MË MËSO POR SHKURT
Fjalët kanë ndikim të madh në shpirtra të njerëzve. Një fjalë e mirë mund të jetë këshillë aq e madhe saqë të jetë shkak edhe për pendimin e ndonjë mëkatari të madh. Ato zakonisht janë të shkurtra por në vete ngërthejnë mësime me rëndësi saqë as edhe libra shumë vëllimshme nuk mund t’i përmbajnë. Kjo ngase ato thuhen në atë formë që vlejnë për kohë dhe gjenerata të ndryshme. Edhe sot e kësaj dite, ne citojmë thënie nga njerëz të mençur të kohëve të lashta.
Por, ato jo çdokush mund t’i thotë…Një prej atyre që Allahu i Madhëruar e nderoi me këtë thesar urtësie ishte edhe i Dërguari, Muhammedi ﷺ. Jo rrallë këshillonte njerëzit me një fjalë (fjali) që vërtetë ishin ajka e zgjidhjes së problemit. Nëse iu janë bërë zemrat të vrazhda dhe ndieni se jeni larguar prej Allahut të Madhëruar, atëherë:
»أكثروا من ذكر هادم اللذات»
Shpeshtojeni përkujtimin e shkatërruesit të kënaqësive (vdekjen).”[1]
Nëse do të shpëtosh nga problemet përreth, nga sprovat, atëherë:
»الْزَمْ بَيْتَكَ وَامْلِكْ عَلَيْكَ لِسَانَكَ»
“…qëndro në shtëpinë tënde dhe kape gjuhën (mos fol)”[2]
…e shumë e shumë thënie tjera të shkurtra por me urtësi të mëdha. Zaten, Muhammedi ﷺ, pati deklaruar se:
»بعثت بجوامع الكلم»
Jam dërguar me Xhevamiu’l kelim (elokuencë të rrallë)”[3]
Porosia, detaje të së cilës do të mundohemi të sjellim në këtë shkrim, është e regjistruar në Sunenin e Ibni Maxhes ndërsa është transmetuar nga Sahabiu i madh, Ebu Ejjub el-Enariu. Sahabiu në fjalë rrëfen se një njeri kishte ardhur tek Pejgamberi, ﷺ dhe i kishte thënë:
»يَا رَسُولَ اللَّهِ عَلِّمْنِي وَأَوْجِزْ قَالَ إِذَا قُمْتَ فِي صَلَاتِكَ فَصَلِّ صَلَاةَ مُوَدِّعٍ وَلَا تَكَلَّمْ بِكَلَامٍ تَعْتَذِرُ مِنْهُ وَأَجْمِعْ الْيَأْسَ عَمَّا فِي أَيْدِي النَّاسِ»
O i Dërguari i Allahut! Më mëso, por shkurt! (Pejgamberi ﷺ i) tha: Kur të ngritësh për namaz, falu sikur fal namaz lamtumirës (je për herë të fundit), mos fol fjalë që më vonë do të pendohesh për to dhe vendos për të mos shpresuar në atë që posedojnë njerëzit (mos u bë i varur prej tyre).”[4]
Ky hadith, siç mund të vërehet, jep konstruksionet për një jetë të lumtur, një jetë të mirë, në radhë të parë me Krijuesin, e pastaj edhe me krijesat – njerëzit. Hadithi përshkruan rrugën, e cila njeriut i dhuron atë epitetin prej besimtari të vërtetë. Të falësh namaz me përkushtim, të kultivosh raporte të mira me Krijuesin, në njërën anë, dhe të krijosh raporte të matura me njerëzit, duke mos i shqetësuar me gjuhën tënde por as duke mos u bërë i varur nga paratë e tyre, në anën tjetër, është esenca dhe thelbi i një krenarie, të cilën vetëm besimtari i sinqertë mund ta disponojë.
Porosia e parë: NAMAZI I PËRKRYER
Namazi është shtyllë e besimit, është lidhja e robit me Zotin e tij, është ajo në të cilën besimtari gjen prehje shpirtërore. Për të arritur efektin e vet, namazi duhet të kryhet në përputhje me parimet, dhe jo vetëm me parimet, pro krahas kësaj motiv për të duhet të jetë dashuria e madhe që kemi për Allahun e Madhëruar. Nga këtu, Muhammedi ﷺ, na porosit që kur ta bëjmë namazin ta bëjmë sikur nuk do te falemi më, sikur falemi për herë të fundit.
