Të gjitha falënderimet e plota dhe lavdërimet  absolute i takojnë vetëm All-llahut të Madhëruar, Zotit të vetëm të gjithësisë, vetëm Atë e adhurojmë dhe vetëm prej Tij ndihmë dhe falje kërkojmë.  Salavatet dhe selamet më të përzemërta ia dërgojmë zotërisë së bijve të Ademit, Muhammedit të cilin e dërgoi All-llahu mëshirë për krejt krijesat e Tij, familjes së tij fisnike e shokëve të tij besnikë dhe të gjithë atyre që e pasojnë traditën e tij deri në ditën e gjykimit.

 

“Sigurisht që Allahu nuk ngurron të sjellë çfarëdo shembulli, qoftë dhe një mushkonjë ose diçka më të madhe a më të vogël se ajo.[El-Bekare: 26], Allahu u sjell shembuj njerëzve që ata të mendojnë.” (Ibrahim: 25).

Allahu  s.v.t. sjellë shembuj  me krijesat më të dobëta të Tij për të treguar madhështinë e Tij dhe madhështinë e shenjave të Tij,  kur dihet se  ato përmbajnë leksion për ata që i marrin në konsideratë  sikurse që ato në vetvete janë argument kundër atyre që mohojnë e janë mendjemëdhenj.

Në Librin e Zotit dhe Sunetin e të Dërguarit të Tij  ﷺ ekziston një shembull që përshkruan pozitivitetin edhe veçoritë e sakrificës, dhe një tjetër që nxjerr në pah negativitetin e kaosin dhe ndikimin e tyre si ndaj komunitetit dhe ndaj vet individit. Ai  është  shembulli  i dy milingonave; Njëra prej tyre ishte me Sulejmanin  ﷺ dhe tjetra ishte me një profet tjetër nga të Dërguarit e Allahut.

“Para Sulejmanit u tubua ushtria e tij nga xhinët, nga njerëzit dhe nga shpendët, të gjithë në radhë duke marshuar.” [Enneml: 17]. Ushtri e kompletuar  dhe e organizuar në radhë të rregullta, me marshim të zellshëm dhe me disiplinë të saktë, në një skenë madhështore që gëzon zemrat e miqve dhe tmerron zemrat e armiqve.

Një ushtri që  marshon me  rregull, asnjë nuk  ec përpara nga pozicioni i tij e as që ngec  mbrapa. Ishte një ushtri e planifikuar fort, secili e din rolin dhe misionin e vet. Marshimi po shkonte drejt një lugine milingonash që në vetvete ishte e  vogël, por me banorë të shumtë dhe e mbushur me gjallëri, aktivitetit, angazhim.

Mirëpo, një milingonë atje po  vëzhgonte skenën e po  përcillte situatën dhe duke qenë dëshmitare e ngjarjes, tashmë  ishte e sigurt se mes tyre dhe shkatërrimit total  kishte vetëm disa momente, kështu që mori iniciativën dhe tërhjeku vëmendjen, filloj të bërtiste dhe të paralajmëronte. Më duket sikur po e shoh  duke thirrur me atë zë të dridhur, të frikësuar dhe të brengosur nga një e ardhme e errët dhe një fatkeqësi e afërt: Kur ata arritën në luginën e milingonave, një milingonë tha: “O ju milingona, hyni në foletë tuaja, që të mos ju shkelë Sulejmani dhe ushtria e tij, pa e vënë re!” (En-Neml: 18).  Për Zotin,  milingonë, milingonë porse mençuria dhe elokuenca e saj  tejkalon miliona njerëz.

Ajo ju drejtua me thirrje  O, duke paralajmëruar e pastaj i urdhërojë  duke ju thënë “Hyni”, dhe duke i këshilluar dhe udhëzaur se ku “në foletë tuaja”  me paraljmërimin   “të mos ju shkelë”  duke veçuar  Sulejmanin, e për të vazhduar edhe me “dhe ushtria e tij,”, por që në fund kërkoi falje, e justifikim, dhe mendim pozitiv për ta: “pa e vënë re!”

Fjalë të pakëta porse  përplotë   tipare të pozitivizmit  nga një krijesë e  dobët për të projektuar një metodologji  për njerëzit në përballjen me krizat dhe ngjarjet.

Një situatë që Zoti nuk e përmendi kot, përkundrazi që besimtarët ta meditojnë për të dhe që të zotët e mendjes të përkujtojnë, Ata që besojnë e dinë se kjo është e vërteta nga Zoti i tyre, kurse jobesimtarët thonë: “Çfarë deshi të thotë Allahu me këtë shembull?” Përmes tij, Allahu çon në humbje shumë njerëz dhe udhëzon shumë të tjerë. Në fakt, Ai i çon në humbje vetëm të pabindurit” (El-Bekare: 26) Ata që besuan e dinë se çdo gjë që Zoti i Madhëruar përmend në Librin e Tij është e vërtetë dhe se ajo përmban udhëzim, përkujtim, këshillë dhe leksion  për ata që kuptojnë.

