I

Çka është Mektebi

1.
Në të kaluarën i kanë thënë ‘mejtep’, kurse emri origjinal është ‘mekteb’, që nënkupton zyrën e imamit, përkatësisht mësonjëtoren ku mësojnë fëmijtë, në kuadër të xhamisë.
Me kalimin e kohës, mektebi ka nënkuptuar vetë organizimin e mësimbesimit, ta zëmë siç janë shkollat sot, pavarësisht vendin ku mbahet ai, në zyrë, objekt të veçantë apo në xhami.
2.
Çdo njeri e di se mektebi përbën celulat e para të procesit edukativo-arsimor ndër shqiptarë. Tani, mos pritni të themi se dikur ka qenë përfekt, por ka qenë vatër arsimimi, ekuivalent me zhvillimin e shoqërisë përkatëse.
Suzi Zerrini në vitin 1513, në Prizren, e çeli mektebin, mësonjëtoren e profilizuar, në kuadër të bibliotekës së vet, që është e para në Ballkan.
Njësoj si sot, ai i ka mësuar fëmijtë në gjuhën shqipe, natyrisht me shkronja të osmanishtes, pasiqë alfabeti ynë, nuk ekzistone asokohe. Por, ai u ka folur fëmijëve shqip, i ka këshilluar shqip dhe u ka mbajtur ligjërata arsimore shqip.
3.
Fatkeqësisht, ideologjia anti fe (komuniste), e ka mohuar vlerën arsimore të mektebit, në kuadër të historiografisë shqiptare, duke ngjizur idenë se arsimimi ndër ne, shqip, ka filluar me Mësonjëtoren e Korçës, të themeluar nga Pandeli Sotiri në vitin 1887!? Ky është një gabim i pafalshëm, po aq sa i pa vërtetë, sepse na ka dëmtuar të gjithëve.
(Natyrisht, askush nuk e mohonë rëndësinë laike të saj, kundrejt shumë shkollave fetare të kohës, e sidomos atyre greke.)
Në fakt, ai filloi të shkruante gjuhën shqipe, bazuar edhe në abetaren që Sami Frashëri e kishte botuar më parë, por kjo nuk do të thotë se arsimi po fillonte me të.
Të gjithë kombet mundohen të nxjerrin argumente nga hiçi për qytetërimin e vet, na shqiptarët gjithmonë kundër vetvetes.
Në mes shkrimit e arsimimit ekziston dallimi, sikurse që ekziston dallimi në mes letërsisë gojore dhe asaj të shkruar.
Pastaj, sot ka të verbër që nuk shkruajnë dot, por ata janë të arsimuar, qoftë edhe përmes alfabetit ‘braj’ ose përmes dëgjimit.
Apo rasti tjetër, kur Kemal Ataturku, në vitin 1923 e shndërroi popullin në analfabetë brenda natës, përmes ndryshimit të alfabetit, nga ai osmanisht në atë latinisht. Sipas të njëjtës logjikë, i bie se arsimi tek ata (turqit) ka filluar prej atij viti, e dihet se kjo nuk është e vërtetë!?
Prandaj, arsimi shqip ndër shqiptarë është i hershëm, e jo prej vitit 1887, e mektebet e kanë lujtur këtë rol arsimor, që prej ndërtimit të xhamive në trevat tona…!
II.

Mektebi ishte nivel shkollor zyrtar…!

