Është shumë me rëndësi që besimtari të angazhohet për të krijuar raporte të forta me Krijuesin e tij. Besimtari lidhjet e tij me Krijuesin duhet ti kuptoj si një lidhje mes Urdhëruesit dhe të urdhëruarit, mes Atij i Cili vendos rregulla dhe mes atij i cili duhet ti zbatoj këto rregulla. Andaj ai i cili është i urdhëruar nuk guxon ti shkel kufijtë të cilët janë të vendosur nga Urdhëruesi.
Çdo besimtarë duhet të dijë se mëkatet kanë pasoja të mëdha dhe ndikimi negativ i tyre në individ dhe në shoqëri gjithashtu është shumë i madh. Nuk ka ndonjë sprovë, ndonjë fatkeqësi që ndodhë përveç se mëkatet e njerëzve janë pjesë e shkaktarit të atyre fatkeqësive. Ashtu sikur ka thënë Allahu: Çfarëdo fatkeqësie që ju godet, është si pasojë e asaj që keni bërë vetë; por Ai fal shumë. ( shura 30). Mëkati gjithmonë ka përfundim të keq, në këtë botë dhe në botën tjetër. Mëkati jo që lenë gjurmë shumë të këqija në individ dhe në shoqëri, por mëkatet dëmtojnë edhe krijesat tjera. Mëkati dëmton zemrën e njeriut ashtu sikur helmi dëmton trupin e tij.
Prej gjurmëve negative që len mëkati janë:
Privon njeriun nga dituria e dobishme. Dituria është dritë që Allahu ndriçon zemrën e besimtarit me të, ndërsa mëkati është ai i cili shuan këtë dritë. Nuk mund të bashkohen në një zemër dituria e dobishme me mëkatin. Sepse, janë dy të kundërta që nuk bashkohen. Kur Imam Shafiu filloi të marr dituri te Imam Maliku, Imam Maliku u çudit me mendjemprehtësinë e Shafiut dhe i tha: “ po shoh që Allahu ka lëshuar dritë në zemrën tënde, mos e shuaj atë dritë me errësirën e mëkatit”. Ndërsa Allahu thotë në Kuran: prandaj ruajuni Allahut! Allahu ju mëson ju (bekare 282).
Privon njeriun nga furnizimi. I Dërguari i Allahut ka thënë: “ njeriu privohet nga furnizimi për shkak të mëkatit që e vepron”. Sikur që kujdesi ndaj kufijve të Allahut, devotshmëria ndaj Tij shton furnizimin, ashtu edhe shkelja e kufijve, veprimi i mëkateve privon njeriun nga furnizimi.
E bënë zemrën e njeriut të egër. Të egër mes saj dhe Krijuesit të saj dhe mes saj dhe krijesave. Thotë Abdullah b. Abasi: “ vepra e mirë shndritë fytyrën e njeriut, ndriçon zemrën e tij, i zgjeron furnizimin, i jep fuqi trupit dhe e bënë të dashur te krijesat.. Ndërsa mëkati, nxinë fytyrën e njeriut, errëson zemrën e tij, dobëson trupin, pakëson furnizimin, e bënë të urryer te krijesat.
Çdo mëkat mbjell mëkatin tjetër. Çdo mëkat e lind edhe një mëkat tjetër dhe kështu i vështirësohet njeriut të largohet nga mëkati. Allahu thotë në Kuran: Shpërblimi për të keqen është i njëjtë me atë të keqe. ( shura 40). Kanë thënë disa prej të parëve tan: “ Ndëshkimi i të keqes është se pas saj vjen edhe një e keqe tjetër. Ndërsa prej shpërblimit të së mirës është se mira e sjell të mirën”. Po ashtu, prej ndëshkimit të mëkatit është që çdo mëkat që bëhet është trashëgimi nga ndonjë popull i mëhershëm që Allahu e ka shkatërruar për shkak të atij mëkati. Homoseksualizmi është mëkat i trashëguar nga populli i Lutit. Mendjemadhësia dhe shkatërrimi në tokë është trashëgimi e popullit të Faraonit. Hilja dhe dredhia në matje, në peshore është trashëgimi e popullit të Shuajbit etj.
Nëse mëkatet shumohen ato vulosin zemrën e njeriut. I Dërguari i Allahut thotë: “nëse besimtari bënë një mëkat, atëherë i vendoset në zemrën e tij një pikë e zezë. Nëse pendohet dhe kërkon falje te Allahu shlyhet ajo pikë e zezë nga zemra e tij. Ndërsa nëse njeriu vazhdon me mëkate, zmadhohet ajo pikë, gjersa të mbuloj zemrën në tërësi”.
