Dr. Jusuf el Kardavi

Në zemrat tona, sërish fryn aroma e Israsë, i trazon pasionet e mallit, e të cilat janë fllad i kujtimit të Miraxhit. Përkujtimi i Israsë dhe Miraxhit me vete sjell dhimbje dhe shpresë, e që ne i zgjedhim disa prej atyre mësimeve, që të na ndriçojnë rrugën e ardhmërisë sonë. Atëherë, ejani të dashurit e mi, të ndalemi me disa nga mësimet e Israsë dhe Miraxhit, e të marrim pak frymëzim nga kjo ngjarje, në këto rreshta që nuk do të mund t’i përfshijmë të gjitha mesazhet e kësaj ngjarjeje të madhe.

Mesazhi i parë – një fije shprese në një kohë dëshpërimi
Në brendësi të çdo sprove, fshihet një dhuratë; pas çdo vështirësie, vjen lehtësimi; pas natës së errët, vjen agimi i vërtetë që fshinë tërë errësirën. Kurejshitët kishin bllokuar rrugën përballë thirrjes islame në Mekë, siç i kishin rrethuar edhe njerëzit e saj nga çdo anë, gjersa Muhamedi a.s. ishte në rrezik pas vdekjes së xhaxhait të tij, Ebu Talibit, dhe gruas së tij, Hatixhes; kështu që kishte vendosur të shkonte në Taif, e ku as aty nuk gjeti nga banorët e saj asgjë tjetër përveç kundërshtimit dhe lëndimit të tij, duke e gjuajtur me gurë. Përballë tërë kësaj situate që çoi në dëshpërim dhe zhgënjim, gjersa dyert ishin të mbyllura e nuk kishte kah t’ia mbante, megjithatë i Dërguari i Zotit, Muhamedi a.s., besimin e kishte të palëkundur në Zotin e tij dhe vendosi të kthehej në Mekë. Zejdi, sahabiu shoqërues i tij, kur e pa vendosmërinë e Muhamedit a.s. për t’u kthyer sërish në Meke, pas lëndimit të tij në Taif, i tha: “O i Dërguar i Zotit, si do të riktheheni në Meke, kur banorët e saj të dëbuan nga ajo?” Atëherë ai i përgjigjet: “O Zejd, Allahu do të bëjë lehtësim dhe rrugëdalje nga ajo që sheh.” Cili ishte rezultati i kësaj sigurie? Ç ‘ndodhi pas sprovave me të? Erdhi ndodhia e Israsë dhe Miraxhit, ashtu siç e kishte planifikuar Allahu xh.sh., një udhëtim nderimi dhe përzgjedhjeje: “Pa të meta është Lartmadhëria e Atij që robin e Vet e kaloi në një pjesë të natës prej Mesxhidi Haramit (prej Qabesë) gjer në Mesxhidi Aksa, rrethinën e së cilës Ne e kemi bekuar, (ia bëmë këtë udhëtim) për t’ia treguar atij disa nga argumentet Tona. Vërtet, Ai është dëgjuesi (i fjalëve të Muhamedit), pamës (i punëve të Muhamedit).”(1) Ky është një mesazh për çdo mysliman dhe besimtar, që nëse ju godet fatkeqësia, e ju pakësohen miqtë, ndërsa armiqtë ju shtohen, të afërmit largohen nga ju, ndërsa njerëzit ju braktisin, atëherë thirr: “O Allah!”, dhe ji i sigurt në rrugëdalje, fitore e fuqizim.

