Të dashur xhematlinj!
Tevekkuli apo mbështetja tek Allahu është një ndër konceptet më të rëndësishme të besimit tonë. Tevekkul-i nënkupton që njeriu të mbështetet në Allahun, duke marrë paraprakisht të gjitha shkaqet dhe pastaj mbështetja në Allahun duhet të jetë e paluhatur. Së pari duhet përmbushur detyra jonë, e që është vendosmëria, mendimi, veprimi dhe këshillimi me të tjerët, e pastaj pasi ta marrim një vendim të caktuar, të mbështetemi në Allahun pa pasur dyshimin më të vogël. Thotë Allahu i Madhërishëm:
فَإِذَا عَزَمْتَ فَتَوَكَّلْ عَلَى اللَّهِ ۚ إِنَّ اللَّهَ يُحِبُّ الْمُتَوَكِّلِينَ
“…e kur të vendosësh, atëherë mbështetu në Allahun, se Allahu i do ata që mbështeten.”
Pra, tevekkuli është atëherë kur ne paraprakisht nëse dëshirojmë të vendosim për diçka, i analizojmë mirë gjërat, përgatitemi mirë, i marrim të gjitha shkaqet dhe masat e nevojshme e pastaj mbështetemi në Allahun duke ia lënë Allahut çështjen në fjalë pa dyshimin më të vogël. E rëndësishme është që kur të veprojmë kësisoj, atëherë të mos i japim më shumë rëndësi vullnetit tonë se sa vullnetit të Allahut.
E, nëse ne kemi vepruar kështu duke marrë parasysh të gjitha masat dhe shkaqet e mundshme, e më pas iu kemi mbështetur Allahut, atëherë gjithçka është në vullnetin e Zotit dhe veçse iu kemi mbështetur Allahut me një mbështetje të fuqishme, ashtu siç tregoi i dashuri i Allahut kur tha: “Sikur t’i mbështeteni Allahut ashtu siç duhet, Ai do t’ju furnizojë siç furnizon zogjtë. A nuk e shikoni se zogu del në mëngjes i uritur nga foleja dhe kthehet në mbrëmje i ngopur?”
Pra, duhet të merren të gjitha shkaqet për bazë e të analizohen të gjitha mundësitë reale, e pastaj të mbështetemi në Allahun e Madhëruar. Hadithin që e përmendëm rreth zogjve dhe furnizimit të tyre, nuk po thotë që Allahu i furnizoi në foletë e tyre, mirëpo shkaku i furnizimit të tyre është dalja nga foletë e tyre për të kërkuar furnizimin. Së pari angazhimi e pastaj mbështetja.
Ai që mendon se Allahu do ta furnizojë atë duke qëndruar ulur në shtëpinë e tij, e ka keqkuptuar konceptin e mbështetjes në Allahun dhe ka përzgjedhur rrugën e tevaakulit, ku individi nuk merr parasysh shkaqet, as anët pozitive apo negative e as konsultimin, por vetëm mbështetjen në Zot, e kjo mbështetje është e gabuar.
Nëse bujku ka hedhur farën në arë, e ujit, e punon mirë, kujdeset në maksimum për të, e pastaj e pret rezultatin nga Allahu, ai ka bërë një tevekkul të plotë, e nëse punën nuk e ka bërë si duhet e llogaritë i ka të mëdha, atëherë për të themi se ia huqur mbështetjes në Allah, ngase së pari duhet kryer puna e pastaj rezultati. Omeri i drejtë kur pa disa njerëz që prisnin furnizim nga Allahu duke qëndruar ulur, pa u lodhur e pa punuar fare, u tha atyre: “Ju nuk mund të jeni prej atyre që mbështeten në Zot…”
E i Dërguari i Allahut kur pa një njeri që erdhi tek ai e pyeti se ku e kishte lënë devenë e tij, e njeriu u përgjigj: “Iu kam mbështetur Allahut!” i Dërguari ia ktheu: “Së pari lidhe devenë e pastaj mbështetu Allahut!”
