Hamdin ia kushtojmë Allahut, i Cili na e qartësoi udhën e drejtë! Me të vërtetë, na mjafton Allahu që të mbështetemi tek Ai dhe të shpresojmë në mëshirën e Tij. Dëshmoj se nuk ka të adhuruar me të drejtë përveç Allahut, të Vetmit, i pa ortak, i Cili i di sekretet dhe përshpëritjet e gjithkujt; Dëshmoj se Muhamedi është rob dhe i Dërguari i Tij, i cili është pejgamber i zgjedhur, e arab. O Allah! Lavdëroje dhe shpëtoje Muhamedin, familjen e tij dhe shokët e tij!

            Më tej: O robër të Allahut! Me të vërtetë dëlirësia dhe çiltërsia e akides së muslimanit nis në mbështetjen e tij tek Allahu, shpresën tek Ai për t’ia rregulluar punët, mbështetjen e tij të plotë tek Zoti Fuqiplotë për të përfituar të mira, për të larguar fatkeqësi dhe për të kërkuar strehë tek Ai, sikurse edhe në raste vështirësie duke demonstruar nevojën e Tij për Allahun, duke i kërkuar ndihmë vetëm Atij. Ky pra është Sheriati që zbriti nga qielli, e të cilin e kumtoi i Dërguari i Allahut, -sal-lallahu alejhi ue selem!-, tek të gjithë popujt. Ai i cili ec në këtë menhexh dhe e pason shtegun e tij, e arrin lumturinë dhe shpresën për të shpëtuar. E, gjithsecili që e ndrron dhe e ndryshon këtë udhëzim dhe niset të ecë në rrugë e shtigje të tjera, e jo nga ajo që e ka shpallur Allahu i Madhërishëm, e që na e ka mësuar i Dërguari i Tij, -sal-lallahu alejhi ue selem!-, do të bëhet helaq me degjerim e humnerë, fjala vjen, humbje e degjerim në akide, që manifestohet me përplasjet që pëson i tilli me epshet dhe zhytjen nëpër trazira, e ndër cilat trazira janë hajmalitë, të cilat i lidhin nëpër qafë a tjetërkund nëpër trup, duke pretenduar se ajo e shmangë të keqën, e ruan nga msyshi dhe sjell hajër. Sikurse prej këtyre katastrofave është shkuarje në rrenacakë e falltarë, të cilët të vetmin synim e kanë plaçkitjen e pasurive të njerëzve, duke pretenduar e duke i gënjyer njerëzit se gjoja ata e dinë të fshehtën (gajbin), -e që, në të vërtetë të fshehtën nuk e di askush përpos Allahut të Lartësuar!-; Njashtu i rrejnë se gjoja e shohin të ardhmën e tyre, lumturinë, dëshpërimin, lulëzimin apo dështimin e tyre. E, kjo punë ka shkuar deri aty, aq sa njerëzit kanë përfituar bindje në ogurzeza që gjoja ndjellin prapësi e të keqe, e si pasojë kanë pesimizëm përkitazi me disa ditë, si p.sh. me ditën e mërkurë; apo me muaj, si p.sh. me muajin sefer; apo me zogj: si p.sh. me sorrën dhe kukuvajkën; apo me invalidët apo me atë që i dridhet syri i majtë, e me gjëra të tjera që nuk arrij dot t’i numëroj. O robër të Allahut! Krejt këto gjëra janë degjerim e shkatrrim në akide, pra janë devijim i qartë.

قُل لَّن يُصِيبَنَا إِلَّا مَا كَتَبَ اللَّـهُ لَنَا هُوَ مَوْلَانَا وَعَلَى اللَّـهِ فَلْيَتَوَكَّلِ الْمُؤْمِنُونَ

Thuaj: “Do të na godas vetëm ajo që na e ka caktuar Allahu, Ai është Zoti ynë dhe vetëm te Allahu le të mbështeten besimtarët!”[1]

            Allahu është Ai që e ka krijuar njeriun dhe ia ka caktuar atij furnizimin, exhelin, lumturinë, dëshpërimin dhe gjithçka me të cilën ka për t’u ballafaquar në jetë, qoftë e mirë apo e keqe. Pra, do të kalojë në jetë pikërisht në atë që ia ka përcaktuar Allahu, -azze ue xhelë!-, e nuk do ta ndryshojë këtë kader asesi hajmalia, e as nuskat e fëlliqura, e as që mund ta prishë kaderin rrenacaku falltar, e as që mund të kenë ndikim oguret e pesimistëve dhe tërbimet e devijimit.

            I Dërguari i Allahut, -sal-lallahu alejhi ue selem!-, ka thënë:“Secilit prej jush i qe mbledhur krijimi në barkun e nënës së vet për dyzet ditë, pastaj shndërrohet në një copë gjaku të mpiksur po për aq ditë, pastaj bëhet si një copë mishi (e shtypur me dhëmballë) po për aq ditë. Pastaj Allahu dërgon një melek, i cili ia fryen atij shpirtin, e, urdhërohet t’i shkruajë atij katër gjëra: ia shkruan riskun, ditën e vdekjes, veprën dhe se a do të jetë i mjeruar a i lumtur.”[2] Kurse në një transmetim tjetër qëndron se: “(Shokët) I thanë: O i Dërguari i Allahut! A të mbështetemi në atë që është shkruar, e të lëmë veprën?! Tha: “Punoni, ngase njeriut i bëhet e lehtë ajo për të cilën është krijuar!”[3]