E perse duhet të falemi me kaq përkushtim do të mundohem ta jap përgjigjen nëpërmjet shembullit në vijim. Nëse ftohesh për të dalë para një sundimtari shumë të fuqishëm, para një njeriu që ka në dorë udhëheqjen e botës, ti këtë e konsideron si nder dhe mburrje. Nëse të thuhet se ky mund të jetë takimi yt i fundit me atë njeri, atëherë ti mundohesh që ta shfrytëzosh këtë shans maksimalisht duke u përkujdesur edhe për detajet dhe imtësitë, për shprehjet dhe lëvizjet, qofshin këto edhe më të thjeshtat. E, nëse pas kësaj të jepet rasti të takohesh prapë me atë njeri, kjo jo që nuk ta humb seriozitetin që ke, përkundrazi, të bën edhe më kureshtar madje për të përmirësuar ndoshta atë për të cilën e ke qortuar veten nga takimi i kaluar. E tash, nëse bën një krahasim ndërmjet Allahut të Madhëruar, si Krijues dhe Sundues suprem dhe këtij njeriu që sundimi i tij është i përkohshëm dhe se me gjithë fuqinë që ka, prapë në raport me Allahun e Madhëruar nuk është asgjë, atëherë ajo më e pakta që ne duam prej teje të jesh/bësh në raport me Allahun e Madhëruar është që të tregosh kësi respekti. Duam të kuptosh se ti në namaz je në kontakt – bashkëbisedim me Allahun e Madhëruar. Ebu Hurejre transmeton se Pejgamberi ﷺ ka cituar Allahun e Madhëruar të ketë thënë:
»قَسَمْتُ الصَّلَاةَ بَيْنِي وَبَيْنَ عَبْدِي نِصْفَيْنِ وَلِعَبْدِي مَا سَأَلَ فَإِذَا قَالَ الْعَبْدُ الْحَمْدُ لِلَّهِ رَبِّ الْعَالَمِينَ قَالَ اللَّهُ تَعَالَى حَمِدَنِي عَبْدِي وَإِذَا قَالَ الرَّحْمَنِ الرَّحِيمِ قَالَ اللَّهُ تَعَالَى أَثْنَى عَلَيَّ عَبْدِي وَإِذَا قَالَ مَالِكِ يَوْمِ الدِّينِ قَالَ مَجَّدَنِي عَبْدِي وَقَالَ مَرَّةً فَوَّضَ إِلَيَّ عَبْدِي فَإِذَا قَالَ إِيَّاكَ نَعْبُدُ وَإِيَّاكَ نَسْتَعِينُ قَالَ هَذَا بَيْنِي وَبَيْنَ عَبْدِي وَلِعَبْدِي مَا سَأَلَ فَإِذَا قَالَ اهْدِنَا الصِّرَاطَ الْمُسْتَقِيمَ صِرَاطَ الَّذِينَ أَنْعَمْتَ عَلَيْهِمْ غَيْرِ الْمَغْضُوبِ عَلَيْهِمْ وَلَا الضَّالِّينَ قَالَ هَذَا لِعَبْدِي وَلِعَبْدِي مَا سَأَلَ»
Unë, namazin e kam ndarë ndemjet Meje dhe robit Tim në dy pjesë, e robit Tim i takon ajo për çka më lut. Kur të thotë robi: Elhamdu li-l-Lahi Rabbi-l-alemin (falënderimi i takon Allahut, Zotit të botëve), Allahu thotë: Më falënderoi robi Im; kur të thotë: err-Rrahmani-rr-Rrahim (Mëshiruesi, Mëshirëploti), Zoti thotë: Më lavdëroi robi Im; kur të thotë: Maliki jevmi-d-din (Sunduesi i Ditës së Gjykimit), Zoti thotë: më madhëroi Robi Im – e një herë ka thënë: robi Im mu dorëzua plotësisht; kur të thotë: Ijjake na’budu ve ijjake nestein (Ty të adhurojmë dhe tek Ti mbështetemi), Zoti thotë: kjo është ndërmjet Meje dhe robit Tim, e robit Tim i takon kjo që kërkoi; e kur të thotë: Ihdina-s-sirata-l-mustekim sirata-l-ledhine en’amte aejhim gajri-l-magdubi alejhim ve la ed-dal-line (udhëzona në rrugën e drejtë, në rrugën e atyre që Ti iu dhurove mirësi e assesi në rrugën e atyre ndaj të cilëve je i hidhëruar dhe as në rrugën e të humburve), kjo i takon robi Tim, e robit Tim ia jap atë që kërkoi!”[5]
