Hutbeja e parë
Falënderimi i takon vetëm Allahut, Atë e falënderojmë dhe prej Tij falje dhe ndihmë kërkojmë. Kërkojmë mbrojtje nga Allahu prej të këqijave të vetvetes dhe të veprave tona. Kë e udhëzon Allahu s’ka kush e devijon dhe kë e largon nga rruga e vërtet Ai s’ka kush e udhëzon. Dëshmoj se nuk i takon adhurimi askujt me të drejtë vetëm se Allahut, azze ue xhel, që është Një dhe se Muhamedi është rob dhe i dërguari i Tij. Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij dhe mbi të gjithë ata të cilët i pasojnë ata me të mira, deri në Ditën e Gjykimit.
O ju besimtar,
Muslimanët janë unik në atë se sahabët (shokët e Muhamedit alejhi salatu ue selam) janë koka e evliave dhe më të mirët prej të devotshmëve, shëmbëlltyra e besimtarëve dhe krijesat më të mira të Allahut pas Pejgamberëve dhe Lajmëtarëve. Allahu i fisnikëroi me pamjen e Muhamedit,alejhi salatu ue selam, dhe shoqërimin e tij në mirësi dhe vështirësi, janë krijesa të cilët e bashkuan diturinë me veprën dhe krijesa të cilat e dhanë jetën e tyre dhe shpenzuan pasurinë e tyre në rrugë të Allahut dhe u bënë më të mirët prej të mirëve dhe gjenerata më e mirë prej të gjitha gjeneratave edhe atë me dëshminë e Muhamedit, alejhi salatu ue selam. Janë populli më i mirë prej të gjithë popujve që kanë jetuar më herët dhe atyre që do të vinë më vonë, ata ishin që i ngritën bazat e Islamit, e luftuan politeizmin dhe e shpërndan fenë në të gjitha anët e botës. Ata janë që më së miri e kuptuan fenë dhe kishin besim të sinqertë dhe vepra të mira. Si mos të jetë kjo? Kur ata u edukuan në duart të Dërguarit të Allahut, alejhi salatu ue selem, pinë prej burimit të tij të pastër dhe e dëshmuan zbritjen e shpalljes. Imam Ahmedi, Allahu e mëshiroftë, përcjell nga Abdullah ibën Mesudi, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, se ka thënë: “Vërtet Allahu shikoi në zemrat e robërve, dhe e gjeti zemrën e Muhamedit, alejhi salatu ue selam, më të mirën ndër zemrat e robërve, andaj e zgjodhi për Veten e Tij dhe e dërgoi me shpallje. Më pas shikoi në zemrat e robërve, dhe gjeti se zemrat e sahabëve të tij janë më të mirat ndër zemrat e robërve, andaj i bëri ata ministra të të Dërguarit, alejhi salatu ue selam, të cilët luftojnë për fenë e Tij”.
Sahabij konsiderohet ai i cili i ka besuar dhe e ka shoqëruar apo e ka parë të Dërguarin e Allahut dhe ka vdekur si musliman.
Kanë ardhur shumë ajete të qarta dhe hadithe të vërteta rreth meritave të sahabëve dhe prej tyre fjalët e Allahut, azze ue xhel. “Sa u përket besimtarëve të parë, prej muhaxhirëve dhe ensarëve, Allahu është i kënaqur me ata dhe me të gjithë të tjerët që i pasuan me vendosmëri e përkushtim në besim; edhe ata janë të kënaqur me Atë. Allahu ka përgatitur për ata kopshte nëpër të cilat rrjedhin lumenj dhe ku do të jetojnë përgjithmonë. Kjo është fitorja madhështore” Teube 100.
“Allahu është i kënaqur me ata besimtarë, kur t’u betuan për besnikëri nën hijen e pemës. Ai e dinte se ç’kishte në zemrat e tyre, prandaj u dha atyre qetësi dhe i shpërbleu me një fitore të afërt e me një plaçkë të madhe që do ta fitojnë. Allahu është i Plotfuqishëm dhe i Urtë”. Fet’h 18-19.
Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, për ta thotë. “Nuk hyn në zjarr asnjëri prej atyre që janë betuar nën hijen e pemës”.
“Ju jeni populli më i mirë i dalë për njerëzimin”. Ali Imran 110.
