Falënderimi i takon Zotit, bekimet dhe paqja qofshin mbi të Dërguarin e Zotit, mbi familjen e tij dhe të gjithë shokët e tij.
Vllezër muslimanë: këyre ditëve po kalojmë disa ditë e netë ku vala e të nxehtit është e fortë, flakëruese e përvëluese , aq sa në disa raste po din të jetë e padurueshme për shumëkënd, e thirrjet për kujdes të shtuar sidomos në kohën e pikut janë për të gjithë, sidomos me theks të veçantë për më të moshuarit dhe jo vetëm për ta.
Vëllezër besimatarë, Kushdo që shikon qasjen e njerëzve ndaj kësaj nxehtësie e dielli përvëlues, do t’i gjejë me qëndrime tepër të ndryshme. Duke filluar nga ata shkujdesurit që nuk shohin gjë tjetër veçse rritje të temperaturës, gjë e cila kërkon mjete mbrojtëse nga efektet e vapës dhe mbesin duke u ankuar e shpeshe dhe duke nëmur. Madje neglizhenca e disave bëhet aq ekstreme, saqë gjen të atillë që shkojnë në plazhe të zhveshur si më keq me pretekst që të largohen nga vapa. Këta njerëz shikojnë në vapën e fortë dhe rrezet përcëlluese të diellit vetëm nga aspekti material e nuk meditojnë fare në mesazhet që ngërthen në vetvete.
Por besimtari i vërtetë dhe muslimani i sinqertë që beson në Zotin si Krijues i gjithësisë dhe Mbajtës i të gjitha çështjeve të saj; Ai e kupton se kjo nxehtësi e fortë dhe këto rreze përvëluese të diellit janë vetëm me fuqinë e Zotit, dhe vendimin e Tij s.v.t. prandaj besimtari reflekton edhe në këtë qështje duke u munduar që të kuptojë mesazhet e këshillat që përmban në vetvete ky ndryshim klimatik.
Vllezër besimtarë: Dëgjoni me mua mesazhet dhe mësimet që mund të nxirren e të cilat janë të shumta, por ne do të fokusohemi në 7 prej tyre.
- Kjo nxehtësi ekstreme dhe këto rreze përvëlues të diellit na e kujtojnë sesi dielli është vetëm një krijesë e të Madhit Zot e cila i bindet dhe i nënshtrohet vullnetit të Tij. Ditën kur vdiq djali i Profetit, Ibrahimi, u zu dielli e njerëzit filluan të thojnë se u zu për shkak të vdekjes së tij. I Dërguari i Allahut -paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të- tha: ” Dielli dhe hëna nuk eklipsohen për shkak të vdekjes së ndonjërit prej njerëzve apo të libndjes së ndonjë tjetri , por ato janë dy shenja të Zotit me të cilat ndonjëherë i frikëson robërit e Tij, pra nëse ndodh të shihni eklipsin faluni dhe bëni dua .”[1] Po, pra kjo nxehtësi e madhe dhe ky shkëlqim përvëlues i diellit është një shenjë që tregon fuqinë e madhe të Zotit të Plotfuqishëm, dhe mëshirën e Tij të madhe që ka për robërit e vet. Përndryshe, pasha Zotin, kur nxehtësia dhe shkëlqimi përvëlues i diellit bëhen më intensiv, kush është ai që mund ta ndryshojë situatën. Kush mund të ndalojë vazhdimin e kësaj vape, kush ka fuqinë për t’i thënë diellit të largohet,apo të ulë temperaturën ose të kthehet në gjendjen normale. Nëse Zoti do të donte që nxehtësia e fortë të vazhdonte për javë dhe muaj, me joshje a me ndonjë kërcënim, apo me çfarë njerëzimi mundet t’i qaset diellit për përmirësimin e klimës?!! Po nëse Zoti do të donte që ajo të arrijë në gjashtëdhjetë, shtatëdhjetë ose tetëdhjetë dhe të mos zbres? Është mëshira e Allahut Zotit të botëve ajo që e ka bërë diellin dhe çdo gjë tjetër në kosmos të nënshtruar e të përshtatshëm për njeriun. Por pyetja është: a po dijmë të jemi sa duhet falenderues siç po jemi ankues përgjatë këtyre ditëve.
