Allahu është Ai i Cili ka krijuar jetën dhe vdekjen. Është Allahu Ai i Cili ka caktuar që njeriu të jetoj në këtë gjithësi. Ai ka caktuar që vendbanim i njeriut të jetë toka. Allahu ka caktuar rregulla dhe norma se si duhet të jetoj njeriu në këtë tokë.
Njeriu në çdo fushë të veprimit në këtë jetë është i lidhur për kufijtë dhe normat e asaj fushe të veprimit. Asnjëherë njeriu nuk mundë të emërohet në ndonjë punë, në ndonjë profesion dhe të thotë se unë jam i lirë dhe veproj si të dua. Pa tjetër duhet të veproj brenda kufijve dhe rregullave që janë caktuar në atë fushë. Nëse njeriu punon në administratë i ka kufijtë dhe rregullat të cilat duhet ti respektoj. Nëse punon në arsim, mësuesi nuk mundë të thotë se unë jam i lirë dhe mundë të veproj si të dojë. Por, shkolla, arsimi i ka rregullat e veta që njeriu duhet të sillet në bazë të atyre rregullave. Një punëtor në një firmë duhet ti përshtatet rregullave dhe normave të asaj firme.
Allahu është Ai i Cili ka sjell njeriun në këtë jetë dhe ka përcaktuar mënyrën e jetës së tij. Ai ka vendos kufij dhe norma të jetesës. Njeriu është i obliguar që veproj sipas këtyre rregullave që ka përcaktuar Krijuesi i tij. Allahu në këtë gjithësi ka vendosur disa vija të kuqe, të cilat nuk bënë të shkelen. Sepse shkelja e tyre është çrregullim i gjithësisë dhe i sistemit të sajë. Kufijtë të cilët i ka vendosur Allahu, dhe ka urdhëruar që mos të shkelen janë ndalesat e Tij.
Është shumë logjike që nëse njeriu shkel rregullat, ligjet dhe ndalesat të merren masa ndaj tij. Nëse njeriu shkel rregullat e komunikacionit dënohet. Nëse njeriu bënë ndonjë vepër penale, apo bënë ndonjë kundërvajtje dënohet. Sepse me veprat e tij ka shkel rregullat e përgjithshme, ka prish rendin në shoqëri, dhe si i tillë duhet përgjigjet për këto gjëra. Po ashtu, nëse njeriu i vepron ndalesat e Allahut, atëherë ai ka shkel rregullin, ka shkel vijat e kuqe, ka prish rendin në shoqëri dhe si i tillë duhet të përgjigjet për këto gjëra.
Mëkatet janë ndalesat e Allahut, janë kufijtë e Allahut që Allahu ka urdhëruar mos të shkelen ato. Shkelja e ndalesave të Allahut, ose mospërfillja e urdhrave nënkupton çrregullim i rendit në shoqëri, dhe prishje e harmonizimit në gjithësi. Allahu me ndalesat e Tij nuk ka për qëllim që neve të na privoj nga kënaqësitë dhe të mirat e kësaj bote. Por, ndalesat e Tij janë për të mirën e njeriut, janë në dobinë e individit dhe shoqërisë. Allahu ndaloi alkoolin sepse ajo është në dobinë e individit. Allahu ndaloi ngrënien e mishit të derrit sepse ajo është dobinë e shëndetit të njeriut. Allahu ndaloi amoralitetin sepse përmes kësaj ndalese ruhet nderi dhe morali. Allahu ndalo kamatën sepse për kësaj ndalese ruhet individi dhe shoqëria, dhe kështu me radhë.
Ndërsa veprimi i këtyre ndalesave shkakton çrregullim, prishje të rendit, humbje të vlerave të njeriut etj. Veprimi i mëkateve është prishje e rendit, është shkelje e kufijve të Allahut, është çrregullim i rendit në shoqëri, është tërheqje e dënimit të Allahut. Ndikimi negativ i tyre është shumë i madh. Ato e dëmtojnë njeriun dhe e prishin zemrën dhe shpirtin e tij. Mëkatet e dëmtojnë zemrën dhe shpirtin e njeriut ashtu sikur e dëmton helmi trupin e njeriut.
Shumica e gjërave të këqija, shumica e katastrofave që shohim vijnë si rezultat shkeljes së kufijve të Allahut nga ana a njeriut. Së paku kështu besimtari duhet ti shikoj, në mënyrë që ta kujtoj vetën e tij dhe ta përmirësoj vetën e tij. Allahu thotë në Kuran: Çfarëdo fatkeqësie që ju godet, është si pasojë e asaj që keni bërë vetë; por Ai fal shumë. (Shura 30).
