ME RASTIN E PËRFUNDIMIT TË VITIT HIXHRI
[HYRJE]
Besimtarë të nderuar!
Njeriu, nga vet natyra, harron e gabon. Allahu i madhëruar, për të mos lejuar robin të devijojë, nga mëshira dhe urtësia e Tij, ka lënë ‘shenja’ të shumta, të cilat, sikur shenjat në rrugë, ia përkujtojnë kthimin tek Allahu dhe përgjegjësinë për vepra. Një nga këto shenja, e mbase më e madhja dhe më e rëndësishmja, është dhe koha dhe kalimi i saj. Njeriu, siç thotë Hasan Basriu, është vet koha, sa herë kalon një pjesë e saj, kalon edhe një pjesë e tij. Tani, kur na ndajnë më pak se një javë nga fundi i vitit hixhrij, desha që këtë hutbe t’ia kushtoj këtij përkujtimi, ta bëjë si një shenjë, e cila na përkujton nevojën e rishikimit të veprave tona, për të plotësuar atë që kemi lënë mangu, për të përmirësuar atë që kemi bërë gabim dhe për tu penduar sinqerisht tek Allahu.
[KËSHILLIMI ME KOHËN DHE KALIMIN E SAJ]
Vëllezër xhematlinj!
Jeta e njeriut nuk është tjetër vetëm se ditë dhe net. Kalimi i tyre nënkupton kalimin e vet jetës së njeriut. Omer bin Abdul Azizi r.a. ka thënë: ‘Dita dhe nata punojnë në ty andaj puno edhe ti në to.’ Pra, sa herë vjen një ditë, ajo merr një pjesë të jetës sate, andaj ji në dyluftim me kohën. Nëse ajo merr një pjesë tënden, merr edhe ti një pjesë të saj, gjegjësisht puno dhe mos e kalo kohën kot sepse pendohesh. Pavarësisht kësaj, njeriu vazhdon të jetë shpërfillës i kohës. Muhammedi a.s. ka thënë: ‘Janë dy mirësi të cilave nuk ua dinë kimetin shumica e njerëzve: shëndeti dhe koha e lirë.[1]’
Vlerën e kohës dhe rëndësinë e saj arrijmë ta kuptojmë vetëm atëherë kur ta humbim. Njeriu, ende pa dalë nga kjo botë, e kupton se sa shumë ka humbur që e ka shpërfillur kohën, andaj i kërkon Allahut ta kthejë prapë në dynja, qoftë edhe për pak kohë. Por jo, vdekja nuk shtyhet dhe askush nuk afatizohet. Thotë Allahu:
﴿حَتَّىٰ إِذَا جَاءَ أَحَدَهُمُ الْمَوْتُ قَالَ رَبِّ ارْجِعُونِ ﴿٩٩﴾ لَعَلِّي أَعْمَلُ صَالِحًا فِيمَا تَرَكْتُ ۚ كَلَّا ۚ إِنَّهَا كَلِمَةٌ هُوَ قَائِلُهَا ۖ وَمِن وَرَائِهِم بَرْزَخٌ إِلَىٰ يَوْمِ يُبْعَثُونَ﴾
“Kur i vjen vdekja ndonjërit prej tyre (jobesimtarëve), ai thotë: “O Zoti im, më kthe, 100. që të bëj vepra të mira në botën që kam lënë!” Kurrsesi! Me të vërtetë, kjo është një fjalë të cilën ai (kot) e thotë! Prapa (vdekjes së) tyre do të ketë një (kohë) ndarëse, deri në ditën kur do të ringjallen.” [Kur’ani: Mu’minunë: 99-100]
Nuk është kjo keqardhja e vetme që ndien njeriu që nuk ka shfrytëzuar kohën. Keqardhja e vërtetë ndodhë atëherë kur të del para Allahut dhe të bindet se jeta, megjithëse e shkurtër, ai nuk ka përfituar prej saj. Në pyetjet që Kur’ani na tregon se i parashtrohen robërve për qëndrimin e tyre në këtë botë, përgjigjja sillet ndërmjet disa çasteve, gjysmë ditës, apo maksimumi një dite[2].
