Mes dëshpërimit dhe shpresës (l)

Sot kur shikojmë gjendjen tonë dhe kur dëshirojmë të vlerësojmë atë shohim se në umetin tonë ka shumë devijime, deformime dhe sëmundje, të cilat nga ngufasin dhe të cilat duhet ti shërojmë dhe eliminojmë. Mirëpo nëse e teprojmë në përmendjen e mangësirave dhe defekteve, kjo ka mundësi të sjellë një rrezik shumë të madh, e ai është dakordimi me dobësinë dhe dëshpërimin nga përmirësimi, pasi që çdo herë biseda e tij rrotullohet rreth dobësisë së shoqërisë, vuajtjeve, dhimbjeve dhe pesimizmit, kurse aspak nuk sjell shërimin, ilaçin dhe zgjidhjen. Domethënë sjellja e tij na jep të kuptojmë se ai është dakorduar me këtë sëmundje dhe mendon se kjo gjendje aspak nuk mund të ndryshojë, kurse kërkimi i zgjidhjes apo i solucioneve të ndryshme është një vepër shumë e vështirë, është barë e madhe për te dhe kundërshtim i asaj që dominon në shoqëri.

Për këtë shkak ekzistimi i këtyre njerëzve që zhyten në tregimin e shthurjes dhe defekteve që ekzistojnë në shoqëri paraqet një element i shthurjes dhe shkatërrimit, sepse ata i shembin ambiciet dhe mbjellin pesimizmin.

Pejgamberi, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem ka thënë:

“Nëse një njeri thotë: u shkatërruan njerëzit, ai është më i shkatërruari”. (Muslimi, nr. 2623).

Imam Neveviu, rahimehullah, thotë se këtë hadith e kemi transmetuar në dy forma:

– i shkatërroi njerëzit;

– më i shkatërruari. (Shiko: “Sherhu Nevevi ala Sahihi Muslim”, 16/175).

Pra sipas këtyre dy versioneve del në shesh se njeriu i cili me fjalët dhe veprat e tija përhap pesimizëm dhe dëshpërim ai i shkatërron njerëzit duke i bërë këto gjëra ose e shkatërron veten duke menduar kaq keq për njerëzit dhe duke menduar mirë vetëm për vetveten.

Sa i keq është dëshpërimi dhe pesimizmi, i shkatërron ata që janë pesimist dhe njerëzit që janë përreth tyre. Këtë sëmundje e përhapin ata që janë të paaftë të përmirësojnë popullin dhe me këtë vepër i bëjnë shërbim falas armiqve.

■ Si shfaqet dëshpërimi

Veprimi selektiv i medias gjatë përcaktimi për elaborimin e problemeve të caktuara shoqërore i japin përcjellësit të këtyre medieve disa konkluza të cilat mbjellin dëshpërim apo përgatisin hapësirë për përhapje të tij edhe atë në këtë formë:

1- Harxhimi i potencialit të akumuluar për kritikë dhe iluzioni për shërim të një dukurie të re. Kjo për shumë njerëz është shkak i mjaftueshëm që mos të aktualizohet herëve tjera.

2- Defekt i qartë në përzgjedhjen e problemeve qe dëshirojmë ti zgjedhim dhe formulimin e prioriteteve në logjikën e përcjellësit të këtyre dukurive, largimin e vëmendjes nga themelet dhe burimet e problemit dhe dezorientimi nga problemet e tija të vërteta.

3- Përhapja e kulturës së plogështisë dhe dashurisë së dynjasë, pajtimi me dobësinë, zgjidhje e mençur konsiderohet aftësia për bashkëjetesë me interesin në llogari të principeve dhe parimeve.

4- Kur përcaktohen për ndonjë çështje që me të vërtetë është me rëndësi shërimi i saj nuk shpëton nga selektivizmi dhe dezorientimi dhe qëndrimi larg nga premisat dhe të vërtetat e rëndësishme që nuk janë sipas bindjeve të tyre.

P.sh. nuk mund të presim nga tregtari i drogës të na jep zgjidhje për çështjen e drogës, ai edhe nëse merë pjesë në bisedë rreth shërimin të kësaj dukurie ai do të luan një rol dezorientues dhe do të mbjell dëshpërimin mbi zgjidhjen e këtij fenomeni.

Në këtë formë këta media dhe institucione përsërisin këto ilaçe dëshpëruese në debatin e çështjeve të ngjashme në ekonomi, menaxhim, sjellje dhe ideologji. Ata zbatojnë shërimin e sëmundjes në bazë të principit se shërimi është i pamundshëm dhe e stërvitin popullin që të bashkëjetojë me të.