“Një pjesë e plaçkës i takon edhe mërgimtarëve të varfër, të cilët u përzunë nga vendlindja dhe pasuritë e tyre, duke kërkuar mirësinë dhe kënaqësinë e Allahut dhe duke ndihmuar Allahun dhe të Dërguarin e Tij. Pikërisht ata janë besimtarët e sinqertë. Ndërsa ata që banojnë në Medinë dhe që e kanë pranuar besimin qysh më parë, i duan mërgimtarët që vijnë në Medinë dhe në zemrat e tyre nuk ndjejnë kurrfarë rëndimi, për atë, që u është dhënë atyre, por duan t’u bëjnë më mirë mërgimtarëve sesa vetes, edhe pse vetë janë nevojtarë. Kushdo që ruhet nga lakmia e vetvetes, me siguri që do të jetë fitues“. Hashr 8-9.
“Muhamedi është i Dërguar i Allahut. Ata që janë me të, janë të ashpër ndaj jobesimtarëve e të mëshirshëm midis tyre. I sheh ata si përkulen dhe bien në sexhde, duke kërkuar dhuntinë dhe kënaqësinë e Allahut. Në fytyrat e tyre shihen shenjat e sexhdes“.Fet’h 28.
Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, thotë: “Gjenerata më e mirë, është gjenerata e kohës sime, pastaj njerëzit që vijnë mbas tyre, pastaj ata që vijnë pas tyre”.
Poashtu Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, thotë: “Mos i shani sahabët e mi, sepse sikur ndonjëri prej jush të shpenzojë flori edhe sa mali i Uhudit, nuk mund të arrijë qoftë edhe sa grushti i tyre, apo sa gjysma e tij”.
E mirë konsiderohet çdo e mirë në të cilën ishin shokët e Muhamedit, alejhi ue selam. Ata ishin njerëz që garonin me të tjerët në çdo mirësi, në mejdanin e xhihadit, në mejdanin e thirrjes, në mejdanin e shpenzimit dhe në mejdanin e adhurimeve. Allahu nëpërmjet tyre e ruajti Kuranin derisa e çuan amanetin e Zotit të tyre në vend, një grup prej tyre iu përkushtuan bartjes së përgjegjësisë së Sunetit dhe ecën nëpër të gjitha anët e botës për ta shpërndarë, një grup tjetër e morën përgjegjësinë e udhëheqjes, përkujdesjes, xhihadit dhe të drejtave dhe vepruan në futjen e popujve në Islam. Allahu i bekoi në kohë dhe për njëqind vjet e realizuan atë që të tjerët nuk mundën me shekuj të tërë dhe Allahu le të mbetet i kënaqur prej të gjithë atyre.
Pejgamberit, alejhi salatu ue selem, sahabët i ndihmuan në luftërat e tij dhe ia dhanë besën se do të shpenzojnë në rrugë të Allahut. Enesi,Allahu qoftë i kënaqur prej tij, thotë: Gjatë një mëngjesi të ftohtë, Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, doli në Hendek dhe i pa Muhaxhirët dhe Ensarët duke hapur hendeqet, ngase nuk kishin rob për t’ua pranuar ato punë. Duke parë mundin dhe urinë e tyre, Muhamedi, alejhi salatu ue selam, tha: “O Zoti ynë, jetë e vërtetë është jeta në Ahiret, andaj fali Ensarët dhe Muhaxhirët!”. Ata, duke iu përgjigjur, thanë: “Ne jemi ata që i jemi betuar ndaj Muhamedit se do të luftojmë në rrugën e Allahut gjer në Amshim”.
Sahabët ishin ata që e fituan nderin e takimit të Muhamedit, alejhi salatu ue selam, dhe atyre u takoi pjesa më e madhe e dashurisë dhe madhërimit të tij. Aliu, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, kur u pyet se si ka qenë dashuria e juaj ndaj të Dërguarit të Allahut, u përgjigj: “Pasha Allahun ishte më i dashur tek ne se sa pasuritë tona, fëmijët tanë, baballarët tanë, nënat tona dhe më i dashur se sa uji i ftohët në vapë”.
Ebu Sufjan ibën Harb, i cili në atë kohë ende nuk ishte në Islam, e pyeti Zejd ibën Dethineh, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, të cilin e kishin pas zënë rob jobesimtarët e Mekës dhe e nxorën ta mbysin jashtë Haremit të Mekës, duke i thënë: “O Zejd të betohen në Allah, a kishe pasur dëshirë që Muhamedi të ishte në vendin tënd dhe t’ia këputnim kokën atij kurse ti të ishe te familja jote? U përgjigj: “Pasha Allahun nuk dua që Muhamedi të jetë në vendin e tij kush është tani dhe atë ta godet therë që e dëmton e unë të jem te familja ime”. Ebu Sufjani tha: “Nuk kam takuar askënd prej njerëzve që e donë ndokënd siç e dojnë shokët e Muhamedit Muhamedin”.