Për këtë shkak, të parët tanë, më shumë i anë kushtuar rëndësi kohës se sa çdo gjëje tjetër. Kohën e kanë konsideruar pasuri që, nëse humbet, nuk kthehet.
Edhe ne, duke marrë shkas nga fundi i këtij viti, që në një farë forme është jeta jonë në miniaturë, duhet t’i kushtojmë rëndësi maksimale kohës.
[VLERËSIMI SIPAS PËRMBYLLJES]
Vëllezër myslimanë!
Arsyeja pse duhet të ndalemi me vetveten në këtë fund vit është se veprat tona vlerësohen sipas përfundimit të tyre. Pejgamberi ynë, Muhammedi a.s. ka thënë: ‘Veprat vlerësohen sipas përfundimit të tyre.[3]’ Pra, nëse gjatë tërë jetës kemi bërë mirë por në fund i jemi kthyer mëkateve dhe kemi braktisur fenë, atëherë veprat tona të mira shkojnë huq dhe vlerësohemi sipas mëkateve që kemi bërë. Për këtë shkak, besimtarët i shfrytëzojnë çdoherë momentet e fundit për të bërë sa më shumë vepra të mira, për tu penduar, për të bërë istigfar, në mënyrë që përfundimi të jetë i mirë.
[URTËSIA E TË QENIT TË VDEKJES SEKRET]
Të dashurit e mi për Allah!
Një arsye tjetër pse ne duhet të bëjmë vepra të mira dhe t’i shmangemi mëkateve është edhe fakti se nuk e dimë kur na vjen vdekja. Siç e dini, vdekja është sekret, jo për tjetër, pos që njeriu të përgatitet për të çdoherë. Pra, fundi i jetës mund të ndodhë çdoherë, andaj besimtari, siç është porositur edhe fetarisht, duhet që çdo vepër që e bën, ta bëjë sikur më nuk do të ketë mundësi të kthehet prapë dhe ta përmirësojë.
[JETA SHANS PËR PËRMIRËSIM]
Por, duke qenë se ende jemi gjallë, atëherë jetën duhet ta kuptojmë si një mundësi shtesë për tu përmirësuar. Pejgamberi ynë, Muhammedi a.s. ka thënë: ‘Njeriu më i mirë është ai që jeton më gjatë dhe bën vepra të mira.[4]’ Pra, nëse jeton, dije se Zoti të ka dhënë një mundësi shtesë për tu përmirësuar, ndryshe, ditët dhe vitet do të jenë dëshmi kundër teje.
[PËRMBYLLJE]
Të dashur vëllezër!
Tani që jemi në fund të vitit, më lejoni të kthehem prapë në fillim dhe t’iu rrëfej për një mirësi tjetër të Allahut ndaj nesh. Nëse keni vënë re, përfundimi dhe fillimi i vitit bëhen me dy muaj, të cilët janë të shenjtë dhe të cilët e kanë nga një ditë të veçantë. Fjala është për muajin dhu-l-hixhe, që është muaj i shenjtë dhe në të cilin është Dita e Arafatit, në të cilën Zoti i fal robërit e Vet, dhe muajin muharrem, muajin e parë të vitit, në të cilin është Dita e Ashures, e cila ka shpërblim të madh por edhe mësime të mëdha sepse në të mori fund faraoni dhe shpëtoi Musai a.s. Kështu, nëse Dita e Arafatit na jep shpresë se përfundimi i vitit bëhet me mëkate të falura, dita e ashures është një start i ri, një fillim i fuqishëm në rrugën e Zotit me vetëbesim dhe vullnet të madh.
[Dua]
O Allah, na fal për mëkatet që kemi bërë, për lëshimet e mangësitë në adhurim e respekt ndaj Teje! Nëse të kemi bërë mëkat, të kemi bërë sepse kemi qenë të mashtruar e jo pse shfaqim guxim ndaj Teje. Mëkatet tona nuk kanë fuqinë të na pengojnë nga kërkimi i mëshirës Sate, andaj, të përulur, të lusim që të na mbulosh me mëshirën Tënde, të na udhëzosh, të na forcosh në rrugën Tënde, të na i forcosh zemrat tona dhe të mos lejosh të lajthisin nga e vërteta, nga rruga Jote, derisa të të takojmë!