Islami është fe e cila synim të tij ka vendosjen e drejtësisë në mes të shtresa në shoqëri. Allahu ka ndaluar padrejtësinë (zullumin) dhe e ka bërë të ndaluar atë mes njerëzve. Allahu thotë në hadithin Kudsij: “ o robërit e Mi, Unë i kamë ndaluar padrejtësinë vetës sime dhe e kamë bërë të ndaluar mes jush. Andaj, mos i bëni padrejtësi njëri tjetrit”.
Njeriu është synimi dhe qëllimi parësor i Islamit. Islami i kushton një rëndësi të veçantë njeriut, duke nxitë në formimin e tij shpirtëror, mendor, intelektual, fizik, trupor. Sepse, njeriu pastaj është ai i cili nëse vepron drejtë ndërton këtë tokë dhe e zhvillon këtë botë. Pa drejtësia e njeriut jo vetëm që shkatërron shoqërinë njerëzore, por njeriut të pa drejtë ia shohin sherrin edhe gjallesat tjera.
Atëherë kur mungon drejtësia në tokë, vjen në shprehje padrejtësia, shkelja e të drejtave të njerëzve dhe si rezultat i kësaj pastaj bëhen protesta, demonstrata, konfrontime fizike, humbje të jetës së njerëzve.
Një Maji shënon ditën e punëtorëve. Është ditë përkujtimi i vitit 1886, ku në Çikago, ne vendin Haymarket policia hapi zjarr ndaj punëtorëve dhe si pasoj e kësaj u vranë një numër i punëtorëve. Ishte një konfrontim mes punëtorëve dhe pronarëve të firmave, ku punëtorët kërkonin të drejtat e tyre, kërkonin zvogëlimin e orëve të punës. Po ashtu ndodhi edhe në Nju Jork në vitin 1882 ku ranë viktimë një numër i madh i punëtorëve nga ushtria dhe marshallat e këtij qyteti, duke kërkuar punëtorët të drejtat e tyre. Prej këtyre ngjarjeve e deri më sot Një Maji festohet në mbarë botën si përkujtim i kërkimit të drejtave të klasës punëtore.
E tërë bota e kupton fare mirë se puna është boshti i ndërtimit dhe zhvillimit të tokës. Puna është forca e cila lëviz mendjen dhe trupin e njeriut. Puna është gjendje e natyrshme për ekzistimin e njeriut në këtë gjithësi. Pa punë nuk mundë të ekzistoj njeriu dhe nuk mund të zhvilloj jetën e tij. Një popull nuk mund të ngritët ndryshe përveç se me punë. Nuk mund të realizohen rezultatet përveç se me punë. Njeriu nuk mund të ngritët përveç se me punë.
Pasi që puna ka nevojë për punëtorë, atëherë punëtori është prodhuesi i gjithë asaj që u përmend. Mu për këtë, për shkak të rolit dhe dobinë e punëtorit në zhvillimin e kësaj gjithësie, është njohur botërisht Një Maji si dita e punëtorëve.
Feja islame përmes Kuranit dhe sunnetit (traditës së Pejgamberit), si burime kryesore të kësaj feje nxitë në punë dhe ka bërë dallimin mes atyre që punojnë dhe atyre që nuk punojnë. I Dërguari i Allahut i nxite shokët e tij për punë, kryerjen e obligimeve dhe kërkimin e rrizkut. Umeri (udhëheqësi i dytë i myslimanëve) gjithashtu i qortonte ata të cilët nuk punojnë duke ju thënë: “ Dijeni se qielli nuk lëshon ari e as argjend”. Sa shumë kemi nevojë ne sot për njerëz të cilët janë punëtorë, janë prodhues në çdo fushë të jetës. Ne e dimë mirë se sekreti i prapambeturis së një shoqërie është papunësia, ose mos profesionalizmi në punë. Sepse, puna është e lidhur ngushtë me profesionalizmin në punë. Puna pa profesionalizëm është humbje e kohës dhe ka mundësi që të ndikoj negativisht në vetë planin e punës. Nëse shohim shtetet përparimtare në botë do të shohim se ata kanë arritur në këtë gjendje me punë, angazhim duke punuar natën dhe ditën, duke punuar profesionalisht, duke dhënë secili kontributin e vetë në lëmin që i takon.
Islami e ka nderuar punëtorin, është kujdes për të dhe për të drejtat e tij dhe kjo ka ndodhë për herë të parë në historinë e njerëzimit. Këto të drejta nuk janë bërë në shekujt e fundit, por këto të drejta janë vendosur qysh në shekullin e VI-të, atëherë kur rrezet e kësaj feje ndriçuan tokën.
Islami ka vendos të drejtat e punëtoreve duke i llogaritur ata si pjesë e shoqërisë. Duke siguruar të drejtat e tyre, me qëllim të zhvillimit të drejtësisë dhe sigurimit të një jete më të mirë dhe më të begatshme.
