Falënderimet dhe lavdia janë vetëm për krijuesin e qiejve dhe të tokës. Paqja dhe begatitë qofshin mbi të Dërguarin Muhamed salallahu alejhi ue selem.
Objektivi madhor i krijimit të njeriut është që të adhurohet vetëm Allahu, një dhe i pashoq. Që njeriu ta realizojë këtë objektiv madhor, Allahu zbriti libra, dërgoi Pejgamberë dhe e mbylli misionin e tyre me të Dërguarin Muhamed salallahu alejhi ue selem.
Kur Muhamedi salallahu alejhi ue selem erdhi si i Dërguar, i besuan një numër i vogël besimtarësh, të cilën më pas u bënë nga muhaxhirët e më pas për Medinë dhe bashkë me ensarët na transmetuan këtë fe.
Ky grup i vogël besimtarësh përjetuan dhembje dhe vuajtje të shumta nga kurejshët e Mekës. Por mëshira e Allahut të Madhëruar ishte e madhe dhe Kur’ani zbriste në forma dhe metoda të ndryshme për t’ua qetësuar zemrat dhe për t’i bërë sa më stabile përballë vuajtjeve që kishin në fillim.
Kur’ani në Mekë zbriti për tri arsye:
- për të rrëfyer tregimet e popujve të mëhershëm, sprovat dhe durimin e tyre;
- për të rrëfyer fuqinë e Allahut dhe ndëshkimin e atyre që u sollën keq me Pejgamberët dhe besimtarët e Tij;
- për të lajmëruar besimtarët për ditën e premtuar (hyrjen në xhenet).
Me këto tri metoda është edukuar gjenerata e parë e këtij umeti, me edukatën kur’anore.
Ndër suret që i ka përmbledhur këto metoda është surja Buruxh, mekase, e cila ka 22 ajete.
- Shkaku i zbritjes së sures[1]
- Komentimi i sures
- Pasha qiellin me plot yje,
Allahu i Madhëruar është betuar për qiellin plot yje. Allahut i takon të betohet për krijesat e Tij ashtu siç është betuar në shumë vende në Kur’an, si pasha kohën, pasha agimin, pasha lapsin. Ndërsa krijesës njeri i lejohet të betohet vetëm për Allahun e Madhëruar. Muhamedi salallahu alejhi ue selem ka thënë: “Allahu (subhanehu ve teala) ju ndalon të betoheni për baballarët tuaj. E kush betohet, le të betohet për Allahun ose të heshtë.” [2]
- Pasha ditën e premtuar,
Të gjithë dijetarët kanë rënë në ujdi se dita e premtuar është Dita e Kiametit.
- Pasha atë që dëshmon dhe atë që dëshmohet!
Dijetarët kanë dhënë disa kuptime për “atë që dëshmon dhe atë që dëshmohet”:
Namazi i sabahut, haxhi, guri zi, Allahu i Madhëruar, Muhamedi salallahu alejhi ue selem.
Dita e Arafatit. Kush e përshëndet gurin e zi me sinqeritet, krijesat, umeti i tij.
- Mallkuar qofshin ata të zotët e hendeqeve,
Ky popull ka jetuar mes Isait alejhi selam dhe Muhamedit salallah alejhi ue selem. Mendimi më i afërt është se vendndodhja e tyre ka qenë në Nexhran[3].
- Të zjarrit me plot lëndë djegëse,
- Kur ata rrinin ulur rreth tij,
- Dhe dëshmonin atë që bënin me besimtarët.
Ky popull ka pasur shumë të këqija njëra pas tjetrës:
– mosbesimi në Allahun
– pengimi i teuhidit (njësimi në Allahun)
– dënimi i besimtarëve
– pjesëmarrja në këtë ngjarje.
- E nuk patën pse t’i urrejnë, përveç që e besuan Allahun, ngadhënjyesin, të lavdëruarin.