- Vëllezër besimtarë, mesazhi i dytë që përfitohet nga kjo nxehtësi ekstreme është se besimtari e bën lidhjen mes jetës së përtejme që ne edhe pse nuk e shohim gjithsesi se e besojmë dhe jetës tonë të përkohshme. Në dy sahihët, atë të Buhariut dhe të Muslimit qëndron hadithi i Profetit – paqja dhe mëshira e Allahut qofshin mbi të – se ai ka thënë: “Xhehenemi iu ankua Zotit të tij e i tha: O Zot, një pjesë e imja po e hanë pjesën tjetër! Kësisoj Zoti ia lejojë dy frymë: një frymë në dimër dhe një frymë në verë. Rrjedhimisht vapën më të rëndë që e gjeni është nga ajo hukamë e xhehenemit, sikurse që edhe ftofti më i madh është nga fryma tjetër e Xhehenemit.”[2] Poashtu Transmetohet nga Pejgamberi a.s. se ka thënë: “ Kur vapa është e fortë, namazin e drekës shtyne për fllad, sepse intensiteti i vapës është nga hukama e Xhehenemit ”[3], Kjo valë nxehti e fortë e përcëlluese që ne ja referojmë nxetit apo ciklonit saharian por që në fakt ai është prej përtej kosmosit tonë, vie si rezultat i frymës së Ferrit që Zoti ia lejoi t’a bënte. Këtu besmitarit duhet t’i shkojë mendja se edhe pse kaq larg ka ardh ndikimi i dahit të një fryme, vetëm të një fryme, po më afër si është puna, po për ata që do të jenë në brendësi të tij Zoti na ruajtë si do të jetë halli.
- Robër të Zotit: Dëgjoni me mua mesazhin e tretë: Për besimtarin racional që beson në takimin me Zotin e fuqiplotë mësimi më i madh që e nxjerr nga ky i nxehtë ekstrem është se si qenie njerëzore, nuk po jemi në gjendje të përballojmë nxehtësinë e kësaj bote kur ajo ngritet për vetëm disa gradë, prandaj si të mundemi përballimin e vapës së Ahiretit, me të cilën nuk mund të krahasohet asnjë nxehtësi tjetër, pavarësisht se sa e fortë që mund të jetë. Nëse don pak meditim dëgjo për dënimin më të lehtë në xhehenem e më pastaj vazhdo krahasimin: ” Më pak i torturuar nga banorët e xhehenemit është ai që ka dy nalle prej zjarrit, nga të cilat i vlojnë trutë siç vlon tenxherja. Atij i duket sikur askush nu ka dënim më të ashpër se ai edhe pse realisht ai është duke përjetuar dënimin më të lehtë”[4]
- O ju që besoni në Zotin e Plotfuqishëm, Dëgjoni me mua mesazhin e katërt: ky nxeht përvëlues na thirr ta shtojmë vullnetin tonë për bindje ndaj urdhërave të Zotit tonë që ti zbatojmë dhe ndaj ndalesave të tij që t’i evitojmë. Mos të na molis i nxeti e të na e shtojë përtacinë për të kryer detyrimet tona apo ta marrim si pretekst për të vepruar ndonjë të ndaluar. Këta të fundit Allahu s.v.t. na i përshkruajti bukur në Kur’an: ”Ata që mbetën në shtëpitë e tyre, pas të Dërguarit të Allahut( nuk e deshën daljen në luftë me të), u gëzuan; nuk u pëlqente të luftonin në rrugën e Allahut me pasurinë dhe jetën e tyre dhe thanë: “Mos shkoni në luftë, nëpër vapë!” Thuaju: “Zjarri i Xhehenemit është edhe më i nxehtë!” Veç sikur të kuptonin!” Tevbeh: 81.
- Një nga mësimet e kësaj nxehtësie ekstreme të cilën po e përjetojmë këto ditë është se na mëson vlerën e ujit të ftoftë. Kështu ishin të parët e mirë, sahabët e të Dërguarit sh. Ibn Umeri r.a. kur pinte ujë të ftohtë në një ditë vape të madhe emocionohej dhe qante duke kujtuar dëshirën e banorëve të Xhehennemit dhe se ata do të kërkojnë ujë , por midis tyre dhe asaj që dëshirojnë do të ketë barrierë: “Banorët e zjarrit do t’u thërrasin banorëve të Xhenetit: “Derdhni pak ujë te ne ose diçka nga ajo që ju ka dhuruar Allahu!” Ata thonë: “Në të vërtetë, Allahu këto i ka ndaluar për mohuesit” (El-A’raf: 50). Përkundrazi, Zoti tregoj për të eturit e xhehenemit se si do të trajtohen: “Nëse do të kërkojnë ndihmë, do t’u jepet një ujë si xehja e shkrirë, që do t’ua përcëllojë fytyrat. Sa pije e tmerrshme është ajo e sa strehim i keq është ai (zjarri)!” (El-Kehf, 29), ” A mund të krahasohet ky shembull me Xhehenemin, ku gjynahqarët do të qëndrojnë përherë në zjarr dhe do t’u jepet ujë i valuar, që ua copëton zorrët?! (Muhamed: 15).