Për Zotin, sa e çuditshme kjo milingonë! Si  paralajmëroj  rrezikun, shpjegoj zgjidhjen dhe nuk u kufizua vetëm në ulërima, vajtim, qortim, qarje dhe ankim. Përkundrazi, paraqiti një plan urgjent për një zgjidhje të shpejtë dhe efektive hyni në foletë tuaja. Sa kemi nevojë për këtë vizion të thellë në zgjidhjen e problemeve, sa kemi nevojë të japim zgjidhje konkrete  pas diagnostikimit të problemeve. Fajësimi dhe ankimi nuk heq asnjë problem dhe as që largon ndonjë fatkeqësi.

Një milingonë edhe pse e vogël në përmasat e saj, e madhe në mendimin e saj,  na mëson përkatësinë e vërtetë ndaj atdheut dhe shoqërisë. Kjo milingonë tregoi nivelet më të larta të sakrificës për vendin dhe popullin e saj, anise ajo mundi të tërhiqej mënjanë dhe të mendonte vetëm për veten e saj, duke e arsyetuar këtë me: Çfarë mund të bëj përballë kësaj ushtrie të madhe? Përkundrazi  ajo e konsideroj veten kujdestare para popullit të saj dhe nuk pranoi t’i ndodhte asnjë e keqe, ndaj zgjodhi rrezikimin për të shpëtuar shoqërinë e saj, gjë që tregon sakrificë të lartë dhe vetëmohim për hir të vendit  dhe shoqërisë së saj.

Me atë ndjenjë, atë besnikëri  dhe atë frymë unike vëllazërore Milingona shpëtoi një  luginë të tërë  të milingonave gjë të cilën dhe Kurani e regjistroj si një shembull të ndritshëm  patriotizmi, vëllazërije, vetëmohimi dhe të bërjes së gjithçkaje të mundshme për t’u shërbyer të tjerëve.

Eh ku janë shumë njerëz përballë këtij qëndrimi të cilët nuk kujdesen për Umetin  e tyre,  as për popullin e tyre, e as për atdheun e tyre. E sheh atë sesi edhe pse i heton rreziqet ndaj tyre nuk thërret popullin e vet me:  “strehouni në vendbanimet tuaja” apo “ Dhe ruani betimet tuaja” [El-Maide: 89] Ai  mendon  se do të shpëtojë, nëse vet  është i mirë, por nuk e di i gjori se një vend nuk shpëton përveç nëse aty ka  ka reformues përmirësues dhe  këshillues.  “Zoti yt nuk do t’i shkatërronte venbanimet padrejtësisht, përderisa banorët e tyre do të ishin përmirësues. (Hud: 117).  Nuk ka thënë përderisa të jenë të mirë, dhe  nuk e din njeriu  se kur të vijë sprova ajo përfshin të gjithë: “Ruajuni dënimit, i cili nuk i godet vetëm keqbërësit nga mesi juaj dhe dijeni se Allahu është i rreptë në ndëshkim!” [El-Enfal: 25] Ku po mbetet marrja e këshillës dhe nxjerrja e leksionit.  Ka sens që bubrreci të jetë më i mirë se shumë prej njerëzve?!

Një milingonë e vogël për nga konstrukti por e sinqertë në këshillat e saj. Ajo shpërfaqi kujdesin ndaj komuniteti të saj e ata pranuan këshillën. Po në kohën tonë, ku janë ata që këshillojnë me besnikëri? Ku janë ata që drejtojnë me ndershmëri pa lënduar apo ofenduar? Po dhe në anën tjetër ku janë ata që e pranojnë këshillën dhe nuk e refuzojnë atë, e as që ankohen apo pesimizohen prej saj?  Ku janë të sinqertët  në këshillimin e familjarëve dhe fqinjëve të tyre? Anasjelltas  ku janë ata që gëzohen prej këshillës, si dhe  ata që manifestojnë me  këshilluesit? A thua vallë mos  kemi arritur në atë pikë që jemi si ata të cilëve iu drejtua i Dërguai i tyre: Ai u largua prej tyre duke thënë: “O populli im, unë jua kumtova mesazhin e Zotit tim dhe ju këshillova, por ju nuk i donit këshilluesit.” [El-A’raf: 79].