Shkaku kryesor që ata u futën në zjarr ishte besimi në Allahun. Zjarrin e kishin përpara dhe dënimi i priste mbrapa.
Ne kush po na pengon? Ka ende njerëz që nuk besojnë. Kur thirret ezani, ata nuk i përgjigjen ftesës së Allahut.
- Të cilit i takon sundimi i qiejve e i tokës; e Allahu është dëshmitar i çdo sendi.
Çfarë mendojnë ata që kanë besuar, se Allahu nuk do t’i ndihmojë? E Allahut është çfarë ka në qiell dhe në tokë. Allahu i Madhëruar nuk e ka bërë këtë botë vend shpërblimi. Të provuarit e të mirave të Allahut nuk është argument se Allahu është i kënaqur apo i hidhëruar me dikë.
Peshorja është devotshmëria në këtë botë dhe shpërblimet në botën tjetër.
- Është e sigurt se ata që i sprovuan besimtarët dhe besimtaret dhe nuk u penduan, ata kanë dënimin e xhehenemit dhe dënimin e djegies.
Hasan el Basriu thotë: Prej mëshirës së Allahut subhanehu ue teala është që Allahu i Madhëruar ka lënë hapur derën e pendimit edhe për ata të cilët kanë bërë vepra të tilla. Si është puna e atyre që bëjnë vepra më të vogla se këto?
- Ata që besuan dhe bënë vepra të mira, ata kanë xhenete nën të cilët burojnë lumenj, e ai është suksesi më i madh.
Kjo është metoda e tretë e zbritjes së Kuranit (lajmërimi i besimtarëve për ditën e premtuar, që është hyrja në xhenet.
Pasi e ka krijuar xhenetin, Allahu ka krijuar Ademin alejhi selam, babanë e njerëzimit.
Dijetarët kanë rënë në mospajtim se kur Allahu i Madhëruar e ka krijuar Havanë, para se të hyjë Ademi alejhi selam në xhenet apo pasi ka hyrë në të.
Grupi parë: Para se të hyjë
Argumenti i grupit të parë është fjala e Allahut të Madhëruar:
“E Ne i thamë: “O Adem, ti dhe bashkëshortja jote banoni në xhenet.”[4]
Grupi i dytë: Pasi ka hyrë.
Grupi i dytë argumentohen me ajetin kuranor 189 në suren A’raf. ¸
“Ai (Allahu) është Ai që ju krijoi prej një vete, e prej saj krijoi palën e saj për t’u qetësuar pranë saj.”[5]
Por -Allahu e di më së miri- njëherë Ademi alejhi selam ka hyrë në xhenet e më pas është krijuar gruaja e tij.
Pejgamberi salallahu alejhi ue selem e ka përshkruar kështu xhenetin: “Çfarë syri nuk e ka parë, as veshi s’ka dëgjuar, as kurrë ndërmend nuk të ka shkuar.”
Në xhenet nuk do të ketë as vapë e as ftohtë, as uri e as etje, as natë e as ditë. Gjëja më madhështore është se nuk do të dalim kurrë pasi të hyjmë.
Në këtë xhenet ka hyrë Ademi alejhi selam. Por nefsi i tij bëri që të hajë pemën dhe të nxirret jashtë, por Allahu ia ka pranuar pendimin.
“E Ademi prej Zotit të vet pranoi disa fjalë (lutje), prandaj Ai ia fali (gabimin). Ai është Mëshirues dhe pranues i pendimit.”[6]
Pasi e nxori, Allahu ka premtuar se ata që do të besojnë, do të hynë në të dhe ata që nuk do të besojnë, do të shijojnë zjarrin.
Bota është realitet i dëshmuar.
Xheneti është fshehtësi e premtuar.
Në bazë të imanit është edhe besimi në xhenetin që ka premtuar Allahu.
- Kur fillon premtimi i Allahut?