Kështu, ne nuk duam që ti vetëm të falësh namazin, sikur ta kryesh vetëm se është obligim, por krahas kësaj motiv duhet ta kesh dashurinë, ngase ti në namaz po kontakton me Krijuesin, me atë që i tërë pushteti është vetëm në duart e Tij. Ka thënë Hatim el-Esamm: Kur të ofrohet koha e namazit, marr abdes me përpikëri, pastaj shkoj në vendin ku do të falem dhe ulem që ta përmbledh veten. Më pas çohem për tu falur ndërsa Qabenë e vendosi para syve, Siratin nën këmbë, Xhennetin ne anën e djathtë, Xhehennemin në anën e majtë, Melekun e vdekjes pas shpine dhe mendoj se më nuk do të falem…[6] [6]Nga këtu, falja e namazit nuk shpërblehet nëse është shume në sasi pro nëse është shumë në cilësi. Ibni Abbasi, kushëriri i Pejgamberit ﷺ ka thënë: Dy rekate namaz që falen normal dhe me meditim janë më të mira që namazi i tërë natës me zemër harrestare.[7]
E se sa i rëndësishëm është namazi tregon edhe fakti se është gjëja e parë për të cilën njeriu do të jap llogari para Allahut të Madhëruar. Pejgamberi ﷺ ka thënë:
»إِنَّ أَوَّلَ مَا يُحَاسَبُ بِهِ الْعَبْدُ يَوْمَ الْقِيَامَةِ مِنْ عَمَلِهِ صَلَاتُهُ فَإِنْ صَلُحَتْ فَقَدْ أَفْلَحَ وَأَنْجَحَ وَإِنْ فَسَدَتْ فَقَدْ خَابَ وَخَسِرَ»
Vërtet, gjëja e parë për të cilën do të jap llogari robi në Ditën e Kiametit është namazi; nëse del korrekt, atëherë ka shpëtuar dhe kaluar, ndryshe, ka humbur dhe dështuar…”[8]
Porosia e dytë: KUJDES FJALORIN!
Çështja e të folurit është një prej gjërave që Islami e ka diskutuar shumë hollësisht. Kjo për shkak se ai mund të jetë çelës shpëtimi (p.sh. deklarimi i shehadetit) por mund të jetë edhe shkatërrim. E besimtari që shquhet përgjithësisht për përmbajtje dhe maturi, ftohet që personalitetin e vet ta kompletojë duke përmbushur edhe këtë kriter, pra të folurit me përgjegjësi. Ndryshe, të folurit jo vetëm që llogaritet, siç na mëson Allahu i Madhëruar në kaptinën Kaf, ajeti 18, por ai, nga pakujdesia mund të jetë fatal për njeriun, në kuptimin e humbjes së Xhennetit. Pejgamberi ﷺ ka thënë:
»وَإِنَّ الْعَبْدَ لَيَتَكَلَّمُ بِالْكَلِمَةِ مِنْ سَخَطِ اللَّهِ لَا يُلْقِي لَهَا بَالًا يَهْوِي بِهَا فِي جَهَنَّمَ»
…dhe robi ndodhë të flet ndonjë fjalë nga hidhërimi i Allahut, e që nuk i kushton rëndësi të madhe, e si shkak të bjerë thellë në Xhehennem…”[9]
Të folurit është i rrezikshme për faktin se kur thuhet më nuk kthehet, është sikur shigjeta, kur del prej harkut nuk dihet se ku qëllon, por kudo që të jetë prapë dëmton. Një njeri i mençur kishte thënë: Nuk jam penduar për atë që nuk e kam thënë, por jam penduar për atë që shumë herë e kam thënë.” Një tjetër kishte thënë: Çdo fjalë që nuk e kam thënë, jam ende pronar i saj ndërsa çdo fjalë që e kam thënë, jam bërë pronë e saj.”[10]
Porosia e trete: MOS U BË I VARUR NGA NJERËZIT!