Një milingonë e vogël për nga konstrukti  i saj na dha leksion edhe në një pike tjetër: se si të mendojmë mirë për të tjerët dhe të kërkojmë justifikime për ata që bëjnë gabime pa e vënë re!” . Çfarë niveli të  mësimit moral jep kjo milingonë?! Aty ku ajo shprehu mendimin e saj të mirë për Sulejmanin dhe ushtarët e tij, e sa kemi ne nevojë  të mësojmë nga kjo milingonë parimin e të paturit mendim  të mire për  të tjerët dhe hapjen e mundësive për  interpretim të mirë në rast të ndonjë rrëshqitjeje apo gabimi, pa u zhytur në mendime dhe iluzione që shkatërrojnë e nuk ndërtojnë.

Sa të bukura janë ato fjalë që Zoti i mundësoj gjuhës së  e Omerit r.a. ti thoshte: “ Mos supozo keq   për  një fjalë të thënë nga vëllai yt besimtar përderisa ti mund  t’i  gjesh intepretim  të mirë” Sa shumë sjell ky moral i bukur  përmirësim të së  brendshmes së  robit,  dhe dëbim të  pëshpëritjeve e vesveseve të shejtanit,  si dhe në vevtvete përmban  zgjidhje për shumë prej problemeve që ndodhin  mes njerëzve, të afërmve dhe fqinjëve.

Ne kemi nevojë për këtë edukatë të milingonës  kur nuk pajtohemi, e të mbajmë një mendim të mirë për të tjerët, veçanërisht për njerëzit e dijes, të virtytit dhe të fesë sa të jetë e mundur, assesi nuk duhet të shpërndajmë rrëshqitjet e tyre e as të ekzagjerojmë ndonjë gabim ose harresë të tyre, përkundrazi duhet të kemi mendim pozitiv e ta shkrijmë atë të keqe në detin e  të mirave të tyre  dhe të  harrojmë mëkatin kur të paraqitet  lista e virtyteve dhe fisnikërive të tyre.

Roli i milingonës përdundoj me atë paraljamërim dhe me atë zgjidhje të afruar, ndërsa rezultatet ishin jashtë mundësive të saj. Kësisoj edhe thirrësi në Islam, edukatori e prindi, roli i tyre përfundon me përcjelljen e këshillës,të përkujtimit dhe udhëzimit duke lënë rezultatet në dorë të Zotit s.v.t. i cili iu drejtua të Dërguarit të tij kështu: “Detyra jote është vetëm që të kumtosh.”  (Shura: 46)

Roli i milingonës dhe misioni i saj, pra, përfundoi pasi ajo  ndërmorri iniciativën dhe nxitoi, paralajmëroi, bërtiti, dhe tërhjeku vërejtjen  duke  iu justifikua Zotit s.v.t. me  atë që ofroi për komunitetin e saj, pavarësisht konstruktit dhe  strukturës së saj të vogël.

Do të doja të shihja se çfarë mund  të thot në këtë drejtim  ai që Zoti e krijoi dhe e nderoi të ishte mëkëmbës i tij në tokën e tij, ta gjallërojë  atë, si  dhe ta adhurojë Atë me adhurim meritor dhe ti bindet Atij me binje të denjë edhe pse përkundër bubrrecit njeriu është   trupmadh e shtatlartë?! Çfarë mund të thotë dikush që  jeton një jetë të gjatë? Çfarë i dha kombit të tij? Çfarë i dha fesë së tij? Çfarë i dha vendit të tij? Çfarë i dha ai komunitetit të tij? Sa njerëz shpëtoi nga ferri?! Sa njerëz ka ndihmuar? Sa njerëzve u bëri dobi dhe u shërbeu? Sa të dëshpëruarve ua  lehtësoj shqetësimin e tyre? Sa njerëz të uritur ushqej? Sa  njerëz të varfër ka mbështetur? Sa njerëz të trishtuar i ka lumturuar? Sa njerëz të shtypur ka ndihmuar? Sa të privuarve  u ka dhuruar? Pyetje që vetvetiu  lindin, ndërsa  suksesi është vetëm  nga Zoti. “Kështu që kushdo që bën ndonjë të mirë sa një grimcë, do ta shohë atë” [El-Zelzelah: 7].

 

Ndërsa sa i përket milingonës së dytë, ajo  përkundrazi me të parën pati qëndrim  negativ të cilin e ka regjistruar  ky hadith i të Dërguarit të Zotit ﷺ : “ Përderisa njëri prej  pejgamberve të kaluar  u ul  nën një pemë një milingonë e thumboi atë, kështu që ai urdhëroi që t’i nxirrnin gjërat e tij prej aty si dhe  urdhëroi që të digjej fshati i milingonave! Allahu i shpalli : për shkak se një  milingonë të thumboj ti djege një shoqëri të tërë  që lavdërojnë – bëjnë tesbih.”