Pra, shumica e sprovave dhe fatkeqësive vijnë si rezultat të asaj që njeriu vepron nga mëkatet dhe shkelja e kufijve të Allahut.
Nëse shfletojmë faqet e Kuranit, Librit të Allahut, e që fjala më e vërtetë është fjala e Allahut, gjejmë se të këqijat e kësaj bote dhe të botës tjetër, shkaktarë të tyre janë mëkatet e njeriut.
Allahu nxjerri Ademin dhe bashkëshorten e tij Havan, prindërit e njerëzimit nga xheneti, për shkak të mëkatit që vepruan. Prej xhenetit, që është vend i gëzimit, vend i begative të përhershme e zbriti në tokë, në vendin e sprovave, fatkeqësive dhe sfidave të shumta. E tërë kjo ishte si rezultat i një gjëje që vepruan Ademi me bashkëshorte, e që Allahu ua kishte ndaluar një gjë të tillë. Allahu iu kishte thënë të han dhe të pinë nga xheneti, por mos ti afrohen pemës të cilën ia kishte ndaluar Allahu. Shejtani vazhdoi ti pëshpërit Ademit dhe ta josh me gjëra që joshet njeriu, duke i thënë se ti nëse han prej kësaj peme do të marrësh pozitën e melaikeve dhe do të bëhesh i pavdekshëm gjersa u mashtrua Ademi alejhi selam nga këto premtime të rrejshme, duke marr nga kjo pemë dhe si rezultat i kësaj meritoi largimin nga xheneti.
Allahu shkarkoi shejtanin nga pozita që kishte, e largoi nga mëshira e tij dhe e mallkoi deri në ditën e gjykimit për shkak të mëkatit që kishte bërë. Allahu e bëri pamjen e tij prej pamjeve më të trishtuara, afërsinë që kishte ia zëvendësoi me largim, mëshirën ia zëvendësoi me mallkim, xhenetin ia zëvendësoi me xhehenem, besimin ia zëvendësoi me mohim dhe e bëri armik të përbetuar të njeriut deri në ditën e gjykimit. E tërë kjo ishte si rezultat i mëkatit të tij dhe mospërfilljes së urdhrit të Allahut. Si rezultat i mëkatit, u bë simbol i çdo të keqe dhe prijës i saj.
Allahu fundosi popullin e Nuhit alejhi selam vetëm për shkak të mëkatit që bërën në raport me Pejgamberin e tyre, duke mos dëgjuar dhe respektuar Misionarin e Allahut në tokë.
Allahu shkatërroi popullin e Hudit alejhi selam me një erë të fuqishme, gjersa i bëri ata si trungjet e hurmave të kalbura. Shkatërroi vendbanimet e tyre, kullosat, arat dhe çdo gjë që kishin para tyre. E tërë kjo si rezultat i mëkateve të tyre.
Allahu shkatërroi popullin e Salihut alejhi selam me një zë të tmerrshëm, gjersa ky zë u futë në brendësinë e tyre dhe copëtoi zemrat dhe gjokset e tyre.
Allahu shkatërroi popullin e Lutit alejhi selam me ngritje të vendbanimit të tyre gjerë në qiell dhe pastaj duke e përmbysë prej asaj lartësie në tokë. Pastaj me gurë të cilët i lëshoi nga qielli gjersa i shkatërroi në tërësi. E tërë kjo si rezultat i mëkateve dhe shkeljeve të kufijve të Allahut.
Allahu shkatërroi popullin e Shuajbit alejhi selam me re për të cilat menduan se do të sjellin shiun dhe kur ato arritën mbi kokat e tyre lëshuan zjarr që digjte çdo gjë që binte mbi të.
Allahu fundosi Faraonin me tërë ushtrinë e tij. Shkatërroi tërë pasurinë, familjen dhe vendbanimin e Karunit. Të gjitha këto si rezultat i mëkateve të tyre.
Andaj, të nderuar besimtarë këto janë rezultatet e mëkateve dhe tejkalimit të kufijve të Allahut. Ndërsa për ndikimin negativ që mëkatet lënë te individi dhe shoqëria do të flasim në hytben e radhës.
Lusim Allahun që të na ruaj nga mëkatet dhe rezultati i tyre.
Mesazhi i Hutbës së Xhumasë
Vendi: Xhamia Dardania – Gjilan
Ligjërues: Hoxhë Shaban Murati