Paraja është disi e mishëruar me njeriun. Allahu ka thënë:
﴿وَتُحِبُّونَ الْمَالَ حُبًّا جَمًّا﴾
Dhe pasurinë e doni së tepërmi.” el-Fexhr, 20.
Kështu, të kërkosh nga njerëzit, rrallë se mund të shpëtosh pa ndonjë ofendim, në rastin më të lehtë, apo kushtëzim në rastin më të keq. “Unë të jap por ti duhet të bësh kështu e kështu për mua.”
Pejgamberi ﷺ është porositur nga Xhibrili se:
»وعزه استغناؤه عن الناس»
Krenaria e tij (besimtarit) është në pavarësimin e tij nga njerëzit!”[11]
Më konkretisht, Muhammedi ﷺ, është munduar që besimtarit të devotshëm t’i përshkruajë rrugën drejt shpëtimit në këtë dhe botën tjetër. Nëse do që të mos jesh viktimë e shpirtëkëqinjëve por që edhe tek njerëzit dhe tek Zoti të jesh i dashur, atëherë ke vetëm një mundësi. Pejgamberi ﷺthotë:
«ازْهَدْ فِي الدُّنْيَا يُحِبَّكَ اللَّهُ وَازْهَدْ فِيمَا فِي أَيْدِي النَّاسِ يُحِبُّوكَ»
Bëhu asket në dunja, të do Allahu, bëhu asket nga ato që posedojnë njerëzit, të duan njerëzit!”[12]
Kjo, krahas asaj që nëse ti lyp sikur po e nënshtron veten para njerëzve, është edhe keqkuptim i pasurisë, ngase pasuri nuk është të kesh shumë para por pasuri është zemra, besimi, pajtimi me atë që të ka dhënë Allahu.[13] Edhe Pejgamberi ﷺ ishte i varfër por na tregoi se njeriu nuk vlerësohet nga xhepi por nga zemra. Besimtarët e parë ishin të varfër por nuk e shfaqnin dot varfërinë, ata vetëm për Allahun e Madhëruar kishin nevojë. Nga këtu, njerëzit, siç thotë Allahu i Madhëruar, kur i shihnin krijonin përshtypjen se ata janë të pasur.
﴿يَحْسَبُهُمُ الْجَاهِلُ أَغْنِيَاء مِنَ التَّعَفُّفِ﴾
“… ai që nuk e di gjendjen e tyre mendon se ata janë të pasur…” [el-Bekare, 273.]
Kështu duhet të jetë besimtari. Një përshkrim i shkurtër por shumë domethënës. E lus Zotin që të na bëjë prej besimtarëve, me të cilët Ai është i kënaqur!
Përgatiti: Dr. Sedat ISLAMI
[1] Buhariu.
[2] Transmeton Ebu Davudi ndërsa Albani në Silsiletu’s sahihah e ka cilësuar hasenun sahih.
[3] Buhariu (teksti i tij) dhe Muslimi.
[4] Albani këtë hadith e konsideron hasen.
[5] Muslimi.
[6] Ihjau Ulumiddin, 1/151.
[7] Ibid.
[8] Transmeton Tirmidhiu ndërsa Albani e ka cilësuar autentik.
[9] Buhariu.
[11] Hadith hasen. Shih: Sahihu-l-Xhami’i, nr. 73; 3710.
[12] Transmeton Ibni Maxheh ndërsa Albani e ka cilësuar autentik.
[13] Pejgamberi ﷺ ka thënë: “Pasuria nuk është në mall të shumtë por (pasuria është) në pasuri të shpirtit” (Buhariu); “…dhe pajto me atë që të ka dhënë Allahu do të jesh njeriu më i pasur…” (Transmeton Tirmidhiu ndërsa Albani e ka cilësuar hasen).