Ne i duam shokët e Muhamedit, alejhi salatu ue selam, dhe nuk e teprojmë në dashurinë e asnjërit prej tyre dhe nuk heqim dorë nga asnjëri prej tyre, i kujtojmë vetëm se për të mirë dhe dëshmojmë për të gjithë Muhaxhirët dhe Ensarët se janë banorë të xhenetit dhe se Allahu është i kënaqur prej tyre dhe se ata janë të falur e mëshiruar. Duhet të jesh i bindur thellësisht se ai që e ka parë Muhamedin, alejhi salatu ue selam, dhe i ka besuar atij dhe e ka shoqëruar atë është më i mirë se ai që nuk e ka parë dhe shoqëruar atë, edhe po të kishte qenë shoqërimi i tij vetëm se një pjesë të vogël të ditës. Poashtu duhet të kërkojmë mëshirë për të gjithë ata, për të voglin dhe për të madhin prej tyre, për të parët dhe për të fundit prej tyre, dhe duhet tua përmendim mirësitë e tyre, t’i shpërndajmë meritat e tyre, të shkojmë pas udhëzimit të tyre dhe t’i shmangemi asaj çka ka ndodhur mes tyre. Ata prezantuan në shumë ndodhi me të Dërguarin e Allahut, alejhi salatu ue selam, dhe i tejkaluan të tjerët me merita, Allahu ua fali atyre dhe na urdhëroi që të kërkojmë falje për ta dhe me dashurinë ndaj tyre të afrohemi kah ata dhe gjithë këtë e detyroi nëpërmjet gjuhës së të Dërguarit të Tij Muhamedit, alejhi salatu ue selam, dhe nuk flet për ta keq dh nuk i pason të metat e tyre vetëm se njeriu me zemër të sprovuar në fenë e tij.
Gjurmët të cilat na kanë ardhur dhe flasin kundër sahabëve janë të shpifura ose kanë shtuar apo pakësuar në to dhe ia kanë ndërruar kuptimin dhe pamjen e vërtetë. E vërteta në to është se ata janë të arsyetuar dhe se ata janë përpjekur vetëm se për të mirë e ndonjëherë ia kanë qëlluar e ndonjëherë kanë gabuar dhe sasia e veprave të tyre të gabuara e që janë në numër të vogla dhe të falura nuk munden të krahasohen me besimin e tyre të pastër, me shpërnguljen që e kanë bërë për hir të Allahut, me xhihadin që e kanë bërë në rrugë të Allahut, me shpenzimet e tyre për fenë e Allahut, me diturinë e dobishme që e kanë fituar dhe shpërndarë për hir të Allahut dhe me veprat e tyre gjigante që i kanë vepruar për këtë fe të Allahut.
Nuk pyetet askush për drejtësinë e sahabëve dhe nuk duhet të dyshon askush në drejtësinë e tyre për arsye se ata janë të shpallur krejtësisht të drejtë me citatet e Kuranit dhe Sunetit dhe prej atyre që bëjnë pjesë në unitetin e këtij Umeti. Enes ibën Malik, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, përcjell se Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Dashuria e Ensarëve është prej shenjave të besimit kurse urrejtja e Ensarëve është prej shenjave të hipokrizisë”.
Ebu Seid el Hudrij, Allahu qoftë i kënaqur prej tij, na përcjell se Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Nuk mundet që t’i urren Ensarët njeriu i cili i beson Allahut dhe Ditës së Kiametit”.
Hutbeja e dytë
Falënderimi i takon vetëm Allahut, Zotit të botëve dhe qiejve. Paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të, mbi familjen dhe shokët e tij dhe mbi të gjithë ata të cilët i pasojnë ata me të mira, deri në Ditën e Gjykimit.
O ju vëllezër musliman.
Më të mirët prej sahabëve janë katër halifët e drejtë, e pastaj të tjerët që vijojnë prej dhjetë të përgëzuarve me xhenet. Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Më i miri prej këtij Umeti pas Pejgamberit të tyre është Ebu Bekri e pastaj Omeri”.
Poashtu Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, ka thënë: “Pasoni ata që do të vinë pas meje Ebu Bekrin dhe Omerin”.
Imam Muslimi, Allahu e mëshiroftë, na përcjell një hadith ku sahabët ishin në udhëtim dhe Pejgamberi, alejhi salatu ue selem, u tha: “Si t’i nënshtroheni Ebu Bekrit dhe Omerit do të udhëzoheni”.
Imam Buhariu na përcjell thënien e Muhamed ibën Hanefije i cili e kishte pas pyetur babën e tij Alij ibën Ebi Talib. Allahu qoftë i kënaqur prej tij: “O prindi im, kush është njeriu më i mirë pas Pejgamberit, alejhi salatu ue selem“. U përgjigj. “O biri im a nuk e din?!”. -I thashë: “Jo” -Më tha: “Ai është Ebu Bekri”.