Vetëm në Allahun duhet të jetë mbështetja
Në të gjitha rastet dhe në të gjitha situatat, besimtari gjithnjë duhet të mbështetet në Allahun dhe asnjëherë të mos e humb shpresën prej Tij, pa marrë parasysh në çfarë gjendjen është dhe si është halli i tij. Allahu tha në librin e Tij:
وَعَلَيْهِ فَلْيَتَوَكَّلِ الْمُتَوَكِّلُونَ
“…dhe vetëm Atij le t’i mbështeten ata që besuan.”
Besimtari duhet t’i nënshtrohet Krijuesit të Tij, t’i dorëzohet plotësisht dhe vetëm Atij t’i bindet e në Të të mbështetet. Tha i Dërguari i Allahut: “O Zot! Ty të jam dorëzuar. Ty të besoj dhe te Ti mbështetem!”
Besimtari i sinqertë i mbështetet Allahut kur e kërkon furnizimin, shërimin nga ndonjë sëmundje, kur kërkon mëshirën e Tij, kur mbrohet nga të këqijat e kërkon ndihmën e Allahut.
Kush mbështetet në Allahun, Ai i bën zgjidhje për gjithçka
Në çdo rrethanë, sado e vështirë të jetë, ka rrugëdalje. Përherë ekziston një shteg dhe një derë gjithnjë është e hapur. E rëndësishme është që ne ta kryejmë punën tonë e kur t’i mbështetemi Allahut, atëherë sigurisht se Ai do të bën zgjidhje për ne, sepse Ai ju mjafton besimtarëve, siç tha në librin e Tij:
وَمَن يَتَوَكَّلْ عَلَى اللَّهِ فَهُوَ حَسْبُهُ
“…Kështu i mbështetet Allahut, Ai i mjafton atij…”
Kur Ibrahimin a.s. e hodhën mbi një turmë të madhe drush për ta djegur të gjallë, -e që paraprakisht për kohë të gjatë i kishte thirrur ata në besim dhe u kishte ofruar atyre dëshmi të shumta rreth besimit-, e më pas në atë gjendje të vështirë qëndroi i paluhatshëm, i pathyer dhe atë nuk e kaploi frika e paniku. Ai në ato momente gjersa turma priste djegien e tij, tha: “Më mjafton Allahu, sa mbështetje e mirë është Ai!” Ai u mbështet në Allahun me një mbështetje të paluhatur dhe ishte i sinqertë ndaj Tij, andaj edhe shpëtoi me ndihmën e të Madhit Zot: “E Ne i thamë: “O zjarr, bëhu i ftoftë dhe shpëtim për Ibrahimin!”
Kur të Dërguarin e fundit, Muhamedin a.s. e rrethuan afër shpellës ku qëndronte, shoku i tij u frikësua, ndërsa i Dërguari i Allahut ia ktheu: “Mos u dëshpëro! Allahu është me ne!” Por para këtyre fjalëve ai kishte marrë për bazë të gjitha gjërat tjera dhe i kishte bërë gjitha llogaritë mirë e mirë, që nga udhëtimi se kur duhet bërë, përzgjedhja e shokut të jetës për një udhëtim të tillë, zgjedhja e rrugës në të cilën do të shkonin, treguesi i rrugës dhe çdo gjë tjetër. Pra, ai nuk qëndroi në shtëpi e të thoshte se Allahu është me ne, por mori të gjitha shkaqet, mendoi të gjitha çështjet, bëri llogaritë e tij, konsultimet e në fund iu mbështet Allahut dhe edhe atëherë kur pa shpatat e armiqve të tij, nuk mendoi në kapjen apo mbytjen e tij, por ishte i bindur se Allahu do t’i bënte rrugëdalje, ashtu siç në fakt edhe ndodhi!