Premtimi i parë i Allahut të Madhëruar për besimtarët fillon me daljen e shpirtit, kur të vijnë melekët për t’ia marrë shpirtin dhe t’i thonë “mos u dëshpëro”. Më pas vendoset në varr , zgjidhet nyja e fundit e qefinit dhe lëshohen dërrasat e më pas edhe dheu .
Premtimi i dytë është kur besimtari do të shohë vendin e tij në xhenet, por ende është në jetën e berzahut, varrit.
Mahsheri është vendi ku dalin krijesat për të pritur gjykimin.
Më pas ndahen njerëzit në xhenet dhe xhehenem, në të djathtë dhe të majtë, faqebardhë dhe faqezi.
Xheneti për të cilin je përmalluar!
Besimtarët mblidhen tek dyert e xhenetit, por ato janë të mbyllura. Drejtohen tek babai i njerëzimit Ademi alejhi selam dhe i thonë: -O Adem alejhi selam! Ti je babai ynë, hapi dyert e xhenetit!. Ai u përgjigjet: -Si t’i hap dyert kur unë në të mëkatova?!
Vjen Pejgamberi salallahu alejhi ue selem dhe troket në derën e xhenetit. Pyesin se kush është dhe ai përgjigjet: -Muhamedi.
Rojet e xhenetit i thonë: -Jemi urdhëruar që mos t’ia hapim askujt pos teje.
Kur besimtarët hyjnë në xhenet, dëgjojnë një fjalë që sot e lexojmë në Kur’an. Allahu i Madhëruar thotë:
“(U thuhet) Hyni në to, të shpëtuar (prej çdo të keqeje) të siguruar (nga vdekja).”[7]
I privuar është ai që nuk e dëgjon këtë fjalë atë ditë.
Hyn Pejgamberi salallahu alejhi ue selem e më pas Pejgamberët e tjerë dhe besimtarët. I pari nga besimtarët e këtij umeti do të jetë Ebu Bekri r.a.
Në xhenet do të hyjmë me mëshirën e Allahut, por shpërblimin do ta marrim me drejtësi dhe meritë. Në xhenet do të jemi 33 vjeç, pa flokë, pa mjekra, nuk do të jetë as vapë e as ftohtë, as natë e as ditë dhe nuk do të kemi as uri e as etje. Gjëja më madhështore është se nuk do të dalim kurrë pasi të hyjmë.
Do të pimë nga Selsebili. Aty nuk do të vdesim e as nuk do të plakemi. Vepra e vetme që bëjmë në xhenet është që i bëjmë tesbih Allahut ashtu siç marrim frymë.
Sillet vdekja, pritet dhe nuk do të ketë vdekje më. Pasi të gjithë janë në këtë gjendje duke qëndruar në xhenet, thërret një thirrës: -O banorë të xhenetit!
Përshkrimi i këtij takimi është bërë nga ibn Kajjimi në bazë të argumenteve nga Kurani dhe Suneti.
O banorë të xhenetit: -Zoti juaj i Madhërishëm kërkon që ju ta vizitoni Atë. Andaj shpejtoni!
Të gjithë do të thonë: -Dëgjuam dhe nënshtrohemi!
Përderisa ata shpejtojnë drejt vendeve të caktuara, përfundimisht arrijnë në një luginë të gjerë, ku do të mblidhen të gjithë.
Asnjëri nuk do ta refuzojë kërkesën e thirrësit. Allahu i Lartësuar do të urdhërojë që froni i Tij të sillet aty. Pastaj do të shfaqen shtresat e dritës, margaritarëve, gur të çmuar, shtresa me flori dhe argjend. Më i ulëti prej tyre në gradë do të ulet në shtresa prej misku (parfumi).
Derisa ata të zënë vendet e tyre dhe të ndihen rehat e të sigurt.
Thirrësi thërret: -O banor të xhenetit! Ju keni takim me Allahun, i Cili dëshiron t’ju shpërblejë.
Ata do të thonë: -Ç’është ai shpërblim? A nuk na i ka bërë fytyrat e ndritura, peshoret e rënda duke na futur në xhenet dhe na ka shpëtuar nga zjarri?!