1.
Në kuadër të Perandorisë Osmane, mektebi ka qenë nivel shkollor zyrtar, me planprogram dhe personel të kualifikuar.
Asokohe ishin tri nivele:
– ‘Mektebi’ – ekuivalent me filloren e sotshme,
– ‘Medreseja’ – ekuivalent me shkollën e mesme të ultë e të lartë të sotshme.
Këto dy nivele i hasim në të gjitha vendet e Perandorisë ku ka pasur muslimanë, kurse të krishterëve (jomuslimanëve) Perandoria ua njihte të drejtën e shkollimit sipas komunitetit përkatës që funksiononte mbi bazën e feve të tyre.
– Në Stamboll ekzistonte edhe një nivel tjetër i shkollimit, që quhej ‘Enderun’, special për elitat e Perandorisë dhe përgatitjen e personelit të ardhshëm në administratën osmane.
Në fund të shkollimit, mualimi (hoxha – mësuesi), u lëshonte nxënësve ‘shehadetname’ – diplomë.
2.
Historiografia jonë shqiptare evidenton tre mektebet e para, që mendohet se janë më të vjetrit:
– Mektebi i Sinanudin Jusuf Çelebiut, në Ohër, i ndërtuar para vitit 1491;
– Mektebi i Is’hak Çelebiut, Manastir, para vitit 1508;
– Mektebi i Suzi Çelebiut, Prizren, para vitit 1513.
Pas tyre kemi edhe plotë të tjerë, siç është ai i Kuklibegut në Zinovë (Bresanë), para vitit 1538, etj, gjersa, bazuar edhe në udhëtimin e Evlija Çelebiut, numri i mektebeve në trevat shqiptare deri kah mesi i shek. XVII, ka arritur mbi 200 sosh.
Ndërsa gjatë shek. XVIII e deri në fillimet e Rilindjes Kombëtare, shek. XIX, numri kishte shkuar rreth 1500 të tillë.
3.
Paramendo, tani këtë nivel shkollor zyrtar – mektebin, që ka qenë funksional në trevat tona, njësoj siç ka qenë funksional në territoret e Perandorisë, vjen një ideologji tjetër dhe e mohon si nivel arsimor, për shkak të urrejtjes fetare!?
Këtë nuk e bëjnë sllavët që kanë mësuar në shkollat fetare të tyre, në të njëjtën kohë, sepse ata janë të vetëdijshëm për rolin e rrënjëve në histori.
4.
Në këtë periudhë e kemi letërsinë e ‘Bejtexhinjëve’, Nezim Frakulla, Hasan Zyko Kamberi, Muhamet Kyçyk, etj, që shkruanin shqip, por me alfabet të osmanishtes.
Në këtë pikë, historia e letërsisë shqipe është treguar më korrekte kur e ka vlerësuar letërsinë e ‘Bejtexhinjëve’ si vlerë letrare, dhe ky është argument se nuk bën të mohohet roli i mektebit.
Muhamet Kyçyku apo siç e quanin Muhamet Çami, ishte hoxhë e mualim, dhe i ka sidomos dy poemat e tij të njohura, në funksion të idealeve të mektebit, ‘Erveheja’, që e lartëson nderin e gruas, dhe ‘Jusufi e Zylehaja’, ku e lartëson nderin e burrit…!
III.

Mektebi frymëzim psiko-kulturor për mbrojtjen e identitetit…!

