhe thirrjen e tyre për çlirimin e Aksasë, me braktisjen e mëkateve dhe shkeljeve. Por nuk kaloi shumë dhe njerëzit u kthyen në gjumin dhe pakujdesinë e tyre: vallëzojnë, këndojnë, luajnë dhe bëjnë mëkate. Ndjenja për të cilën i ka nxitur i Dërguari i Allahut ﷺ në hadithin e saktë mungon, kur  ka thënë: “Shembulli i besimtarëve në dashurinë dhe mëshirën e tyre ndaj njëri tjetrit është si shembulli i një trupi të vetëm: kur një gjymtyrë sëmuret, të gjitha gjymtyrët e tjera i përgjigjen me pagjumësi dhe tepmeraturë” (Muslimi).

Dashuria e tyre është e përkohshme, mëshira e tyre e lehtë, e lëkundur dhe e dobët, që shpejt ndërpritet,  Allahu na  ruajtë.

Në këto ditë pothuajse harrojmë, ose nuk e gjejmë më interesimin që kishim më parë, edhe pse gjaku islam vazhdon të rrjedhë, dhe therja e vrasja e vëllezërve tanë nuk ka pushuar nga armiqtë e Allahut. Aksaja me rrethinë ende rënkon nën peshën e ndyrësive. Atëherë pse nuk vazhdon ndjenja? Pse nuk qëndron? A është dynjaja apo mëkatet?

O myslimanë, kini frikë Allahun,  ndjene mbikëqyrjen e Tij, kthejuni vëllezërve tuaj me lutje dhe shtrini dorën e ndihmës. Dijeni se lutja është një armë që shumica e myslimanëve e injorojnë; nuk i kushtojnë vëmendje dhe nuk qetësohen me të, deri në atë masë sa e braktisin. Po të ishin qëllimet të sinqerta, zemrat të pastra dhe besimtarët t’i luteshin Zotit të tyre, do ta shihnit se si gjendja do të përmbysej kundër armikut tuaj.

Lus Allahun e Madh, Zotin e Arshit të Madhërishëm, që të na dhurojë ndjenjën e vëllazërisë islame dhe të besimit, ta ndihmojë Fenë dhe Umetin Islam, dhe të mposht armiqtë e shumtë, Ai është Dëgjues dhe i Afërt.

Muhamed bin Hasen el-Merihi

Përktheu dhe përshtati
Thirrja.org Nisma për zhvillimin e imamëve – thirrësve