- Të dashur vëllezër mësimi i radhës prej kësaj vape ekstreme është se na mëson vlerën e hijes dhe flladit kur nxehtësia është e fortë. Përderisa me pak gradë më tepër të gjithë ne po vrapojmë pas hijeve e klimave, lehtë mund të përceptojmë sesa e rëndësishme do të jetë hija për njerëzit në jetën e përtejme. Prandaj Allahu na sjell dy lloje shembujsh; për ata të rebeluarit ndaj Zoti flet në këtë ajet: “ Ata do të mbulohen me shtresa zjarri nga sipër dhe nga poshtë. Me këtë, Allahu i tremb robërit e Vet. “O robërit e Mi, më kini frikë Mua!” Ez-Zumer:16. Përballë tyre janë të bindurit ndaj urdhërave të Allahut gjendja e të cilëve përshkruhet kështu: “Sa për ata që besojnë dhe punojnë vepra të mira, Ne do t’i shpiem në kopshte, nëpër të cilat rrjedhin lumenj dhe ku do të banojnë përgjithmonë. Ata do të kenë bashkëshorte të pastra dhe Ne do t’i shpiem në hije të dendura” En-Nisa: 57. Vëllezër besimtarë ky nxeht ekstrem duhet të na e kujtojë edhe vapën e ditës së gjatë e të mundimshme në pritje të llogarisë dhe vapës së saj. Atë ditë që do të zgjatë sa 50 mijë vite dhe dielli do të afrohet sa një mile mbi kokat e njerëzve. Të gjithë prej të parit deri te i mrami presin fillimin e gjykimit të zhytur në djerës , kush deri në zogjë të këmbës e kush deri në gjunjë e tjetri deri në bel, përderisa ka të atillë që u arrinë deri te goja. Allahu na ruajtë.
- Ndërsa mesazhi përmbyllës i kësaj hytbeje është se përderisa shumica e njerëzve janë në atë fushë pritje të gjykimit duke u përcëlluar nga dielli mbi kokat e tyre do të ketë nga ata që e gëzojnë hijen e Zotit në atë ditë kur nuk ka hije përveç hijes së Tij. Janë shtatë grupe njerëzish të lumtur të cilët do të presin fillim e llogarisë duke pushuar nën hijen e Arshit të Allahut, siç i përmend hadithi i njohur të cilin e tranmseton Ebu Hurejra r.a. se Pejgamberi s.av.s. ka thënë: “Shtatë (lloje njerëzish) All-llahu do t’i vendosë nën hijen (mbrojtjen) e Tij atë ditë kur nuk do të ketë tjetër për-veç hijes së Tij. Ata janë: Imami (udhëheqësi) i drejtë; një i ri i cili është rritur në ibadet dhe respekt të All-llahut të Madhëruar; një njeri, zemra e të cilit është e lidhur me xhamitë; dy njerëz të cilët duhen në emër të All-llahut, janë shoqëruar dhe të tillë kanë mbetur deri në ndarje (vdekje); një njeri të cilin e ka thirrur një grua autoritative dhe e bukur, kurse ai e refuzon duke i thënë se i frikësohet All-llahut; njeriu i cili ndan sadaka fshehurazi, ashtu që dora e majtë nuk e di çka bën (sa ndan) e djathta; si dhe njeriu që e përmend All-llahun në vetmi dhe i mbushen sytë me lot.”[5]
Zoti na e mundësoftë neve dhe juve që të jemi nga mesi i këtyre shtatë grupeve!
Përgaditi Thirrja.org
[1] Sahihul Buharij: 1041.
[2] Buhariju me nr. 3260, Muslimi me nr. 617.
[3] Sahihul Buharij, nr. 539
[4] Sahih Muslim, nr.213.
[5] Sahihul Buharij, nr. 6806, Sahihu Muslim, nr. 1031.