Përderisa janë në këtë gjendje, befas shpërthen një dritë e cila e kaplon tërë xhenetin.
Banorët e xhenetit ngrenë kokat e tyre dhe shohin Zotin e Gjithëfuqishëm.
I Lartmadhëruar është Ai dhe të përsosur janë emrat e Tij. Vjen tek ata nga lart dhe i nderon.
Dhe thotë: -O banorë të xhenetit, selamu alejkum!
Kësaj përshëndetjeje i përgjigjen me: -O Allah, Ti je Paqedhënësi dhe nga Ti vjen paqja. I bekuar je Ti, Posedues i madhërisë dhe nderit!
Pastaj Zoti i Madhëruar do të qeshë me ta e do të thotë: -O banorët e xhenetit! Ku janë ata të cilët më adhuruan pa më parë?! Kjo është dita e shtimit, e shpërblimit.
E të gjithë do të përgjigjen njësoj: -Ne jemi të kënaqur me Ty. Ji i kënaqur me ne!
Allahu i Lartësuar do të thotë: -O banorët e xhenetit! Po të mos isha i kënaqur me ju, nuk do t’ju bëja banorë të xhenetit Tim. Kjo është dita e shtimit, ndaj kërkoni prej Meje.
Ata të gjithë do të kenë një kërkesë.
-Na trego Fytyrën Tënde, që ta shohim Atë.
Allahu i Madhërishëm do ta largojë mbulesën e Tij. Dhe do t’i mahnitë e do t’i mbulojë ata me dritën e Tij.
Nëse Allahu i Lartësuar nuk do të dëshironte që ata të mos digjeshin, ajo dritë do t’i digjte. Dhe nuk do të mbetet as një njeri i vetëm nga ky tubim që Zoti i Lartësuar të mos i flasë e t’i thotë: -O filan! A të kujtohet dita kur e bëre këtë dhe këtë?
Dhe do t’i kujtojë disa prej veprave të këqija në jetën e kësaj bote. E ai (njeriu ) do të thotë: -O Zoti im, a nuk do të më falësh?!
Allahu do të thotë: -Gjithsesi! Ke arritur në këtë vend vetëm me mëshirën Time.
Allahu i Madhëruar thotë:
“Atë ditë do të ketë fytyra të shkëlqyera (të gëzuara). Që Zotin e tyre e shikojnë.”[8]
- Është e vërtetë se goditja e Zotit tënd është e fortë.
- Në të vërtetë, Ai është që e fillon (krijimin) dhe e rikthen.
- Ai është që fal mëkatet, është i dashur.
- Është i zoti i Arshit të madhëruar!
- E punon atë që dëshiron.
- A të ka ardhur ty lajmi i ushtrive,
- Të faraonit dhe të Themudit?
- Por, këta që mohuan (idhujtarët), vazhdojnë me gënjeshtër.
- Po, Allahu ata i ka rrethuar (nuk mund t’i shpëtojnë)!
- Përkundrazi, (ata që gënjejnë), ai është Kur’an i famshëm.
- Në një pllakë të ruajtur mirë (në Levhi Mahfudh).
Gjërat që nuk do të zhduken kurrë janë: Levhi, Lapsi, Arshi, Kursija, Xheneti, Xhehenemi, Shpirti, Palca e boshtit kurrizor (ADN).
Salih bin Avad elMegamisij
Përktheu dhe përshtati: Rashit R Zylfiu
[1] Shiko Tefsirin e ibn Kethirit në komentimin e sures Buruxh.
[2] Transmetojnë Buhariu në Menakubul Ensar (3836) dhe Muslimi në kapitullin e imanit (3-1646).
[3] Nexhrani është provincë mes Arabisë Saudite dhe Jemenit.
[4] Bekare, 35.
[5] A’raf: 189.
[6] Bekare: 37.
[7] Hixhër: 46.
[8] Kijameh: 22-23.