Sikur që Islami thërret pronarët që të sillen në mënyrën më njerëzore me punëtoret e tyre. Po ashtu porositi që mos të ngarkohet punëtori me punë të cilat janë jashtë fuqisë dhe mundësisë për ti kryer, dhe shumë të drejta dhe rregulla që i garantoi islami në këtë fushë.
Të drejtat të cilat islami i ka vendos mes pronarit dhe punëtorit mundë të përmblidhen si vijon:
E drejta e punëtorit në pagë. Çdo punë që përmendet në Kuran, qoftë e kësaj bote apo botës tjetër ndërlidhet me shpërblim dhe kompensim. Paga e punëtorit është obligimi më i madh që bie mbi pronarin e punës. Këtë e shohim edhe në tregimin e Musait kur kreu një shërbim, ndërsa pronari i këtij shërbimi dëshiroi që ta shpërblej Musain për këtë: Më vonë, njëra nga ato dyja, erdhi me ndrojtje dhe i tha: “Babai im të fton për të të shpërblyer, se i dhe ujë (tufës sonë)” (Kasas 25). Po ashtu i Dërguari i Allahut tha: “ jepja punëtorit shpërblimin për punë para se atij ti teret djersa”.
E drejta e punëtorit për ti gëzuar kushtet të cilat i ka me vendosur pronarin i punës. Pronari i punës duhet që t’ia plotësoj kushtet të cilat janë pajtuar në to. Nuk është e lejuar që pronari të shfrytëzoj nevojën e punëtorit për punë e në bazë të kësaj të shkel marrëveshjen dhe kushtet në të cilat janë pajtuar. Islami ndalon që njeriu ta dëmtoj vetën apo ta dëmtoj dikë. Sikur që pronari i punës e ka për obligim që të kujdeset për pagën e punëtorit nëse atij i ka ndodhur diçka, apo ka harruar që ta merr pagën e tij. Sikur që pronari i punës nuk duhet që ta privoj punëtorin nga marrja e shpërblimit shtesë nëse ai ka punuar diçka jashtë asaj që i kërkohet dhe jashtë asaj që është në marrëveshje me pronarin e punës.
E drejta e punëtorit që mos të ngarkohet me punë të cilat dëmtojnë shëndetin e tij, ose me punë të cilat ai nuk ka kapacitet dhe mundësi për ti kryer. Allahu tha në Kuran për bisedën e Musait alejhi selam me pronarin e punës: Unë nuk dëshiroj të t’i rëndoj gjërat. Ti do të shohësh, në dashtë Allahu, se jam një njeri i mirë.” ( Kasas 27). Po ashtu nuk është e drejtë që të shfrytëzohet fuqia e punëtorit në rinin e tij e pastaj kur ai humbë fuqinë të largohet nga puna.
E drejta e ruajtjes së nderit të punëtorit. Nuk është lejuar që të nëpërkëmbet krenaria e punëtorit, të nënçmohet, të poshtërohet para të tjerëve,ose të skllavërohet. I Dërguari i Allahut ulej dhe hante ushqimin që e hante punëtori, i ndihmonte në punët e tij. Asnjëherë i Dërguari i Allahut nuk e ka rrahur dikë, punëtorë, shërbëtor etj.
E drejta e punëtorit që ti kryej obligimet të cilat ia ka obliguar Allahu, si Namazi, agjërimi etj. Punëtori fetarë, i cili ia ka frikën Allahut është më afër të mirës, dhe punën që e bënë e bënë me sinqeritet dhe me frikë ndaj Allahut. Punëtori fetarë, i cili i ka frikën Allahut duhet të jetë besnik dhe ta ruaj mallin e pronarit sikur të jetë malli i tij. Andaj pronari i punës mos të rreshtohet në grupin e atyre që pengojnë n në rrugën e Allahut dhe pengon punëtorët në kryerjen e obligimeve të Allahut. Sikur që punëtorët nuk duhet që me këtë arsyetim të kryerjes së obligimeve të Zotit ta neglizhojnë punën dhe mos të ja japin hakin asaj.
Pastaj punëtori duhet të ketë të drejtë për ankesa . po ashtu punëtorit duhet ti garantohet e drejta e sigurisë nëse atij i shkaktohet ndonjë fatkeqësi gjatë kryerjes së punës. Sikur që punëtori duhet ta kryej punën me nderë dhe plotë për kushtushmëri. Punëtori pasurinë e pronarit duhet ta llogarisë si pasuri të vetën, ta ruaj atë, të kujdeset për të dhe të punoj sikur me qenë pasuri e tij personale.
Mesazhi i Hutbës së Xhumasë
Vendi: Xhamia Dardania – Gjilan
Ligjërues: Hoxhë Shaban Murati