Veprimi i mëkatit është shkak për shafitje dhe dridhje të tokës. Thotë Umer b. Hatabi (shoku i Pejgamberit): “shkatërrohen vendbanimet e banuara nëse të këqijtë marrin hovin e tyre dhe tejkalojnë të mirët e atij vendi dhe kur atë vend e udhëheqin të pasinqertit”.
Dëmi i mëkatit nuk lokalizohet vetëm në individin. Por, helmi dhe e keqja e tij përfshinë tërë shoqërinë, e edhe krijesat tjera prej shtazëve dhe gjërave të ngurta. Ka thënë Muxhahidi, njëri prej komentuesve të Kuranit: “Kafshët mallkojnë mëkatarët e bijve të Ademit atëherë kur tokën kaplon thatësia dhe nuk ka shi. Kafshët thonë e tërë kjo është për shkak të mëkateve të bijve të Ademit”. Sikur që është transmetuar se disa njerëz kaluan pranë të Dërguarit të Allahut me një xhenaze, atëherë i Dërguari i Allahut tha: “ i pushuar dhe të pushuar prej tij”. I pushuar është besimtari. Sepse ka pushuar prej problemeve dhe lodhjeve të kësaj bote. Ndërsa të pushuar prej tij është jobesimtari, mëkatari, i cili me veprimet e tij të jashtëligjshme ka qenë shkaktarë i shumë sprovave dhe i shumë fatkeqësive, si thatësia e madhe, ndërprerja e shiut etj. Allahu thotë në Kuran: “Shkatërrimi në tokë dhe në det është shfaqur si pasojë punëve të këqija të njerëzve, kështu që (Allahu) do t’i bëjë “të shijojnë” pjesë nga ajo që kanë punuar, me qëllim që ata të kthehen (në përmirësim). (Rrum 41) Sikur Allahu t’i dënonte njerëzit sipas veprave që bëjnë, nuk do të mbetej në sipërfaqen e Tokës asgjë e gjallë, por Ai i shtyn ata deri në afatin e caktuar dhe, kur t’u vijë afati i tyre, ata do ta dinë se Allahu i mbikëqyr mirë robërit e Vet. (Fatir 45).
Gjurmët e mëkatit marrin përmasa në shoqëri duke pakësuar begatit e Allahut, me gjitha llojet e saj dhe duke lëshuar sprova dhe sfida në atë shoqëri, duke u përhap sëmundje të cilat nuk kanë qenë prezent më herët në atë shoqëri. Prej begative që i humb mëkati është edhe begatia e besimit. Vazhdon shoqëria të bëjë mëkate, të shkel kufijtë e Allahut gjersa të ndryshoj gjendja e saj për së keqi. Ndryshojnë veprat e tyre gjersa bëhen shoqëri që e përkrah të keqen dhe rreshtohet me karvanin e shoqërive të këqija. Prej begative që i asgjëson mëkati në shoqëri janë edhe begatia e pasurisë dhe furnizimit. Njerëzit punojnë, por nuk ka bereqet puna e tyre. Njerëzit fitojnë, por nuk ka bereqet fitimi i tyre. Kanë pasuri më shumë se më parë, por, pasuria e tyre nuk vlen. Sikur që mëkati humb edhe begatin e shëndetit. Mëkati shkakton sëmundje të shumta. I Dërguari i Allahut thotë: “nuk paraqitet publikisht ndonjë mëkat në ndonjë popull, përveçse do të përhapen në atë popull kolera dhe sëmundje të cilat nuk kanë qenë më herët te paraardhësit e tyre”.
Të nderuar besimtarë: Ruani kufijtë e Allahut. Zbatoni urdhrat e Tij. Kini frikë Allahun sa të keni mundësi. Mos u privo prej begative dhe të mirave të Allahut, për shkak të veprave tua të këqija. Mundohu që mos të bëhesh ti shkaktarë i fatkeqësive dhe sprovave të shoqërisë. Mos të jesh prej atyre që të mallkojnë krijesat e Allahut për shkak të mëkateve që bënë.
Nëse dëshiron begatit e Allahut, familje të shëndosh, pasuri të bereqetshme, familje të mirë, atëherë ruaj kufijtë e Allahut.
Mesazhi i Hutbës së Xhumasë
Vendi: Xhamia Dardania – Gjilan
Ligjërues: Hoxhë Shaban Murati