■ Shkaqet e dëshpërimit

Dëshpërimi është sëmundje që lind prej disa shkaqeve, më kryesoret janë:

1- Kontakti i dobët me All-llahun dhe zemra e vrazhdë.

Njerëzit me zemra të vrazhda në kohërat e bollëkut dhe komoditetit vrapojnë pas epsheve dhe pasioneve, mburren me arritjen e kënaqësive, kurse kur ti godet vështirësia, belaja dhe frika tek ata dominojnë gjërat materiale dhe llahtaria, ata nuk kanë besim ne fe as që mbështeten në besimin mbi gajbin (metafizikën- të fshehtën), bile i fiket drita e besimit dhe nuk shohin asgjë tjetër përpos vështirësive, ngushticave dhe dëshpërimit, gjëra që i bëjnë të mos i drejtohen All-llahut me përulje dhe lutje. Këto zemra refuzojnë të ecin rrugës së nënshtrimit dhe shtresimit të asaj që gjendet te All-llahu.

All-llahu, subhanehu ve teala, thotë:

“E pse të mos përuleshin kur ju erdhi atyre dënimi jonë? Por zemrat e tyre ishin ngurosur, po edhe djalli ua hijeshoi atë që bënin”. (El-Enam: 43).

2- Lakmia e dynjasë

Lakmia e dynjasë dhe jetës luksoze e ngadalëson jeriun nga veprat serioze dhe frytdhënëse, sepse i kushton flijim të disa gjërave të dashura të kësaj dynjaje dhe largim nga luksi në të cilin jeton. Njeriu i cili lidhet shumë ngushtë për dynjanë çdo gjë që i ndodh e peshon dhe vlerëson sipas kritereve të dynjasë dhe çdo gjë që mund ti ndodhë në të ardhmen e vlerëson sipas interesit material të cilin mund tia sjellin. Këtij njeriu i fiket vizioni dhe fillon të supozon se islami dhe muslimanët nuk kanë ardhmëri dhe hulumton arsyetime për dashurinë që ka për dynjanë dhe për lidhshmërinë e madhe që ka ndaj saj.

All-llahu, subhanehu ve teala, thotë:

“Ata beduinë që mbetën pas (nuk erdhën me ty) do të thonë: “Neve na penguan pasuritë tona dhe familjet tona, andaj ti kërko falje për ne!” Ata flasin me gjuhët e veta atë që nuk e kanë në zemrat e tyre. Thuaj: “Kush mund ta pengojë dëshirën e All-llahut, nëse Ai dëshiron t’ju përfshijë juve ndonjë dëm, ose nëse Ai dëshiron t’ju gjejë ndonjë e mirë?” Jo, por All-llahu hollësisht di për atë që punoni ju. Por ju menduat se i dërguari dhe besimtarët kurrë nuk do të kthehen te familjet e veta dhe kjo (bindje) në zemrat tuaja u duket e mirë dhe patët mendim të keq, ju ishit popull i shkatërruar”. (El-Fet’h: 11- 12).

3- Pasimi i epshit

Pasimi i epshit i lehtëson njeriut ecjen në rrugën e poshtërsisë, nënçmimit dhe dakordimit me realitetin e hidhur dhe ikjen nga përmirësimi i tij dhe dëshpërimi nga ndryshimi, madje edhe nënçmimi i kontributit për përmirësimin e gjendjes tonë.

Pastaj ai mundohet ta arsyetojë këtë me arsyetime të ndryshme, polemika dhe debate të rrejshme.

Ata që kanë shpresa shumë të mëdha në projektet e tyre të dynjasë, përgatiten maksimalisht për to, flijojnë për dhe harxhojnë kohë dhe mund për arritjen e tyre, mu këta tërhiqen prej projekteve bamirëse dhe veprat e vlefshme me justifikime të pavlefshme.

Për këta All-llahu, azze ve xhel-le, ka thënë:

“E sikur të kishin dëshiruar ata të dalin, do të bënin për të (për luftë) ndonjë përgatitje, …”. (Et-Teube: 46).

“… Ata do të betohen në All-llahun: “Sikur të kishim pasur mundësi, do të dilnim me ju”. E shkatërrojnë veten e tyre; All-llahu e di se ata janë rrenacakë”. (Et-Teube: 42).

“Kur të ktheheni te ata, ata do t’ju kërkojnë falje, thuaju: “Mos u arsyetoni, ne nuk ju besojmë, për gjendjen e juaj na ka njoftuar All-llahu. …”. (Et-Teube: 94).

Kjo e zbulon natyrën e njeriut të dëshpëruar dhe braktisës të punës serioze, i cili me justifikimet e tija e mbulon turpin dhe dobësinë e tij.