Mesazhi i dytë – ju e keni udhëheqjen e njerëzimit, atëherë pse e braktisni atë?!
Kur Muhamedi a.s. udhëtoi nga Qabeja në Mesxhidi Aksa, ai u priu si imam në namaz pejgamberëve, ashtu siç theksohet në hadithin e Muhamedit a.s. kur e tregon ndodhinë e Israsë dhe Miraxhit: “Kur erdhi koha e namazit, u priva në namaz.” Namazi i Muhamedit a.s. si imam i pejgamberëve mbart një mesazh të rëndësishëm, e ai është se të gjithë pejgamberët e Zotit ia kanë dorëzuar Muhamedit a.s. udhëheqjen e njerëzimit, kështu që ndjekësit e tij e kanë për obligim ta mbajnë këtë flamur pas tij dhe të jenë pionierët dhe udhëheqësit e njerëzimit, dhe se metodologjia që e ka lënë Muhamedi a.s. në mesin e tyre ka qenë metodë e lumturimit të njerëzisë dhe zhvendosjes së tyre nga errësira në dritë, a nuk ka thënë Allahu: “Gjithashtu (sikundër që ju kemi udhëzuar në rrugë të drejtë) ju kemi bërë popull të drejtë, që të bëheni dëshmitarë të njerëzve dhe që Pejgamberi të jetë dëshmitar i juaji. Ne nuk e kemi bërë obligim kthimin tënd kah Qabeja (o Muhamed!) për tjetër arsye, por vetëm për të parë se kush ndjek rrugën dhe kush do të shkojë pas Pejgamberit e për t’i dalluar nga ata që kthehen nga thembrat. Ky ndryshim është i rëndë, por jo për ata që i ka drejtuar Zoti në rrugë të drejtë. E, se, Perëndia nuk ua humbë besimin tuaj (namazin që keni bërë kah Kudsi), se Perëndia, me të vërtetë, është fort i dhembshëm dhe mëshirues për njerëzit.”(2)
Njerëzimi mbet i mjerë nga momenti kur myslimanët e braktisën rolin e tyre dhe ua dorëzuan udhëheqjen atyre që nuk e vlerësojnë njerëzimin e që nuk dinë asgjë veç gjuhës së shkatërrimit dhe të vrasjes.

Mesazhi i tretë – Mesxhidi Aksaja dhe Qabeja janë si dy motra, kush e neglizhon njërën prej tyre, neglizhon edhe tjetrën

Në Fjalën e Zotit: “Pa të meta është Lartmadhëria e Atij që robin e Vet e kaloi në një pjesë të natës prej Mesxhidi Haramit (prej Qabesë) gjer në Mesxhidi Aksa…”(3), është një lidhje mes Qabesë dhe Mesxhidi Aksasë, prandaj këtu duhet të ndalojmë e t’i analizojmë disa aspekte:
Ndalesa e parë: Kjo lidhje na bënë me dije se çdo kërcënim ndaj Mesxhidi Aksasë është kërcënim edhe për Qabenë dhe popullin e saj, dhe se sulmi ndaj Mesxhidi Aksasë është pararendës i sulmit ndaj Qabesë, dhe se marrja e Mesxhidi Aksasë nga duart e myslimanëve dhe rënia e saj në duart e hebrenjve do të thotë kërcënim i sigurisë në Qabe dhe Hixhaz, dhe se hebrenjtë kurrë nuk i fshehën ambiciet e tyre në Qabe.
David Ben Gurioni, kur e pushtoi Jerusalemin, e mbajti një fjalim para ushtarëve dhe të rinjve hebrenj pranë Mesxhidi Aksasë, fjalimin e tij e përfundoi duke thënë: “Kemi pushtuar Jerusalemin, dhe jemi rrugës për në Jethrib-Medine.”
Ashtu siç kishte mbajtur një fjalim edhe Golda Meir, pas pushtimit të Jerusalemit: “E ndjej aromën e të parëve të mi në Medine e Hixhaz, e ato janë vendet tona që do t’i rikthejmë.”
Për çdo mysliman, mesazhi është shumë i qartë, e kushdo që e neglizhon Mesxhidi Aksanë, do ta ketë të lehtë ta neglizhojë edhe Qabenë.
Ndalesa e dytë: Lidhja mes Mesxhidi Aksasë dhe Qabesë i bën myslimanët të ndjejnë përgjegjësinë e tyre ndaj Mesxhdi Aksasë dhe rëndësinë e saj për ta, pasi që ajo është kibleja e parë e tyre. Në kohën kur Mesxhidi Aksaja ra në kthetrat e kryqtarëve, atë e shpëtoi Salahudin el Ejubi, i cili gjatë natës i inspektonte ushtarët e tij. Në njërën prej tendave, i gjeti ushtarët e tij duke u falur, e u tha: “Nga këtu vjen fitorja.” Ndërsa në një tendë tjetër i gjeti ushtarët e tij duke fjetur, e u tha: “Nga këtu vjen disfata.”



__________________________
1 . El Isra, 1.
2 . El Bekare, 143.
3 . El Isra, pjesë nga ajeti 1

Dr. Jusuf el Kardavi

Përktheu: Dr. Faruk Ukallo.
Dituria Islame 386-387