1.
Mektebi, duke qenë nivel shkollor zyrtar për shekuj me radhë, nëpër dyert e tij kanë kaluar po thuajse të gjitha figurat e rëndësishme kombëtare, deri në fillimshekullin XX.
Roli i tij ka vazhduar edhe më tej, sidomos deri në vitin 1946 kur bëhet obligim shkollimi fillor katërvjeçar e pastaj ai tetëvjeçar.
Me ardhjen e komunizmit, si ideologji anti fe, mektebi si edhe feja e përjetoi një degradim publik, por megjithatë, proceset e mëvonshme kanë treguar se gjenerata e asaj kohe (me përjashtim të shërbëtorëve të partisë e të pushtetit) e ka dashtur fenë dhe e ka ndjerë mungesën e mektebit.
(Në këtë periudhë të errët, rolin e mektebit e kanë arrnuar vetë prindërit, duke ua mësuar fëmijëve gjërat elementare të fesë, prej ilmihalit – doracak)
2.
Dhe, kur komunizmi mendoi se e mbaroi punën me fenë, mu atëherë, në vitin 1989, mektebi e nisi misionin aty ku e kishte lënë, duke kompenzuar humbjet e katër dekadave.
Me punë e tyre të madhe edukativo-arsimore, imamët u bënë pjesë e secilës familje.
Prindërit, nuk e kanë parë mektebin si një edukim vetëm fetar, por si një adresë për frymëzimin e fëmijëve me të gjitha tiparet etnotipike, përkatësisht etnofetare si pjesë e nacionalizmit shqiptar.
Sepse, shqiptari kurrë nuk e ka menduar veten të pa fe. Zakonisht, për dikë që është shprehur kundër fesë (kryesisht disa mësues të përkdhelur nga partia dhe jugosllavët), njerëzit i kanë thënë ‘filani ish ba shka!’ dhe sytë s’kanë dasht me ia pa.
Bile, ky ka qenë edhe ai momenti, kur akëcili prind ka hezituar ta shkollojë fëmijën e vet, nga frika se mos ndoshta po bëhet ‘shka’.
3.
Impaktin që e kishte mektebi te shqiptarët muslimanë, sot e hasim përafërsisht te boshnjakët e Kosovës.
Tek ata, mektebi nuk është vetëm fe, por ‘brend’ i muslimanit boshnjak, ku shfaqet si mobilizim për identitetin dhe vlerat kombëtare të komunitetit.
Kësisoji ishte mektebi për muslimanin shqiptar, sidomos deri në periudhën e luftës 1999.
Atë që e kanë thënë studuesit se islamizimi i shqiptarëve ka qenë pritë kundër sllavizimit, ne do të shtojmë edhe këtë se xhamitë e mektebi, duke bërë dallimin fetar me pushtuesin serbo-sllav, kanë qenë frymëzim psiko-kulturor për mbrojtjen e identitetit kombëtar shqiptar dhe mobilizim për çlirimin e atdheut!
Kjo gjeneratë e bëri luftën dhe e çliroi Kosovën…!
IV.

Mektebi, lindi si motiv, kurse mbijetoi si vlerë!

1.
Në misionin e tij parësor, Mektebi lindi si motiv, funksionoi si qëllim, mbijetoi si vlerë, kurse ekzistoi si nevojë.
U bë pjesë e rëndësishme e etnokulturës së shqiptarëve, jo për shkak të emrit, e as për shkak të historisë, e as për imponim se ishte vullnetar gjithmonë, por si një vlerë e pazëvendësueshme në edukimin e fëmijëve.
Si i tillë, as nuk vjetërsohet dhe as nuk bëhet demode, sepse vlerat e njëmendta ekzistojnë pavarësisht subjektit.
Zoti ekzistoi, edhe kur njeriu nuk ishte, për këtë arsye besimi në Zotin, si vlerë, i paraprin njeriut. Dija, ekzistoi që kur Allahu e shkroi në detaje ngjarësinë e krijesave, njësoj drejtësia, filloi që kur Zoti e krijoi gjithësinë me një precizitet absolut, etj, andaj ato ekzistojnë para njeriut.
E, njeriu fisnikërohet aq sa merr prej këtyre vlerave ontologjike, sikurse që degradohet po aq sa i mungojnë ato.
2.
Në antikitetin e thellë njeriu e kërkoi Zotin, kur nuk kërkoi asnjë vlerë tjetër. Edhe në Mesjetë, njeriu e kërkoi Zotin. Edhe sot njeriu e kërkon Zotin, edhe në të ardhmen do ta kërkojë Zotin.
Është thënë se uji kthehet në burimin nga i cili ka dalë.
E kërkon, sepse ishte dhe është motiv kongnitiv – i lindur, i skalitur në shpirtin e njeriut. Me vetë faktin që njeriu e ka etjen, është dëshmi e qartë se diku ekziston uji.
Në jo pak vende, Zoti i drejtohet njeriut, “Se në vetveten tuaj keni argumente, a nuk po logjikoni!?”
‘E, kush e njeh vetveten, ai në fakt arrinë ta njoh Zotin’, kjo fjali është bërë moto e përgjithmonshme te dijetarët e filozofët.
3.
Siç e kemi thënë, ka pasur periudha kur Mektebi e feja kanë kaluar momente të vështira, do të ketë edhe në të ardhmen, por ato nuk janë shuar e as nuk do të shuhen kurrë, për të njëjtat arsye për të cilat po flasim.
Hoxhë Dr. Orhan Bislimaj