Allahu, azze ue xhel, zbriti ajete për meritat e Ebu Bekrit duke thënë: “Njerëzit e ndershëm dhe të pasur ndër ju të mos betohen se nuk do t’u japin të afërmve, të varfërve”. Nur 22, dhe poashtu “Kur ishin në shpellë e ai i thoshte shokut të vet (Ebu Bekrit)“. Teube 40.
Nuk ka aspak dyshim se Ebu Bekri ishte i dyti me Pejgamberin, alejhi salatu ue selem, dhe atë e dëshmoi Zoti i botëve dhe e përgëzoi me qetësi dhe nuk i la të vetëm por u bë i treti i tyre.
Pejgamberi, alejhi salatu ue selem, tha: “Nuk më ka bë dobi asnjë pasuri si pasuria e Ebu Bekrit”. Ebu Bekri kur i dëgjoi këto fjalë filloi të qaj dhe tha: “O i Dërguar i Allahut, a nuk jemi unë dhe pasuria ime vetëm se në shërbimin tënd ?!”.
Pejgamberi, alejhi salatu ue selem, për Omerin thonte: “O i biri i Hatabit! Kur ti ndjek një rrugë, shejtani ndjek një rrugë tjetër. Në të vërtetë shejtani largohet edhe nga hija jote, o Omer.”
Dhe poashtu tha: “Në popujt e mëparshëm ka pasur njerëz të frymëzuar (nuk kanë qenë Pejgamber, por flisnin për Allahun të vërtetën) dhe nëse ndokush prej Umetit tim frymëzohet ai është Omeri ibën Hatabi”.
Omeri u frymëzonte dhe zbritnin ajete ku verifikoheshin thëniet e tij. E këshilloi të Dërguarin e Allahut të mbulohen gratë e tij, pastaj i tha: “O i Dërguar i Allahut, po ta kishe marrë vendqëndrimin e Ibrahimit për faltore”, dhe poashtu e këshilloi për çështjen e robërve dhe për të gjitha zbritën ajete ku verifikoheshin thëniet e tij.
Allahu poashtu nëpërmjet duarve të Omerit çliroi shumë vende. Xhabir ibën Abdullah thotë se është pyetur Aisha, Allahu qoftë i kënaqur prej saj, se ka prej njerëzve që flasin keq për shokët e Pejgamberit, alejhi salatu ue selam, madje edhe për Ebu Bekrin dhe Omerin. Aisha u përgjigj: “Pse çuditeni prej kësaj çështjeje?! Atyre iu ndërprenë veprat dhe dashi Allahu që mos t’i ndërpriten shpërblimet”.
Kurse Othman ibën Afani, Allahu qoftë kënaqur prej tij, erdhi një ditë tek Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, me një mijë dinarë, të cilat i hodhi në prehrin e Pejgamberit, alejhi salatu ue selem, për të përgatitur ushtrinë e vështirësisë. Pejgamberi, alejhi salatu ue selem, duke i rrotulluar ato dinarë në prehrin e tij thonte: “Le të bëjë çfarë të dojë Othmani pas kësaj dite se nuk i bën dëm vepra e tij”.
Kurse për Aliun, Allahu qoftë kënaqur prej tij, tha: “Do t’i jepet nesër flamuri një njeriut që e donë Allahun dhe të Dërguarin e Tij dhe atë e dojnë Allahu dhe i Dërguari i Tij”. Njerëzit ranë të flenë duke u pyetur se kujt do t’i jepet flamuri nesër. Kur agoi dita të gjithë u zgjuan me shpresë se do ta marrin flamurin, mirëpo Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, u tha: “Ku është Aliu”. Disa thanë se është i sëmurë prej syve dhe Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, u tha që ta thirrin dhe e morri dhe i pështyu në sytë e tij dhe iu shëruan sikurse të mos kishte pasur më herët sëmundje. Pastaj ia dha flamurin dhe Aliu tha: “A të luftoj kundër tyre derisa të bëhen siç jemi ne”. Pejgamberi, alejhi salatu ue selam, u përgjigj: “Frenoj përcjellësit e tu derisa të arrini në oborrin e tyre, pastaj thirri në Islam dhe lajmëroi se me çka janë të detyruar ata prej dispozitave”.
Vëllezër musliman, dijeni se sahabët të gjithë janë prej banorëve të xhenetit: “Nuk janë të barabartë ata që kanë shpenzuar dhe kanë luftuar para fitores me ata që kanë shpenzuar dhe kanë luftuar më pas. Ata kanë shkallë më të lartë, mirëpo Allahu u premton të gjithëve më të mirën (Xhenetin)“. Hadid 10.
nga arabishtja: Irfan JAHIU