            Allahu, -xhele ue ala!-, thotë:

مَا أَصَابَ مِن مُّصِيبَةٍ إِلَّا بِإِذْنِ اللَّـهِ

“Nuk ju godet ndonjë sprovë a fatkeqësi veçse me lejen e Allahut…” Që do të thotë me dëshirën dhe urtësinë e Tij…

وَمَن يُؤْمِن بِاللَّـهِ يَهْدِ قَلْبَهُ

“…e ai që i beson Allahut, ia udhëzon (në rrugë të drejtë) zemrën e tij.”[4]

            Njëri nga imamët e tabiinëve në tefsirin e tij, teksa shpjegonte këtë ajet thoshte: “Bëhet fjalë për një lloj njerëzish që, kur u bie ndonjë sprovë e fatkeqësi, e kuptojnë dhe e dinë mirëfilli se kjo është nga Allahu, e si rrjedhojë i dorëzohen Atij dhe mbeten të kënaqur.”

            Allahu i Lartësuar, ka thënë:

    وَلَئِن سَأَلْتَهُم مَّنْ خَلَقَ السَّمَاوَاتِ وَالْأَرْضَ لَيَقُولُنَّ اللَّـهُ قُلْ أَفَرَأَيْتُم مَّا تَدْعُونَ مِن دُونِ  

 اللَّـهِ إِنْ أَرَادَنِيَ اللَّـهُ بِضُرٍّ هَلْ هُنَّ كَاشِفَاتُ ضُرِّهِ أَوْ أَرَادَنِي بِرَحْمَةٍ

هَلْ هُنَّ مُمْسِكَاتُ رَحْمَتِهِ قُلْ حَسْبِيَ اللَّـهُ عَلَيْهِ يَتَوَكَّلُ الْمُتَوَكِّلُونَ

“Nëse ti i pyet ata se kush i ka krijuar qiejt dhe Tokën, me siguri do të thonë: “Allahu” – Thuaju: “A mendoni për ata që i adhuroni ju përveç Allahut – që mund ta evitojnë të keqen e Tij, nëse Allahu don të ma dërgojë, ose a mund ta pengojnë mëshirën e Tij, nëse Ai don të më dërgojë (atë mëshirë)”. Thuaj: “Më mjafton Allahu. Tek Ai mbështeten ata që kërkojnë mbështetje”.[5]

            Kurani Fisnik dhe Suneti i të Dërguari të Allahut, -sal-lallahu alejhi ue selem!-, e kanë sqaruar rrugën e shpëtimit për atë që ia vë veshin dhe përudhet me dritën e tyre. Andaj, -o robër të Allahut!-, ju këshilloj që t’i keni frikë Allahut, e të mbështeteni tek Ai me një mbështetje të vërtetë e të denjë, duke u strehuar tek Ai për kërkimin e së mirës dhe shmangien e së keqës. Pra, kjo është feja e vërtetë, e kjo është akideja e saktë dhe e shëndoshë për një musliman të udhëzuar.

            Kërkoj strehë tek Allahut të më mbrojë nga shejtani i mallkuar. Allahu ka thënë:

وَإِن يَمْسَسْكَ اللَّـهُ بِضُرٍّ فَلَا كَاشِفَ لَهُ إِلَّا هُوَ وَإِن يَمْسَسْكَ بِخَيْرٍ فَهُوَ عَلَىٰ كُلِّ شَيْءٍ قَدِيرٌ

Nëse Allahu të godet me ndonjë fatkeqësi, atëherë askush përvçe Tij nuk mund të të shpëtojë. E, nëse të dhuron ndonjë mirësi – vetëm Ai është i Plotëfuqishëm për çdo gjë.[6]

            Allahu na e bëftë të mundur të gjithëve që të përfitojmë nga udhëzimi i Librit të Tij. E thash këtë, e, për çdo mëkat të bërë i kërkoj falje Allahut të Madhërishëm për vetën time dhe për ju, e për të gjithë muslimanët. Kërkoni edhe ju falje, Ai është Falësi, Mëshiruesi!

Nga arabishtja: Mirsim Maliqi

Medine, 16.11.2012

[1] Kurani, Et-Tevbe: 51

[2] Sahih – Shënon Buhariu në “Sahih” (2988, 3106, 6135), Muslimi në “Sahih” (4788), Ebu Davudi në “Sunen” (4088), Tirmidhiu në “Xhami” (2064), Nesaiu në “Es-Sunenul-kubra” (10744), Ibën Maxhe në “Sunen” (73), Ibën Hibani në “Sahih” (6308), Ahmedi në “Musned” (3422, 3493, 3803, 3951), Bezari në “Musned” (1400, 1475, 1589), e të tjerë prej hadithit të përcjellur nga Abdullah ibën Mes’udi, -radijallahu anhu!-. Sh. P.

[3] Sahih – Shënon Muslimi në “Sahih” (4795), Bejhakiu në “El-kadu vel-kader” (23, 24), Ibën Hibani në “Sahih” (341), Ahmedi në “Musned” (13971, 14305), Taberani në “El-Muëxhemul-kebir” (6438, 6441, 6442), e të tjerë prej hadithit të përcjellur nga Abdullah ibën Xhabir, -radijallahu anhu!-. Sh. P.

[4] Kurani, Et-Tegabun: 11

[5] Kurani, Ez-Zumer: 38

[6] Kurani, El-En’am: 17