E po e shihni? Një milingonë e pamatur, me një veprim të pamatur, shkaktoi djegien e një shoqërie të tërë që  lavdëronte  Zotin dhe e falenderonte.  Është një milingonë që përfaqëson veprimet individuale, ku  kryerësit e tyre  nuk i marrin parasysh duke mos qarë kokën nëse mund të sjellin dëme apo konsekuenca.

Kjo  është një milingonë e pamatur, të cilës i ngjajnë ata  pak nga elitarët e pasur, të cilët kudo që vendosen fillojnë me të këqijat e tyre derisa të realizohet Fjala-vendimi dhe Allahu t’i shkatërrojë kolektivisht.

Kjo gjithashtu   mishëron ata që hipin në anijen e shoqërisë, të  veshur me petkun e “lirisë personale” e të mbuluar  me petkun e hapjes dhe integrimit duan të bëjnë një vrimë nga ana e tyre e të fundosen vet ata dhe me ta të fundosin edhe tërë  kombin!

Kjo milingonë përfaqëson burrat dhe gratë që ngarendin  drejt çdo të keqeje, dhe nxitojnë në çdo rrebelim  duke mos qarë kokën  se po e tërheqin kombin në ferrin e ndëshkimit hyjnor që Zoti s.v.t. ka përgatitur për kundurshtuesit.

Në këtë kohë, ne nuk po vuajmë nga milingonat që thumbojnë ndonjë profet, por më tepër nga “milingonat njerëzore” që thumbojnë fenë në tërësi me rregullat dhe mësimet e saj, si dhe thumbojnë njerëzit e saj, duke përfshirë dijetarët, predikuesit, njerëzit e drejtë dhe vullnetarët i Islamit.  I Plotfuqishmi s.v.t. thotë në Hadithin e Shenjtë- Kudsij: “ Kush është armiqëson mua një  mik timin, Unë atij do ti shpalli  luftë” , e si do të jetë puna e atij  atë që kundërshtar të vetin ka  Zotin e qiejve dhe të tokës?!

A e kuptojnë ata që turren pas  mëkateve , ata që haptazi i bëjnë gjynahet e marritë, si dhe ata që konkurrojnë për atë që bie ndesh me fenë e tyre dhe me vlerat e shoqërisë së tyre se këta po e shtyjnë kombin dhe veten e tyre në një rrugë në fund të së cilës nuk duket drita e agimit?  A nuk e lexojnë ata Kur’anin për të ditur pasojat e mëkateve?!  A nuk i dëgjojnë fjalët e Atij që di të fshehtat: Secilin e dënuam për gjynahun e vet: disave u lëshuam rrebesh gurësh, disa i mori gjëmimi i tmerrshëm, disa i bëmë që t’i gëlltiste toka e disa i përmbytëm. Nuk ishte Allahu që u bëri atyre padrejtësi, por ata i bënë padrejtësi vetvetes.”  [El-Ankebut: 40].

Zoti e shkatërroi Themudin për shkak të mëkatit që e bëri më i mjeri prej tyre: “ kur u ngrit më i keqi i  tyre (për të therur devenë).  I dërguari i Allahut (Salihu), u tha atyre[408]: “Kjo është deveja e Allahut! Lëreni atë të pijë pjesën e vet!”  Por ata nuk i besuan atij dhe e therën atë. Prandaj Zoti i tyre i shkatërroi të gjithë për gjynahet e tyre, nga i pari tek i fundit,  pa pasur frikë prej pasojave të kësaj.” Pra,  një individ i vetëm mund të bëhet shkaktar në shkatërrimin e një populli të tërë, ky therësi i devesë me këtë veprim të tijin shkatërroj një popull, pasiqë nuk pati mohues, as denoncues, as bojkotues apo braktisës, dhe kushdo që e miraton të keqen, edhe nëse nuk e dëshmon atë, është bashkëpunëtor në të , dhe dënimi e përfshin dhe  atë.

Në fenë e Zotit nuk  ekziston një kësi parimi ” Krijesat lejani  Krijuesit, e ju duhet të kujdeseni vetëm për  veten” , përkundrazi, në ligjin e Zotit, ekziston pozicionimi i juaj në raport  me të keqen, duke qenë nga: Le të jetë një grup prej jush që thërret në mirësi, urdhëron të mirën dhe ndalon të keqen, sepse pikërisht këta janë të shpëtuarit.” [Al Imran: 104].

Ose nga ata njerëz që shohin të keqen por nuk reagojnë ndaj saj e kur të vie dënimi i përfshin që të gjithë.

I lutemi Zotit s.v.t  të mbrojë anije tonë dhe shoqërinë tonë nga çdo e keqe që mund ta fundos atë.

 

Ahmed bin Abdulaziz Shavij

Përkthim:

Thirrja.org- Nisma për zhvillimin e predikuesve-thirrësve