■ Pasojat dhe dëmet e dëshpërimit

Dëshpërimi jep fryte të hidhura, të cilat në fund vet të dëshpëruarit do ti shijojnë. Gjuha e sjelljes së tyre sikurse thotë: ska alternativë tjetër për këtë gjendje të keqe, ajo që na vjen është edhe më e keqe dhe me e dhimbshme.

Këto janë frytet e hidhura që i sjell dëshpërimi:

1- Mungesa e vullnetit për përmirësim

Njerëzit e dëshpëruar aq sa flasin për madhësinë dhe sasinë e problemeve, dështimeve dhe problemeve aq ikin nga mejdani i punës dhe përmirësimit, me justifikim se përmirësimi kërkon mund të madh dhe punë ekipore, kurse mundi personal nuk mund ta ndryshon këtë trend gllabërues, i cili është akumuluar vite me radhë!

Kjo është paaftësi, dëshpërim dhe mungesë e ambicies, madje ata arrijnë deri te demoralizimi i veprimtarëve për të sqaruar të vërtetën dhe kryer përgjegjësinë.

All-llahu, tebareke ve teala, thotë:

“Dhe kur një grup prej tyre thanë: “Përse këshilloni një popull që All-llahu do ta shkatërrojë ose dënojë me një dënim të ashpër?” Thanë (këshilluesit): “Arsyetim para Zotit tuaj dhe me shpresë që t’u largohen gabimeve”. (El-Araf: 164).

Ata që përtojnë të bëjnë aktivitet mundohen të përhapin demoralizim dhe ti largojnë tjerët nga veprat serioze për shkak të mangësisë më të vogël dhe dështimit sipërfaqësor:

“O besimtarë, mos u bëni si ata që nuk besuan dhe, për vëllezërit e tyre që kishin dalë në udhëtim (tregtie e gjallërimi) ose që kishin shkuar në luftë thoshin: “Sikur të kishin ndejtur pranë nesh (e të mos dilnin), ata as nuk do të vdisnin as nuk do të mbyteshin”. Atë (bindje), All-llahu ua bëri një dëshpërim në zemrat e tyre…”. (Ali Imran: 156).

2- Zhytja në dëfrim dhe argëtim

Çka mund të bëjë ai që u ikë punëve të mira, i mbyll sytë nga devijimet dhe nuk sheh zgjidhje tjetër përpos se bashkëjetesë me to dhe ikje drejt mejdanit të dëfrimit dhe harxhimit të ymrit dhe kohës kotë. Ai në asgjë nuk është serioz përpos se në punët e dynjasë.

Shtoja kësaj edhe institucionet e shumta që janë themeluar për këtë qëllim, për harxhimin e kohës dhe energjisë së njerëzve në vepra të kota dhe të pavlerë, atëherë bëhet shumë e qartë kjo gjë.

3- Ikja në radhët e armikut

Është një pamje shumë e mërzitshme dhe e çuditshme, mirëpo jo e papritur nga njerëzit e dëshpëruar. Ata nga përtesa dhe paaftësia e tyre fillojnë të kërkojnë zgjidhje të problemeve prej armiqve të tyre, kurse vet ata janë shkaktarët e tyre, u japin hapësirë për të përcaktuar prioritetet e tyre me të cilat duhet të dallohen prej tyre, kujdesen prej tyre dhe realizojnë atë që ua dëshirojnë ata dhe bashkëjetojnë me planet dhe botëkuptimet e tyre!

“E ata që në zemrat e tyre kanë sëmundje, i sheh se ngarendin te ta (për miqësi) duke thënë: “Po frikësohemi se mos po na sillet ndonjë e keqe”. Po All-llahu do të sjellë fitoren, ose diç tjetër nga ana e Tij, e atëherë do të pendohen për atë që e mbanin fshehtë në shpirtin e tyre”. (El-Maide: 52).

Është zgjidhje e lehtë dhe e gatshme, nuk duhet të lodhemi dhe rraskapitemi, madje sipas tyre kjo është zgjidhja ideale dhe e logjikshme dhe planifikimi i mprehtë i cili e mbron popullin nga konfliktet dhe përplasjet!

Maksimumi i asaj që mendojnë këta njerëz është ruajtja e status quas, kurse mendimi për ta ngritur gjendjen e umetit më lartë kjo është çmenduri sipas tyre, një lloj ekstremizmi dhe kaos ideologjik, të cilin duhet kufizuar.

Në hutben e ardhshme, me leje të All-llahut, do të flasim për pjesën e dytë me titull “Burimet e shpresës”.

Bekir Halimi

Bekir Halimi,
1.6.2007